E marte, 19.03.2024, 10:18 AM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Besim Gollopeni: Transformimet familjare në vend

E merkure, 13.02.2013, 08:04 PM


Disa nga elementet e transformimeve familjare në vend

Nga MSc. Besim GOLLOPENI, Sociolog / Demograf

Ekzistojnë shumë përkufizime për familjen si nga sociologë ashtu edhe nga antropologë të vendeve të ndryshme. Sipas përkufizimi të Merriam-Webster, familja është: ” Njësia themelore në shoqëri e cila tradicionalisht përbëhet nga dy prindër që krijon fëmijët e tyre, gjithashtu përfshihen edhe njësi të tjera shoqërore, të ndryshëm, që dallojnë por janë të lidhura dhe të barabarta si familjet tradicionale (familje me vetëm njërin prind).” (wikipedia.org). Familja është qeliza e shoqërisë, e që mund të thuhet se kur është familja e shëndoshë pa mëdyshje se është edhe shoqëria e shëndoshë. Por, nuk duhet harruar se përveç tjerash themelet e familjes së shëndosh i lëkund periudha transitive (kalimi prej një faze në një fazë tjetër) dhe mungesa e hartimit të strategjive nacionale popullative dhe çështjeve që ndërlidhen me planifikimet familjare.

Neni 16 (3) i Deklaratës së të Drejtave të Njeriut thotë: ”Familja është grupi natyral dhe kryesor në shoqëri dhe ka të drejtë për mbrojtje nga shoqëria dhe shteti.”.

Përmes një vështrimi të përgjithshëm sociologjik do të mundohem që sadopak të shkoqisim disa nga elementet e transformimeve të familjes kosovare tradicionale dhe bashkëkohore si për shembull; vendimet për hyrje në martesë, marrëdhëniet familjare, edukimi i fëmijëve dhe politikat institucionale në raport me familjen.

Vështrime për familjen tradicionale;

Familja tradicionale i takon tipit të zgjeruar dhe përbëhej nga numër i madh i anëtarëve të familjes ku po ashtu, përbëhej prej dy e më shumë familjeve por që bashkërisht jetojnë dhe veprojnë në një ekonomi familjare etj.

Në familjen tradicionale të rinjtë fare pak ose/apo në të shumtën e rasteve vendimet për hyrjen ose jo në marrëdhënie martesore i koordinonin me anëtarët e tjerë të familjes e në shumicën e rasteve me prindërit e tyre mirëpo, kishte edhe raste jo të rralla kur prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes vendosnin për fatin e të rinjve sidomos femrave madje, kishte të atilla raste kur për fatin e tyre u vendoste gjersa ishin në barkun e Nënës (sa ishte shtatzënë), në momentin e lindjes dhe në fëmijërinë e hershme. Këto raste ndodheshin, atëherë kur familjet njiheshin paraprakisht.

Si përcaktoheshin për miqësinë e re?

Preokupimi i të rinjve e veçmas i familjarëve për hyrje në marrëdhënie martesore në këtë periudhë kohore në të shumtën e rasteve ishte se me kënd të bëhet mik, a përshtaten (karakteri) mes vete familjet dhe qifti i ri?, ka i ka Dajt e fare fisin nusja apo dhëndëri?, a është familje me nam të mirë?, a është familje e pasur?, e deri tek organizimi i ceremonisë martesore etj. Pas kësaj periudhe, lind një etapë e re e martesës dhe lidhjes së miqësisë ku problemet në të shumtën e rasteve edhe kur kishte probleme familjare apo ndër familjare, në shumicën e rasteve, ato shuheshin për shkak të relacioneve miqësore apo siç njihet në popull një fjalë e zakonshme për “hatër” të këtij apo atij/asaj. Në këtë kohë prindërit e në raste të caktuara (kur mungonin prindërit) edhe anëtarët tjerë të familjes e luanin rolin e edukatorit për ti përgatitur të rinjtë për jetën martesore, sjelljet e tyre familjare e deri tek të qenit prind i mirë dhe përballimin me sfidat e jetës. Në këtë rast, nuk duhet harruar as edhe për një çast, se në sociologjinë kosovare roli i NËNËS në kujdesin dhe edukimin e fëmijëve ishte kyç. Edhe përkundër angazhimit të saj (nënës) në bërjen e punëve të shtëpisë, kujdesit ndaj bagëtive shtëpiake e deri tek marrja me punët e bujqësisë, përsëri ajo (nëna kosovare) ishte përgjegjësja kryesore në kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të saj. Përgjegjësitë familjare (burrë, grua) pothuaj se ishin strikt të ndara, e kur bëhej fjalë për vendimmarrje mbi çështje të caktuara familjare, gruaja në të shumtën e rasteve as që pyetje por, për këtë vendosnin baballarët.

Për dallim nga familja bashkëkohore ku fëmijët vazhdimisht edukohen se si të jenë të emancipuar, në familjen tradicionale fëmijët edukoheshin se si të jenë të dëgjueshëm, etj. Në këtë kohë, mungonin institucionet edukative – arsimore në pjesën më të madhe të vendit (veçanërisht edukimi para fillor – kopshtet e fëmijëve) andaj, familja ishte institucioni kyç dhe ndoshta edhe i vetmi i cili kujdesej për edukimin e hershëm të tyre. Përderisa, në familjen tradicionale në të shumtën e rasteve sfidë për prindërit dhe familjarët e tyre në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve ishte  gjendja e rënduar ekonomike dhe mentaliteti patriarkalist, kjo situatë në kohën bashkëkohore e sidomos mentaliteti patriarkalist ka ndryshuar. Meqenëse, përgjegjësia për kujdesin – rritjen dhe edukimin e fëmijëve ishte e shpërndarë edhe tek anëtarët tjerë të familjes, pavarësisht sfidave të kohës tejkaloheshin më lehtë në shumicën e rasteve. Në anën tjetër, familja në atë kohë ishte e lidhur për punët e shtëpisë dhe tokës, që donë të thotë se ishte më afër fëmijëve,...etj.

Në atë kohë, nuk duhet harruar se përveç që mungonin politikat familjare të mirëfillta institucionale për shkak të situatës politike në vend, ato madje ishin në disa raste të projektuar në dëm të shoqërisë kosovare nga qarqet e ndryshme serbo mëdha, sa që shkonin aq larg duke e parë stabilitetin dhe lindshmërinë e lartë të familjes kosovare si çështje politike dhe të rrezikshme për të ashtuquajturën Serbinë e madhe, etj.

Vështrime për familjen bashkëkohore;

Transformimet nga familja tradicionale në atë bashkëkohore në shoqërinë kosovare kanë marr hovë të madh të zhvillimit, duke u shoqëruar me gjendjen e rëndë sociale.

“Familja sot, në bazë të kulturës dhe civilizimit të përgjithshëm, qëndron mbi familjen e vjetër patriarkale. Ajo është duke përjetuar ndryshime të shumta kryesore në konsolidimin në baza të reja shoqërore - ekonomike të progresit dhe të zhvillimit te njerëzit në tërësi. Si kategori sociologjike, historike – shoqërore, ajo është shfaqur dhe zhvilluar historikisht, duke ndërruar format në brendinë e vet shoqërore”. Familja është sipas Luis Morgani-t “element aktiv”, ajo asnjëherë nuk qëndron në vend, por evoluon prej formave të ulëta në forma të larta në përpjesëtim me zhvillimin e shoqërisë prej shkallës së ultë në shkallë të lartë.

Për t’u ndalur tek çështjet e ngritura më lartë pra, rreth raporteve familjare të të rinjve kosovar para, gjatë dhe pas hyrjes në martesë, aktualisht, në Kosovë kemi të bëjmë me hyrje të vona në martesë (mbi 30 vjeç), lindje në numër të vogël dhe për tu zvogëluar edhe më tutje, me familje drejt zvogëlimit, divorci në rritje e sipër, problemet familjare, etj. gjë që, të gjitha këto karakteristika të familjes kërkojnë mbrojtje institucionale ngase, përveç tjerash, shkaktarët kryesor të problemeve familjare janë mungesa e politikave të mirëfillta sociale në vend, jeta dinamike, etj. e të cilat për pasojë të çojnë deri te dukuritë devijonte.

Përderisa, në familjen tradicionale punët ishin të ndarë rreth kujdesit të fëmijëve dhe përgjegjësisë së punëve të shtëpisë, kjo dukuri sikur kohëve të fundit ka pësuar ndryshime të theksuara, sidomos në viset urbane dhe kryesisht te kategoria e arsimuar e popullatës megjithëse, ndryshimet do të vazhdojnë edhe më tutje. Si rezultat i emancipimit të të rinjve e veçmas të gjinisë femërore tash më, përgjegjësitë për familjen pothuajse janë të barabartë posaçërisht, këtu bëhet fjalë te kategoria mirë e arsimuar e popullatës.

Ndërsa, kur kemi të bëjmë me vendimet  të rinjve për hyrje në martesë, kjo dukuri ka ndryshuar dukshëm për të mirë aq sa, më përgjegjësia ka kaluar tek vet të rinjtë. Gjithashtu, duhet përmendur se edhe relacionet prindër fëmijë dhe anëtarë tjerë të familjes ka ndryshuar dukshëm, sidomos në menaxhimin e të ardhurave individuale, raportet familjare etj, gjë që kjo dukuri ishte e pazakontë në familjen tradicionale. Përveç tjerash, një kontribut të madh në transformimin e familjes përmes sjelljes së risive dhe teknologjive moderne,  pa dyshim se e ka dhënë edhe diaspora kosovare.

Së fundmi sot, shumica vendeve të Botës së zhvilluar dhe atyre në zhvillim, politikat popullative i kanë vendosur në top agjendat e tyre (politikëbërsitë dhe vendimmarrësit) duke hartuar strategji nacionale për politikat popullative dhe çështjet të cilat lidhen me planifikimin e familjes etj. Kjo, për faktin se, çështjet popullative deshtëm apo nuk deshtëm ne, kanë ndikim të drejtpërdrejt edhe në çështjet mikro dhe makro financiare të një vendi siç është rasti me KINËN. Përfundimisht, edhe përkundër arritjeve të theksuara që ndërlidhën me popullsinë të bëra në dekadën e fundit në Kosovë, akoma lenë edhe shumë për të dëshiruar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora