E shtune, 20.04.2024, 01:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Eli Fara - Magjistarja e Serenatave Korçare

E merkure, 13.02.2013, 07:41 PM


Jeta plot dinamikë e Eli Farës nga Tirana në Amerikë

Magjistarja e Serenatave Korçare

Nga Albert ZHOLI

Portreti

E shikon dhe nuk e beson. Ajo ruan akoma bukurinë e saj të spikatur vajzërore dhe pse i ka kaluar të dyzetat.  E qeshur, e bukur, elegante, pra sharmante në tërë qenien e saj. Flet qetë dhe me një zë melodoiz si vetë këngët e repertorit të saj, pasi dhe vetë jeta e saj është një këngë.  Nuk përdor pije alkolike, bën një makijazh të lehtë, ha në mënyrë normale por më shumë frekuenton frutat dhe specialitete e detit.  Rrobat i blen firmato dhe gardëroba e saj ngjishet për çdo ditë, pasi vetë profesioni e kërkon me çdo kusht perfomancën e bukur para publikut. Ha sa duhet, pa dietë të veçantë. Madje  provon çdo recetë të re, që i  japin shoqet. Por nuk e kalon masën në të ngrënë. Ruan  sensin e masës. Nuk bën asgjë të veçantë përveçse përkujdesjeve që kryejnë të gjitha femrat e tjera. Nuk e ka mendjen të duket se s’bën, të bjerë në sy për bukurinë. Bën tualet të lehtë dhe e zgjedh veshjen në raport me kohën. Kështu plotësohet. Sipas saj pamja është më shumë gjenetike. Duke e pasur organike mendoj se është një dhuratë e mirë e Zotit, e cila të largon nga sajimet e lodhshme dhe të bezdisshme.Eshtë një tip shumë tolerante, pasi vetë në radhë të parë sillet në mënyrë korrekte me veten e saj dhe pastaj me të tjerët. Ajo di të tërhiqet në momentin e duhur, pa lejuar abuzimet me tolerancën e saj. Di të jetë e zgjuar kur duhet, por po aq serioze në kohën dhe vendin e duhur.

Një album interesant

“Të dua për vete”,  është një ndër albumet më interesant të saj.  Në këtë album  përveç krijimeve të reja ka futur dhe perlat e repertorit të saj serenatat dhe baladat (si risi në repertorin e saj)  të cilat tregojnë jo vetëm pjekurinë, por edhe synimet e qarta që ka ajo për këngën dhe sqimën e përzgjedhjes.  Ky album nga kritika u cilësua si nj prurje e re në krijimtarinë artistike të saj. Çdo gjë perfekte, muzika, tekstet, orkestra, zëri.

Ishte me shumë përgjegjësi ... Doli në treg pas dy vjetësh pune intensive. Albumi titullohet “Të dua për vete”, bashkëpunim me shtëpinë diskografike “Elrodi Music”.

Kënga me të cilën titullohet albumi është këngë shumë e ëmbël. Albumi është me këngë popullore, serenata dhe balada. Shtatë janë krijime të reja në folk dhe dy janë këngët perla që janë të risjellura “Qeraxhiu” dhe “25 gërsheta”. I solli para publikut mbas 20 vjetësh, që nga koha që i kish kënduar për herë të parë në skenë dhe që kanë mbetur këngët më të bukura popullore për të dhe më të kërkuarat në të gjitha koncertet që unë bën nëpër botë. I këndoi përsëri në mënyrë që të jenë në repertorin e albumeve të saj dhe njëkohësisht i ka sjellë të freskëta dhe për brezin e ri, që të vazhdojnë ta ndjekin me këto këngë. Këto janë nga perlat e muzikës popullore shqiptare. Për një atmosferë më të ndezur në album ka kënduar dhe një këngë shkodrane. Këto këngë tashmë janë kënduar me orkestër profesionale me aparatura speciale, ku zëri del më i plotë, më i bukur, më i qartë. Kushtet e incizimit të atëhershëm ishin ndryshe. Edhe interpretimi ishte ndryshe. Zëri i saj tashmë është më i pjekur, më i plotë, më profesionist. Disa këngë të tilla duheshin regjistruar në këtë kohë. Ky album është punuar me orkestruesit Shpëtim Saraçi dhe Edi Balili, dy profesionistë në fushën e muzikës. Por edhe më Josif Mingën dhe Sopot Sericën.  Ndoshta ky album erdhi si një fllad i ri pranveror, ku ajo ka dhënë energji dhe ndjenjë shpirti, ku me këto këngë ajo në udhët e panumërta të skenës kudo në botë, po qetëson shpirtra bashkëkombësish të mallëngjyer për erën e atdheut. Falënderon këdo, por pa i dhënë rëndësi të dorës së parë atyre që i thonë “Je e bukur”, pasi vlerat e saj shpirtërore dhe personaliteti, janë më të spikatura për këdo që e njeh nga

afër. Kur do të korrigjojë ndonjë fjalë të tepërt, kafshon lezetshëm paksa buzën e poshtme (nga ana e majtë), si një fëmijë i pafajshëm i zënë në faj.

Fillimet e këngës

Ishte në klasën e katërt të shkollës 8-vjeçare kur filloi të këndojë. Në shkollë do të zhvillohej një koncert dhe duheshin këngëtarë për korin. Mësuesja e muzikës Dina Grabova, midis të tjerave zgjodhi dhe Elin. Siç duket e kishte dëgjuar jashtë vëmendjes së saj. Më vonë kjo mësuese e përkrahu dhe i dha këshillat e duhura. Mes mësuesve të saj ajo veçon edhe  Pavllo Shollën. Për të ky njeri i apasionuar i këngës ishte kompozitori që i dha udhën e duhur në drejtim të këngës.

Dalja në skenë dhe emri

Dhe rrugët e saj hapen si me magji. Në vitin 1983, merr pjesë në Festivalin e Gjirokastrës kur ishte në vitin e tretë të shkollë së mesme për kanto. Para se të niseshin në Gjirokastër drejtuesit e grupit morën 9 vajza të kantos në Pallat të Kulturës për ti provuar. U dhanë një këngë kurbeti.  Eli e këndoi më bukur dhe shkoi në festival. Kënga titullohej “Nënoçkë s’të vjen keq”. Në këtë Festival mori çmimin “Laurante e Festivalit”.  Dhe ajo e thotë me shpirt se  atëherë nuk kishte kaq emocione në skenë. Sa më shumë emër të kesh aq më shumë rritet përgjegjësia skenike.

Studionte për kanto por këndonte këngë popullore

Ajo studionte për kanto por këndonte këngë popullore. Mësuesit e saj Josif Minga dhe Afërdita Zonja e spikatën këtë që ajo të mos e ndryshoja zërin, por të ruante zërin e këngës popullore.  Ashtu si dhe mësuesit e saj filloi ta ndjej që zëri i saj ishte për këngë popullore. Ishte zëri që më i dha qumështi i nënës që kishte të ngjizur tingujt e këngës popullore. Ajo u nda jo pa dhimbje nga kantoja.

Në Korçë kishte muzikantë të talentuar. Novruz Lule (Lulushi), ishte një gjeni i klarinetës. Kur ai vdiq në vitin 1989, në një shkrim për të mjeshtri i muzikës Josif Minga tha: “Pa klarinetën e Lulushit, zëri i Elit nuk do të kishte kuptim”. Kështu ndodhi dhe kur u divorcua nga kantoja.

Nga Korcca në Tiranë

E vërtetë. Ka shumë vite që po jeton në Tiranë dhe është ambientuar si me Korccën. Detyrimisht kështu do të ndodhte. Tirana një qytet me gjallëri, mbushur aktivitete.  Tirana i lidh këngëtarët jo vetëm me gjithë Shqipërinë, por edhe me gjithë botën. Është pikë referimi.

Si qytetare amerikane

Eshtë një çlirim brenda vetes. Ka hequr një stres që ka shoqëruar  shqiptarët kudo që shkojnë. Kudo kontrolle të imta pasaportash, shikime me dyshim, lënie mbas dore, etj.. Është një ndjesi lirie. Mund të lëvizësh pa problem në çdo vend të botës. Qytetare amerikane do të thotë qytetare e mbarë botës. Ndjehet mjaft, mjaft komode.  Në fillimet e koncerteve të saj në Amerikë kishte shumë mall, kishte shumë etje për të dëgjuar këngë dhe ansamble shqiptare. Atëherë shumë që ishin të arratisur, të tjerë nga Kosova “na shihnin në dritë të syrit” thotë ajo.  I dëgjonin me shumë ëndje, me shumë entuziazëm. Tani “Magjia” nuk është më e mëparshmja. Tani duket sikur i kanë të gjitha aty. Pra, kur i ke sikur zbehet interesi. Interesi nuk është ai i mëprashmi. Por megjithatë aty është një komunitet i madh dhe ka këngëtarë të mirënjohur që plotësojnë boshllëkun si: Merita Halili, Gëzim Nika, Parashqevi Simaku, Ermira Babaliu, Aurela Gaçe. Por fryma e parë nuk ekziston, përveç ditëve të festave apo Vitin e Ri. Për stilin e të jetuarit është më mirë në Amerikë, për profesionin e saj Shqipëria është Amerika e vërtetë. Në Tiranë tashmë ka një bazë.

Veshja  me kostum popullor.

Kjo veshje është mjaft e bukur, shumë interesante për të. Eshtë traditë, është kulturë, është histori. Në shumë koncerte të fundit ka veshur kostumin popullor të Beratit. Ky qytet është me histori më të lashtë. Ka diçka më fine. Kjo nuk do të thotë që nuk e pëlqen kostumin e Korçës. Por atë e ka veshur shumë herë që në rininë  e saj. Tek kostumi i Beratit ngjyra e kuqe e qëndisur me fije ari të jep një krenari dhe të duket vetja si një mbretëreshë. Kjo lloj veshje të fut diku tutje në histori. E bën që të meditoj dhe të mendoj se si janë veshur të parat tona. Eshtë shumë interesante dhe shumë magjike. Është e veçantë në mënyrën e të komunikuarit me publikun.me këtë lloj veshjeje. Jep imazhe aristokracie.

Të jetosh si këngëtare

Kënga ka vështirësitë e veta si profesion, megjithëse ajo është futur  në treg që para ardhjes së demokracisë dhe ka qenë e kërkuar në shumë koncerte. Që kur ka ardhur nga Amerika ftesat kanë qenë të pafundme. Sidomos në Greqi, ku ka kënduar në çdo pëllëmbë, ku jetojnë bashkatdhetarët tanë, në çdo qytet e në çdo ishull.  Kur këndon kushdo një këngë të mirë  ajo gjithmonë thotë  “Oh sa mirë”. Secili ka ngjyrën e vet të zërit.  Ajo është  Eli Fara. Ka zërin e saj, të veçantat e saj, këngët e saj, temperamentin e saj, mënyrën e saj të të bërit art, pra ka individualitetin e saj. Në këtë këndvështrim nuk ka pse të ket xhelozi ndaj shoqeve.  Eshtë e një lloji krejt tjetër në repertor dhe në mënyrën e të kënduarit. Prandaj nuk i ka rënë rasti që të ndiej xhelozinë. Në përgjithësi në koncerte është këngëtare speciale dhe i ka rënë rasti shumë rrallë që të jenë disa këngëtarë të njohur në një koncert. Në kompeticionet e mëparshme, ato në vitet para ‘90-ës ka qenë një kohë tjetër, ku shoqëria dhe miqësia ka qenë më e hapur. Atëherë ka njohur shumë këngëtarë të aftë që mban shoqëri dhe sot. Mund të veçoj: Bujar Qamilin, Merita Halilin e shumë të tjerë. Pastaj këngëtarët  e kemi matësin e tyre. Publikun. Ai me kohën i  seleksionon. Duartrokitjet e tyre janë vlerësimi më real. Këtu xhelozia merr fund. Këngëtaret i vlerëson publiku ndaj nuk i takon asaj të ndërhyj në vlerësimet dhe në territoret që s’i përkasin.

Një jetë të tërë në skenë

Nuk e ka ndjerë lodhjen, mbasi po të ekzistonte lodhja do të kishte ndërprerë aktivitetin. Përkundrazi e ndjen veten mjaft mirë. Profesioni i saj nuk është për dembelët.Ajo t tashmë ka krijuar një emër, pra me punë. Nuk është e lehtë të krijosh një emër dhe më pas ta mbash atë, gjatë gjithë këtyre viteve. Duhet shumë punë me veten, me këngët e reja, me paraqitjen në një koncert. Ky emër të detyron të udhëtosh, të rrish netë pa gjumë, të plotësosh kërkesat e profesionit, por njëkohësisht të përballosh dhe problemet familjare e të rrisësh një fëmijë. Kjo sepse nuk ka pas një menaxher të merrej me punët që nuk të takojnë ty të merresh. Pra duhet ti bësh të dyja punët edhe menaxhimin edhe atë të këngëtares.

Koncepti për këngën

N.q.s zoti të ka dhënë zërin, ti duhet ta japësh në funksion të shpirtit të njerëzve. Njeriu kur dëgjon muzikë të bukur, qetësohet, nxjer dufin, relaksohet, kënaqet. Pra muzika dhe kënga nuk është që të japësh diçka që nuk i përket muzikalitetit dhe cilësive të mësipërme. Pra, në këtë rast kur këndohet për komerc këndohet për Shoë.  Shoë dhe paraqitja kanë rëndësinë e vet, por kryesorja është profesionalizmi në këngë, vlera në këngë. Më këtë kuptim, ajo nuk kam konkurrentë, pasi ka formuar një karakter. Karakter do të thotë nuancë, të veçantë, tingull. Shumë këngëtarë sot këndojnë njëlloj, pra nuk kanë karakter. Nuk kanë diçka të veçantë. Këtu nuk funksionon një mekanizëm përzgjedhjeje. Duhet një person, apo komision që të merret me zbulimin e talenteve, shpjegon Eli.

Serenatat

Krahas këngëve popullore ka gjetur veten edhe tek serenatat korçare. Ose më mirë të themi serenata popullore korçare. Këto nuk kanë qenë të regjistruara. Më shumë këndoheshin në takime miqsh, në dritare. Ndërsa ajo me ripunime i solli të gjalla. Të kënduara në regjistrim. Pra është hera e parë që ato vijnë në këtë mënyrë. Pra nuk kanë qenë në gojën e asnjë këngëtari në këtë mënyrë inccizimi. Këngëtarja që këndoi “Çupëzë beqare moj”, “Qeraxhiu i Grebenes”, “Kur nata Korçën mbulon”, “Ku je nisur të vesh ti”  të bën të mendosh. Ka një album të vitit 1996. “Ora 2 e natës. Rrukullisen takat”. Por ka lëvruar dhe baladat. Këto janë mjaft të bukura. Balada “Vjeshta” në vitin 2007 kompozim nga Edi Balili.

Preferencat

Janë shumë pasi ne kemi këngëtarë shumë të mirë të këngës popullore. Por ajo veçon Mentor Xhemalin, për këngën përmetare, por janë dhe shumë këngëtarë të vjetër të Shqipërisë së Mesme, që kanë qenë jo të paktë për të si Hafsa Zyberi, Big Ndoja, Naile Hoxha, këngëtarë të tjerë nga Shkodra. Por ajo thotë  se ka dhe këngëtarë shumë të mirë që janë nga brezi i saj si Merita Halilin, Bujar Qamilin etj, që janë pa diskutim shumë të mirë

Pengu?

Në varësi të kushteve që ka pasur për të zhvilluar krijimtarinë, por dhe të këtyre që po vazhdon ajo thotë se nuk beson se kam pasur ndonjë peng gjatë karrierës artistike. Ajo ka bërë më të mirën që mund të bëhej në kushtet tona në atë kohë. Për të rruga artistike me këngën ka qenë shumë e bukur dhe i ka falur emocione të veçanta.  Ka marrë shumë mesazhe të bukura gjatë aktivitetit artistik si këngëtare. Ato janë aq të bukur sa ajo nuk di kë të veçoj. Kënga jonë është aq  e bukur sa mes tyre në koncerte i kanë thënë dhe : “mos vdeksh kurrë”, pasi ka kënduar vërtetë këngë që ata i kanë pritur shumë ngrohtë dhe janë emocionuar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora