Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Janaq Pani: Përcjellje Skënder Haskos

| E marte, 12.02.2013, 07:24 PM |


PËRCJELLJE SKËNDER HASKOS?

Janaq Pani, Toronto

Na erdhi lajmi në eter
E zemra brenda regëtiu,
I mbylle sytë, o mik, Skënder
Si shuhet dritë e një qiriu.
 
Se një qiri më pak do ndrijë
Që ndizte fjalën poetike,
Dhuratë zemre te çdo fëmijë
E fale gjer çastin që ike.
 
Ne mund ta fshehim lotin e nxehtë
Përbrenda syrit të lënduar,
Por vogëlushët s'e kanë të lehtë
Kët' ikjen tënde për ta pranuar.
 
E kishe fjalën mjaltë hoje
Sa deti e kishe frymëzimin,
Mesazhe mirësie dërgoje
E shkrepje në çdo sy gëzimin.
 
Të trëndafiltat buzëqeshje
I mbolle në kopshtet e syve,
I lodhur sot kërkove prehje
Në shtrat të prozës e poezive.
 
Në shtrat të këngës labe plot vlerë
Do mbetesh zëri që e vesh shpatin
Si gjelbërimi në pranverë
Me mallin djegur për Dukatin.
 
Një penë mbeti përmbi kartë
Pikon e tëra lot e mërzi,
Po mjeshtrin, e vendlindjes baltë
Si nënë e dhembur e merr në gji.