E shtune, 20.04.2024, 03:07 PM (GMT+1)

Mendime

Zef Ahmeti: ''Ne jemi një popull i ndarë''

E marte, 12.02.2013, 09:44 PM


''Ne jemi një popull i ndarë''

Shkruan: Zef AHMETI

Kështu kishte deklaruar Ibrahim Rugova në intervistën e tij dhënë «der Spiegel» në vitin 2000. Ndërsa në një tjetër më herët, në shkurt të vitit 1990, për të njëjtën revistë shprehet : “Ne jemi të gatshëm të deklarohemi shtet neutral e, fillimisht, të mos bashkohemi me Shqipërinë. Megjithëse bashkimi me Shqipërinë është qëllimi ynë natyror.” Kjo ishte deklarata për politikën ndërkombëtare. Në vitet e 90-ta Rugova do të deklaronte po ashtu se, shqiptarët, para se të bashkohen, duhet fillimisht «të njoftohen» me njëri–tjetrin, ndërsa kjo deklaratë ishte për shqiptarët. Këtu duke e pas parasysh mbylljen e Shqipëri për 50 vite. Ndërsa, për të vazhduar me konceptin politik të Ibrahim Rugovës sipas intervistës dhënë në vitin 2000, ai thotë : “Konfederata me Shqipërinë është një çështje e së ardhmes. Momentalisht popullit të Kosovës i intereson vetëm shteti i pavarur – dhe kjo më mirë dje se nesër".

Për ata që vërtetë e njohin politikbërjen e Ibrahim Rugovës, ai ka qenë njëri më patriotët se gjithë politikanët në postet vendimmarrëse të periudhës së tij, këtë e ka dëshmuar vepra dhe angazhimi i tij.

Mëmëdheu dhe Atdheu

Koncepti atdhe lidhet ngushtë me realitetin dhe emërimin »at« (patër). Pranë këtij emërimi kemi njashtu edhe një përcaktim tjetër »mëmëdheu«. Me Atdhe kuptojmë një lidhje të thellë mes aspektit material dhe shpirtëror (mëmëdheut), mes kulturës dhe territorit. «Mëmëdheu» lidhet me historinë, traditë, trashëgiminë kulturore të atdheut.

Ta zbërthejmë këtë shkurt edhe me një vlerësim të Ibrahim Rugovës lidhur me romantikën shqiptare dhe Lidhjen e Prizrenit si dhe bartjen në praktikë të këtij vlerësimi në kohën e veprimit të tij politik.

Rugova bënte një dallim në mes të romantizmit evropian dhe atij te shqiptarët. Këtu ne nuk do të hyjmë të zbërthejmë teorinë e Rugovës në detaje, ajo mund të lexohet në veprat e tija tashmë të botuara. Pra, sipas Rugovës, romantika evropiane lidhej ngushtë me lirinë e individit, ishte subjekti në qendër të vëmendjes. Ndërsa tek shqiptarët, thotë ai, romantika nuk ka të bëj me individin por me kolektivin. Për ta shpjeguar më qartë ai merr shembullin e Lidhjes së Prizrenit ku thotë se, Lidhja ishte sa ideale po aq edhe utopike. Dhe mu për shkak të kësaj utopie ajo do të dështoj sepse nuk ishin bërë përpjekjet që kjo utopi të konkretizohet në veprimet praktike për të ngritur vetëdijen kombëtare të individit në aspektin shpirtëror dhe praktik. Udhëheqësit e Lidhjes, e shihnin lirinë individuale në kuadër të lirisë kolektive, thotë Rugova.

Rugova do të bëj politikën e tij mu në frymën e teorisë së tij. Pra ngritjen e vetëdijes kombëtare të subjektit shqiptar në aspektin shpirtëror («mëmëdheut») dhe në praktikë.

Qeveritë teknike

Në vitet e 30-ta të shek. XX, juristi dhe filozofi Krist Maloki, kishte bërë një vështrim kritik për politikën dhe gjendjen socio–kulturore të shqiptarëve të Shqipërisë. Sipas tij: “Politika e Tiranës ka qenë dhe do të jetë gjithëmonë nji politikë urbanale, një politikë qytetesh…Sepse Tirana s`duron individualitet dhe këtu hyjmë në tragjedinë ma katastrofalen e kombit tonë gjatë historisë shtatqind vjet sundim romak, gjashtë shekuj permbytje nga valët e invazonit sllav dhe pesëqind vjet barbarizma turkoshake s`kanë qenë të zott me çprishë e me e çatrafelue aq fort shqirtin shqiptar e kulturën e tij sa këta dymëdhetë vjett e fundme nën qeveritë t`ashtuquajtuna nacionale… Dhe Tirana ka një sens të hollë… dhe e ka frigë shqirtin (e vërtetë) shqiptar, si djalli kryqin…dhe e shtyp dhe e mbyt aty ku e has…Filloi puna qysh me Shkodrën e me Vlonen. ” DDr. Maloki i mllefosur e i brengosur thoshte “Një njeri i fortë iluminist i duhet Shqipërisë.” Fatkeqësisht historia tregoi vonë se, jo që erdhi iluministi i dëshiruar, por përkundër erdhi një diktator i tmerrshëm.

Shkrimet e K. Malokit tregojnë se sa vuante nga anomalit në shtetin shqiptar dhe kombin shqiptar. Ai gjykonte se zgjidhja e “Problemit Shqiptar” kërkon para se gjithash shumë mend e shpirt. Ai thoshte se, “…brenda djelmisë shqiptare vlon një anarki pikëpamjesh e mendimesh mbi kombin, popullin e vendin e vet…”. Teoria e tij thotë se, vetëm një djalëri e edukuar mirë e moralshme mund ta shpëtoj kombin. Një komb e mban vet ndërgjegjja e tij. “Dhe këtë ndërgjegjëje mund t`a zgjojë dhe ta ndezi vetem flaka dinamike e një djalerie të pastër, të një djalerije vetmohimtare dhe plot aktivitet shembëllor.” E për të argumentua atë që e thoshte, ai shkruan: “Per me i diftue djalëriës shqiptare se sa keq gjindet Shqipnija, se sa punë të domosdoshme kulturore e presin njatë djalërië, se sa durim duhet të ketë ajo ... (ai mandej krahason nivelin e shkollimit te shqiptarët dhe atij në perëndim). Pasi bën krahasimin ai thotë se, jo vetëm në shkollim, po “Kudo që t`a kapim Atdheun t`onë si problem, kudo na çfaqen mungesa kolosale, plagë morale e materjale, per shërimin e së cilave kan për t`u dasht së paku dy-tri generacjone plot punë e mundim”. Ndërsa qeveritë teknike këtë nuk munden ta bëjnë, gjykonte ai.

Rreth debatit për bashkim kombëtar

Nëse shikojmë dekadën e fundit në Kosovë ne konstatojmë se, asgjë nuk është keqpërdorur për të ardhur në pushtet e për ta mbajtur pushtetin sa thirrja në rezistencën e armatosur duke përjashtuar gjithë ata, që politikisht, nuk identifikoheshin me “krahun” e pretenduar të “luftës”, edhe pse dihet se rezistenca e armatosur nuk bie në “pronësinë” e askujt.

Kohëve të fundit edhe kërkesa politike për bashkim kombëtar, si në Kosovë edhe në Shqipëri, ka kaluar në një shkallë ku mund të thuhet se, ajo po keqpërdoret për të ardhur në pushtet, sipas motos “zbritni ju të hipim ne”.

Të dy këto segmente, ajo me krahun e luftës dhe kjo me bashkimin kombëtar, janë banalizuar tej masë nga vet protagonistët.

Sfidat që duhet të tejkalohen

Bashkimi kombëtar është dashur të jetë politikë e secilës qeveri në të kaluarën ashtu siç e bëri Helmut Kohl me popullin gjerman, me diplomaci të heshtur. Ajo çfarë ka ndodhur viteve të fundit, në Shqipëri e Kosovë, për këtë bashkim, të japin ndjenjën se, ky popull nuk donë bashkim, përkundrazi.

Tek shqiptarët, si popull përkatësisht si komb, kemi disa sfida që duhet tejkalohen paraprakisht, para bashkimit, të paktën të bëhen përgatitjet konkrete: fragmentimet e natyrave të ndryshme të reduktohen në ato parimore, toleranca e mirëfilltë politike, fetare, gjinore, rajonale të jetë temë e trajtuar gjer e gjatë, ajo vërtetë të ndjehet, e jo vetëm të deklarohet.

Shqiptarët duhet të “njoftohen” me njëri tjetrin. Një orë letrare, apo shkuarja në pushim në bregdetin e Shqipërisë nuk mjafton. Këtu është nevoja për një punë më intensive. Duhet punuar në ngritjen e një “djalërie të pastër”. A po ndodh kjo?

Bashkimi juridik dhe bashkimi praktik shpirtëror

Kërkesa për bashkim kombëtare që po kërkohet sot është i menduar në aspektin juridik, bashkimi në një shtet. Në aspektin e real–politikës sot kjo nuk është e mundur. Mase këtu mund të shtojmë një pyetje hipotetike, edhe sikur të ishte e mundur një gjë e tillë, a janë shqiptarët të përgatitur për të jetuar në një shtet të përbashkët? Duke parë gjendjen politike që zhvillohet aty ku veprojnë shqiptarët, përkatësisht liderët politik, kanë shumë për të punuar në vetvete.

Shqiptarët fillimisht duhet t`i tejkalojnë sfidat që kanë përbrenda. Duhet edukimi një djalëri të pastër, duhet të mobilizohet individi në vetëdijen e tij sipas asaj që e kërkon nocioni mbi “mëmëdheun”. Këtu ka shumë për tu bërë sepse aspekti kulturor i shqiptarëve është mjaft i shkapërderdhur gjatë historisë. Duhet të ngrihet një vetëdije e ndjenjës së përbashkët me të gjitha laramanit, të ndërtohen ura lidhëse gjithandej ku jetojnë shqiptarët: në ekonomi, politikë, shkëmbim përvojash në jurisprudencë, shkencë e sidomos në fushën e kulturës e edukimit (p.sh. abetarja e unifikuar për gjithë shqiptarët), gjithnjë duke pasur parasysh që populli të afrohet e kundërthëniet të reduktohen, e mbase edhe të zhduken nëse është e mundshme, këto “anarki të pikëpamjeve” lidhur me popullin shqiptar përkatësisht kombin shqiptar.

Politikanët sot nuk janë as për së afërmi në këtë rrugë. Individit shqiptar jo vetëm se duhet t`i nxitet ndjenja e të qenit shqiptar, ai të edukohet me vetëdije të shëndoshë, por atij t`i ofrohen edhe kushte që të mburret e kujdeset për të qenit e tij kombëtar shqiptar.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora