Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Timo Mërkuri: Dallgë ndjenjash mbi oqean

| E marte, 12.02.2013, 08:44 PM |


Dallgë ndjenjash mbi oqeanin poetik…

Poezia e Fatos Arapit në ciklin “Kur flasim për Artin Jonian”

Nga Timo Mërkuri

Sa herë që nis të lexoj poezinë e Fatos Arapit, më duket se po eci  brigjeve të  Jonit. Veç jo një ecje, shëtitjeje pranverore, nëpër bulevardet e qytetit tim bregdetar, veshur me kostum e këpucë llustrafinë. Nuk e di pse ndjehem ndryshe në poezinë e tij, në  një ecje çapkënçe, domosdo zbathur, brigjeve shkëmbore të  Jonit. Ja ku eci lirshëm në një ranishte, ku valët vijnë e më përkëdhelin kërcijtë, pak më tejë  shkoj duke mbledhur gishtrinjtë e këmbës, si për të lehtësuar peshën e trupit mbi shkëmbinjtë e thepisur, me maja  si heshta, latuar nga dallgët. Por unë gjithsesi vrapoj (më saktë, fluturoj si pulëbardhë) mbi këta shkëmbinj.  Herë vrapoj duke u sokëllitur dallgëve me një heheeej  të stërgjatur, si për ti ftuar në një garë vrapimi, herë  ecij ngadalë  duke parë nëpër valë, si një Narcist, pasqyrimin e dritës së syve të mi, të ndezur nga dashuria. Pak më tejë , më mehet fryma, në prag të humnerave. Dhe pak më tejë, tek një qipariz  ulem e qaj me lotë  e ligje pranë një pllake mermeri me emrin e tim vëllai, sime  mëje apo të tim eti. S’më vjen turp të them që qaj, sepse qajnë dhe burrat, vërtet qajnë. Qajnë pikërisht pse janë burra dhe kanë zemër.                                             .

1-Floriri poetik i shtratit të lumit të lotëve.

Nëpër shtratin e lumenjve, mes gurriçkave të zallit, ato që ndrijnë tek tuk janë grimca floriri. Janë grimca të vogëla, gati pluhurore, por përsëri grimca floriri janë.

Në shtratin e lumit të lotëve të popullit tim, ndrin floriri i ligjërimeve të nënave, flori i cili na veshi shpirtin në galvanizimin e rritjes sonë, duke mos e lejuar ndryshkun e kohës të depërtojë brenda tij. Kemi kaluar fëmininë, duke u lëkundur si filiza në flladin e  ligjërimeve të nënave tona dhe më pas, të rritur, kemi i logatur vetë këto ligjërime, ashtu si degët e lisit, errën e malit e shndrojnë në muzikë duke e kaluar nëpër fletët e tij. Madje, një muzikë perëndie. A e dini ju, se Zeuzi i pëshpëriste Herës fjalë dashurie me fëshfërimën e gjetheve të lisave të Pilurit?

Kështu u rrit edhe Fatosi, në breg të lumit të lotëve të nënës së tij, (Unë jam ajo kokrizë/që mer rrëkeja e lotëve/dashuria thërmizë/gurgullima e botëve) lotë të cilat i vaditën  ëndrat dhe jetën….Takohemi vetëm në këtë dritë/u bëmë lot qiriri, motra ime…shkruan te poezia “Tek varri i lirisë” për të aritur si në një himn te vargjet e poezisë “Moj e vogëla sa loti”…unë gjysmavdekur ti gjysmagjallë/…në një pikë loti/të dy të vdekur/të dy të gjallë… për të vazhduar më pas…në një pikë loti pa fund pa skaj/mbaj dashurinë/dhe universin tragjik të saj…apo te poezia “Më jepni një emër”me vargjet …Më jepni një emër/ku brenda një bulëze loti/të fluturoj si Ikari..

Loti i vogël, i rrumbullaktë si globi,  është bota e  ku u rrit poeti. Ky glob i vogël që rrokullisej faqeve të nënës, si vetë planeti ynë nëpër hapësirë, rra me kujë e gjëmë në shpirtin e poetit, duke ja përlotur jetën, por njëkohësisht, duke ja veshur me floririn e shtratit të   tij shpirtin.

Prandaj krijimet e tij kanë atë dritë floriri, atë dhimbje e dhimshuri  dhe dritë  që mbart loti.

Ai u rit mes lotëve, ndaj dhe  gjëja më e bukur që di të bëjë në këtë botë, është të lotojë.

- Ti i vdekur qan/unë i gjallë po qaj/Vëllai im!Vëllai im/Askush se ka parë diellin kështu të qajë/si ne të gjorët…vajtoj dhe unë bashkë me poetin te poezia “Askush se ka parë diellin kështu”… dhe vetiu shtoj një rënkim oi,oi që poeti ka haruar ta shkruajë. Ose nuk e ka parë të nevojëshme ti gdhëndë  gërmat në letër sepse i ka mbjellë si qipariza në shpirt. Dhe mbi çdo varg, këta qipariza  lëshojnë hien e tyre.

Nëna u nis.Pikur/ nga malli për ty, nëna u nis/këtej varrin s’ta gjetëm dot/u nis andej shkruan poeti thjeshtë .Dhe,sikur të mos jetë  vargu…këtej varrin sta gjetëm dot

të duket se poeti lajmëron telegrafisht apo me SMS vëllain, që nëna e tyre u nis me autobus apo me tren për tek shtëpia e tij, për të kaluar muajt e verës, sepse e kishte marë malli . Këtë ndjesi ta përforcojnë vargjet e mëposhtëme…Mos e lerë gjatë, mos e lodh/ duke të kërkuar/Nuk është e re,që e njeh ti/plakë me zemër të sëmurë/ sytë e kanë lënë/ka rënë tepër e trimërohet/e mbahet vetëm për hatrin tënd…

Në fakt, vargu i fundit, diçka të trishtëme të ndjell dhe vetvetiu kthehesh te vargu … këtej varrin sta gjetëm dot…dhe atëherë e kupton se nëna e poetit është nisur për… në atë botë, atje ku kishte shkuar më parë dhe i biri. Iku thjeshtë, për të takuar të birin. Iku si një nënë…pikur nga malli…Asgjëkundi   s’duket  fjala “vdekje”. Diçka flitet për disa  ikona vdekjesh, por ikonat gjithmon kanë qënë, ndërkohë që biri ka ikur diku.

Dhe poeti, me dhimshuri biri, porosit vëllain që, në atë botë ku është ai dhe ku po shkon nëna…Mos e raskapit andej duke të kërkuar/mos e lodh shumë nënën./Dili përpara për ta njohur/…

.Një kanistër të vogël në duar/ku kemi vënë pak bukë/ca kokra ullinj/tre grushte grurë të zier…Këtu ndalon mendimi pakëz i hutuar, gjersa kujtohesh se gruri i zier jipet në ceremonitë mortore, pas varrimit. Dhe për atë që ka ndodhur realisht, ta përforcon vargu i fundit… /tre qirinj të ndezur/ për shpirtin tënd…ku pas leximit të tij, natyrshëm mund të  vajtosh….vëlla, o vëlla… dhe të mos të të vijë turp për këtë shfrim, pa çka se s’bëhet fjalë për vëllain tënd. Sepse vëllezërit janë …vetëm…vëllezër dhe emrat e përveçëm s’kanë rëndësi.

Lexojeni dhe njëherë këtë poezi, ju lutem dhe mos tju vijë turp  nga lotët tuaj që do tju rrjedhin faqeve. Ashtu si mua. As mos u mundoni ti fshini. Sepse të gjithë kemi patur nëna dhe kemi vajtuar për to. Dhe nuk na ka ardhur turp të qajmë mbi varrin apo mbi foton e saj. Me fjalë zemre, që  sot i kemi haruar por që Fatos Arapi i ka përjetësuar në poezi edhe për ne.

A e ndjeni se poezitë e Fatos Arapit kanë brenda tyre ligjërimin e nënave tona, ashtu si deti ka në  thellësitë  e tij  gjëmën e dallgëve dhe jo vetëm lojën e valëve. Shih poezinë …Një grusht dhe mbi varr…Të gjithë po hedhin nga një grusht dhe/Por unë mbi të hedh/dy-tri copa qielli/dy-tri këngë labe/dhe stërkala gjoli/kur përplaset vala nëpër rrënjë ulliri./Këto i donte shumë babai im, i gjori/babai im, i miri… dhe vetiu  buza të dridhet si në një vajtim, për të mos thënë që …edhe mund të fillosh ta logatësh poezinë, duke rënkuar te vargjet …ku përplaset vala nëpër rrënjë ulliri, për tu shndruar në një klithmë te vargu…babai im, i gjori/babai im, i miri…

Dikush do të thotë që  emocionohem së tepërmi nga  kushtëzimi i poezisë te persona konkret. Unë po ju sjell një poezi tjetër, më të përgjithëshme, për konkretizim…

…Unë jam ajo kokrrizë/që e mer rrëkeja e lotëve….Unë jam ajo kokrrizë/që shkon e sdi ku vete/që humb e prapë stretet/që ron veç jo për vete…Nuk di pse duke lexuar këto vargje, mu kujtuan vajtoret e  fshatit tim nëpër gjëma, që duke vajtuar mbi arkivolin e  bijve, flokëçjerrë e faqe gëricur, duke u lëkundur me një ritëm kobzi, gati për të përplasur kokën te ndonjë murr a gurr i afërm, vajtonin edhe  pavlefshmërinë e jetës së tyre apo zezonën e jetës (u’ e zeza, u’/ si guri në rrokullimë). Dhe në rast se dikush do ta kompozonte këtë poezi, asgjë  tjetër s’do ti shkonte më shumë se notat e një ligjërimi mortor.

Shikoni poezinë…Përçartje në Tiranë….që të vargu i parë  nis rënkimi… …Krizantemat shkojnë vetë drejt varreve/dhe një si shpirt atje/…mban ndër duar dy diej të zinj… Po kështu  te poezia…Dielli i vogël…Sa shpejt u çuan lulet mbi varrin e nënës….Është nëna ime/si një diell i vogël/atje/poshtë…(more shokë).

Por këtë vijë melodike e kanë edhe poezitë ku nuk ka vend vdekja, si psh te poezia.. ”Për nënën time”. Lexoni vargjet…Eshtë bërë më e vogël nëna /(oi,oi) më duket/ se do ti ngatërohet këmba/ në rrezet e diellit/që hyjnë nga dritarja/nënës.(oi,oi).

Mund ta gjejmë edhe te poezitë e tipit”Shpresë e çmëndur”….Unë ikja Evropës me sytë nën këmbë/një mall që ther, një shpresë që çmënd… ose te poezia “Vetë tragjedia kishte humbur udhën” me vargjet  e dinim se për ne s’kishte të nesërme/ dhe vetë ishim e ardhmja e saj…

…për të aritur kulmin te poezia “Atdheu” me vargjet …Atdheu është dhimbje,është dhimbje/Një prill i pikëlluar në shpirt… Atdheu është varr i hapur,është varr/një jetë drejt tij shkon me besë që bind/Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë/në një pikë loti lirin e lind…

Vërtet,se pema e lirisë veç me lot e gjak vaditet, aty në bregun e lumit të jetës.

Vazhdon…