E premte, 19.04.2024, 07:16 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Lumturi Ymeri - ''Qielli në qeli''

E marte, 12.02.2013, 08:55 PM


PAVDEKSI E PIKTURUAR NË MBRETËRINË QIELLORE

Impresione rreth vëllimit me poezi “Qielli në qeli“ të Lumturi Ymeri (Bersava)

NGA PËLLUMB GORICA

Frymëzimi mbush me jetë shpirtin artistik të poetëve për t’u dhuruar petale të trëndafilta lexuesëve të apasionuar të poezisë. Lumturi Ymeri (Bersava)  në vëllimin e saj të dytë “Qielli në qeli “ ka shumë arritje si nga ana artistike, ashtu edhe në interpretimin artistik të realitetit. Metaforat e goditura, tempi dhe ritmi i vargut, imazhi transparent, krahasimet, simbolet e retorikat, përcillen në çdo strofë. Poetja në çdo poezi, me ndjesitë për “të futur” qiellin në qeli, kërkon dritë qiellore për të marrë përsipër misionin për të zbritur galaktikat në tokë dhe për të ngritur ofshama njerëzore në qiej, për të zbuar të keqen nga skutat e errëta të njerëzimit dhe për t’i përhapur kudo rrezet e diellit të saj poetik.

Poetja Lumturi Ymeri (Bersava)  është edhe fluide, edhe e prekshme, edhe qiellore, edhe tokësore, edhe e angazhuar, edhe e ndjeshme, e mbi të gjitha kërkon të jetë njeri që pranon sakrificën sublime për të mirën dhe të ardhmen e ndritshme. Mesazhi i gjithë vëllimit poetik është i qartë : Poetja lufton për njeriun me dinjtet, për njeriun që t’i ngërthejë në subkoshiencën e tij dashurinë dhe ëndërrimin, guximin dhe shpresën, që t’i thurë vazhdimisht himne një lumturie të plotmerituar.

Dhe, për këtë ajo lufton, që nëpërmjet vargjeve të saj t’i bëjë portretin më të sinqertë vetes, duke u shkrirë mes njerëzish e dashurisë, duke qenë e gatshme që ta “gdhendë veten edhe në mjergull “, edhe “në ëndërr”, edhe “në ajër, edhe në trup”. Duke lexuar këto katër vargje, ke kuptuar botën femërore në tërë dimensionet e saj, të një zemre që ëndërron mirësi e dashuri:

”Nata veshi këmishë të bardhë ëndrrash,

qendiste pajën me dritësime të gjelbra sysh

me purpurime të rozta faqesh

me të kuqeflaktin buzëqershishë”.

Shpirtin e saj kryengritës dhe qëndrimin zemërbutë ajo e shpreh fuqishëm dhe në mënyrë mjaft origjinale me anë të antitezës brenda një fjale, duke përdorur kllapat: I (pa ) dukshëm, i (pa) njohur, i (pa)kapshëm, i mistershëm i llahtarshëm i (pa)vdekshëm , ti (s)je, ti (s) egziston , prej përtej (ç)ngjyrosen valët, lufta ime e (pa)fituar;

"ditë-natë pa jetën ,

natë -ditë pa dritën"

Kjo nuk është vetëm antitezë,por edhe një sintetizim i një boshllëku që krijohet, kur nuk vepron mendja dhe shpirti i njeriut. Gjithçka për të është e pranishme, kur e kërkon dhe shpalos shpresë dhe largon e urren cdo gjë që i thur pusi lumturisë së njeriut. Këtu ajo bëhet e egër dhe e flak tutje me neveri .

Era e dielli, qielli dhe toka, dashuria dhe malli, ëndrra dhe shpresa, janë mesazh i dytë që përcjellë poetja, si elemente të domosdoshme që frymëzon një jete njeriu. Poetja është aq e ndjeshme ,sa që bukurinë e mahnitshme e gjen tek një fëmijë që fle, e ajo nuk guxon kurrë ta zgjojë. Preket shpirtërisht, kur qielli ngarkohet me re e shikon lulet e shkulura që u thahet lëngu çdo orë, tek shijon puthjen e nënës apo të dashurit. Dhe vritet shpirtërisht, kur gjyshi nuk ia kupton dhe përfill përkujdesjet. Poetja ka një koncept krejtësisht jo qiellor për dashurinë, kur shkruan :

"Në lëkurën tënde

në mishin e mishit tënd

jeta ime…"

Lumturi Ymeri (Bersava) merr copëza jete nga jeta e të tjerëve dhe ndërton jetën e saj, ashtu siç dhuron copëza nga jeta e saj për të ndërtuar të ardhmen e njeriut të ndershëm.

"Dikur kërkova një copë jetë

për të arnuar jetën time

copën tënde mora

ti timen copë."

Ajo jetën s’e sheh si limonatë ,por si të vështirë e me zigzake. Jeta sikur është në antipodë me njeriun dhe pikërisht tek ky unitet i të kundërtave, jeta e njeriut merr kuptim:

"Jeta dhe njeriu

si dy oktapodë

të shtrydhin veç gjak

të vjelin veç lot."

Se sa e ndjeshme dhe se sa njerëzore është poetja Lumturi Ymeri , se me ç’ndjesi femërore di ajo të vlerësojë vazhdimësinë e brezave , në themel të të cilëve qëndron lindja e fëmijës nga nëna, e shprehin vargjet mbyllëse në fund të konstelacionit poetik, që mbyllin krejt vëllimin poetik “Qielli në qeli”:

"Kurrë në jetë nuk do harroja

as i ndërroja

aromën e bebes

dhe nënës …."

Poetesha Lumturi Ymeri me gjurmët e arta të jetës, gdhend me merak fjalën hyjnore të saj për përjetësinë e vlerave njerëzore, se:

“Nën mbretërinë qiellore

të pikturoj pavdeksinë.”



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora