E premte, 29.03.2024, 12:11 PM (GMT)

Kulturë

Fiqri Shahinllari: Tufani i Mukes

E hene, 11.02.2013, 06:00 PM


T U F A N I    I    M U K E S

Nga Fiqri Shahinllari

7 Shkurt 2013. Sapo bisedova ne skype (skajp) me njerzit e mij ne Korce e Selanik. Me thane se atje eshte ngrice e madhe. Kishte rene  nje shi i imet, pastaj shiu ishte shndrruar ne debora dhe, me pas debora ishte  kthye perseri ne shi. "Doemos-u thashe bashkebiseduesve- eshte pisku i dimrit. Do bjere debore e shi, do te kete edhe tufan e ere. Kini degjuar per "Tufanin e Mukes?"

Njerzit e mij, me te cilet bisedonja ne Korce, jane me te vegjel se une ne moshe. Dhe mbase nuk e dine historine e Mukes. Por mua me erdhi ndermend ngjarja..

...Erës së tërbuar me cikmë e ngrica që fryn në mënyrë uluritëse në kohën që bie dëborë e madhe, disa njerëz në fshatrat e Korces i thonë Goren, të tjerë e quajnë Tufan. Pikërisht në një vorbull të tillë të motit, Muke Ogreni mori rrugen e  kthimit nga pazari për në shtëpine e tij në Floq te Korces. Ai nuk e pandehte dhe s’kish si ta  dinte se poshtë fshatit, afër shtëpisë do ta zinta në befasi tufani i pa besë dhe do t'i punonte qindin. Ai, si të gjithë banoret e asaj zone, ishte rrahur me vaj e me uthull me vështirësitë e natyrës, në shi e në breshër por, nuk ia merte mendja se ka rraste që kapriçiot e natyrës janë aq të fuqishme sa ta nxjerrin zero me xhufkë çdo kalitje trupore.

Ngjarja qe po mar persiper te tregoj ka ndodhur në Floq shumë vite më parë, në piskun e dimrit ne vitet e para pas clirimit te vendit nga pushtuesit e vendit. Dimri ishte i tërbuar, me suferinë. Disa tregojnë se atë mbrëmje të mallkuar Mukja kthehej nga Vlora me kalin e tij të ngarkuar me kripë. Nuk ishte vetëm. Kishte edhe të tjerë që kishin shkuar në Vlorë për kripë. Nga që malet e rrugët ishin plot me dëborë ata nuk kishin erdhur në rrugën Vlorë-Tepelenë-Përmet-Kolonjë-Floq, por kishin erdhur xhades përmës Myzeqesë, Elbasanit, Librazhdit, Pogradecit, Korçës. Disa bashkeudhetare te zones qëndruan në Korçë e pritën sa të qetësohej mirë koha. Kripën në Vlorë e kishin marrë badihava, kur i thonë fjalës, por “qiraja e rrugës” kishte qënë fatale për  Muken i cili me një apo dy të tjerë floqarë nuk kishin pritur por ishin drejtuar për në Floq. Mukja mbeti pak më prapa se të tjerët. Ai po kthehej në fshat i vetëm , me kalin e tij ngarkuar, në piskun e dimrit. Ka ca çaste të gjata me bubullima e shi të rrëmbyshëm, me dëborë e erë të fortë, të ftohtë brisk që populli u thotë “Kohë qameti” apo i quan “nishanet e perëndisë”..

Kur Mukja kish marë rrugën e kthimit nga Korça për në fshat, dimri nuk ishte i rreptë në ato çaste. Ndryshe ai nuk do të merte rrugën e kthimit. Qëmtonte dëborë dhe kaq. Shumë herë kishte udhëtuar ai në kohë të ngjajshme si ajo e asaj dite që i kish rezervuar kurthin. Dhe i kishte dhënë karar që të nisej. Flokët e dëborës rrotulloheshin në ajër me përtesë si një push dhe kështu, me përtesë, binin në tokë. Dhe ai ecte i vetëm, me kalin e tij ngarkuar drejt fshatit, nëpër rrugën e bardhë e të shkretuar ku nuk dukej këmbë njeriu. Nga mezi i rrugës dëbora e butë u shndrrua në llurbë, u bë si baltovinë. Sa nxirrte njërën këmbë futej tjetra këmbë e Mukes. Kështu edhe këmbët e kalit. Po ngrysej. Që nga “Varri i Madh” Floqi mezi dukej atje tutje. Befas tufani filloi të frynte dhe flokët e dëborës e humbën qetësinë. Ato rrotulloheshin me shpejtësi, po bëheshin më të ftohta,më të acarta, tashmë si grimca që i përplaseshin në fytyrë e i vareshin në qepalla, në vetulla, në mjekër. Llurba e dëborës nuk qe më e tillë. Ajo po shndrrohej në akull. Kali dhe Mukja ishin bërë të bardhë. Dy trupa të bardhë që lëviznin me zor nëpër bardhësi. Njerëz xhanxhin.Asnjë para. Asnjë pas. Nga t’ia mbante tani i mjeri njeri? Të kthehej në ndonjë vënd strehimi, ishte e pa mundur. Nuk kish një të tillë aty rrotull. Errësira që po pllakoste e vështirësonte më shumë ecjen. Dëbora e shumtë që, vënde-vënde, për shkak të erës së fortë kish formuar grumbuj në mes të rrugës, duhej çarë. Kali e dinte rrugën po dëbora e shumtë e pengonte të ecte shpejt. E rraskapitur, kafsha e gjorë gulçonte, gulçonte e shfrynte duke nxjerrë avull nga flegrat e hundës. Tufani nuk po e lejonte edhe Muken të merte frymë lirisht...

Gjunjët nuk po i rezistonin më nga lodhja e nga acari. Këmbët akull, duart akull, fytyra akull. I ftohti po i futej thellë në palcë. Frymëmarrja me zor. Nuk e linte tufani i acartë e i furishëm. Zemra i rrihte fort. E mundonte më tepër dëshira për të dalë “Ja, atje, edhe pak, te Lisi-thosh me vete floqari Muke-jo më shumë se 100-150 metra. Ja, vajta. Edhe pak. Edhe pak…Ç’të jetë kjo stuhi? “Dhuratë” e zotit? Po, e gjete tani! Asaj ane fli! Është “dhuratë” e shejtanit, thuaj…” Mukes iu fanit instikti i vetmbrojtjes nga fenomeni i natyrës tek mundohej të “dajandiste” si vetë, si kali e t’i bënin ballë tufanit. Lloj-lloj gjërash i vinin në mënd. Sa dëshironte ai që këto çaste të mos ishin natë por ditë. Do t’i lutej zotit të dilte dielli e të çante e të largonte atë mugëtirë të flamosur. “Posi, posi, ja, prit gomar të mbijë bar! Kjo eshte shtërngatë dimri që nis e s’di të pushojë, o Muke, nuk është shtërngatë vere që kalon shpejt. Ke qënë edhe i guximshëm pale, s’ta bënte syri tërr kur u nise. S’kam lepurin në bark, thoshe. Lere mos e pyet! Hë tani, të rroftë guximllëku e trimërillëku. Piju lëngun këtyre cilësive. Pse bëhet shaka me forcat e natyrës? Jo. Do të marr ndonjë plevit që lere mos e nga. Le që kush e qan plevitin, xhan o plevit. Ky tufan të merr jetën” Kështu bisedonte me veten Mukja në ato çaste të tmerrshme të stuhisë e cila kish vendosur fatin e hidhur dhe të rëndë të jetës së tij. Etja për vetshpëtim ishte e tmerrshme...

Gruaja dhe fëmijët e prisnin Muken me padurim. Zemra u ndillte diçka ogurzezë. Ku ta dinte familja e gjorë se ajo natë do ta godiste me një fatkeqësi të madhe? Kur rrinin ulur pranë kllanikut e vatrës së zjarrit, vëndi nuk i mbante. Dilnin në dritare dhe vinin re që stuhija jepte e merrte. Era fërshëllente me tërsëllëmë nëpër hatulla. Dëbora e ngrirë përplasej pjerrtas e godiste qelqet e dritares si guriçka të ftohta rëre. Dhe familja vetëm psherëtinte thellë. Asnjë pjestari të saj nuk ia nxinte goja të thosh ndonjë pandehmë që, oh, larg qoftë…Pse budallenj ishin ata, ta hanin sapunin për djathë? Ja, do të dëgjojnë, pas pak, kur të trokasë porta. Do të sulen me vrap. Do ta marrin Muken e lodhur e të kallkanosur, do ta ndërrojnë, do t'ia venë kembet o ne fushnji o ne lesh deleje te palare dhe jo direkt ne zjarr se ka rrezik gangrenizimi. Keshtu kishin degjuar.Pranë zjarrit,  nje cike me vone. Do t’i japin një gotë raki e një kafe dhe çdo gjë do të shkojë për së mbari? Kalin do ta shkarkojnë e do ta grazhdojnë. Mendimi tjetër që fekste, i kundërt me të parin, përjashtohej sakaq…

Ndërkohë Mukja kish arritur te lumi i Shahinit, aty ku sapo fillon e përpjeta e lehtë për t’u ngjitur në fshat. Ndodhej pothuajse te fundi i luadhit të Ashimit. Në krye të tij ishte Lisi e pastaj xhamija, fshati, e ëmbla shtëpi më tutje, majtas, ku e prisnin gruaja, fëmijët. Por ai nuk mundi më. Tufani kish dyfishuar fuqinë. Një uturimë ere e fortë, përzier me kokrrizat e ftohta të dëborës ia lëkundi atij këmbët. Tufani i pamëshirshëm i mori frymën dhe e platiti pa mëshirë poshtë në “dyshekun” e acartë të dëborës. Atje ai nxori frymën e fundit, mbaroi duke shtërnguar fort dorën që mbante kapistallin e kalit besnik...

Pas 12 orësh, kur tufani kish ulur tërbimin e vet, floqarët që shkonin në Korçë për pazar gjetën Muken e gjorë të ngrirë kallkan,të mbuluar me dëborë. Edhe kali ish mbuluar me dëborë. Tufani kish hedhur mbi trupat e tyre, të njeriut e të kafshës një masë të trashë, të bardhë. Kali ishte gjallë. Kish ndodhur i fuqishëm dhe kish rezistuar. Vëndndodhjen e tij fshatarët e diktuan, sepse mbi cipën e bardhë të dëborës pikasën dy vrima afër e afër nga të cilat dilte avull i lehtë. Ishte frymëmarja e kalit nga dy flegrat e hundës.

Edhe sot e kësaj dite, kur fryn acar e bie dëborë në Floq fshatrët thonë: “Jashtë është Tufani i Mukes që i mori jetën Qoftë Largu”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora