Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ahmet Selmani: Moikom Zeqo - “Libri i sinopseve”

| E diele, 10.02.2013, 08:00 PM |


SINOPSI I DYZUAR NË MES AUTORIT DHE LEXUESIT

Moikom Zeqo: “Libri i sinopseve”, botoi “Uegen”, Tiranë 2012

Shkruan: Ahmet Selmani

a)        Tipologjia e shkrimit

Për secilin libër të autorit Moikom Zeqo, sikur na duhet patjetër të përsërisim faktin se ai mëton ngulmas që rishtazi ta relativizojë konceptin tradicional të zhanrit, mbase i udhëhequr më tepër nga një prirje krejt atipike, gjithnjë për ta vënë në sprovë funksionin e shkrimit si një metafizikë apo alternativë e pafund kuptimesh e përjetimesh poetike. Prandaj, edhe me veprën e tij që e ka titulluar “Libri i sinopseve”, vërehet qartë se proklamon të njëjtën gjë, madje në mënyrë aq më të prerë e të dallueshme, për arsyen e thjeshtë se me vetëdije të plotë bën një përjashtim rrënjësor nga stereotipet klasike, pra fare qëllimtas për të ndërtuar një tipologji të re që i përket shkrimit. Fjala është për sinopsin, (nga gr. sinopsis = skicë, projekt, përzgjedhje, përmbledhje), të cilin autori e përdor gjithkund në mënyrë thelbësore e konceptuale, si një parashkrim, ose si një parazhanër, por që, si i tillë, gjithsesi, mund të zhvillohet më vonë në ndonjë formë tjetër hipotetike.

Megjithatë, në këtë rast konteksti perceptues mbetet vetëm një akt teorik, për shkak se të gjitha sinopset e përfshira brenda veprës nuk shtjellohen më tej siç mund të pritet, por kryekëput mbeten si forma pak a shumë të kryera ose të mbyllura. Pra, në suaza të librit në fjalë gjithë kohën lexojmë një varg skicash të hedhura në letër, por që funksionojnë si tërësi të vetëmjaftueshme në rrafshin artistik, duke u bërë ato si lëndë potenciale të leximit dhe imagjinatës sonë. Thjesht, duhet zënë ngoje se më tepër se tekste, ato janë nëntekste, më tepër se shkrime të filluara, ato janë shkrime të pambaruara.

Në gjithë këtë situatë është e rëndësishme natyra e shkrimit si ngrehinë e papërfunduar, domethënë për të funksionuar qoftë edhe në një trajtë gjysmake, për t’u përthekuar me një frymë etj. Gjetja e këtillë nuk është paaftësi, por qëllim, nuk është nxitim, por vizion. Edhe përkundër  pandehjes së tyre si sinopse, prapëseprapë, ato a priori ngjasojnë si tregime dhe romane, të paktën mund të pëfytyrohen si të tilla. Këtë e pohon edhe vetë autori duke na e forcuar bindjen se aty fshihet diçka më tepër se ajo që ne e quajmë tekst tipografik. Bie fjala, prozat siç janë: “Emri përbindësh”, “Trashëgimtari”, “Heroi i katastrofës” etj., ai i quan sinopse tregimi, kurse prozat si “Eudoksia e Bizantit”, “Hadi ndryshe”, “Ipati, perandori pesëditësh i Bizantit”, “Gjumi i Konstandinit të Madh” i quan sinopse romanesh. Shikuar veçanërisht dhe përgjithësisht, del se në fundin e tyre përherë ka diçka që mund të shtohet, të vazhdohet, të plotësohet. Fundazi, nuk është e rëndësishme a do të realizohet kjo në formë të shkruar apo të folur, por e rëndësishme është se hapen shumë rrugë virtuale për rikrijimin e mëtejmë in infinitas. Dhe, konkluzioni është ky: shkrimi i këtillë është formë e nisur, por assesi edhe e kryer.

b)        Silogjizmi i gjërave

Tendenca e autorit për të krijuar një univers të dyfishtë të gjërave, pra të dukshëm dhe të padukshëm, joshës dhe të pakashëm, është esenca e sinopseve; në fakt kemi të bëjmë me një luftë të pareshtur me kohën konvenciale, shpërfilljen e saj me një gjakftohtësi të jashtëzakonshme, por si rrjedhojë të mëpastajme gjithmonë duke krijuar kohën artistike si vizion sui generis. Nga ky pozicion e shohim tek sistemon tekste, vargje, fragmente, shkrime, pergamena, libra, citate, mendime, ngjarje, rrëfime, palimpseste etj., duke i vendosur me zhdërvjelltësi të paparë në një kontekst të veçantë rrëfimor, si një lëndë e parë tematike dhe poetike, por gjithsesi që është e përpunueshme,  e zhdrivillueshme. Ndaj, edhe nga pikëpamja logjike del se çdo gjë e përkapur është kohë dhe hapësirë, dialektikë objektive, që shfaqet me personazhe dhe ngjarje konkrete. Megjithatë, përgjatë shtjellimit duket se arrin të çrëndomtësohet tej mase dhe të fokusohet me disa parametra të tjerë. Pa dyshim, kjo është një lojë e pastër krijuese, brenda së cilës ndërtohet një silogjizëm aristotelian, atë që ne thjesht mund ta gjejmë vetëm përbrenda asaj që e ofron koha artistike. Me këtë çmistifikohet çdo gjë e mundshme, përmbyset çdo rregull historik e konvencional, për t’ia hapur rrugën vetëm lëndës që na shpie nga intuita dhe trillesa si dy elemente të rëndësishme krijuese. Gjërat e këtilla janë aq të ndryshme dhe aq të gjera, sa vërtet na e përfytyrojnë një gjithnajë të pafund. Autori përpiqet të na e sjellë një botë empirike dhe gnoseologjike, e cila lehtësisht ringjallet në secilën situatë, si një metaforë ekzistenciale dhe kozmogonike. Prandaj vetë shpërfillja e vazhdueshme kronologjike është një shtysë e qartë për ta nxjerrë përfundimin e vet, gjykimin vetanak për atë që paraqitet si preokupim brenda realitetit konkret dhe fiktiv njëkohësisht.

Në të vërtetë, mund të thuhet se koncepti i kohës është personazh dhe ngjarje, dëshmi dhe vizion, subjekt dhe objekt. Me një fjalë, është një kryesinops të cilin autori e ndan në pjesë të imëta, me të cilat pastaj na e hap një rrugë induktive dhe deduktive, për t’i vendosur gjërat në mozaikun e duhur. Brenda këtij rrafshi të pakufishëm parakalojnë subjekte dhe objekte të shumta, duke u ndërlidhur midis tyre në një pikë të përbashkët për nga përmbajtja dhe forma, si një gërshetim tejet i larmishëm ose si një strukturë kaleidoskopike.

Teksa i lexojmë prozat e Moikom Zeqos na duket se ndodhemi në një perandori subjektesh e personazhesh nga më të ndryshmet. Dhe, përderisa qëndrojmë përballë tyre me gjithë kureshtjen tonë, disi vetvetiu detyrohemi të pyesim si filozofi i paditur i Volterit: Kush? Nga? Çfarë? Ç’do? Megjithatë, fijet e tyre ndërlidhen në të gjitha kohët e mundshme, madje arrijnë gjer në atë të ardhshmen, si një vizion thuajse absolut, duke e sfiduar edhe vdekjen. Bie fjala, në prozën “Shahisti” e shohim lojën e pakufishme të një dervishi shqiptar, i cili përpiqet ta sfidojë kohën ose ta krijojë një kundërkohë, duke synuar kështu një lloj pavdekësie; në prozën me titull “Prifti i Isisës” e shohim tek zhvillohet një bisedë fantazmagorike në mes dy personazheve, njëri i gjallë dhe tjetri i vdekur, ku po ashtu me një lehtësi të admirueshme sfidohet miti i kohës, bëhet kalimi nga jeta në vdekje dhe, anasjelltas, nga vdekja në jetë; në prozën tjetër “Njeriu prej avulli” e gjejmë tendencën e filozofisë së ringjalljes ose atë riinkarnuese, thjesht na shfaqet ideja e riciklimit të njeriut pas vdekjes nëpërmjet avullimit të pjesës së ujshme të tij; në prozën “Lëkurët” e gjejmë rastin me operimin e personazhit Haki Gj., në trupin e djegur të të cilit vendosen lëkurët e kolegëve të tij, ku më pastaj jeta dhe vdekja zhvendosen në mënyrë të pandërprerë, me një varësi të çuditshme etj.

Të gjitha këto sillen në rrethin e ngushtë dhe të gjerë të asaj që ne e quajmë kohë artistike, sepse lëvizjet dhe zhvendosjet që ndodhin janë të natyrës konceptuale dhe krijuese, janë perceptime të pashmangshme që shkrepin vetvetiu, që ndërtojnë një tërësi të alternuar. Përveç asaj që është konkrete dhe objektive në rrafshin e trajtimeve të shumta, aty pleksen edhe ato që janë abstrakte ose subjektive. Shpesh gjërat krijohen në suaza të ëndrrës si kozmos më vete, për të sfiduar të gjitha ligjet ekzistuese të kohës kalendarike. Në qoftë se e shohim prozën “Njeriu i ëndrrave”, do të ballafaqohemi me një personazh të çuditshëm siç është U. Rots, i cili vendos t’i sfidojë shkrimtarët e gjallë dhe të vdekur, duke shkruar me mend libra në ëndrrat e tij. Kështu, duke e abstraguar edhe jetën, edhe vdekjen, ai krijon motërzimin e tretë, mbikohësinë që zhvillohen në një fushë asnjanjëse, siç është ëndrra. Pra gjërat lëvizin në mënyrë të pandërprerë, sfidohen midis tyre në një rrafsh onirik, transformohen në mënyrë të befasishme, zhbëhen fare pamëshirshëm, ringjallen si forma baladike, përtërihen gati si me magji etj. Pavarësisht nga ekzistenca historike apo aktuale, reale apo mitike, ato shfaqen në një moment tjetër, i cili shtrihet kryekëput brenda kufijve artistik. Kështu gjithçka i nënshtrohet një procesi identifikues dhe dyzues, sepse vendosen në kontekste të veçanta, në funksione të reja semantike. Personazhet historike dhe imagjinare shpesh bëjnë jetë të dyfishtë, në njërën anë vetëmjaftohen me vendin dhe kohën e zakonshme të tyre, por në anën tjetër i kalojnë caqet e tilla dhe shfaqen në situata krejtësisht të reja. Për shembull, në prozën “Centauri” ëndrra e malësorit Ukë na shpie te figura mitologjike e centaurit; te proza “Shekspiri i shfytyruar” shohim sesi gjërat e thëna nuk mund t’i rezistojnë mendimit, ato shndërrohen, ndryshojnë vetvetiu nëpër kohë; në prozën “Qengji” trajtohet rrëfimi i Mis Durhamit lidhur me gruan që e kishte ushqyer një qingj me gjirin e saj, por që ngjason me Krishtin dhe Shën Marinë; në prozën “Dy personazhe në një” e gjejmë jetën e dyzuar të perandorit Trajan, jetë të cilat duken të besueshme; në prozën “Sizifi dhe Krishti” i gjejmë pikat e përbashkëta, por edhe ato dalluese në mes dy figurave, njëra mitologjike, tjetra historike etj.

Duke u nisur nga e gjithë kjo lojë variacionale me subjektet dhe personazhet, autori arrin të krijojë funksionalitet maksimal të tekstit modest të cilin e quan thjesht sinops. Mozaiku i tij është plotësisht dinamik, shfaqet e rishfaqet në qindra e mijëra drita të ndryshme të cilat na çojnë drejt sferave të panjohura, drejt të mundshmes dhe të pamundshmes, drejt reales dhe imagjinares, për t’i bërë ato pjesë dialektike e metafizike të tekstit letrar.  Në të vërtetë, kjo na krijon një lirshmëri të jashtëzakonshme për t’i përfytyruar të gjitha konceptet ekzistenciale, historike, filozofike, religjioze, letrare, gjuhësore etj.

c)        Strategjia e leximit

Në këtë libër të pazakonshëm ka një strategji të qartë krijuese, në radhë të parë që i përket autorit si bartës i tekstit të quajtur sinops, dhe së dyti që i përket lexuesit si vazhdues i natyrshëm i tekstit të tillë, me synimin për t’i dhënë një formë më të rrumbullakuar. Me këtë M. Zeqo nuk dëshiron ta përjashtojë autorin nga vepra e tij që e ka sjellë në jetë, por vetëm ta barazojë edhe lexuesin me të, ose ta bëjë një partner të barabartë në lojën imagjinare të letërsisë, pra në atë që në fushën e  teorisë e quajmë perceptim poetik. Kështu mund të pohohet se me sinopset e tij ai krijon një qasje të drejtë dhe të zhdrejtë, një fushë të mjaftueshme për të vepruar autori dhe lexuesi. I pari i sjell tekstet në mënyrë telegrafike, në formë të shpejtë e të ngjeshur; i dyti duhet të ndërlidhet me to, të bëhet njësi përbërëse e tyre, ta marrë stafetën nga autori dhe ta vazhdojë gjer në pafundësi. Prandaj, në qoftë se në rrafshin parësor autorin e konsiderojmë si krijues të variantit tekstor, atëherë në rrafshin dytësor lexuesin mund ta konsiderojmë si krijues të invariantit. Thjesht, i pari është krijuesi, i dyti është rikrijuesi. Ose, i pari është konceptuesi fizik, ndërsa i dyti konceptuesi metafizik. Megjithatë, në këtë strategji del qartë se “Libri i sinopseve” i Moikom Zeqos është një libër i shkruar më tepër për lexuesin, i cili mbase krijon të drejtën e tij autonome për t’u ngritur mbi autorin. Me këtë M. Zeqo edhe njëherë e rizbulon rolin e vërtetë të lexuesit përballë tekstit, e madhëron atë në kontekstin e marrëdhënieve me veprën e cilitdo autor. Sipas kësaj shihet qartë se ai synon të krijojë lexuesin e vet, atë që në të vërtet i nevojitet gjithë letërsisë së mirëfilltë. Pra, letërsia është një fushë shpirtërore ku mund të ndërtohet individualiteti i autorit, por edhe i lexuesit. Mbase kishte plotësisht të drejtë edhe kritiku i njohur amerikan Harold Blum kur thoshte se letërsia është një epifani individuale. Kështu M. Zeqo me “Librin e sinopseve” e fton lexuesin për ta vazhduar aty ku e ka ndërprerë, duke e lënë atë krejtësisht të lirë në rrugën e tij individuale.