E premte, 29.03.2024, 02:06 AM (GMT)

Kulturë

Haki Kasumi: Kontribut për jetën dhe veprën...

E diele, 10.02.2013, 08:02 PM


Recension

KONTRIBUT  PËR  JETËN DHE VEPRËN E NJËRIT NGA ROMANCIERËT MË TË MIRË HISTORIKË

(Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, ”Sulejman Krasniqi, Veprimtaria atdhetare”, Prishtinë, 2012, fq. 334)

Nga Prof. dr. Haki Kasumi, Prishtinë

Libri më i ri monografik i prof. dr. Sabile Keçmezi Basha i titulluar ”Sulejman Krasniqi, Veprimtaria atdhetare”, Prishtinë, 2012, fq. 334, është  botimi i radhës i studiueses dhe historianes së njohur.

Përpjekja serioze e autores për ndriçimin e figurës emblematike të një veprimtari të veçantë të çështjes kombëtare shqiptare, të shkrimtarit më të përkushtuar të romaneve historike shqiptare, të intelektualit me vrull dhe guxim të veçantë të shprehjes së mendimit të drejtë për drejtë kur do herë dhe para çdo kujt, ose si mund të quhet ndryshe të intelektuali me mendimin e tij kryengritës, është një kontribut i rëndësishëm dhe i madh për historiografinë shqiptare dhe jo vetëm për të.

Që në fillim të këtij vështrimi duhet konstatuar se rëndësia e këtij studimi monografik qëndron veç tjerash edhe në faktin se autorja prof. dr. Sabile Keçmezi Basha ka arritur të hapë një tema të reja në historinë bashkëkohore shqiptare, çështjen e presionit, vuajtjeve dhe të përndjekjeve të intelektualëve të guximshëm shqiptarë të viseve që ndodheshin nën robërinë serbe, duke paraqitur dhe trajtuar rastin karakteristik të Sulejman Krasniqit të Hoçës së Vogël të Rahovecit, që vërtet nuk është i vetëmi, por  njëri ndër shumë veprimet e tilla institucionale antishqiptare të pushtetit okupues serbo- jugosllav, që përbënin planet dhe projektet shtetërore të cilat kishin një qellim të vetëm qe intelektualëve shqiptarë t`ua bënin të pamundur qëndrimin dhe jetën normale në Kosovë. Hulumtimi dhe ndriçimi i kësaj forme të presioneve ndaj popullatës shqiptare, nuk ka qenë deri me tash në masën e duhur çështje e interesimit të institucioneve shkencore të vendit dhe as e individëve të fushave të ndryshme të hulumtimit të dukurive të tilla antinjerëzore, gjë e cila nuk do të duhej të ndodhte si doemos në këto vitet e pas çlirimit të Kosovës. Studiuesja e pasionuar Prof. Dr. Sabile Keçmezi Basha ka bërë përpjekje serioze qe këtë boshllëk ta plotësoj dhe zbusë me këtë libër monografik, të cilin sot po e promovojmë në qendrën Komunale të vendlindjes së njeriut dhe atdhetarit i cili u bëri ballë dhe i sfidoi ato veprime antinjerëzore dhe antishqiptare të një pushteti të cilin bota demokratike e vlerësoj si pushteti më diktatorial dhe shtypës në Evropën e pas Luftës së Dytë botërore. Ky libër kam bindjen se të ushtroj ndikimin e tij pozitiv të studiuesit dhe të institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe të hap horizonte për hulumtime, evidentime dhe trajtime të shumë e shumë rasteve të ngjashme të presioneve, keqtrajtimeve, burgosjeve, vrasjeve dhe detyrimeve për tu largua nga vendlindja dhe familja edhe të shumë intelektualëve të tjerë shqiptar të viseve qe ndodheshin nën robërinë e rëndë sllave, vetëm pse ishin shqiptar dhe nuk pajtoheshin me regjimin dhe trajtimin antinjerëzor që u bëhej nga politika dhe pushtetarët serb.

Nga aspekti i metodologjisë së punës shkencore libri i prof. dr Sabile Keçmezi Basha, “Sulejman Krasniqi- Veprimtaria atdhetare”, është një studim serioz dhe interesant. Autorja në mënyrë të argumentuar paraqitet veprimtarinë atdhetare të njërit ndër intelektualet e spikatur shqiptar të Kosovës i cili po reagonte në mënyrën e vetë kundër robërisë së rëndë serbe.

Libri me të drejtë nga autorja është ndarë në tri pjesë kryesore dhe në shumë tituj e nëntituj, ku secili është më interesant se tjetri.

Në pjesën e parë është shkruar për jetën rinore dhe formimin e personalitetit të veçantë me un të fortë të një të riu shqiptar, i cili që herët fikson kërkesat dhe veprimet e rrugës e cila çon në drejtim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Janë interesante sjelljet, veprimet, orientimi dhe harmonizimi i tyre nëpër të gjitha fazat e jetës se këtij atdhetari.

Pjesë e rëndësishme e kësaj monografie është edhe pjesa e dytë e cila përbëhet nga kujtime dhe kontribute të shumta të bashkëkohësve, bashkëpunëtorëve dhe miqve të veprimtarit dhe shkrimtarit më të veçantë shqiptar. Të gjitha shkrimet e të tjerëve për Sulejman Krasniqin janë interesante, reale , korrekte dhe përshkohen me një admirim dhe përpjekje për ta prezantuar sa më objektivisht dhe gjithanshëm portretin dhe veprimtarinë krijuese të njërit prej krijuesve të letrave shqipe.

Në pjesën e tretë dhe të fundit të kësaj monografie, autorja me të drejtë rreshton disa nga faksimilet e dokumenteve të procesit gjyqësor kundër këtij patrioti dhe veprimtari të devotshëm të çështjes shqiptare dhe një numër të fotove , të gjitha këto me qellim të konkretizimit dhe argumentimit të një pjese të asaj që është thënë për figurën dhe veprimtarinë e ndritshme të Sulejman Krasniqit.

Në fund, kam bindjen e mbështetur në veprën në fjalë se autorja ka arritur të ofrojë një studim të mirë me të cilin shumë lexues do të ndahen të kënaqur dhe do të zgjerojnë njohuritë e tyre për të kaluarën e afërt, si dhe për disa nga peripecitë e intelektualit dhe patriotit të veçantë shqiptar Sulejman Krasniqit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora