E merkure, 24.04.2024, 08:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Grave luftëtare të UÇK

E diele, 10.02.2013, 07:00 PM


Tregim

KRAHU I BUJANËS

Grave luftëtare të UÇK

Nga Resmi Osmani

Kompania jonë e brigadës “Atlantik”, kishte dy ditë që kishte zënë vend në të dy anët e shpatinave të  Pashtrikut, në  dushkajat e rralla që pranvera  sapo i kishte gjethëzuar. Pranvera ishte në shpërthim me gjithë bukuritë e saj, por ne nuk i gëzoheshim dot. Për Kosovën ajo ishte një pranverë e përgjakshme. Sapo kishte mbrritur lajmi që komandantët Agim Ramadani dhe Sali Çekaj kishin rënë heroikisht. Ishim në mbrojtje të fshatrave që shtriheshin në luginë e që ende nuk kishin marrë rrugën për në Shqipëri. Rruga që zbriste nga qafa e malit, varej butë tatëpjetë luginës që sa vinte e zgjerohej.  Nëpër të priteshin të depërtonin “Tigrat” e Arkanit, të egër e mizorë, me tanke e artilieri dhe  të armatosur deri në dhëmbë, për të masakruar njerëzit tanë.

Ne ishim pararoja. Pas nesh ishin kompanitë e tjera në rezervë. E dinim me cilët kishim të bënim, por kompania jonë ishte pagëzuar me zjarrin dhe e kishte nuhatur erën e barutit, kishte derdhur gjak dhe kishte dhënë dëshmorët e parë. Kishim përgatitur pozicionet, hendeklidhjet , vendosjen dhe maskimin e topave fushore kundërtanke e mitralozëve të rëndë. Xhenjerët kishin minuar rrugën në pjesën më të ngushtë të saj.   Prisnim nga çasti në çast çfaqien e armikut dhe fillimin e luftimeve.

Në kompani ishim katër vajza.  Unë që sapo isha diplomuar mjeke në Universitetin e Zyryhut, dy infermieret që vinin nga Florida,  që çuditërisht uniforma ushtarake i zbukuronte aq shumë dhe Bujana, studente  për pjano në konservatorin e  Leidenit. Bashkë me dy shoqet e mija përgjigjeshim për shërbimin sanitar, kurse Bujana ishte ndihmës mitraliere në vijën e parë. Në çadrën tonë sanitare me kryq të kuq, të maskuar e të vendosur prapa një suke, nën trungun e një lisi shekullor, kishim vendosur  mjetet e pakëta, por të domosdoshme  të ndihmës së parë dhe disa barrela për bartjen e të plagosurve.

Dielli sapo ishte ngritur dhe mjegulla nga lugina po shprishej. Më parë u dëgjua uturima e shurdhër, si një jehonë e largët, e më pas u shfaq një aeroplan vëzhgimi që nisi të fluturonte ulët mbi vendqëndrimet tona. Djemtë deshën ta qëllonin, edhe mund ta kishin rrëzuar, por komandanti nuk I lejoj pasi ne do të vetëzbuloheshim. Na pushtoi ajo ndjenja e ankthshme e pritjes së të keqes dhe u bëm gati për të pritur armikun. Ai nuk vonoi. Në qafë të malit si ca bisha të stërmëdha e të frikshme u shfaqën tanket. Uturima dhe rrapëllima e tyre u përhap nëpër grykën e malit. Prapa tyre, me hap të shpejtë vinte këmbësoria, helmetat dhe çeliku i armëve u ndrinin në diell. Tanket u ndalën. Kullat e topave nisën të rrotullohen, të ngriheshin e uleshin ngadalë si të donin të nuhasnin dhe shihnin objektivin e tyre. Nga gryka e topave shkrepëtiu flaka e verdhë, bubulloi krisma, jehonën e të cilave e kthyen shpatet e malit. Era shtyu drejt nesh tymin e athët të barutit dhe predhat e para fluturuan mbi kryet tona. U strukëm në llogore dhe vendstrehime, por predhat nuk qëlluan në shenjë. Qëllonin qorrazi. Ende nuk na kishin dalluar. Tanket bënë përpara duke na u afruar. Kur hynë në rrezen e veprimit tonë, tanku që printe hasi në minat e vedosura, ungërroi si bishë e plagosur, u përfshi nga flaka dhe ngeci në vend. Nga kulla e hapur, mes flakëve u hodh ekuipazhi. Tanët hapën zjarr me të gjitha armët. Nga tanket e tjerë, që s’mund të përparonin ngaqë rruga u bllokua, nisën të qëllonin drejt nesh me mitralozë. Një skuadër e tanëve, e pajisur me armë automatike dhe granatahedhës, u doli në krah trupave serbe dhe hapi zjarr, ndërsa një tank tjetër  mori flakë. Para kësaj të  papriture ata filluan të tërhiqen, por ndërkohë mbi pozicionet tona filluan të bien predhat e mortajave. Më par dëgjohej fërshëllima e tyre si e gjarprit pastaj shpërthimi, flaka dhe tymi. Vura dylbitë dhe nisa të shoh llogoret e vijës së pare, që ishin afro dyqind metro larg nesh. Një predhë goditi çerdhen e mitralozit të rëndë dhe pashë sesi nga forca e shpërthimit u hodhën në erë toka dhe njerëzit. Predhat vazhdonin të binin si breshër.

Pas pak cicëroi radiomarrësi.Hapa butonin.

-Këtu Dragoi. Si më dëgjoni. Kemi të plagosur rëndë. Marrje.

-Të dëgjoj. Po nisemi menjëherë. Marrje.

Morëm çantat me mjetet e ndihmës së parë dhe tok me dy sanitaret u  nisëm duke ecur njera pas tjetrës, me kërcime e të përkulura. Armiku na diktoi dhe mbi ne vërshëllyen plumbat. “Shtrihuni,barkas- u klitha vajzave-me zvarritje !” Shokët tanë filluan të na mbulonin me zjarr. Zvarriteshim me vështirësi deri sa arritëm një vend me shkurre, u ngritëm, ecëm me kërcime e të përkulura dhe kur dolëm në vend të zbuluar, u gjendëm sërish nën breshërinë e plumbave.

Përparonim rrëshqanthi, me zor e mundim, metër pas metri, por me vendosmëri, shokët e plagosur na prisnin. Jeta e tyre, që varej në fije të perit kishte nevojë për ne. Ajo copë rrugë mu duk sikur zgjatej pafund dhe koha pa cak. Oh më në fund! Ja dolëm. Rrëshqitëm nga ledhi i llogores. Bujana dergjej e mbytur në gjak, ishte e zbehtë dhe rënkonte nga dhimbjet, kurse mitralieri që kishte marrë plagë më të lehta mundohej t’i vinte në ndihmë , por pa ditur sesi. Dihasja nga lodhja dhe isha e tronditur nga  ajo që po shihja. Krahu i majtë i Bujanës, mbi brryl rridhte gjak me currila. Ja preva mëngën e setrës me gërshërë. Krahu ishte copëtuar. Copërat dhe ciflat e eshtrave ishin përzier me palcën dhe mishrat e dërmishur, ishte një përzjerje kockash,mishi dhe gjakut, që rridhte paprerë. Krahu mbetej I varur nga dejet dhe një cope lëkure. Kishte dhe plagë të tjera në këmbë e ije, por më të lehta. Ia lidha krahun fort mbi vendin e goditur që të ndërprisja gjakrrjedhjen, ia disinfektova dhe ja fashova shpejt e shpejt.

Dy sanitaret mjekuan mitralierin dhe lëvizën nëpër llogore për të parë në se kishte të plagosur të tjerë.

Koha nuk priste. Ndërsa beteja vazhdonte, Bujana duhej tërhequr në çadrën e ndihmës së shpejtë. E nxorëm mbi ledhin e llogores, pastaj e hodha mbi shpinën time dhe nisa të zvarrisem këmba-doras. Sido që shokët na mbulonin me zjarr, nga ana serbe vazhdonin të na gjuanin. Brrylat dhe shputat e duarve mu bënë gjak, shpesh mjekra më kapte në tokë, djersa rridhte pikë –pikë. Kur hyra në shkurrishte u shplodha pak. Bujana, gati  ndjenja humbur rënkonte e rënkonte sa më këpuste shpirtin. Nxora pagurin dhe I laga buzët e rreshkura. “Durim, motra ime e mirë, se ja pas pak do arrijmë e do dalim jashtë rrezikut”. Por ajo ose s’më dëgjonte, ose s’mund të përgjigjej. Më arritën edhe dy sanitaret. Më ndihmuan që Bujanën ta hidhja në shpinë. Pjesën e shkurrishteve e përshkuam shpejt, pastaj me zvarritje, rrëshqanthi për të fituar çdo pëllëmbë tokë. Befas, në pulpën e djathtë ndjeva një dhëmbje përvëluese. Më kishte fshikur një plumb. Ndjeva që këmba u lag nga gjaku, por nuk e ndërpreva zvarritjen. Pas një mundimi të skëterrshëm nën fërshëllimën e plumbave dhe shpërthimit të predhave, ia dolëm.        Bujanën e shtrim në shtratin fushor. E harrova plagën time.

-Doktoreshë, ti qenke plagosur, dale të  ta shoh. Është një gërvishje- tha ajo pastaj ma fashoi.

-Zhvisheni Bujanën.

E kontrolluam me kujdes, i hoqa me pinceta dy cifla metalike nga ijet dhe kofshët. Ajo ofshante nga dhimbjet, por rreziku mbetej krahu i saj, që mund të gangrenizohej. Duhej ndërhyrë sa më shpejt. U ndodha para një rasti të vështirë. Nuk isha kirurge, por nuk më mungonte praktika elementare. E keqja ishte se më mungonin pajisjet e nevojshme për një ndërhyrje serioze kirurgjike. Krahu duhej prerë, pastaj ajo të dërgohej në spitalin ushtarak që ishte goxha larg. E vendosa. Do të ndërhyja. Hapëm tryezën fushore dhe e shtrim të plagosurën. Nuk kisha sharrë kirurgjikale. U vura në një zor të parrëfyer. Thirra një ushtar nga të prapavijës që të më gjente një sharrë. Më solli një sharrë hekuri me hark. Për ta disinfektuar e dogja në flakën e alkooholit, e pastrova dhe e lyeva me jod. Sanitaret hapën në një tryezë tjetër pajisjet: bisturi, pinceta, gjëlpëra , penjë kirurgjikalë, kapëse, pambuk,garza,gërshërë dhe një shishe me eter.

Bujana u përmend. Sytë e mekur shprehnin dhembje dhe vuajtje.

- Krahu im-tha ajo- nuk e ndiej dorën, nuk i lëviz dot gjishtat- Zëri i delte i dobët si një mërmërimë.

E putha në ballin që i digjej zjarr, i laga me ujë buzët e thara e të plasura.

- Qetësohu, motra ime- i thashë,- çdo gjë do të kalojë.

Mora një shuk me garza, i laga me eter dhe ia vura si një maskë mbi gojë e hundë.

-Merr frymë thellë. Të lutem,bëje.

Pas pak narkoza bëri punën e vet. Vesha përparsen, vura maskën, dhe vesha dorashkat. Kështu bënë edhe sanitaret.

-Bisturinë-thashë.

Ma dhanë. Dora më dridhej, por e mblodha veten. Kishte ardhur koha të rrëfeja se çfarë dija të bëja. Luftëtarët luftonin për liri, armiku donte jetën e tyre. Detyra jonë ishte ta shpëtonim  jetën. Më shkojnë të ngjethura në shtat kur kujtoj atë operacion: Bëra një prerje të thellë rrethore deri në kockën e padëmtuar, ndalova rrjedhjen e gjakut, pastaj nisa sharrimin. Njera nga sanitaret mbante krahun, tjetra më jepte pajisjet dhe më fshinte djersën që buronte nga balli. Ajo shushuritje kësh-kësh e sharrës, që priste eshtrën më copëtonte shpirtin , më depërtonte në tërë qënien dhe ma mpinte fuqinë e dorës. Më në fund krahu u shkëput. Me duart që më dridheshin bëra me kujdes qepjen. Preva fijen e fillit dhe fuqishterrur  u ula në stol.

Serbët u tërhoqën. Komandanti I kompanisë erdhi të shihte të plagosurën. Deshën të vinin edhe luftëtarët për ta pare, por nuk I lejova.

Bujana ende nuk ishte përmendur. Komandanti u trondit kur pa krahun e prerë të vendosur në një tabaka. E Kisha pastruar me kujdes  nga gjaku dhe e fashova te vendi I dëmtuar.

Dorë e zbehtë, me lëkurë të lëmuar, pa gjak,  si e dylltë por e bukur, me gjishtërinj të gjatë, delikatë e të hollë, thonjtë si bajame me ndriçim të sedeftë. Gjishtërinj pjanisteje, që dinin të nxirnin nga tastiera  tinguj me harmoni  të magjishme . Rrethi I artë I unazës së martesës dhe ora në kyç që vazhdonte të maste kohën, sikur nuk donin të pranonin shkëputjen e asaj gjymtyre të vyer nga jeta.

Kur Bujana u zgjua nga narkoza, nën efektin e qetësuesve e duronte dhimbjen. Me fjalë të zgjedhura dhe të kujdesëshme, i spjegova gjendjen dhe i thashë se kisha bërë më të mirën e mundëshme. Atë që do të bënte në një rast të tillë çdo mjek tjetër. Nuk kishte fuqi të fliste, por deshi t’a shihte krahun. Hoqa mbulesën.  Asaj I rrëshqitën dy lote nga sytë e lodhur, por t ë bukur. Qante për ëndrrën e saj të këputur në mes. Gjithnjë kishte menduar për koncertin e parë që do të jepte për Kosovën e lirë, kur të hynin triumfues në Prishtinë.

Nuk I fola mw, fjalët ishin të tepërta.

-Doktoreshë- më tha zëkëputur- dua ta “varros” këtu, në këtë vend, poshtë këtij lisi krahun dhe dorën time- pasi heshti pak- edhe gjakun që më është derdhur te llogorja. Është gjaku im i  derdhur për lirinë e Kosovës.

Njera nga sanitaret, që e dinte vendin, shkoi te çerdhja e mitralozit dhe me një lopatë të vogël xhenjere mblodhi dheun që ishte lagur me gjakun e trupit të Bujanës dhe na e solli në një qeskë transparente. Mora krahun e pajetë, i hoqa nga gjishti unazën dhe pastaj orën që ia vura në dorën tjetër  dhe e futa në qeskë. Grykën e qeskës e lidhëm me një kordele kuqezi. Rreth  dy metra nga ana lindore e trungut madhështor të lisit, gërmuam “varrin”. E vendosëm me kujdes krahun mbi një rrasë guri  dhe pastaj në heshtje të plotë e mbuluam. Në kukumalen e dheut të freskët vendosëm një tufë lule mali. Lisin e quajtëm “Lisi I Bujanës”.

Aty në dheun e tokës amë, në malin e Pashtrikut, Bujana kishte lënë  për lirinë e Kosovës një gjymtyrë  të trupit dhe një pjesë të  ëndërrave të  shpirtit të saj.

Pasdite, një skuadër e kompanisë, ngarkoi në barrela të plagosurit dhe nën shoqërimin tim, që do të kujdesesha për të sëmurët, u nisëm drejt spitalit. Pas një qëndrimi disa ditor aty, Bujanën e nisën për në Tiranë.

E takova ditët e para të pas çlirimit në Prishtinë. E bukur dhe e lumtur. E kishte dhënë koncertin e saj virtuoz vetëm me një dorë dhe kishte korrur duartrokitje pafund. Nuk kishte ikur në emigracion. Kishte vendosur të rrinte në tokën  të cilës  edhe pse e gjallë , si çëmim të lirisë i kishte falur një pjesë të trupit të saj.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora