Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kujtim Morina: Poezia e Visar Zhitit

| E shtune, 09.02.2013, 06:10 PM |


Poezi e dhimbjes dhe e dashurisë për njeriun

Vështrim mbi poezinë e Visar Zhitit

Nga Kujtim Morina

Poezia e Visar Zhitit është poezi e dhimbjes, poezi e dashurisë për njeriun, poezi e dritës ndoshta për të kompensuar vitet e kaluara ne ferrin e burgut komunist, është poezi e lirisë së ëndërruar dhe e zhgënjimeve prej lirisë gjithashtu. Në poezinë “Ardhja e Pegasit në Qelinë time” një nga poezitë e para të burgut të botuara në librin e parë “Kujtesa e ajrit”, 1993, poeti shkruan: “Afër frëngjisë/ Nëpër barin e pakët- patkonj/ Kulloste një kalë/ Si dikur/ Si në ëndërr/ Trupi i tij i bukur/ Muzg i larë me shi dhe hënë/ Ç’e mirë të solli kështu/ Mos je ti Pegasi?!”

Pak a shumë në të gjitha poezitë e burgut jepet kështu magjia e lirisë e parë pas hekurave, aty ku çdo gjë merr më shumë kuptim. Çdo kafshë, çdo gjallesë, frut, pemë, që shihet prej aty është e afërt, e dashur. Poeti i burgosur e ndjen si gjallon jeta jashtë hekurave të qelisë së tij, i gëzohet lirisë së këtyre qënieve të gjalla dhe do ta ndajë këtë liri me to. Në një vend ku nuk e gjen lirinë në shoqërinë njerëzore, poeti përpiqet ta gjejë atë në natyrën e egër. Dritarja e burgut është qielli, është syri për të parë botën e jashtme, për të ëndërruar, për t’i mbijetuar atij ferri ku humbën jetën mijëra njerëz.

Një aspekt tjetër i poezive të burgut janë imazhet dhe portretet e jetës së të burgosurve brenda në burg, në kamp, në qeli, në galeritë e nëndheshme të minierave ku punonin të burgosurit në kushte të tmerrshme, në mensën e burgut, në banjot e burgut, etj. Poeti tregon jetën e këtyre njerëzve në fund të honit ku i kishte gremisur fati dhe ku i mban gjallë jo thjesht supa e burgut por mbi të gjitha dinjiteti njerëzor dhe ëndrrat që s’mund të prangosen.

Visar Zhiti shkruan se “I burgosuri/ gjithmonë ndodhet pas një dere të mbyllur”. Po. Kështu përfytyrohet ai në çdo regjim. Edhe nëse i ka kushtet normale të ushqyerjes dhe fjetjes, liria e munguar është një gjë që s’mund të zëvendësohet dhe ai gjithnjë është para një dere të mbyllur, para një muri të lartë që ia zë gjithë pamjen. Poeti di të përdorë bukur figurën e antitezës dhe të kontrastit duke ia kundërvënë robërisë, lirinë, shtypjes, flatrat e ëndrrave, materies, shpirtin.

Për pyetjet apo diskutimet që mund të bëhen nëse poezitë e burgut, të paktën 100, janë shkruar në burg apo më pas, unë s’do t’i kushtoja ndonjë rëndësi të veçantë. Në këto poezi është kujtesa e atdheut në burgjet e diktaturës komuniste, më të egrës që ka njohur populli shqiptar në të gjithë historinë e tij, janë imazhet, përsiatjet e një poeti që u dënua për poezi, vuajti ferrin e burgut dhe kampeve të atij regjimi dhe ia arriti të dilte i gjallë dhe të na sillte këto dëshmi tronditëse. Do të kujtoja këtu, albanologun e njohur Robert Elsie i cili shprehet për krijimtarinë e poetit: “Visar Zhiti është autori shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit janë ndoshta pasqyrimi më i mirë i historisë së kombit. Ai ishte një prej njerëzve të shumtë që u përndoqën mizorisht pa ndonjë arsye të qenë. Por ai mbijetoi, fizikisht dhe nga ana intelektuale e emocionale dhe sot është një prej poetëve më të njohur në Shqipëri”. Për mendimin tim, mund të bëhet një paralelizëm i gjetur mes poezive të Visar Zhitit dhe “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit si dy dëshmi të forta, të besueshme dhe të shkruara bukur të kalvarit të vuajtjeve të shqiptarëve në regjimin komunist.

Visar Zhiti thotë vetë se një nga poetët e preferuar të tij është Walt Witman, poeti kombëtar i Amerikës me shpirtin e madh të humanizmit por unë nuk do ta përjashtoja që poezia e Visar Zhitit ka diçka të përbashkët edhe me poetin tjetër të madh latino-amerikan, Pablo Nerudën, me dashurinë dhe këngën e tij për njeriun që nuk shterret kurrë dhe ia zbut sadopak dhimbjet dhe vuajtjet e jetës, njeriut të thjeshtë, të vuajtur dhe të përsekutuar.

Duke sjellë në kujtesë se edhe Migjeni ka një poezi për burgun, “Kanga e të Burgosunit” besoj se është me vend të vëmë re si e shohin këta dy poetë jetën në vendin e mungesës së lirisë, në burg. Kujtojmë vetëm dy vargjet e para të poezisë së Migjenit “Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme/ shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë”. Duket se Migjeni duke mos qenë ndonjëherë në burg, përpiqet ta përfytyrojë jetën e të burgosurit, në përgjithësi të zymtë, dhe në ndeshje të vazhdueshme mes “hekrave të kryqëzuem dhe ndërgjegjes seme”. Ai përpiqet të futet nën lëkurën e të burgosurit dhe të ndjejë si ai shqetësimet e tij, shtypjen, vuajtjet, dëshpërimin, etj. Ndryshe nga Migjeni, Zhiti është objekt dhe subjekt i poezisë së tij. Duke njohur realitetin brenda burgut, ai përpiqet ta ndjejë atë që ndodh jashtë tij, t’i shpëtojë sadopak  atmosferës mbytëse në mos me trupin të paktën me shpirtin e tij të lirë që s’mund të prangoset, me ëndrrat që s’mund të mbyllen në kafaz.

Në poezinë “Qyteti s’më flet”, poeti jep përjetimet e tij pas daljes nga burgu në fund të viteve 80, kur gjithë Shqipëria ishte bërë si burg i madh. “Qyteti s’më flet/ qyteti më ka harruar, paranojak është qyteti/ rrugët s’më çojnë në fund të një mendimi/ por unë kërkoj punë, ky shatërvan mërzie këtu/ m’i hedh currilat si lakun mbi vrapin/ e harbuar prej kuajsh të pasioneve të mia”. Duket se magjia e botës së jashtme kur e sheh nga izolimi nuk është e njëjta me atë kur e prek vetë realitetin në terren. Sidoqoftë, poeti përpiqet të mos heqë dorë nga ëndrrat apo pasionet e tij dhe të shohë më shumë dritë dhe shpresë tek e ardhmja. Qyteti në këtë rast simbolizon regjimin shtypës të kohës përballë murit të të cilit, poeti nuk do të dorëzohet.

Visar Zhiti e plotëson panoramën poetike të dhimbjes në shoqërinë shqiptare me poezi të tjera për vuajtjet në jetën e përditshme në regjimin komunist. Një poezi tjetër e asaj kohe “Gratë e fabrikës së tullave” sjell një imazh tjetër rrënqethës. Gratë në regjimin komunist duke bërë punë të rënda e megjithatë ato gjenin kohë për ta ruajtur sadopak bukurinë dhe finesën në atë realitet të ashpër dhe të pamëshirshëm. “Grave/ askush mund të mos u ketë dhënë lule në jetë/ por purpurin e trëndafilave/  e vënë në faqe/ i errësojnë ca sytë me rimel/ sikur t’ua kenë pikturuar peisazhet e trishta”.

Udhëtimet e para të poetit në Perëndim në fillim të viteve 90, krahas magjepsjes së poetit me botën e ëndërruar, sjellin edhe dilemat, brengat dhe stresin e jetës në liri. Çfarë të bësh me lirinë!? Bota perëndimore që është identifikuar shumë herë me lirinë dhe demokracinë është shpeshherë e ftohtë! “Dhe në Itali mund të qash/ mund të rrjedhin rrëkera shirash/ nëpër peisazhin e dhimbjes tënde/ të varura nëpër trup/ si atij që shet vizatime rrugëve”. Vjen një periudhë kohore apo një fazë tjetër në poezitë e Zhitit  ku ndihet më shumë zhgënjimi në liri. Disa poezi që autori i ka sigluar të shkruara në kohën e burgut i shkojnë mrekullisht edhe kohës së lirisë si “Vazhdimisht tradhëtohet njeriu”, “Dëshpërim që mbaron me një fabul”, “Antinarcizëm”, “Lakuriqët e natës”, “Dhe tradhëtitë si dashuria, se si...” etj. Njeriu tradhëtohet në çdo kohë thotë poeti aq më tepër kjo në shoqëritë në tranzicion ku rolet ndërrohen por karakteret mbeten, ku metamorfoza e disa njerëzve gjen truall të përshtatshëm për t’u transformuar e për t’u kamulfuar.

Poeti kujdeset ta plotësojë gjeografinë e poezisë së tij me të gjitha viset e kombit shqiptar, me njerëzit e shquar të tij, ku mund të përmendim poezitë për Kosovën, arbëreshët, përkrenaren e Skënderbeut, për Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, etj. Në vitin 2000, poeti botoi librin “Si shkohet në Kosovë”, fill pas luftës atje. Vetë poezia me këtë titull është emblematike, është dhimbje për të vrarët, për të gjymtuarit, për njerëzit që kanë humbur të dashurit e tyre, për “pemët vajtojsa në rrugët e Prishtinës” dhe krimet që kanë parë ato, rivarrimet, fëmijët e lindur nga përdhunimet etj. Po citojmë disa vargje nga kjo poezi: “Ti kalë i bardhë, Pegasi im/ si shkohet në Kosovë, tregomë!/ malli më ka marrë pa qenë kurrë... Ti yll blu i fatit mbi ballë të atdheut/ si shkohet në Kosovë, tregomë!/ kur të kesh një plagë tjetër të re në trup/ ndiq udhën e rrëkesë së gjakut”. Krijohet këtu edhe një asosacion mes poezisë së Zhitit dhe poetit të famshëm rus, Sergei Esenin, me poezitë e tij të ndjera dhe aktin tragjik të vetëflijimit.

Nga shumë lexues, Visar Zhiti identifikohet si poet i poezive për burgun. Në të vërtetë, poezitë e burgut janë një pjesë shumë e rëndësishme dhe për mendimin tim, më e bukura e krijimtarisë së tij por ai ka poezi të bukura edhe për dashurinë, e cila për të është një mozaik i plotë ku s’mund të ndahet qartë ajo për të dashurën, për prindërit, për fëmijët dhe për njeriun në përgjithësi. Po kujtojmë njërën prej tyre: “Sa shumë e largove ditën e takimit tonë/ deri në periferinë e harrimit e çove/ dhe unë çdo ditë duhet të të rikrijoj ty/ me ajrin, me ujin, me dritën”. Në këtë kontekst janë edhe poezitë e ndjera për babain e tij, shkrimtar edhe ai, që kishte vuajtur aq shumë, për birin e tij të mezipritur që vjen në jetë, për njerëzit e afërm që iu gjendën pranë në momentet e tij më të vështira etj. Vlen të përmenden edhe poezitë e tij të paraburgimit, para vitit 1979. Duket se është i njëjti stil, e njëjta dhimbje dhe dashuri për njeriun. Zhiti shquhet për gjetjen e metaforave që duket se i vijnë lirshën, pa sforcime që shkrihen mirë në tekst dhe ndihmojnë për të dhënë më mirë tablonë, imazhin dhe portretin e poezisë. Poeti nuk kufizohet në poezitë e tij për dhimbjen dhe për dashurinë për njeriun brenda kufijve ku jetojnë bashkëkombasit e tij shqiptarë por shkon më larg, është në bashkëbisedim me poetët dhe njerëzit e vendeve të tjera, kujtojmë këtu një poezi për poetët e Ballkanit, për Mario Luzin etj.

Sidomos në librin e fundit me poezi “Thesaret e frikës’ të botuar në vitin 2005, duken tendencat drejt poezisë moderne, drejt transhendentales, rravgimeve në kufirin mes jetës dhe vdekjes dhe përtej tij. “Sa shumë më ke braktisur/ nuk braktiset tjetri kështu/ edhe pse ke vdekur/ as në ëndërr të mos më vish!/ për varrin tënd më ka marrë malli/ larg tij jam më tepër jetim”. Është një poezi që të zakonshmen e poetizon ndërsa poetiken dhe mitiken e çdramatizon. Është edhe tendenca e përbotshme për ta sjellë poezinë sa më afër njeriut, për ta bërë më të lexueshme, sepse ajo bart fatin e njeriut dhe është mirë të ruajë edhe anën sociale sepse kështu bashkëjeton më lehtë me njeriun dhe bëhet pjesë e shpirtit të tij.

Në përfundim të këtij shkrimi modest për poezinë e Visar Zhitit do të citoja edhe një tjetër poezi që duket se sintetizon lajtmotivin e poezisë së tij, thirrjen e zërit të tij të ndërgjegjies, mesazhin për bashkëkohësit dhe brezat që vijnë: “Nuk janë të miat shkallët/ vetëm hapat janë/ rënkimet ikin me erën/ mua më mbetet dhembja/ fitorja bëhet e atyre/ që vijnë pas luftëtarëve/ s’kam më vetvete/ por dashurinë”.