E enjte, 25.04.2024, 08:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Istref Haxhillari: Ikja e Skënder Haskos

E premte, 08.02.2013, 09:34 PM


Ikja e Skënder Haskos

Nga Istref Haxhillari

Ndahet nga jeta një nga ata shumë të rrallët shkrimtarë, bij e mishërime të mirësisë, saqë nuk do të përdhosja asgjë po të thosha “u nda sot nga vdekja”. Sepse vdekje është kaherë zia e heshtja që rrinë mbi, nëpër dhe nën të ashtuquajturën jetë letrare.

Skënder Hasko bëhet pas kësaj nga ata njerëz që e kanë njëlloj të ndritshme edhe praninë, edhe mungesën, dhe të cilët, për fat të keq, detyrojnë t’ua kujtosh të mirat që kanë bërë vetëm pasi ikin së këtejmi.

E takova shumë herë dhe komunikuam me telefon disa herë të tjera. Më befasoi para tre vjetësh kur u pamë në një veprimtari letrare të revistës “Obelisk”. Para se të hynim në sallë, më tha diçka lidhur me letërsinë e lënë pas dore, dhe ai kumt m’u duk dyfish i hidhur ngaqë më vinte prej një shkrimtari që s’mund të kishte hasmë, ziliqarë, shpifarakë e dështakë të çartur nga llogorja. Përndryshe, “vishemi me rrobat e të vdekurve të huaj, mbathim këpucët e tyre…”

Është bërë gati ves që, tek përshkruan vdekjen e dikujt me emër, autori të legjitimojë tërthorazi dimensione që pandeh se nuk çmohen sa duhet. Mirëpo rasti Skënder Hasko i dëbon vetiu të gjitha hamendjet, me atë pamje të jashtëzakonshme  mirësie, ku u ngujua e vigjiloi për gjysmëshekulli me radhë, si te kryet e një shoqërie që as rron, as vdes, por humb gjithsesi mëshirën e mirëkuptimin ndaj shpirtrave të zgjedhur.

Vështirë t’i ketë njohur tjetërkush më mirë ato thellësi shpirti ku historia nuk është veçse një lojë teatri, që rëndom mbyllet me gjak e gjëma, teksa duhet të kulmojë vetëm me atë humor ku secili prej nesh, pavarësisht nga bindjet, kahet, synimet etj, gjen tek tjetri, tek vëllai a sivëllai copëza nga fatkeqësia a pafuqitë e veta fatnore.

Të shkruash letërsi për fëmijë është iniciativa më e madhe dhe më e vështire për një shkrimtar dhe Skënderi ishte pa dyshim mëshirimi i këtyre cilësive të çmuara.

Ka poetë e shkrimtarë që bëhen të tillë në kushte dhe rrethana të caktuara. Vepra e tyre letrare është e kultivuar, pjesë e edukatës, lule e rritur në kushte artificiale nëpër sera. Të tillë janë të shumtit. Këta jetojnë pak, vdesin shpejt, harrohen shpejt.

Ka të tjerë, fare të paktë që lindin të tillë, artin e të shkruarit e kanë nëpër damarë, janë mëkuar me të, jetojnë me të, vdesin për të. Ngjajnë me lulet e rritura në kushte natyrore. Ky lloj arti jeton gjatë, kapërcen vitet, mbetet përherë i freskët.

Skënder Hasko i përket grupit të dytë.

Ai është artist i lindur.

Copëza të shumta impresionesh, mbresa të afërta dhe të largëta, ngecur diku në thellësi të kujtesës, vërshojnë nëpër veprën e tij letrare porsi virgjëresha të paprekura nga dhuna e harresës nëpër vite. Burojnë natyrshëm nga shpirti i etur, me larmi temash dhe stil origjinal, përjetime estetike, copëza bukurie të spikatura.

Në qendër të krijimtarisë letrare janë fëmijët, bota e tyre e mrekullueshme. Por është edhe një tufë çaji, një degez ahishteje e blertë, një vashëz e bukur si dritë, një burrë i fortë e i patundur si shkëmb. Shpirti i tij është univers gjigand i pa shteruar kurrë. Meditimet rrjedhin vetë nëpër vezullime natyrore: ndjesi pikante për dashurinë, bukuritë e jetës, magjinë e ndjenjës.

Librat e tij të shtyjnë ta duash jetën, ta shijosh gjer në pikën e fundit, të kapesh me thonj e dhëmbë pas çdo çasti. Ato trokasin fort mbi lëvozhgën e ashpër të jetës, që na ik aq shpejt, si pa kuptuar

Në çdo kohë.

...Dhe në çdo moshë.

Bota e brendshme e njeriut, parë nga këndvështrimi dhe eksplorimi i syrit të tij meriton të respektohet. Një arkitekturë me dritare të mëdha për të parë dritën, për të kapur trillet e ngjyrave dhe aromat e luleve, për të depërtuar në thellësi të  sentimentit njerëzor.

Sidomos botës së fëmijëve.

Secila ka melodinë e vet, mbresë që fikson momente të këndshme ose të hidhura, të padukshme në vështrim të parë, por të endura me gjuhën e letërsisë të bëjnë për vete, të futin në përjetimin e magjisë që ka mbërthyer autorin në atë çast.

Dhimbja e Skënder Haskos vjen e freskët, me ngjyresa të llojllojshme, ku shfaqet shpirti i këngëtarit, mbushur me prushin e përshkënditur, tjerrë me dhimbje e mall.

Ka rrjedha e përrenj që mbushin lumenjtë dhe humbasin në detin e thellë të kulturës, por ka edhe burime këngësh që krijojnë një lumë krijimtarie disi ndryshe. Ai vadit arat e ndjenjave dhe ato të mendimit, të dashurisë e urrejtjes, të asaj pjese të jetës që nuk duket por shprehet, që nuk preket por lexohet.

Një lumë të tillë ndjen, kur lexon Skënder Haskon.

Fjalët e artistit të bëjnë ta duash atë kur lundron në brendësi, ta urresh kur të përplas fuqishëm nëpër shpellat  e mendimit, të  shijosh shushurimën e rrjedhave në vorbullën e krijimit. Çdo tingull, qoftë edhe një gur i hedhur mbi sipërfaqen e tij ka drithërimën e ndjenjës dhe  kthehet  në varg.

Më duket pleonazëm t’i mbyll këta rreshta me shprehjen “Të qoftë dheu i lehtë”, sepse ai, me paqen që shpërndante, talentin e lindur, librat dhe mençurinë, me njerzillëkun dhe shpirtin  qelibar, ua bëri më të pranueshëm ajrin të gjallëve, më të këndshme letrën e bardhë germave, dhe më të lehtë dheun atyre që kanë ndërruar tashmë jetë, ose vdekje.

Skënder Hasko nuk ka nevojë për lavdi, lavdia ka nevojë për të.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora