E premte, 29.03.2024, 09:06 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Të pafajshëm për 21 Janarin

E enjte, 07.02.2013, 07:00 PM



Në pak minuta Gjykata Penale shpalli vendimin, që i jep pafajësinë ish-Shefit të Gardës së Republikës,Ndrea Prendi dhe oficerit Agim Llupo, pasi akuza e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese, sipas trupës gjyqësore nuk u arrit të provohej nga Prokuroria.

Gjyqtari Besnik Hoxha deklaroi në sallë se nuk mundet të ngrejë një akuzë të re, për aq kohe sa për të nuk është hetuar nga Prokuroria. Vendimi i tre pafajësive, së bashku me deklarimin si i pafajshëm edhe për Margarit Kumen, u prit me duartrokitje.

Nje nder pikat e referimit qe u shpallen ne dispozitiv ishte edhe vendimi i Strasurgut për pafajësine e nje polici, i cili vrau nje protestues ne Genova gjate 2001, ne protestat kunder takimit te G8.

"Gjykata, në reference të vendimeve të Kolegjeve të Bashkuara, nuk mund të krijojë një akuzë të re për të pandehurit tej dhe fakteve dhe pretendimit të parashtruar nga organi i akuzës, për të cilat nuk është hetuar nga ky organ. Në këto kushte gjykata, me anë të këtij vendimi i përgjigjet akuzës së ngritur dhe faktit nëse provohet ose jo. Gjykata nuk mund të shprehet edhe për faktin e pahetuar nga Prokuroria për këta dy të pandehur. Gjykata, së dyti, në marrjen e këtij vendimi ka parasysh vendimin në datë 25/8/2009,së gjykatës së Strasburgut kundrejt Italisë dhe jurisprundencën e kësaj gjykate në zbatim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe vecanërisht nenit dy të saj, e drejta e jetës. Gjykata sqaron se jurisprundenca e Gjykatës së Stasburgut është bazë ligjore dhe e detyrueshme për gjykatën shqiptare në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë", tha gjyqtari Besnik Hoxha.

Trupa gjyqesore me gjyqtarë Besnik Hoxhen, Ardiana Beren dhe Arjana Cacon e rrëzuan akuzen e Prokurorise per vrasjen e Faik Myrtajt, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedes, si qartesisht te paprovuar se ka ndodhur me dashje, ndersa Garda atë dite, sipas Gjykatës ka kryer mbrojtjen e institucioneve dhe mbrojtjen e nevojshme.

"Akuza e ngritur nga Prokuroria në ngarkim të dy të pandehurve nuk qëndron, duke patur parasysh edhe institutin e mbrojtjes së nevojshme, detyrimet ligjore të Gardës së Republikës për mbrojtjen e institucioneve dhe personaliteteve zyrtare që kanë në mbrojtje. Si përfundim Gjykata vendosi: deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ndrea Prendi, për veprën penale të vrasjes me dashje të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, parashikuar nga neni 79, gërma ë; e Kodit Penal, heqjen e masës së sigurisë arrest shtëpie ndaj këtij të pandehuri; deklarim të pafajshëm të të pandehurit Agim Llupo për veprën penale të vrasjes me dashje në rrethana të tjera cilësuese, të kryer ndaj dy ose më shumë personave, të parashikuar nga nenin 79, gërma dh; e Kodit Penal, urdhërohet lirimi i tij i menjëhershëm; deklarimin e pafajshëm të shtetasit Margarit Kume", tha Hoxha.

Menjëherë pasi trupa gjyqesore u largua, salla e gjykates u kthye ne nje vend takimi mes oficerëve të Gardës dhe ish-eprorit të tyre, gjeneralit Ndrea Prendi.

Procesi u ndoq ne heshtje edhe nga nje perfaqesues i Ambasades Amerikane. Avokatet mbrojtes të Prendit dhe Llupos dhanë deklaratat e tyre në daljes të seancës.

"Drejtësia foli. Eshtë një ditë vërtet e madhe, jo personalisht për gjeneral Ndrea Prendin, por është një ditë e madhe, e cila shënoi që përfundimisht në Shqipëri nuk preken institucionet", tha Genc Gjokutaj, avokat i Ndrea Prendit.

"Sot Gjykata shpalli vendimin ndaj të akuzuarve të datës 21 janar, vendim i cili nuk ka nevojë për koment. Ajo që unë shpresoj dhe besoj që ky të jetë një gur themeli i atij muri të lartë që drejtësia me reformat e saj duhet të ndërtojë", tha Besnik Cerekja, avokat i Agim Llupos.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme. Zyra e Shtypit e organit qendror të akuzës deklaron konkretisht se: Prokuroria do të presë zbardhjen e vendimit dhe më pas do të vlerësohet për më tej.

___________

Familjaret e viktimave: Vetëgjyqësi!

Të afërmit e viktimave të 21 janarit shprehen të revoltuar dhe se do kërkojnë vetëgjyqësi pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që shpalli të pafajshëm personat e akuzuar nga prokuroria për tre nga vrasjet e ndodhura gjatë protestës.

Në familjen e Hekuran Dedës në Laknas të Tiranës duket se verdikti gjykatës ka rihapur plagën e vrasjes së tij. Ja si e përshkruan nëna e Hekuranit momentin kur mësoi vendimin e gjykatës.

“Mora një plumb për së dyti. Prap u vrava. Desha drejtësi, u mërzita shumë. E pashë në televizor dhe Topallin që fliste shumë keq. Sikur t’i vrisnin djalin e saj ca do të bënte ajo?”, tha Dudije Deda.

Ndërsa Zabiti, vëllai i madh i Hekuranit, thotë se drejtësisë i është bërë presion nga kryeministri Berisha.

“Vendim është krejtësisht politik dhe mafioz. Përgjegjësi kryesor është kryeministri, pastaj vijnë me radhë të tjerët. Është një urdhëri i prerë i kryeministrit. Janë në hall edhe gjykatësit dhe prokurorët. Nuk na tremb kryeministri, nuk na tremb asnjë. Ne do të mundohemi me cdo mënyrë”, thotë Zabit Deda.

Bashkëshortja e Faik Myrtajt shprehet se do e ndjekë cështjen në rrugë ligjore.

“Ata as plackitën, as vranë dhe gjërat janë fikse. Për mendimin tim vendimi i gjykatës ishte përtokë”, deklaroi Zabit Deda.

Djali i saj Renato thotë se nuk priste që gjykata të jepte drejtësi për vrasjen e të atit.

“Kryeministri duhet të marrë një gjë parasysh, mirë mbuloi këtë me vendime gjykatash, por nuk ka mbuluar dicka. Me fiset e këtyre njerëzve cdo të bëjë? Sepse tradita e vjetër këtu thotë që gjaku lahet me gjak”, thotë Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtajt.

Vëllai i Ziver Vezit, personi që u vra në trotuar përballë portës së kryeministrisë thotë se do kërkojë vetëgjyqësi.

“Më duket një gjë që s’e vlerësoj dot. Kjo na shpie të kërkojmë vetëgjykim. Do kërkojmë vetëgjykim”, deklaroi Fitim veizi, vëllai i Ziver Veizit.

I kontaktuar në telefon, babai i Aleks Nikës, thotë se gjykata ende nuk ka folur për vrasësin e djalit të tij, hetimet për të cilin vazhdojnë.

______________

21 Janari, SHBA: Të tronditur nga vendimi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë deklaroi se është tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011.

Përmes një njoftimi për shtyp selia diplomatike e Uashingtonit në Shqipëri deklaroi se menjëherë pas 21 janarit 2011, Shtetet e Bashkuara, si një mike dhe mbështetëse e popullit shqiptar, iu përgjigjën një kërkese urgjente të Qeverisë së Shqipërisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për asistencë në hetimin e vrasjeve.

Ambasada thotë se Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë të shumëanshme, përfshirë ekspertizë nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit (FBI), një nga më të mirët në botë.

“Përgjatë gjykimit të çështjes, Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv”, theksohet në deklaratë.

“Por fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë e shpërndarë në mënyrë urgjente.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama falenderoi Shtetet e Bashkuara për atë që ai e quajti shprehjen pa ekuivok të protestës ndaj vendimit të gjykatës për vrasjet e 21 Janarit.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, Rama falenderon ambasadën e Shteteve të Bashkuara për shprehjen pa ekuivok të protestës ndaj vendimit. Bota e lirë s’i mban dot kësi turpesh, mbyll komentin e tij Rama.

Fyle: Drejtësia, kusht për në BE

Vendimi i Gjykatës së Tiranës për çështjen e 21 Janarit nuk është pritur mirë nga Komisioni Europian. Në një komunikatë të lëshuar nga zyra për shtyp e Komisionerit për Zgjerim Stefan Fule, fillimisht sillet në kujtesë raporti i fundit i progresit, “ku bëhej thirrje për përfundimin e procedurave të këtij rasti nëpërmjet një procesi të besueshëm gjyqësor.”

Pasi këshillon që të shmangen të gjitha polarizimet për këtë rast, para vendimit të Gjykatës së Apelit, Komisioni përsërit kërkesat ndaj sistemit shqiptar të drejtësisë.

“Komisioni përsërit se një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe llogaridhënës, i aftë për të garantuar gjykime të drejta, është dëshira legjitime e popullit shqiptar dhe një element thelbësor i një shteti të fortë të së drejtës, një parakusht në rrugën e integrimit evropian”, theksohet në komunikatë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora