E premte, 29.03.2024, 05:36 AM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Leximi i zemrës

E enjte, 07.02.2013, 07:42 PM


LEXIMI I ZEMRËS

CIKËL NGA QAZIM D. SHEHU

KUR TROKITI POEZIA

Kur poezia trokiti tek unë
Nuk e dija ç`ishte ajo,
As e mendoja pse në furtunë,
Dega e manit tundej, siç s`do.

Kur poezia trokiti tek unë,
Më dukej sekret i madh,
Edhe pse vargjet vinin pa dhunë,
Si lulet në livadh.

Sekret i pamëshirshëm,
Shkonte duke u mbyllur,
Ndonëse vargjet dilnin lirshëm,
Si njerëzit nga dyert.

Atëhere kuptoja pa mëdyshje,
Se nuk do ikte asnjëherë,
Paçka se më jepte dridhje,
Si ajri gjethes gjuhëprerë.

Paçka se më mbante natën
Pranë, në enigma të mëdha,
E ndërsa marrëveshje s`patëm,
Ajo herë vinte e shpesh më la.

Vonë kuptova, s`qe aq besnike,
Punë me të tjerë kish,
Herë hidhërake e herë mike,
Me kodin magjik.

Që ende s`e kam zbërthyer,
Si lojërat e pasqyrës në diell,
Kur kthehet për të ndriçuar,
Errësirën që vetë e ndjelll…

GJYKATËS TË NDERUAR

Gjykatës të nderuar,
Më vjen keq.
E dini ç`do të thotë të japësh drejtësi?
Atë që zoti e vendos në qiell,
Po nuk mundet të zbresë në tokë, kurrësesi..

POSHTË E MË POSHTË

Poshtë e më poshtë bien ditët,
Në kujtesën e ngrirë,
Lart e më lart ngrihen vitet,
Drejt dështimit të arrirë.

Poshtë e më poshtë bie njeriu,
Në fund të ekzistencës,
Lart e më lart ngrihet mendimi,
Drejt shkencës.

Poshtë e më poshë bie universi,
Drejt rrënimit total,
Njeriu të falur i kërkon vetes,
Vetëm kur bie në hall…

MBUROJA

Mburoja më e fortë në këtë botë,
Mbetet lëkura e politikanëve,
Ekranet lodhen dhe nga këtu poshtë,
Drejt tyre shigjetojnë fjalët.

Ata s`ndiejnë asgjë,se kjo mburojë,
U siguron gjithçka, luksin , paranë,
Kështu çdo ditë zhvlerësohet fjala jonë,
Nga nderi që ata s`e kanë..

KUSH

Kush e shpëton tjetrën,
Ëndrra apo realiteti,
Pemën kush e mbron,
Dega apo gjethja.
Kush e mbron njeriun,
Vetja a të tjerët,
Ku ndahet kufiri,
Midis jetëvdekjes.
Midis fjalës dhe fjalës,
Detit dhe tokës,
Si mund të zbardhësh,
Përqafimin e plogësht.
Si mund të shqitësh,
Rroben nga trupi,
Dhe si mund të rritësh,
Këngën e bukur.
Kur këngë e keqe,
Bredh lirisht në rrugë,
Dhe dashuri e vjetër,
Dashurinë nduk.
Kush e shpëton tjetrën
Në dyzim ekzistencial,
Kur në thika ekuilibrash,
Bota ec e s`ndal..

THIKA E MAKBETHIT

Thika ende ka mbetur në ajër,
Para dhe nga kohë e Makbethit,
Përgjak ajo qiellin e zbrazët,
Ndërgjegjen e njerëzve.

Një ditë kur të bjerë në shesh,
Si relike do jetë,
Sa s`do mundet të njohë kurrë,
As hijen e vet.

Po gjer atëhere do rrijë në ajër,
E dënuar të gjykojë,
Tronditjen e përgjakur,
Të krimit që s`ka gojë..

LEXIMI I ZEMRËS

Leximi i zemrës? Kush tha se ajo,
Nuk lexohet si mijëra faqe,
Derdhur në art të magjishëm domosdo,
Mbartur qenies transcedentale.
Mbartur si një e plagosur në supe,
Mendimesh të trishta pa kolor,
Kur zemra bëhet një ëndërr çupe,
E brishtë si lulja në oborr.
Kur zemra hovën shpateve të ndjenjës,
Të kapë regëtimat e shtrydhura,
Nga dashuria që josh errët,
Gjërat e paarritura.
Nga dashuria që mbështjell zemrën,
Si shtresë ozoni planetin,
Të marrin ajër ëndrrat e mbetura,
Të humbura në dëshira që feksin…

QYTETET

Në qytetet me beton të shplarë,
Asnjë gjurmë stine nuk gjen,
Pranvera s`vjen më si më parë,
Dimri borë nuk derdh.
Në blloqe tymi dhe gazi,
Pa lule dhe akuarele,
Malli të merr për një natyrë fshati,
Për një lulekaçe, luledele.
Nga betoni të ikësh nuk mundesh,
Qyteti të mbërthen e zhbën,
Veçse kujtesa nganjëherë tundet,
Në tërmete stinësh plot tmerr…

ISHULLI

Gjithnjë më thotë mendja të arratisem
E të shkoj në një ishull rrethuar
Me dallgë.
Si Robinson të ndërtoj jetën,
Prej kornizave të dal.
Kjo  vështirë mbetet.Ishujt i kanë pushtur turistët,
Kolonizatorët modernë të lekut.
Në këtë botë s`ka mbetur më gjë e panjohur,
Dhe gjithë të njohurat bëhen të mërzitshme,
Pra edhe ishujt…

TURMA

Nganjëherë dua të zgjohem prej kujtesash të humbura,
Për të cilat kujdes nuk pata t`i rendis në mosharresë.
Veçse jeta ka kaq gjëra të bukura,
Sa bukurinë e vet pa mëshirë e vret.
Dhe prapë dua ato t`i ringre,
Pa kuptuar pse kanë humbur,
Si pema që u shkul me rrënjë,
Nga stuhi e fundit.
E kotë, unë mbartës i tyre,
Ato më paskan përhumbur keq,
E për këtë kam ndjesinë se dikush dridhet
Të më bërtasë në vesh.
Shikoj përreth turmën e humbur
Po ajo ka kapur ijet e dobësisë
Dhe në marri qesh…

BELI I BUKUR

Belin e bukur, o moj belkëputur,
Që ndrin e farfurin,
Tek shkon rrugës flutur,
E bukur tek verbon pa kthim.
Larg e larg ç`të ndjell
Një e panjohur gjithë mall,
Të çon në tjetër qiell
Nga ai që kemi përballë.
Mos vallë s`të pëlqen
Ajo që të afrohet,
Me ëndrra të tjera në sy,
E brenga që nuk zgjohen.
E ti ndoshta s`do dishe,
E s`do kuptosh kurrë,
Sesa të desha verbërisht,
Më tepër se çdo burrë…

DUKE PËRGJUAR ERËN

Duke përgjuar erën dua të kap,
Një kumt memec.
Gjuha e saj e prerë në stërmundim,
Përlan gjithçka perreth.
Drurë, gjethe, gjithandej
Rrupullitë e natës trullos,
Ç`fjalë do thotë e ngrata,
Ç`kumt do sjellë,
Para derës së zemrës sime,
Të cilën nga frika e saj,
E mbaj mbyllë…

URIA

Nëse bukuria do binte,
Sipër meje si zjarr,
Do isha uji që do shuante,
Etje e pafundme të saj.

Nëse si uji do vërshonte,
Të më përmbyste megjithsej,
Si Niagara do hapja hone,
Për ta strehuar krejt.

Nëse zemrën do ta hidhja,
Në zjarrin e saj të digjej,
Me tmerrin e saj të zi,
Mbase do tërhiqej…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora