E enjte, 28.03.2024, 08:03 PM (GMT)

Mendime

Gjekë Gjonaj: Tharmi i shqetësimit

E enjte, 07.02.2013, 06:40 PM


Tharmi i shqetësimit

Edhe pse historia na tregon shumë për tolerancën fetare, prapë se prapë secili nga ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi, sipas shkrimtarit Ismail Kadare: “Harmonia fetare, sa ç’është madhështore si ngrehinë, aq është edhe e brishtë. Mjafton e çara e parë serioze, mjafton radikalizimi i njërit prej besimeve, që ngrehina të shembet”

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin

  gjithë ata që e njohin  të kaluarën e Malësisë kanë thënë dhe thonë se malësorët janë dalluar ndër shekuj për tolerancën fetare dhe për një bashkëjetesë të  shkëlqyer me njëri-tjetrin. Kjo është e vërtetë e pakontestueshme ! Malësorët e shumëvuajtur, si të gjithë shqiptarët, nuk e kishn formuar këtë harmoni fetare dje, e as sot, por është kjo vlerë dhe thesar i çmuar i shqiptarëve që buron me shekuj. Ata tolerancën dhe mirëkuptimin në mes veti e kishin kuptuar si dy gjëra që duhet t’i posedojnë, t’i ruajnë dhe t’i kultivojnë nga brezi në brez. Virtyti i solidarizimit e mbajti gjallë shpirtin e malësorëve dhe atëherë kur ishin buzë greminës. Myslimanë apo i krishterë nga çdo cep i Malësisë ishin një dhe të pandarë. Motoja e tyre kryesore ishte dhe duhet të jetë: Ta duam njëri - tjetrin, si vëllau – vëllanë, si shqiptari-shqiptarin. Po nuk e deshtëm kombin, gjuhën, historinë, flamurin, gjakun e veten tonë, nuk mund të presim se do të na dojë dikush tjketër”. Këtë  parim ata e bazonin në faktin se  për të gjithë shqiptarët, sikur edhe te popujt e tjerë, mbi të gjitha duhet të jetë interesi kombëtar dhe se feja nuk duhet të jetë element ndarjeje në mes të shqiptarëve.

Shembuj të tolerancës ndërfetare ndër malësorët

Dëshmia më e mirë e harmonisë fetare në jetën shoqërore të malësorëve  na vërtetohet  historikisht në shumë raste si  në luftë e në mbrojtje bashkë, në  dasma, në festa, në gëzime, në hidhërime bashkë. Po të nismim dhe të rendisim shembuj në lidhje me tolerancën fetare ndër malësorët gjatë shekujve, nuk do të mundemi t’i përmbledhim me një shkrim kaq të   shkurtër. Por le të jetë kjo një përpjekje modeste për  t’i kontribuar sadopak  tolerancës dhe harmonisë ndërfetare të  malësorëve,e cila  gjatë historisë ka pasur edhe sprovat e veta, që për  fatin tonë të mirë  janë kaluar me guxim e gjakëftohtësi. Nga biseda me personalitetin e nderuar  ish kryeimamin e  Tuzit, Rexhep  Lika, i cili  21 vjet ka shërbyer  me dinjitet si udhëheqës shpirtëror në Malësi  veçojmë këta shembuj:

1. Me rastin e festës së madhërueshme të Kurban Bajramit, në vitin 1967  priftërinjtë katolikë të Malësisë  kishin ardhur  për ta përgëzuar  Likën në shtëpinë e tij.  Kur ata hynë mbrenda  gjetën  vetëm bashkëshorten e Rexhepit, Hatixhen. Ajo nuk   i ka njohur mysafirët, por i ka mirëpritur dhe  shërbyer sipas traditës e riteve  fetare. Në ndarje u ka dhuruar nga një palë çorapë, kurse me ardhjen e Rexhepit në shtëpi e mori veshë se kush kanë qenë mysafirët  për të të panjohur.

2.  Kur ambasadori i Vatikanit  ka vizituar  Kishën e Tuzit kryeimami Rexhep Lika ka qenë i ftuar dhe ka marrë pjesë    meshën shejte.  Ai me këtë rast u mirëpritë dhe u respektua nga të gjithë besimtarët. Madje disa besimtarë  të pranishëm në kishë  kanë bërë kryq  në shenjë miradije për pjesëmarrjen e tij në këtë ceremoni fetare.

3. Kryemimami Rexhep Lika  bashkë me 20 besimtarë myslimanë merrë pjesë në Festën e Zojës së Grudës në Qelën e Kishës në  Grudë, ku  për të gjithë  të pranishmit ishte shtruar  dreka.

4. Një ditë, si shumë herë  të tjera, kryeimami Rexhep Lika dhe patër Gjergji    rrinin  së bashku në një kafene të Tuzit. Një malësor i ulur jo  larg tyre  i pyet : “Ju pini kafe bashkë  e dikush  prej nesh  e shikon  njëri-tjetrin me sy të keq ?!” . Patër Gejrgji iu përgjigj: “Të urtit rrinë bashkë e pinë kafe, kurse të tjerët mund të shikohen shtrembër”.

Porosia

Kryeimami Rexhep Lika, duke folur për harmoninë e besimeve  në Malësi  shprehet me krenari se gjatë shërbimit të tij shumëvjeçar në Tuz ka bashkëpunuar ngushtë me priftërnjtë katolikë,  patër Gjergjin, patër Kolën, Patër Dedën dhe patër Zefin, duke shtuar  se nuk ka kaluar   asnjë javë që mos të pijnë  kafe së bashku me ndonjërin prej tyre.  Lika nuk mban mend   të ketë pasur asohere ndonjë situatë konfliktuale ndërmjet dy konfesioneve në Malësi.  Ai  shprehet: “ Të gjithë jemi prej një nëne dhe prej një babai, të krijuar nga një Krijues, i cili ka dashtur që të gjithë të mos jemi të një feje ( besimi), por dallimi të shërbej si afrim e jo përçarje. Nëse e nderojmë atë që është e shenjtë, jetën, nderin dhe pasurinë  e njëri-tjetrin,  nuk ka vend për urrejtje, përçarje e mosëmarrëveshje”. Ky mesazh  mendoj se i duhet sot  Malësisë,  në shekullin e ri , në kohën e zhvillimeve   dhe ndryshimeve të mëdha, kur  shumë vlera tradicionale, historike, kulturore dhe civilizuese    rrezikohen të zbehen, të ftohen dhe të zhbëhen.

Edhe pse historia na tregon shumë për tolerancën fetare, prapë se prapë secili nga ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi, sipas shkrimtarit Ismail Kadare: “Harmonia fetare, sa ç’është madhështore si ngrehinë, aq është edhe e brishtë. Mjafton e çara e parë serioze, mjafton radikalizimi i njërit prej besimeve, që ngrehina të shembet.”

Toleranca dhe bashkëjetesa fetare është një lule e çmuar, por edhe e brishtë, e cila thahet e prishet, po s’u tregua kujdesi i duhur.  Jam i bindur se  njerëzit e urtë të Malësisë,  prijësit fetarë dhe  politkë, do të jenë të vëmendshëm dhe do ta zgjedhin  mosmarrëveshjen   fetare  të inicuar nga armiqtë  tanë,  që ndodhi më 16 janar  të këtij viti në varrezat e Kishës së Shën Mëhillit në fshatin  Dinoshë, e cila  shqetësoi secilin   shqiptarë  të cilësdo bashkësi fetare , i cili ia do të  mirën vetes, familjes dhe kombit. Ky tharmë i shqetësimit  të malësorëve, i mbjellur kush e di se kur  në Malësi,   nuk është asgjë tjetër vetëm  një vrasës i vëllazërimit,  i rrezikshëm jo vetëm  për besime ( fe) , por  dhe  për  ekzistencën  e bashkëjetesën  tonë të përbashkët në këtë truall   të larë me gjakun e lirisë.  Prandaj malësorët duhet të ngrihen mbi ndasitë fetare dhe të jenë të bashkuar. Të ruajnë harmoninë fetare si sytë në ballë. Të mos themi ky është mysliman dhe ai është i krishterë, sespe të gjithë jemi shqiptarë, jemi një fis e një farë. Mos t’i harrojmë  fjalët e At Anton Harapit se  “nuk shpëton, jo, as xhamia pa kishën, as kisha pa xhaminë, por as njena, as tjetra pa Shqipninë… me të gjithë atdhetarët…afrim, dashuri, vllaznim", e as fjalët  e Haxhi Vehbi Dibrës, drejtuar besimtarëve:"Kristianë e muslimanë janë vëllezër shqiptarë të pandarë... Ta duam njëri-tjetrin...…t'i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallim feje, janë vëllezër si bij të njëshëm të së dashurës sonë Shqipëri".

Zoti na ndihmoftë!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora