E premte, 19.04.2024, 02:32 PM (GMT+1)

Editorial

Gjergj Xexo: Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit (3)

E enjte, 01.05.2008, 07:52 PM


Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit (3)

 

Origjina ballkanike e Ilirëve.

 

Nga Gjergj Xexo

 

Pas kësaj hyrjeje fort të gjatë, është e nevojshme të braktisen përgjatë një çasti misteret e ilirologjisë dhe koncepti i tij i autoktonisë që shpesh kthehet në obsesion, për të shtruar çështjen e gjenezës së ilirëve në një kuadër më të gjerë, në atë ballkanik.

Duke mbetur gjithmonë në terrenin e bujqve-kafshërritës të parë, me origjinë indoevropiane ose të kthyer në të tillë nën ndikimin e popujve të stepave, mund të mendohet një skenar tjetër i « gjenezës » të ilirëve, diçka i ndryshëm nga ata të propozuar deri tani :

1. Ka shumë të ngjarë që djepi i origjinës së proto-ilirëve të jetë brendësia e viseve ballkanike, mjaft më në lindje ose në verilindje në krahasim me brigjet adriatike. Ajo përzierje mes aborigjenëve neolitikë, bartës të kulturës së « Evropës së vjetër » dhe të ardhurve rishtas gjithmonë neolitikë – të cilët që nga mijëvjeçari i V ose i IV p.e.s. duket se depërtojnë në Ballkan – domosdoshmërisht ka prodhuar një përplasje kulturash, skemat e të cilës janë përshkruar në të gjitha veprat serioze që flasin mbi indoevropianët e parë. Elementi kryesor që sugjeron idenë është ajo lidhje gjinore e natyrës gjuhësore me proto-trakët, gjë e cila sugjeron edhe rajonin gjeografik ku ka ndodhur fillimisht përzierja, e ndjekur nga përplasja.

2. Ky fenomen nuk është as i izoluar as edhe i përveçëm për proto-ilirët pasi, e njejta llogjikë mund të përdoret edhe për proto-helenët ose edhe proto-maqedonët, të ngjizur sikundër të parët nga përzierja e aborigjenëve neolitikë ballkanikë dhe neolitikëve proto-indo-evropianë. Me fjalë të tjera, jo vetëm që i gjithë indoevropianizimi i Ballkanit ka një djep të përbashkët por edhe « produkti » i përfituar ka tipare dhe elementa të ngjashëm. Është vendi për të përmendur edhe njëherë atë bashkësi të gjërë kulturore, të kultit dhe pjesërisht etno-gjuhësore që u formua gjatë eneolitit në Ballkan, e njohur me emrin gjenerik pellazgë i cili, i parë nën të gjitha këndet e vështrimit, paraqitet si një fenomen mbarëballkanik, me shtrirje deri në Azinë e Vogël ose edhe në ishujt e Mesdheut lindor.

3. Pas disa shekujsh të kaluar në vend – kohë e nevojshme për të përsosur indoevropianizimin, për të ngjizur stukturat elementare por të dallueshme të natyrës hierarqike dhe paraetnike, duke përfshirë edhe elementë të glosës antike, grupime ose fise tashmë me origjinë indoevropiane proto-ballkanike fillojnë « pushtojnë » hapësirën gadishullore duke u çvendosur drejt Perëndimit dhe Jugperëndimit. Ato fiset tona « proto-ilire » - kushërinj të afërt me « proto-trakët », bile edhe me « proto-helenët » - mes drejtimeve të tjera, zgjedhin me sa duket Perëndimin dhe ndjekin rrugët natyrore të gadishullit. Nëpërmjet rrafshit të Kosovës, ata prekin veriun e Maqedonisë së sotme dhe mbrrijnë në rajonin e liqeneve të Ohrit dhe të Prespës, përpara se sa të përhapen mbi territoret e Shqipërisë së sotme dhe të Epirit. Gjithashtu, duke ndjekur luginë e Savës, më pas atë të Danubit, ata përhapen në fushën e Panonisë dhe çfaqen përgjatë bregdetit adriatik dhe jonian.

4. Shkrirja e « proto-ilirëve » me grupimet autoktone të tipit evropian ose ballkanik « i vjetër » që jetonin ndërkohë në viset adriatike dhe joniane, ndodh diku në mijëvjeçarin e III p.e.s. Këta të fundit ndërkohë njohin metalurgjinë e bakrit dhe fillimet e metalurgjisë së bronzit. Në këtë stad, historia jonë përputhet me atë të historianëve shqiptarë, të cilët ngulmojnë – me të drejtë – për atë vazhdimësi të shquar të kulturës materiale lokale që vendoset që prej kohëve të errëta të bronzit të mesëm. Për më tepër, kjo vërejtje shkon në drejtimin e hipotezës së mësipërme pasi tretja e krijuar rishtas nuk ka asgjë të përbashkët me përplasjen : jo vetëm që « proto-ilirët » kanë mundur të fitojnë nivelin kulturor « mesatar » ballkanik si edhe teknikat industriale të indigjenëve përgjatë asaj kohe që ata kanë jetuar në brendësi të gadishullit por edhe « autoktonët » mund të kenë patur ndërkohë kontakte të shumta të të parakohshme me popullsitë e stepave. Në fund të fundit, të ardhurit rishtas sjellin dhe imponojnë praktika të reja varrosjeje siç është rasti i tumave, procese të reja poçerie « me shirita » si edhe elementë të reja gjuhe, duke tërhequr në këtë mënyrë pas vehtes masën e popullsisë lokale që ata gjetën në vend, në atë proces të gjatë të « ilirizimit » që zgjati disa shekuj, duke filluar nga epoka e bronzit.

Çka është e re në këtë mënyrë kqyrjeje të parahistorisë përmblidhet nga fakti se

Jo vetëm procesi i « gjenezës » të bashkësisë ilire nuk mund të merret i shkëputur nga procesi i indoevropianizimit të Ballkanit, por ai duhet kqyrur në dy rrafshe të ndryshëm kohorë dhe brenda dy kornizave të veçanta hapësinore por bashkëplotësuese.

- Rrafshi i parë është ai i fundit të neolitit dhe i fillimit të eneolitit, mbi të cilin krijohet përzierja fillestare mes substratit lokal, bartës i kulturës së « Evropës së Vjetër », dhe të ardhurve rishtas proto-indievropianë në një kornizë që përfshin zona të gjera të Ballkanit verilindor dhe qëndror. Ky proces parësor përfshin indoevropianizimin e Ballkanit dhe krijimin e popullsive proto-ballkanike, përfaqësuesit e tipizuar të të cilit mund të ishin pellazgët.

- Rrafshi i dytë është ai i fillimit të epokës së bronzit ndërkohë që korniza është ajo e Ballkanit perëndimor : gjatë këtij procesi të dytë indoevropianët proto-ballkanikë e shpërngulur ripërzjehen me popullsitë indigjene të bregdetit adriatiko-dalmat dhe të hinterlandit të afërt për të krijuar ilirët. Ura lidhëse mes këtyre dy proceseve është shtegëtimi ndërballkanik.

E parë si në një dyndje e vërtetë, e ardhur diku prej veriut, ky shtegëtim ndërballkanik ka lënë gjurmë të thella në parandërgjegjen e popullsive antike të gadishullit, përpara se sa të pavdekësohej nga autorët e lashtë si Homeri, Hesiodi, Eskili ose Euripidi. Megjithatë historia e kësaj ndërfutjeje njerëzore nuk mbetet një element i izoluar pasi ky fenomen do të përsëritet edhe në periudha të tjera më të vonshme. Të ardhur gjithmonë nga Lindja ose Veri-Lindja, grupime kalorësish të popujve të stepave, përparësitë teknologjike të të cilëve janë në rradhë të parë ato të natyrës ushtarake, do të dynden përsëri mbi viset e Ballkanit. Nuk është vështirë të mendohet se në këto kushte, këta pushtues të përkohshëm të kenë mundur të rrënojnë qendrat e banuara prej bujqish – metalurgë, ndërkohë që ndikojnë fuqimisht mbi jetesën e autoktonëve duke ju transmetuar dijet e tyre. Në të kundërt, është pothuaj e pamundur të meret me mend që këta luftëtarë kalorës, megjithë forcën dhe numrin e tyre të madh, të kenë mundur të përmbysin fund e krye pejzazhin evropian me anë të imponimit të gjuhëve të tyre indoevropiane, aty nga fundi i mijëvjeçarit të II p.e.s.

Një tjetër shteg i mundshëm, ai i tregëtisë dhe i shkëmbimeve parahistorike, mund të ndriçojë lidhjen e bërë prej arkeologëve të shekullit të mëparshëm mes ilirëve dhe bartësve të kulturës së Hallstatit, një popull i epokës së hekurit me origjinë nga viset e Danubit të Epërm dhe të Mesëm dhe të Austrisë së Sipërme që u bë i njohur për prodhimin e objekteve prej bronzi dhe prej hekuri, veçanërisht prej shpatave pa dorëz me teh të dyfishtë, si dhe për zbutjen e kuajve.

 

Duke lidhur në këtë mënyrë gjenezën e ilirëve me protohistorinë e indoevropianëve, bëhet e mundur pajtimi i një varg aspektesh kontradiktore të tezave të sipërpërmendura :

-             pasardhës së proto-indoevropianëve dhe si pasojë indoevropianë ;

-             prodhim i një evolucioni të gjatë gadishullor dhe përfundimisht autoktonë të Ballkanit ;

-             shtegëtues në kërkim të hapësirave jetësore dhe si rezultat, të çfaqur disi vonë në pjesën perëndimore të gadishullit.

 

 

Ilirët dhe bota antike.

 

Megjithë vështirësitë për të rrethshkruar përhapjen territoriale të ilirëve, duke shfrytëzuar burimet antike greke dhe më pas romake, historianët lokalë janë të mendimit se etnosi i tyre popullonte një territor të gjerë, të kufizuar nga lumenjtë Sava, Danub, Morava, Vardar dhe nga deti Adriatik dhe Jon, si edhe nga masivet malore të Pindit deri në gjirin Ambracik. Duke ndjekur kartografinë e epokës, bëhej fjalë për një mori fisesh mes të cilëve, më të njohurit ishin : istrët, liburnët, japodët, desidiatët, dalmatët, ardianët, dardanët, peonët, autariatët, pirustët, parthinët, dasaretët, enkelejtë, taulantët, amantët, bylinët, antitanët dhe së fundi kaonët, thesprotët dhe molosët. Popullsi të tëra me origjinë ilire siç është rasti i mesapëve dhe japigëve mendohet se u shpërgulën në gadishullin Italik dhe u vendosën në pjesën juglindore të Apenineve ndërkohë që grupe të tëra dardanësh çfaqen në Azinë e Vogël përpara se të bënin pjesë në koalicionin legjendar të Trojës kundër pushtuesve akej.

Eshtë shumë e mundshme që fillimisht, emërtimi ilirë të ketë qenë përdorur për të përcaktuar një grupim popullatash që banonin në një zonë gjeografike shumë më të ngushtë. Kështu, me këtë emër, Herodoti përshkruan popullsitë enkelej, fqinje me maqedonët, ndërkohë që Tuqididi përmend taulantët, të cilët i quan ilirë që banonin përrreth Epidamnit – Durrësit – dhe më në jug, në Kaoni dhe në Thesproti. Së fundi, Pseudo-Skylaksi i vëren ilirët në jug të vendit të liburnëve deri në Kaoni. Mjaft më vonë, në periudhën romake – nëpërmjet pendës së Plinit të Vjetër dhe më pas të Apianit të Aleksandrisë – ky emër kthehet në një emërtim gjinor, duke përfshirë një varietet të madh fisesh që banojnë në një shtrirje të tillë – Iliria, që me këtë rast rrethshkruan edhe shpërndarjen e tyre gjeografike.

 

Po qe se i zëmë besë opinionit të specialistëve të gjuhësisë, i cili jo gjithmonë përputhet me atë të historianëve, emërtimi « ilirologji » ka vuajtur për një kohë të gjatë nga një lloj urie e tepëruar dhe nga një hipertrofi e tillë sa që mund të quhet « iliromani ». E thënë ndryshe dhe me fjalë të thjeshta, disa prej historiano-gjuhëtarëve e kanë përdorur doktrinën ilire si një thes ku mund të shtihet çdo send - të cilit nuk i është gjendur vendi tek thasët e tjerë. Nën pretekstin e një ngjashmërie më shumë të sajuar se sa reale dhe të mbështetur tek argumenta gjuhësorë të zbehtë për të mos i quajtur të dyshimtë, këta studiues kanë grupuar nën të njejtin emërtim fise dhe popuj që pak kanë të bëjnë me ilirët « e vërtetë ». Eshtë rasti i venetëve, i istrëve ose edhe i liburnëve, të cilët të tjerë historiano-gjuhëtarë evropianë kanë tendencë t’i shtien në një grup të veçantë « adriatiko verior », me një gjuhë që lidhet më tepër me atë italike. Pothuaj e njejta gjë mund të thuhet edhe për dalmatët, japodët dhe fise të tjera panoniane – ndoshta të dala nga trungu i përbashkët ilir, por ndërkohë të « çilirizuara » dhe pjesërisht të « italicizuara » nën ndikimin e fuqishëm të fqinjëve italikë.

Rasti i fiseve më jugore gjithashtu le vend për diskutim. Teza që pohon përkatësinë e ngushtë ilire të fiseve jugore siç është rasti i kaonëve, thesprotëve ose molosëve – duke cituar këtu ata më të njohurit që dikur banonin në Epir, bashkon me vështirësi rezultatet që vijnë nga gërmimet arkeologjike, ngjashmëritë kulturore dhe më në fund trajektoren e zhvillimit të strukturave shtetërore dhe politike. Ndërkohë që materialet arkeologjike dëshmojnë për lidhje të vjetra dhe të shumëfishta me botën ilire, afëritë kulturore – dhe gjuha – i lidhin me fqinjët e tyre maqedonas. Sidoqoftë, edhe për kundërshtarët e tezës ilire, bëhet shumë i vështirë pohimi që këto fise i përkasin katërcipërisht botës helene, të zotëruar nga Athina, Korinthi ose Sparta. Kuadri i përgjithshëm i jetës së tyre dhe organizimi shoqëror lejon të mendohet që, pavarësisht përkatësisë « etnike », paralelisht me ndërfutjen intensive në botën ilire, shkallë shkalle, ata kanë pësuar një proces helenizimi nën ndikimin e maqedonëve dhe të grekëve.

 

Historianët shqiptarë na sigurojnë se Ilirët merreshin me rritjen e kafshëve dhe të kuajve dhe praktikonin bujqësinë. Për më tepër, ata ishin metalurgë të mirë pasi dinin të nxirrnin, të shkrinin dhe të përpunonin bakrin dhe hekurin, që vinin nga minierat e vendit dhe si pasojë, ata ishin edhe kovaçë të shkathët ; shkurt, artizanë të zotë, të njohur dhe të çmuar nga bota antike. Për më tepër, Ilirët ushtronin shkëmbimin dhe tregëtinë dhe komunikonin me rajone të tjera të botës antike. Gërmimet arkeologjike të zhvilluara në një numur të madh tumash kanë nxjerrë në dritë një shumllojshmëri objektesh, që venë në dukje mjaft aspekte të jetës së përditshme ilire. Thikat me origjinë mikenase, fibulat dhe objektet e tjera femërore me origjinë italike, rruazat prej qelibari nga viset e Balltikut lejojnë të merret me mend gjeografia e shkëmbimeve të tyre. Përfundimisht, tablloja plotësohet me marrëdhëniet pronësore dhe të luftës, dy konstante krejt të zakonshme të jetës së fiseve ilire që për më tepër, ushtronin edhe piratërinë mbi anijet tregëtare të Adriatikut.

Dy mënyrat e privilegjuara të shkëmbimit, tregëtia dhe lufta, çuan në përierjen ose « kryqëzimin » e popullatave në viset kufitare. Është racionale të mendohet se maqedonasit e vjetër kishin marrëdhënie të vjetra kushërillëku me fqinjët e tyre ilirë, elementë përbërës njerëzorë të të cilëve bënin pjesë në amalgamën e formimit atij kombi që nxorri burra të tillë si Aleksandri i Madh. Vetëm më vonë – me adoptimin e mënyrës së jetesës dhe të karakteristikave kulturore greke – maqedonasit shkasin drejt helenizimit të tyre të ngadalshëm por të sigurt. Ka shumë të ngjarë që gjithashtu, në territorin e dardanëve, ilirët të jenë përzierë rishtas edhe me trakët – një tjetër popull i lashtë ballkanik që jetonte në territoiret e sotme të Bullgarisë – dhe që ndante me të parët një origjinë të largët të përbashkët. Thellë në jug, ilirët u influencuan, thjesht për të mos thënë se u përzjenë, me helenët që për më tepër, themeluan përgjatë brigjeve të Jonit dhe veçanërisht të Adriatikut, një varg të tërë qytetesh, tregjesh ose kolonish me prirje të theksuar tregëtare, Epidamni - Durrës, të ngritur nga banorët e Korfuzit rreth fundit të shekullit të VII p.e.s (viti 627 ?) ose Apollonia, e themeluar nga korinthasit në vitin 588 p.e.s. Në shekullin e V p.e.s, këto dy qendra tashmë ishin shëndrruar në qytete-Shtete të mëdha, të rrethuara me mure të trasha mbrojtëse, prapa të cilëve zhvillohej një aktivitet i rëndësishëm ekonomik. Duke përfituar nga forca e tyre, nga fakti që ato prisnin monedhën e tyre, nga rrjeti i fuqishëm i shkëmbimeve me pellgun mesdhetar dhe me hinterlandin ilir, ato u shkëputën nga ndikimi i metropolit grek dhe ndoqën një trajektore të pavarur dhe një dinamikë të tyren. Megjithë tensionet politike dhe luftrat për pushtet mes shtresave të ndryshme qytetare që çuan deri në luftën civile të vitit 436 p.e.s, Epidamni dhe Apollonia mbetën shembuj të një shoqërie civile dhe politike ; shkurt, një shoqëri qytetare. Porti tjetër jugor Aulona, konkurrohej nga dy koloni të tjera në jug të vendit : Orikos – Orikumi et Buthrotos - Butrinti.

Përveç përzierjes me fqinjët, ilirët vuajtën dhe pasojat e mërgimeve evropiane, siç është rasti i keltëve nga fillimi i shekullit të IV p.e.s, që vinin nga Veriperëndimi. Fise të tëra kelte siç është rasti i skordiskëve u ngulën në fushën danubiane dhe dëbuan popullsitë autoktone drejt jugut.

 

Kjo « bashkësi e gjerë kulturore dhe etnike, e cila në epokën e hekurit në bazë të zhvillimit të brendshëm ekonomiko-shoqëror, do të vazhdonte të zhvillonte më tej kulturën e vet duke i dhënë asaj një fytyrë gjithnjë më të përcaktuar etnike », ky territor i gjerë i banuar prej grupit ilir i përbërë nga bërthama të kristalizuara etno-kulturore ashtu siç ishin vërejtur prej autorëve antikë, njohu vetëm një bashkim politik ose shtetëror të pjesshëm dhe fragmentar, që preku në rradhë të parë rajonet jugore. Duke patur si të përbashkët një origjinë të njejtë dhe, pa asnjë dyshim, një varg vlerash, besimesh dhe elementë të tjerë shoqërorë, fiset si dhe bashkimet e fiseve u zhvilluan sipas trajektoreve të veta, shpesh të diktuara prej botës rrethuese dhe fuqitë fqinje. Ata u zgjeruan në territore të tëra, farkëtuan pushtete të natyrës politiko-ushtarake dhe krijuan perënditë e tyre – pra, një varg motivesh të vlefshme sipas të cilave ata fituan të drejtën të quhen popuj, ndërkohë që bashkësia e tyre s’mundi asnjëherë te ngrihet në nivelin e një « kombi ».

 

Formacionet e para autonome ilire u çfaqën gjatë shekullit të VII –VI p.e.s. Ato u krijuan në formën e federatave të fiseve të ndryshme, brenda të cilave ekonomia bujqësore shtëpijake udhëhiqte fushat e jetës shoqërore. Megjithëse çfaqja e veglave dhe e armëve prej hekuri, paralelisht atyre prej bronzi, çoi drejt ndryshimeve të ndjeshme, kjo periudhë karakterizohet nga mungesa ose më mirë te themi egzistenca embrionare e elementëve që qëndrojnë në themel të ekonomisë së shkëmbimeve, do të thotë e shkrimit dhe e përdorimit të monedhave. Baza sociale e shoqërive të tilla mbështetet mbi bujqit dhe barinjtë e lirë ose gjysëm të lirë, të organizuar sipas modeleve fisnore ose sipas bashkësive agrare. Njëkohësisht, sikundër edhe tek fqinjët e tyre helenë, zhvillohet shpronësimi dhe kthimi në gjendje vartësie të popullsive të nënshtruara osë të ngadhënjyera gjatë luftës. Egzistenca e prospelatëve tek ardianët ose e dullëve tek dardanët, e vërejtur dhe e përmendur nga autorët antikë që e krahasojnë me gjendjen e hilotëve të spartanëve, përfaqson jo vetëm një formë të hershme të skllavërisë por njëkohësisht dhe të egzistencës të një shoqërie të hierarqizuar, vendi i parë në të cilën i takon basileut. Ky sistem u adoptua nga shumica e popujve ilirë të bregdetit adriatik, duke përfshirë këtu edhe taulantët si dhe enkelejtë, ndërkohë që kaonët dhe thesprotët kishin zgjedhur një sistem oligarqik. Megjithëse toka i përket të gjithë fisit, Bazileu ruan privilegje të rëndësishme, sidoqoftë të kufizuara nga një këshill, i cili mbetet instancë vendimore. Tërësia e këtyre faktorëve të organizimit shoqëror tek ilirët bën që shoqëria e tyre të konsiderohet si një shoqëri subjektesh që zhvillohet në gjirin e një « Shteti » territorial, pa mundur të krijojë përbërësit e një shoqërie politike.

Afëria dhe bashkëjetesa në të njejtën hapësirë gjeografike e dy tipeve të ndryshme të Shtetit dhe të dy shoqërive, Qyteti-Shtet dhe Shteti territorial sikundër shoqëria politike dhe shoqëria e subjekteve, është mjaft dobiprurës për zhvillimin e mëtejshëm të të fundit. Për më tepër, diferencat e vërejtura në nivelin shoqëror, kulturor ose ekonomik asnjëherë nuk krijuan një pengesë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ato nuk përcaktojnë as edhe raporte force të veçanta, me qëllim që të favorizojnë sistemin shoqëror më të zhvilluar. Në të kundërt, basilenjtë ilirë u përzien në çështjet e qyteteve-shtete të afërt siç ishte rasti i mbretit të taulantëve, Glaukia, gjatë shekullit të IV p.e.s. Si përfundim, Shteti territorial « barbar » pëson influencën rrezatuese të qytetërimit helen dhe në disa raste përfundon duke u helenizuar, me adoptimin e strukturave sociale dhe politike të botës greke. Shpejtësia e këtij procesi dhe shkalla e helenizimit do të varet nga afëria me epiqendrën. Historia përmend rastin e maqedonëve por gjithashtu edhe atë të thesprotëve si edhe te molosëve të Epirit.

 

 

Origjina ilirike e Arbërve.

 

Duke u rikthyer në terrenin e shekujve të VI – VIII të erës sonë, është e pamundur që të mos vemë re pështjellimin që mbretëron rreth Ilirëve tanë. Ata « barbarë » të frikshëm që tmerronin maqedonasit e parë me thirrjet e tyre të luftës si dhe ata piratë të egër që terrorizonin anijet romake të Adriatikut janë zhdukur prej kohësh, pa lënë asnjë gjurmë. Që prej rënies së mbretërisë ilire të Gentit (viti 168 p.e.s) dhe veçanërisht që prej nënshtrimit përfundimtar të Ilirisë (viti 35 p.e.s), pak nga pak territoret e tyre bëhen pjesë përbërëse e asaj « indivisum patrimonium » që përfaqëson Perandoria romake. Njerëz të lirë ose kolonë, banorë të qyteteve ose të thellësisë malore, të gjithë ilirët kthehen në banorë të civitas ndërkohë që, pas hyrjes në fuqi të Ediktit të Karakallës në vitin 212, ata bëhen qytetarë romakë. Gjatë kësaj periudhe, ata do të quhen ende ilirë për hir të një tradite që mbetet e dorës së dytë : në kuptimin e lidhjeve kulturore – duke përfshirë këtu edhe përdorimin e gjuhës së tyre që gjithmonë mbeti një gjuhë e folur, pa mundur të gjejë një shprehje të shkruar – ose, në kuptimin e prejardhjes së tyre gjeografike – një rajon i tërë që herë herë i bashkangjitet Provincës së Maqedonisë, herë herë Ilirikumit ose Dalmacisë – sipas nevojave të shpërndarjes territoriale të Perandorisë.

Vizioni origjinal i Dioklecianit në lidhje me ndarjen e botës antike në Perëndim dhe Lindje do t’a thellojë edhe më tepër këtë proces : tashmë të ndarë nga pikpamja administrative mes dy njësive të mëdha perandorake, ata përbëjnë një komponent të pandashëm të mozaikut etnik që karakterizon shoqërinë greko-romake. Një numur i madh individësh integrohen në strukturat e pushtetit, duke zgjedhur rrugën më të shpejtë : atë të karrierës ushtarake. Rasti i atyre perandorëve « ushtarë » të epokës të anarkisë ushtarake si dhe të asaj që do të vijë pas, e quajtur « ilirjane », ose e perandorëve ilirë të dinastisë Justiniane përbën një provë të shkëlqyer.

Në mënyrë të përmbledhur, bëhet fjalë për një element njerëzor të Perandorisë romake, i cili ka mundur të realizojë një integrim administrativ të konsiderueshëm dhe një pjesëmarrje shoqërore të rëndësishme, ndërkohë që mbetet në kontakt të vazhdueshëm me qytetërimin greko-romak, gjurmët e të cilit janë mjaft të dukshme në rradhë të parë mbi elitat e saj. Sidoqoftë, sikundër gjithandej në Ballkan dhe gjetkë, fshati dhe veçanërisht malësia shpëtojnë nga romanizimi i gjithëpushtetshëm dhe mbeten thellësisht ilire : me fjalë të tjera, duke përdorur gjuhën latine dhe më pas atë greke si mjet komunikimi në fushën administrative ose për nevojat e saj liturgjike, gjithçka të bën të mendosh se masa e popullsisë vazhdon të përdorë gjuhën e vet vendase dhe të zhvillojë një kulturë të vetën. Më tepër se kurrë në këtë fazë fundore të jetës së vet, fuqia e pashterrur e Perandorisë identifikohet me forcën e institucioneve të saj, territori i saj i paanë asimilohet me ndarjen administrative dhe së fundi, varieteti etnik i pamasë zhduket përpara bashkësisë artificiale të qytetarisë romake.

 

Gjatë shekullit të IV të erës sonë, prologu « barbar » arriti të thyejë ekuilibrin Lindje – Perëndim, në mes të të cilit gjendej vendi i ilirëve. Megjithë peshën e institucioneve dhe të ligjeve, megjithë ideologjinë e porsalindur judeo-kristiane, megjithë thellësinë e kulturës shumëshekullore, qytetërimit greko-romak ju desh të lëshojë terren përballë forcës brute të nomadëve të pagëdhëndur barbarë. Në këtë mënyrë, karta etnike e kontinentit ndryshon njëherë e përgjithmonë : shprehja latine rrudhet dhe arrin të mbahet në pjesën perëndimore të rrethqarkut mesdhetar, duke i lëshuar zonën e veriut gjermanikëve, ndërkohë që e folura greke braktis pjesën më të madhe të Ballkanit në favor të korpusit të gjuhëve sllave që tashmë përhapen nga Balltiku deri ne brigjet e detit Egje dhe nga deti i Zi në Adriatik. Atij që pranon këtë mënyrë të menduari, i duhet njëkohësisht të pranojë që kjo popullatë e Mesjetës së hershme, e dalë nga rrënja ilire, mundi jo vetëm t’i rezistojë asimilimit romak – siç është rasti i një varg popujsh të Ballkanit dhe gjetkë – por njëkohësisht, falë gjallërisë jetësore të saj, falë gjithashtu shtrirjes së saj të gjerë territoriale si edhe relievit malor vështirësisht të kalueshëm që shpesh i ka shërbyer si strehim, arriti t’i bëjë ballë edhe rulit petëzues sllav.

Pikërisht, kjo është edhe pika më delikate e të gjitha teorive të vazhdimësisë pasi na duhet njëkohësisht të pranojmë që « ilirët » e kësaj periudhe dhe pasardhësit e tyre formojnë një rast të veçantë, unikal në llojin e tij dhe jashtë çdo lloj skeme drejtuese të shpërndarjes së grupeve etnike mbi kontinentin evropian. Në të vërtetë, në të njejtin rast gjenden edhe Vllehët : këta kushërinj të largët të ilirëve – nga ana e rrënjëve të përbashkëta – mbeten të vetmit gjallues të shtratit indigjen ballkanik të romanizuar.

 

Ndërfutja në Ballkan e Bullgarëve (fundi i shekullit të Vtë) dhe më pas e Sllavëve (shekulli i VI-VIItë) shfaqet si elementi kryesor i një procesi të gjatë asimilimi, gjithandej i pranishëm, që prek tërësinë e viseve ballkanike duke përfshirë dhe Ilirikumin e vjetër. Ai u përshpejtua nga njëra anë nga dinamizmi demografik të popujve të rinj dhe nga ana tjetër nga palëvizshmëria, dekadenca dhe rënia e institucioneve të romanizuara si dhe e strukturave autoktone. Përveç disa « ishujve të bizantinizuar », të krijuara përreth qendrave të mëdha urbane dhe rreth e qark zonës së Konstandinopojës, pjesës tjetër – duke përfshirë këtu edhe pjesën më të madhe të Greqisë – ju desh të përballonte stigmatët e pushtimit sllav deri në shekullin e VIII, për të mos thënë deri në shekullin e IX. Është më se e mundshme që, nën presionin e porsaardhurve kroatë dhe serbë, pjesa më e madhe e « Ilirëve » të jetë shkrirë në masën tashmë vendase ndërkohë që një pjesë e autoktoneve të jetë çvendosur ose shtyrë nga zonat fushore dhe bregdetare drejt brendësisë malore, gjë e cila ndikoi në forcimin e mjedisit autokton lokal mjaft të shpërndarë si dhe në gjallërimin e shprehjes verbale, gjithashtu në shuarje. Historianët shqiptarë na sigurojnë se fenomeni sllav, i cili preku në mënyrë të ndjeshme rajonet danubiane, brigjet dalmate si edhe zonat e brendshme të Rashkës deri në Maqedoni, nuk mundi të prekë në mënyrë të qëndrueshme – ose të themi që preku të paktën pjesërisht – provincat diokleciane të Pevalitanisë, të Epirus Nova (Epiri i Ri) dhe të Epirus Vetus (Epiri i Vjetër). Sipas tyre, megjithë egzistencën e një farë shkalle të « romanizimit » si dhe të vënies në provë sllave, grupi jugor i « kombit » të madh ilir mundi të ruajë dhe të zhvillojë identitetin e tij të përveçëm si edhe gjuhën e tij të folur, shkurt shprehjen e ngushtë të këtij identiteti, në një hapësirë që përputhet pak a shumë me shtrirjen gjeografike të Shqipërisë së sotme dhe të Kosovës.

Ndërkohë që hordhitë e para sllave synuan qytetet e lulëzuara të jugut të gadishullit (Selanikun, Konstantinopojën), duke zgjedhur akset rrugore që zbresin nga Danubi dhe që si rrjedhojë përshkojnë provincat dardane dhe të Epirus Vetus, ato të mëpastajmet përshkuan dhe rrënuan brigjet adriatike, duke zbritur deri në Prevalitani ose edhe në Epirus Nova. Dukuria më e thekur e ortekut sllav ishte krijimi i « Sklavinies », këto ngulitje të pavarura në thellësi të tokave bizantine të cilat i rezistuan ringadhënjimit perandorak. Ngulitje të tilla patën jetë të gjatë në Maqedoni, në Trakë si dhe në tokat greke : në Thesali, në Beoci ose në Peloponez. Të nisur nga Maqedonia, grupe të tëra sllave u vendosën në luginat e Devollit, të Osumit ose të Vjosës. Vetëm në kohën e Justinianit të II - Hundëprerit, Perandoria bizantine ndërmorri detyrën e vështirë që të çvendosë një pjesë të këtyre popullatave drejt Azisë të Vogël me qëllim që të rimerrte akset tradicionale të transportit siç ishte rasti i via Egnatia, që lidhte Konstantinopojën me pjesët e tjera të botës latine. Sidoqoftë, një numur specialistësh janë të mendimit se grupime të rëndësishme me origjinë serbe u vendosën në fushat perëndimore të Adriatikut të poshtëm, ose e thënë ndryshe në viset e Shqipërisë së sotme, duke ju shmangur qyteteve si dhe zonave malore. Ato paraqiten në këtë mënyrë si një nga kompozantet etnike të përzierjes së popullatave lokale gjatë Mesjetës.

Megjithatë, historianët shqiptarë ngulmojnë se « …gjithsesi, burimet historike, të dhënat arkeologjike e ato gjuhësore, i kanë shtyrë studiuesit të dalin në përfundimin se brezi perëndimor i Ballkanit që përfshihej në provincat diokleciane të Prevalit, Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër, me një shtyrje ku më shumë e ku më pak të thellë drejt brendësisë, është ndër rajonet më pak të prekur nga kolonizimi sllav. Përkundrazi, popullsia e hershme autoktone iliro-shqiptare u përforcua në këtë gjerësi gjeografike me grupe të tjera iliro-shqiptare të ardhura nga viset e brendshme, ku invazioni sllav kishte qenë masiv ».

S’ka asnjë dyshim që për mendimin shkencor shqiptar ky përfundim është jo vetëm logjik por edhe i vetmi që mund të shpjegojë atë çka quajtëm më sipër « vazhdimësinë iliro-shqiptare », në rradhë të parë si një « vazhdimësi të banimit » e ndjekur nga një « vazhdimësi kulturore dhe etnike ». E megjithatë, ai jo vetëm është përmbledhur shumë shpejt por njëkohësisht është formuluar edhe mjaft ngathët nëqoftëse pretendon të shërbejë si argument i pathyeshëm për të justifikuar shëndrrimin e thellë që pësoi vendi ilir nën perandorinë romake (perëndimore dhe lindore). Ende më pak ai mund të përdoret në rolin e një përgjigjeje të denjë ndaj asaj vërejtjes këmbëngulëse të « hiatusit kronologjik të rëndësishëm mes [zhdukjes së] ilirëve dhe [çfaqjes së] shqiptarëve ».

 

Pas kësaj kqyrjeje të horizontit shkencor, bëhet më se e qartë që kjo « çështjeje e ndërlikuar e origjinës së shqiptarëve » paraqitet para së gjithash si një çështje bindjeje të thellë. Eshtë pikërisht kjo bindje që shtyn të kërkohet metoda adekuate dhe të mblidhen provat e përshtatshme në vend që të jenë provat ato që orientojnë mendimin.

Lidhur me kampin e parë – atë të skeptikëve ndaj origjinës ilire të Arbërve - si mund të shpjegohet ndryshe kjo prirje që gjen burimin në grindjen e përjetshme mes arkeologëve dhe gjuhëtarëve në lidhje me indoevropianët e mjergullt dhe që çon në hulumtimin e Mesjetës me anë të një instrumenti kërkimi gjuhësor, i prodhuar enkas për proto-historinë ?

Është më se e kjartë që argumenti gjuhësor mbetet fort i brishtë për t‘u përdorur si mburojë ndaj vërejtjeve dhe pyetjeve që e tejkalojnë pragun e intuitës. Kështu, megjithë ndërlidhjet dhe afëritë e shqipes me rumanishten, këto dy gjuhë mbeten po aq të pakuptueshme ndaj njera tjetrës sikundër dhe greqishtja ose serbishtja me shqipen. Bile edhe ato të famshmet « struktura gramatikore » nuk janë një përjashtim shqiptaro-rumun ose shqiptaro-vlleh pasi, para së gjithash bëhet fjalë për një dukuri të përgjithshme që herë herë quhet « bashkim gjuhësor ballkanik » herë herë « fushë gjuhësore ballkanike ». Me fjalë të tjera, një bashkësi e tërë e gjuhëve ballkanike (rumanishtja në format e saj të ndryshme – duke përfshirë edhe arumanishten e Vllehëve, bullgarishtja dhe maqedonishtja – dhe në shkallë më të vogël edhe serbishtja, gjuha shqipe në dy variantet e saj – gegë dhe toskë, greqishtja e sotme bile edhe turqishtja) ndajnë mes tyre ngjashmëri të shumta të natyrës fonetike, morfologjike, sintaktike dhe leksikale, të cilat nuk rrjedhin nga fakti se gjithë këto gjuhë paskëshin një origjinë të përbashkët.

Duke ndrruar kampin – dhe bindjen, të tjera pyetje lindin në kokë. Përse duhet ngritur një teori e tërë e gjenezës që zhytet drejtpërdrejt në mjergullën e parahistorisë, duke shmangur me shumë kujdes të gjitha proceset e përzierjes së popullatave ? Përse duhet lënë pas dore çdo afëri gjuhësore, që dëshmon për lidhjet e vjetra dhe të thella me botën rrethuese në zhvillim të vazhdueshëm ? Përse duhet minimizuar, për të mos thënë fshehur, ngulja e sllavëve të shekullit të VIII në tokat e quajtura shqiptare, një prezencë që përforcohet nga pushtimi bullgar i shekullit të X ? A është fjala për një tundim nacionalist apo për një krenari kombëtare që errëson pamjen dhe që ve përbërësin njerëzor dhe territorial shqiptar në një situatë të paqëndrueshme në lidhje me prirjen që vepron mbi bashkësinë ballkanike ?

 

Sado të rralla dhe fragmentare të jenë elementët që vijnë nga Lashtësia dhe Mesjeta e Hershme, është karakteristike fakti se mjediset e specializuara historike projektojnë vështrimin dhe gjykimin e sotëm mbi të kaluarën, pa bërë përpjekjen e nevojshme dhe të domosdoshme të respektit të shpirtit të epokës. Në këtë mënyrë, krijohet përshtypja se grupimet njerëzore ende heterogjene të atëhershme - të strukturuara rreth marrëdhënieve të pronësisë, të diferencuara nëpërmjet dhunës dhe të identifikuara nëpërmjet lidhjeve të gjakut, të afërisë territoriale ose të shprehjes verbale të përbashkët s’janë gjë tjetër veçse kombet e sotme. Askush nuk i shpëton tundimit të shenjtërojë origjinën nëpërmjet kungimit në kazanin e stërlashtë, nëpërmjet krijimit të atyre mijra lidhjeve të mirëqëna ose të sajuara mes ballkanikut të sotëm të mijëvjeçarit të tretë dhe deka-stërgjyshit të tij të lashtë të fillimit të mijëvjeçarit të parë. Përse atëhere duhet të vemë në kryq historianin shqiptar që kqyr Ilirin ose Arbërin me admirimin krenar të stërnipit, ndërkohë që homologu i tij grek betohet mbi kryen e Helenit athinjot ose teban – duke ditur që si njëri dhe tjetri janë të ndërgjegjshëm që nga të parët i ndan një pafundësi ndërfutjesh njerëzore bullgare, sllave, latine, turke… Në ç’mënyrë – përveç frymëzimit nacionalist – mund të tentohet një barazvlerë në këtë botë absurde ballkanike ku edhe Serbi më i thjeshtë gdhihet dhe ngryset nën nanuritjen e bëmave të car Stefan Dushanit ose të vajit të Fushë Kosovës, ku edhe Maqedoni më i rëndomtë beson se në rremat e tij rrjedhin disa pika gjaku nga të Lekës së madh ?

 

* * *

 

Ja pra, mundëm kështu të mbyllim lakun e famshëm kohor, me çfaqjen e jashtëzakonshme të atyre arbërve-shqiptarë misteriozë. Po qe se i besojmë dëshmisë së bizantinit të parë që mundi t’i shohë me sy, mezi arrijmë të kuptojmë që ata janë të aftë të mbajnë amët dhe të ndjekin pas udhëheqësin e tyre ; pra, që ata dijnë të sillen si ushtarë – dhe që për më tepër, janë besëtytë. Na duhet të presim disa vjet – dhe kësaj rradhe bëhet fjalë për dëshminë e një bizantineje – për të mësuar se ata jo vetëm dinë të flasin por edhe që janë të besueshëm përderisa ju jepet për administrim një qytet si puna e Dyrrahit. Do të kishim dëshiruar që, megjithë shqetësimin e tyre për të riprodhuar besnikërisht bëmat e luftës kundër gjeneralëve rrebelë ose kundër normanëve, këta kronikanë – të shtyrë nga kurioziteti i thjeshtë – të na sillnin disa detaje lidhur me këta arbër që sapo i kanë zbuluar : gjuhën e tyre, zakonet ose mënyrën e jetesës, mënyrën e tyre të veshjes ose të luftuarit… Asgjë prej gjëje nuk arrijmë të kuptojmë : në lidhje me këto elementë, që i përkasin një populli të tërë që « ngulet befasisht » në tokën e tyre dy hapa më tej Konstandinopojës, bizantinët mbeten të heshtur për një kohë të gjatë, megjithë traditën e pasur prej historianësh dhe shkrimtarësh që i ka shtyrë deri në fund të botës në kërkim të popujve të rinj.

Përse një gabim i tillë, për të mos thënë harresë, ndaj këtyre « të porsaçfaqurve » nga ana e zotëruesve të vendit, që deri atëhere kishin parë dhe ishin përleshur kundër një togu pushtuesish, që të gjithë aq mirë të identifikuar dhe të klasifikuar : gotë, hunë, avarë, antë, sarmatë, peçenegë, komanë, sarraçenë, skithë, sikundër edhe persë, arabë, numibianë, pa harruar bullgarët, serbët apo dhe kroatët  « tashmë ballkanikë » ose së fundi edhe latinët normanë ose venedikas ? Sepse bizantinët nuk zbuluar asgjë prej gjëje, të paktën diçka të re që ja vlente barra qiranë për t’u përshkruar. Ata i kishin patur përpara syve, banorë të këtyre territoreve që prej kohësh që s’mbaheshin mend dhe për më tepër subjekte besnikë të perandorisë romake. Përfundimisht, bizantinët fillojnë dhe i shohin si të ndryshëm – si një entitet të ri – duke filluar nga momenti që këta arbër dalin ndesh interesave të tyre në këtë qoshe të perandorisë, e quajtur me këtë rast Arbëri.

Deri atëhere dhe megjithë trazirat etnike ose fetare që kishin tronditur perandorinë, qytetet e vjetra të bregdetit siç është rasti i Ulqinium - Ulqin ou Dyrrahi – Durrës kishin mundur të përballonin pushtimin e huaj, duke zbatuar një lloj autoadministrimi sipas shembullit të « communæ civitates » të epokës romane dhe nën udhëheqjen e arkondëve lokalë, duke filluar nga shekulli i VII. Prapatoka (hinterlandi) e lidhur me këto qytete – ai që do të njihej më tej me emrin Arbanon – bënte pjesë në temën e Dyrrakionit të paktën që prej shekullit të IX ndërkohë që popullsia, më tepër se aleat i bizantinëve, gëzonte statusin e izopolitisë në marrëdhëniet e saj me perandorinë. Në të kundërt, sapo që ky vend shëndrrohet në një terren ku përplasen interesat, një fushë beteje mes bizantinëve dhe latinëve – me arbërit mes tyre si element pjesëmarrës, emri i tij çfaqet gjithmonë e më tepër në kronikat perandorake dhe nëpërmjet sulmuesve, ai ngadhënjon mbarë Europën.

 

 

 

----------------------------------

 

(1) Kjo tezë e mbrojtur kohët e fundit nga Pierre dhe Bruno CABANES në veprën e tyre të përbashkët – Passions Albanaises, de Berisha au Kosovo, Odile Jacob, Paris 1999, i bën eko një hipoteze të mëparshme të tyre që sugjeron se kultura e dardanëve ishte e afërt me atë dako-gete. Shih mbi këtë çështje : Pierre CABANES – Les Illyriens de Bardylis à Genthios, IVè – IIè sièle avant J. C., CDU - SEDES, Paris 1988. Ka të ngjarë që kjo teori të ketë krijuar habitje në Tiranë, ndërkohë që të ketë ngjallur një stuhi në Beograd. Përballë bindjes së patundur të Selami Pulahës, i cili deklaron që përkatësia e dardanëve në konstelacionin ilir bën pjesë në ato « postulate të padiskutueshme të historiografisë moderne », një dhjetëvjeçar më parë, universitari serb Milutin Garashanin bënte dallimin e prerë mes konceptit etnik (?) të ilirëve me atë administrativ të Ilirikumit, i cili paskish tendencën për të shtrirë kufijtë e ilirëve deri në Savë ose edhe në Panoni. Në kalim, ai nënvizonte që i njejti gabim është bërë edhe në thellësi të Ballkanit ku dardanët janë konsideruar gabimisht si ilirë, ndërkohë që ata i përkasin botës peone-trake. Thjesht për të dhënë një pamje të asaj fryme që mbretëron në gjirin e historiografisë serbe ndërkohë që ajo trajton problemin e ilirëve, mfjafton të thuhet që edhe Garashanini nuk arrin të imponojë autoritetin e tij mes të vetëve. Käshtu, menjëherë pas botimit të librit të tij, ai u sulmua me një egërsi të veçantë nga kolegu i tij Klajkiç i cili e kritikonte me forcë lidhur me pohimin se « origjina paleo-ballkanike e shqiptarëve s’mund të vihet në dyshim ». Mbi këtë çështje shih : Selami PULAHA - On the Autochthony of Albanians in Kosova and the Postulate of the Massive Serb Migration at the end of the XVIIth Century, në : International Journal of Albanian Studies (IJAS), Vol 1, fall 2, New York, 1997; Milutin GARASANIN - The beginnings and origins of the Illyrians, në : Illyrians and Albanians, Serb Academy of Arts and Sciences, Belgrade 1988; ose dhe : Hugo ROTH – Kosovo Origins, Belgrade, 1996.

 

(2) Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë - Akademia e Shkencave të Shqipërisë) - ibidem.

 

(3) Federata e parë që përmendet në tekstet antike ishte ajo e taulantëve, e përzjerë në luftën civile që shpërtheu në Epidamn në vitin 436 p.e.s, ku ilirët morrën anën e aristokratëve të dëbuar nga qyteti. Në vitin 423 p.e.s, kaonët dhe thesprotët u lidhën me spartanët e Lakedemonisë në fushatën ushtarake në Akarnani nderkohë që, gjatë luftës së Peloponezit, mbreti Perdika II i Maqedonisë kërkoi ndihmën e spartanëve për të luftuar kundër lynkestëve, të vendosur rreth liqenit të Ohrit. Kështu, gjatë përpjekjeve për të shkruajtur historinë e tyre, maqedonët e sotëm vendosin përplasjet e para me ilirët në periudhën e mbretit Perdika i I, themeluesi i mbretërisë së parë. Përplasjet vazhdojnë gjatë periudhës së Filipit të I i cili vritet gjatë luftimeve, dhe më tej gjatë periudhës së Aeropit të I që më në fund arrin t’i thyejë fiset ilire.

 

(4) Gjeografi antik Strabon (58 p.e.s. – 21 ose 25 e.s), në Librin e tij të VIIGeographica-s së tij të çmuar, vëren se « ..mospërdorimi i monedhave është një karakteristikë e Ilirëve të Dalmacisë, gjë e cila i afron ata me barbarët e tjerë. »

 

(5) Shih mbi këtë çështje : Noel MALCOLM – Kosovë, një histori e shkurtër (Kosovo, a short story), Bot. Koha, Prishtinë, 1998; Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë - Akademia e Shkencave të Shqipërisë)- Historia e Popullit Shqiptar v.I dhe v II, bot. Toena Tiranë, 1994 – 2002 ; si edhe : Alain DUCELLIER, - La Façade maritime de l’Albanie au Moyen Age : Durazzo et Valona du XIe au XVe siècle, Institute for Balkan Studies, Thessalonique, 1982.

 

(6) Në terma më të kjarta, këto ngjashmëri prekin sistemin kazual (sinkretizmin e gjindores dhe të dhanores), sistemin foljor (formimin e kohës së ardhme, reduktimin e përdorimit të pjesores, lidhorja në përdorimni e saj të drejtpërdrejtë), nyja shquese e bashkëngjitur në fund të emrit, formimin e numërorëve, përdorimin e formave të reduktuara të përemrave si plotës i kundrinës së drejtë ose të zhdrejtë – pa llogaritur gjithashtu ngjashmëri të theksuara në fjalor, frazeologji ose dhe fonetikë. Për detaje më të hollësishme, shih : Olga Misecka TOMIC – The Balkan Sprachbund Properties : an Introduction to Topics in Balkan Syntax ans Semantics. Dans : wwwlot.let.uu.nl/GraduateProgram/LotSchools/Summerschool2003.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora