E enjte, 25.04.2024, 03:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Limani: Yjet s'kanë rënë në gjumë

E marte, 05.02.2013, 08:50 PM


YJET ENDE S`KANË RËNË NË GJUMË

(Imagjinata riprodhuese figurative)

Ajo tashmë është e njëjtë vetëm me vetveten, me veçori e tipare dalluese në krijimtarinë e vet, me çka vepra e saj bëhet e njohur dhe e vulosur në një frymë të re kreativiteti.

Nga Remzi Limani

Individualiteti, identiteti dhe nervi krijues i profesoreshës Alije Vokshit, vjen si rezultat dhe fryt i një pune dhe i një rrugëtimi të gjatë në fushën e krijimtarisë e të pedagogjisë së kulturës figurative.

Qëllimi dhe synimi i znj. Alije, ishte dhe mbeti ideja për një krijimtari rrëfimtare, figurative artistike, mbi parimin e së vërtetës themelore mbi të cilën ngritet dhe ndërtohet arti i një koncepti përplot vlera historike. Ky qëllim mbështetet në kujtesën e fortë logjike të artistes sonë dhe të aftësisë së të mbajturit mend për të riprodhuar ato që ka parë dhe dëgjuar. Pra, kjo kujtesë pamore, këtë artiste e vë në një proces psikik për të krijuar figura të reja me një imagjinatë riprodhuese të tërë asaj që na shqetësoi të gjithëve, duke e përfytyruar të kaluarën tonë makabre  me përmbajtje figurative më të qartë dhe më dramatike. Ajo na jep shembuj të së vërtetës së “Masakrës së Reçakut”, përmes figuracionit, me tendencë për një rrëfim të hidhur, me një imazh e frymëzim artistik në mishërimin e tipareve dhe të idesë për të fokusuar të vërtetën dhe tragjiken tonë kosovare nëpër kohë.

Në tablotë e Alije Vokshit, dominojnë “Figurat në hapësirë”, si metaforë poetike e këngës legjendare me një zë të fuqishëm dramatik për engjëjt këmbëzbathur të flijuar për të sotmen tonë, që tashmë lirshëm fluturojnë përtej kaltërsive...

Edhe sot, nga hijet makabre që i duken se tinëzisht i rrinë prapa shpine, Alija, flet me fërgëlli, prandaj shpirti i trembur i artistes, e cila në asnjë kohë, në asnjë rast e rrethanë, nuk mundi ta paramendonte se dhuna ndaj njeriut të pafajshëm, mund të jetë aq e tmerrshme dhe aq mizore.

Prof. Alije Vokshi, në fushën e arteve pamore, posedon personalitet krijues të një artisteje me një opus të kënaqshëm e të veçuar me shprehje të pastërta individualiteti imanent. Ndërhyrja e saj figurative dhe guximi i shprehjes ekspresioniste, e qartësojnë përvojën e saj me një koncept vlerash të një arti të kuptueshëm e të pranuar. Ajo tashmë e ka thur identitetin e vet krijues, duke e mbështjell me vlera të mirëfillta artistike, që zënë vend të merituar në hapësirën e arteve pamore në mesin tonë. Me punën e saj, ajo hyri në orbitën krijuese, duke mos lejuar të vritet e bukura dhe shprehja universale e gjuhës figurative. E mëvetësishme në zhvillimin e saj artistik dhe intelektin e begatë krijues, ajo me sukses ia doli të pushtojë hapësira të reja krijuese, gjithnjë në ngritjen e kulturës figurative dhe të fitojë betejën në arenën e krijimtarisë artistike. Nuancat e theksuara, paleta e përpunuar, harmonia e ngjyrave, krijojnë intimen e cila në vetvete ngërthen dramatiken me një drithërimë solemne, që në fakt krijojnë një atmosferë shprese për njeriun e rrëmbyer nga kohët e liga...

Vepra e saj është e veçantë, si në përmbajtje ashtu edhe në figuracionin e pasur artistik - shkrihet me elemente figurative, të cilat frymojnë dhe korrespondojnë fuqishëm në ndërtimin dhe në formulimin e përbashkët kompozicional.

Duhet cekur se profesoresha Vokshi, është artistja e parë shqiptare nga Kosova, e cila në vitin 1968, u diplomua (me notë të shkëlqyeshme) në Akademinë e Arteve të Universitetit të Beogradit. Më 1981, në të njëjtin institucion, kreu edhe magjistraturën. Specializimin tetëmujor (1977-1978), e mbaroi në Paris - në Akademinë “Grande Chomieoure”.

Ajo pati një numër të konsiderueshëm të ekspozitave personale dhe të atyre kolektive (në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi), kurse për punën e saj krijuese, në fushën e vizatimit dhe të pikturës, është shpërblyer disa herë, Në mesin e shumë shpërblimeve të tjera, ajo mori edhe Shpërblimin e Nëntorit të Qytetit të Prishtinës. Znj. Alije, për perfeksionimin e saj në fushën e arteve pamore, bëri edhe shumë udhëtime studioze në ish-Bashkimin Sovjetik, në Turqi,  Bullgari dhe në Paris.

Alije Vokshi, që nga viti 1974, është e punësuar në Fekultetin e Arteve Figurative në Universitetit e Prishtinës, ku ligjëron lëndën e pikturës “B” dhe mban titullin e profesorit inordinar.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora