E enjte, 28.03.2024, 10:46 AM (GMT)

Kulturë

Dukagjin Hata: Flet piktori Huzri Hoxha

E marte, 05.02.2013, 06:31 PM


“Piktura më fali atë që s’ma dha as politika, as ndonjë veprimtari tjetër intelektuale”

Piktori Huzri Hoxha rrëfen se si piktura, përveçse kënaqësi estetike, i fali miq në shumë vende të botës

Nga Dukagjin HATA

"Piktura më ka dhënë atë që s’ma jepte as politika, as ndonjë veprimtari tjetër intelektuale a biznesi, të pasurit e shumë miqve jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë, të cilët i kanë punët e mia në shtëpitë e tyre". Huzri Hoxha, ish deputet në legjislaturën e parë të Kuvendit pluralist të Shqipërisë, një nga piktorët më të sukseshëm të brezit të tij, tregon për dashurinë e tij të parë dhe të vetme, pikturën, e cila e lidhi me miq e shokë në të gjithë hapësirën e botës shqiptare, por edhe në Gjermani, Rusi, AngIi, Arabi, Amerikë e deri në Kinën e largët. Dishepull i shkollës së ekspresionizmit dhe babait të të saj Van Gog, Hoxha vizaton me dorë të lirë realitete psiko-hapësinore konkrete, të cilat i transfiguron me anë të një metafore universale. Me origjinë nga Dibra, nga një trevë piktorekse që e mbart pikturën brenda vetes, ai sjell në punimet e tij ëndrrën e kulluar, një natyrë psikofizike të rikrijuar, që e fsheh në thellësi natyrën fillestare.

Në një nga seancat e parlamentare të vitit 1992, i ka bërë portretin ish ambasadorit amerikan në vendin tonë Rajerson, i cili ndiqte që nga lozha çdo ditë punimet e Kuvendit. Hoxha rrëfen se si e preku në shpirt ambsadorin amerikan, duke i dhuruar potretin e tij, krijuar në seancat parlamentare, duke e vëzhguar që nga llozha, ku ai rrinte me orë të tëra, ashtu i pëqëndruar në ambjentin konfliktual shqiptar, në tempullin e Legjislativit të vendit të shqiponjave.

Ndonëse vjen nga një shkollë dhe formim akademik që nuk ka lidhje me artin, Hoxha mendon se shkencat ekzakte dhe vecanërisht matematika, e cila ka qenë themeli i studimeve të tij të larta, është bazamenti i çdo arti të vërtetë, sidomos në pikturë, ku çdo vijë dhe ngjyrë ka brenda transhendecat logaritmike matematikore.

Ekspozita e tij e hapur para pak kohësh në Muzeun Historik Kombëtar, “Udhë drejt vetes” u përcoll me vlerësime nga kritikët më të njohur të artit jo vetëm në Shqipëri, Kosovë e viset e Shqipërisë Lindore nën Maqedoni, por dhe më gjërë… Në këtë intervistë, ai shpalos kredon e tij estetike, pëlqimet dhe shijet e tij, kontaktet me artin dhe artistë të njohur, miqtë e shquar me të cilët e ka lidhur piktura.

-Si ju ka lindur pasioni për pikturën dhe kur?

Që në moshën 5-6 vjeçare, mund të them se vizatoja dukshëm gjëra që s’i bënin dot moshatarët e mi. Bota e vizatimeve nga më të çuditshmet ishte një flakë që digjej në heshtje brenda meje. Unë e them i bindur se dhuntia e krijimit është e zbritshme. Nuk ka një moment kur ti thua: Unë di të pikturoj. Këtë dhunti e ke të brendshme, të njohur nga vetvetja, që kur dallon gjërat e para të botës. Njerëzit me besim e dinë se dhuntinë e krijimit e ka vetëm Perendia. Gjithçka që bëjnë njerëzit me kërkimet shkencore, me hulumtimet, përvojat etj., nuk bëjnë gjë tjetë veçse zbulojnë ligjësi, raporte, lidhje të parapërcaktuara e të krijuara më parë.

Çdo shpikje ose novacion teknik apo teknologjik nuk është krijim, por zbulim gjërash që ekzistonin paraprakisht si mundësi. Me këtë parantezë dua të them se perendia ka dhuntine e madhe të krijimit, dhe ajo ka bërë një përjashtim, pasi ka zbritur pak nga kjo dhunti e mrekullueshme në kokat e disa njerëzve - dhe këto janë njerëzit e artit.

Ju nuk jeni diplomuar për pikturë, por në një drejtim tjetër që s’ka lidhje me artin. Cila ka qenë "shkolla" e formimit tuaj estetik?

-Është e vërtetë. Pavarësisht faktit që në dy nivelet e shkollimit, të mesëm dhe të lartë, kam konkuruar dhe fituar, në të dyja rastet, -dhe për këtë ka dokumente, - nuk më ëshë mundësuar shkollimi në degën e artit. Por, siç ndodhte rëndom në sistemin e diktaturës, për ironi të fatit, nga dy fitues mernin njërin që kishin më pranë tyre. Po ç’rëndësi ka kjo tani. Unë u diplomova në një degë ku ishte një vend bosh, për ekonomi, ndonëse për të fillimisht nuk perceptoja dot as emrin se ç’shkollë ishte. Pavarësisht kësaj, unë i mbarova me rezultate shume te larta studimet universitare, falë matematikës që më pëlqente. Gjatë gjithë kohës, kur isha në shkollë, nuk i jam ndarë vizatimit, Vizatoja në çdo kohë, duke u përpjekur gjithmonë që të isha në korent të atij informacioni të pakët që qarkullonte në vendin tonë për artin. Por ajo që dua të them është fakti i provuar në shkollën e korifejve, se ka një korelacion të fortë midis artit dhe matematikës. Në art si dhe në matematikë ka raporte gjërash apo madhësish, ka struktura, lidhjeje, kombinime, ka lëvizje dhe zgjidhje, më në fund. Pa matematikë, arti është i rrezueshëm, i thërmueshëm, shembet si kullë rëre. Kështu që shkolla që bëra nuk më ka penguar në krijim, përkundrazi më ka krijuar mundësinë të jem i lirë dhe jo I kushtëzuar në mënyrë ekzisteciale nga "tregu" i pikturës. Nga ana profesionale, më ka mprehur ndjesitë e të saktës, që nuk e përjashton, por e bën më të prekshme fantazinë e krijimit piktural. Jam munduar të jem vetvetja, jashtë kornizave të akademizmit.

Vetëm tani, në moshën pesëdhjetëvjeçare, falë hapësirave të lirisë, kam vazhduar studimet në Akademinë e Artit, pra jam takuar me një dashuri vërtetë të vjetër e të pazëvendësueshme.

-Ekspozita juaj, e hapur para disa muajsh në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar pati shumë sukses, shkruajtën shumë gazeta dhe kritikë të njohur të artit. Cili është komenti juaj?

-Pata një akumulim gjërash që duhej t’i thosha përmes penelit, ishte një shtytje e fortë që më udhëhoqi në krijimin e disa punëve, të cilat vërtet që ngallën interes tek vizitorët. Ekzpozitën e përcollën mjaft media të shkruara dhe elektronike, gjithashtu pati edhe vlerësime nga piktorë, studentë dhe kritikë arti... Ishte një udhëtim drejt thellësisë së unit, drejt të brendshmes, pasi vetëm tek brendësia e shpirtit gjenden modelet e artit të vërtetë.

-Jo vetëm drejt vetes, por ju udhëtoni shumë dhe nëpër botë, a ndikon kjo në artin tuaj?

Udhëtimet, - veçanërisht për një artist- janë hapësira të mëdha njohjesh, informacionesh dhe komunikimi. Nuk di se ku e kam lexuar tek një autor i madh, që thotë se sa herë që ai udhëton ndihet i rikrijuar si njeri. Unë kam pasur fatin të vizatoj punime në Itali, Gjermani, Arabi, Rusi si dhe në Kinën e largët, kam shitur apo dhuruar ndonjë punë dhe ato janë pëlqyer. Piktura më ka krijuar mundesi të komunikoj me një rreth më të madh njerëzish, kështu që kam shumë miq në këto vende.

Kush është "idhulli" juaj për pikturën?

Nga shqiptarët, pavarsisht respektit për shumë piktorë të nderuar, që janë modele për ne të tjerët, do të veçoja mjeshtrin Sadik Kaceli, nderuar qoftë, i cili për mua është ikona e pikturës moderne shqiptare. Ndërsa për shkollat e pikturës në botë, pëlqej ekspresionizmin dhe jam adhurues i babait të tij, VAN GOG.

Keni qenë deputet në parlamentin e parë pluralist. Disa mbresa dhe a mendoni t’i riktheheni më poltikës?

Do të doja të veçoja dy momente që kanë lidhje me pikturën. Që nga vendi ku isha ulur ndiqja me sy ambasadorin amerikan, të ndjerin Rajerson, që rrinte me orë të tëra në llozhë, duke ndjekur debatet e Kuvendit. Nuk mund t’’i shpëtoja tundimit për t’i bërë portretin, pasi kishte një fytyrë shumë të veçantë, me një shprehje gjallërie dhe ekspresiviteti që rrallë herë e kam ndeshur. E vizatova me ngut në disa séance dhe pashë se më doli një portret shumë i goditur. Ia tregova Dritëro Agollit i cili u mrekullua dhe këmbënguli që t?ia tregonim zotit Rajerson. Kështu bëmë dhe ambasadori amerikan mbeti i befasuar. Ia dhurova portretin të cilin ai e mori me kënaqësi dhe më dhuroi një emblemë të shtetit amerikan. Që atëherë u bëmë miq me të. Di që portretin e kryefamiljarit të punuar prej meje, familja Rajerson e ka vendosur në shtëpi dhe kjo është më shumë se një kënaqësi për mua.

Momenti i dytë lidhet me ish kryeministrin Aleksandër Meksi. Ky, sa herë që vinte në sallën e Kuvendit, të gjithë deputetët kthenin kokën për ta parë, kështuqë nuk ndiqnin punimet, por mimikën e kryeministrit. Vendosa t’i bëja portrertin dhe në disa orë vizatimi të përqëndruar ia dola. I ndjeri Gramoz Pashko mori portretin, e fotokopjoi në 140 kopje dhe ia vendosi secilit deputet në tavolinën e tij. "Nuk keni nevojë të ktheni më kokën kur të vijë Kryeministri, e keni secili para syve, në tryezën e punës", tha në podium, duke na u drejtuar të gjithëve.

Tani t’i khehemi pjesës së dytë të pyetjes suaj: së pari dua të them se unë kam qenë deputet në parlamentn e pare pluralist, ku Shqipëria ekzistonte në një vakum total ligjor për ekonominë e tregut dhe me buxhetin bosh. Përpjekjet tona në atë kohë, ju them me siguri, se ishin më idealiste se sot. Ndërsa kohët e fundit ju keni parë mjaft deputetë që janë nën nivelin intelektual mesatar të popullsisë dhe kjo është fatkeqësi kombëtare.

Po i përgjigjem pyetjes suaj: Nëse një ditë do të kishte njerëz me dhimbje për këtë vend, të cilët do të donin të sakrifikonin diçka nga vetja për ta drejtuar siç duhet atë, atëherë mund të mendoja për një rikthim në politikë.

Intervistoi: Dukagjin HATA



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora