E premte, 29.03.2024, 01:59 AM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Agim Mato

E shtune, 02.02.2013, 07:06 PM


AGIM MATO

NATA NË PORT

Fishkëllejnë fishat prej avulli, dalin anijet nga porti,
rrotullohen si ca pata të ngathëta
dhe largohen duke tundur vithet e tyre të rënda.

Bankinat, policët dhe skafet dremitin. Vetëm vinçi, bën
roje dhe u hedh fshehurazi një sy
ca jahteve  të vegjël që lëkunden dhe shpojnë me dyrekët
e tyre cipën e hollë të mbrëmjes,
duke ngatërruar me dashje pozicionin e yjeve të Harushës.

Pastaj del hëna që xhvishet, hedh të linjtat mbi  vinç,
bën rrotullime në ajër  si në një trampolinë
dhe zhytet poshtë ujrave. Dhe ujrat mbushen dritë,
bëhen pasqyrë e një qyteti ëndërrash si një haluçinacion
që shkrepëtinë imazhe.

Vetëm atëhere shquan peshkatarët
që mbledhin rrjetat në gji
dhe hëna e pacipë shkon e u tregon hiret.

STUHIA
Kushtuar Yanni-t

Hyn me vrap në skenë. Flokët të valëviten si
  lajtmotive të një pylli ëndërrash 
ku harpat dhe violinat ndërrojnë stinët e gjetheve.

Por stuhia fle ende në barqet e veglave muzikore.

Rrotull teje fillojnë të mërmërijnë fagotat,
bulurijnë trompat, mprehin sqepin flautet,
çmpin gjymtyrët klaviçembali
Dhe një saksofon lag ezofagun
në pritje të sinjalit tënd.

Ti hap të dyja krahët sipër tyre,
bën një fluturim akrobati  dhe çan në ajër një digë
 kozmike tingujsh, nga derdhet
një shi ngazëllenjës shpirtrash të magjepsur.

Prestigjator  misteresh,
Orkestër ëndërrash,
punishte e nostalgjisë,
me të gjashtë tastierat njëherësh ti ndërton në ajër
   ashensorë kataraktesh drite,
ku hypin e zbresin perënditë,
nga Akropoli
në Taxh Mahal
e gjer në Maçu Piçu.

Nuk fashitet energjia jote që gufon pareshtur nga mëngët,
ndërsa nga xhepi i thilesë nxjerr një rè për të hequr djersët
nga qafa e tunxhtë.

Vetëm atje tej, në cep të skenës,
tubi i gjatë  prej ekualipti australian ,
në duart e një djaloshi të zeshkët,
shfryn avullin e stuhisë.

NË VJESHTË, NDARJA

Në vjeshtë, ndarja erdhi
dhe ti numëroje hijet e lejlekëve
që nxitonin në vise të tjera.
Tërë ditën në kopësht barisje mbi lulet e thara të
   përkëdheljeve, ku
flutura të errëta fluturonin rreth qiparizëve të shkretuar
   dhe sillnin  me vete buzëmbrëmjen
dhe verbërinë  e dritares me kujtesën që vdiste.

Në qiparisin e natës, me  foletë e boshatisura të lejlekëve,
lëkundej shalli yt ku sapo ishin vetvarur ëndërrat.

NË PRANVERË, SHPRESA

Në pranverë, shpresa vonoi ca.
Kishe hapur një pus brënda vetes dhe nuk ngjiteshe dot
 deri tek çikriku i jetës.
 
Kur ferrakët filluan të fluturonin mbi supin tënd
ti lëvize, kova e mbushur me trishtim u derdh
dhe e habitur pe xixëllonjat të mbushin oborrin me dritë.

Hëna si një vezë e madhe lejlekësh
shkëlqente nga qiparizët.

Urithët, milingonat, sythat, yjet,
merreshin me punët e tyre. 

S’mund të rrije më. Preve thonjtë,
Hoqe nga krehëri një tufë të vogël flokësh,
i mblodhe shuk
si hidhërimin tënd të djeshëm.

Dhe prisje lejlekët.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora