E shtune, 20.04.2024, 04:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Peter Tase: Intervistë me artistin Zeni Ballazhi

E shtune, 02.02.2013, 12:52 PM


Intervistë

Arti i Zeni Ballazhit: Imazh i 100 vjetorit të shtetit shqiptar

Nga Peter Tase (United States)

Zeni Ballazhi u lind, më 1975, në Kërçovë, Maqedoni. Në qershor 1998 mbaron studimet universitare në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë. Më 13 qershor 2000 merr titullin Magjistër i Arteve me titull pune “Pa titull”, në Fakultetin e Arteve pranë Universitetit të Prishtinës. Më 18 nëntor 2000 mbaron studimet për disa  disa muaj në Kolegjin Nacional të Arteve të Oslos, Norvegji. Në vitin 2009 emërohet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, si Drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës. Ka punuar si drejtor artistik (skenograf) në disa filma dhe shfaqje profesionale, në hapësirat shqiptare në Ballkan por edhe në Norvegji. Ka marrë mbi 15 çmime dhe medalje në Kosovë dhe nga institucione të tjera në rajon.

Në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shtetit Shqiptar, Zeni Ballazhi nderohet me Medaljen e Mirënjohjes, nga Presidenti i Shqipërisë.  Ballazhi  është autori i stemës së dizenjuar me rastin e 100 vjetorit të formimit të shetit Shqiptar.  Fruti i punës së tij artistike do të vendoset denjësisht në analet e historisë së kombit shqiptar. Me rastin e marrjes së kësaj dekorate, Ballazhi shprehu kenaqësinë për këtë vlerësim përpara presidentit të republikës. Nuk ka asnjë dyshim se krijimtaria e tij do të pasurohet akoma  më shumë. Gjatë dy dekadave të fundit Zeni Ballazhi ka marrë pjesë në mbi 30 ekspozita kolektive në shtete të ndryshme të botës, dhe ka realizuar tre ekpozita personale në Kosovë dhe Maqedoni, si dhe ka shërbyer si kurator në 11 ekspozita të ndryshme në Europë. Zeni Ballazhi, ka qenë drejtor artistik i shumë filmave, komedive dhe shfaqjeve teatrore. Për herë të parë, ky artist i mirëfilltë flet për shtypin shqiptar nëpërmjet kësaj interviste.

NË Ç’FARË MOSHE E KENI BËRË VIZATIMIN APO SKICEN E PARË DHE SI E KENI FILLUAR PROFESIONIN E ARTISTIT?

Në shumicën e rasteve artistët e vërtetë lindin artistë. Kam bërë shumë skica sa që nuk më kujtohet e para, por më kujtohet vetëm si fëmijë, ndoshta ka qenë prishja e fotografive familjare të bëra gjatë viteve të hershme (bardhë e zi) duke i ngjyrosur fytyrat me tush dhe duke i kthyer në një imazh ashtu si unë dëshiroja të jenë, ndoshta edhe qesharake apo ashtu të dëmtuara. Por kan qenë edhe momentet kur kam filluar vijat e para të hedhura në letër pa e kuptuar se çfare bëj por gradualisht duke hyrë në moshë më të madhe kam filluar të kuptoj se çfare po bëj. Si vazhdimësi kohore identiteti im vërehet në çdo paraqitje të eksperiencës time.

SI KA QENË ATMOSFERA ARTISTIKE GJATË VITETE KUR KENI STUDJUAR NË AKADEMINË E ARTEVE TË BUKURA NË TIRANË, MË 1998? Ç'FARË JU KA BËRË MË SHUMË PËRSHTYPJE GJATË VITETE STUDIMORE NË KRYEQYTETIN E SHQIPËRISË?

Shqiptarët në përgjithësi edhe nga vende tjera të Ballkanit kanë përjetuar konflikte të ndryshme politike, historike, sociale etj. Në vitin 1993 jam pranuar për të ndjekur studimet në Shqipëri, atje ishin prezente pasojat e regjimit komunist si dhe një situatë tepër e çoroditur nga aspekti social. Kolera ishte një sëmundje që kishte kapluar shumicën e territorit të Shqipërisë, ishte një situatë ku për mua pati ndikuar shumë në kreativitetin artistik, ishte koha e ndryshimeve pozitive, optimist për një të ardhme më të mirë, për dikë edhe largimi nga vendi ishte zgjidhja më e mirë. Në 1997 lufta civile kundër çështjeve piramidale dhe 1998 vrasjet e disa personaliteteve politike, një përjetim i tmerrshëm gjatë këtyre viteve ku në të njejtin vit marr diplomën për kryerjen e Fakultetitv të Arteve të Bukura në Tiranë dhe fitoj të drejtën e studimeve pasdiplomike për magjistraturën në Universitetin e Prishtinës pranë Fakultetit të Arteve Figurative. Filloj lufta në Kosovë. Përjetuam çnjerëzimin nga masakrat dhe dëbimet. Shumë vende i hapën dyert për strehim, por Shqipëria ishte vendstrehimi shpirtëror.

KUSH KA QENË PRIRJA KRYSORE ARTISTIKE E JUAJ GJATË STUDIMEVE TUAJA PËR MAGJISTËR NË PRISHTINË?

Duke u nisur nga rezultatet që pata gjatë studimeve vendosa të vazhdoj studimet pasuniversitare në ndonjë Universitet jasht vendit por në mungesë të kushteve financiare dhe në mungesë të magjistraturës në Akademinë e Arteve në Tiranë u detyrova të vazhdoj më tej dhe të fitoj të drejtën e studimeve për magjistraturë në Universitetin e Prishtinës. Viti 2000 ishte viti i pasluftës, viti i diplomimit në Magjistraturë. Një vit plot optimizëm për pavarësinë e Kosovës. Në vitin 2001 filloi lufta në Maqedoni, një përjetim dhe ndikim tjetër në jetën time pasi që unë jam lindur në Kërçovë. Pas gjithë kësaj në vitet 2002 – 2011 fillon dalja në skenë e veprave, ekspozita të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Një histori e shkurtër për të dhënë idenë se çfarë ndikimi kan pasur konfliktet në përgjithësi në Ballkan për punën time kreative në përgjithësi, ku do të thoja në aspektin profesional mjaft pozitive sepse në veprat e mia paraqitet ky ndikim sipas kohës dhe realitetit të jetuar, ku këto vepra tani kanë mundësi t’i shohin edhe të tjerët, e sidomos ata që nuk i kanë përjetuar. Le të përjetojnë pak nga e kaluara e hidhur, sepse sot përjetojmë një luftë teknologjike e llojit modern, do të thoja një  “Teknologji sociale”. Një kujtesë tjetër sociale e cila sot kontribuon dukshëm në punën tonë artistike.

CILËT PIKTORË JU PELQEJNË MË SHUMË DHE SA KANË NDIKUAR ATA NË FORMIMIN TUAJ SI ARTIST I PËRMASAVE BOTËRORE?

Ndikimi është vetëm realiteti i jetuar nëpër kohë të ndryshme. Eksperienca dhe vepra është formimi i një artisti. Çdo piktor i mirë apo i keq është i ndikuar nga realiteti që e rrethon. Nuk ka art të mirë, të keq apo të parëndësishëm, kushedi çfarë mbiemri ti vëmë kësaj prapë është art, si ç’do emocion i mirë apo i keq është prapë emocion. Për mua më e rëndësishme është që të kuptojmë, çmojmë dhe bashkëpunojmë me  njëri-tjetrin të jemi sa më profesional në punën që bëjmë që të reflektojmë bindshëm në çdo vend dhe njëri nga qëllimet është që të pranojme artet sa të jemi të aftë të marrim pjesën tonë në rrafshin e diskutimit bashkëkohor që “bëhet sot në botë” dhe le të vazhdojmë të ushqehemi me ndjenja dhe të reflektojmë të gjithë artistët dhe e vetmja matje për ne të jetë realizimi artistik.

CILAT JANË DISA NGA TEKNIKAT QË DËSHIRONI TË PËRDORNI NË PUNIMET TUAJA ARTISTIKE?

Teknika më e mirë për përdorim në veprat artistike është idea. Në ideologji  bashkëpunojnë; vullneti, mendimi dhe ndjenja, si triadë, për të ndërtuar dhe për të themeluar një praktikë artistike, e cila është përherë një komunikim ndërmjet hapsirës dhe realitetit, që i kundërvihet realitetit mohues të jetës së përditshme. Nisem nga kjo vetëdije duke pranuar të punoj nëpërmjet gjuhës specifike të artit, por edhe duke u përpjekur që ta reklamojë këtë specificitet si projekt të transformimit të realitetit, duke e nënkuptuar artin si model të sjelljes alternative. Koncepti për artin formulohet vetë në kohën dhe vendin ku jetohet, si rezultat i intensitetit të veçantë për filozofinë dhe artin bashkëkohorë kërkohen mënyra më të reja për te reflektuar ndaj këtij realiteti që e jetojmë me intensitet. Prandaj veprat janë një art i frymëzuar nga takime me gjëra të zakonshme që të bëjnë për vehte dhe për vlerat e tyre të mundëshme dhe për lidhjen asociative për të cilën aludojnë. Është një fryme e re, një eksperiencë e mbledhur nga të gjitha ecejaket nëpër botën e artit bashkëkohor, pikërisht në atë fushë krejtësisht jo të përkrahur nga shumica e atyre artistëve që artin e konsiderojnë si zanat. Arti në thelb përbën një zbulim. Afirmimi i kësaj praktike të re alternative të këtyre punimeve do të na mundësoj të kuptojmë se arti nuk është thjeshtë zanat por në thelb përbën një zbulim. Kurse koncepti për artin formulohet vetë në kohën dhe vendin ku jetohet, për një kërkesë më të madhe gjatë eksperimentimit në artet vizuale dhe nëpërmjet tyre për të komunikuar me imazhe më të reja dhe më cilësore.

SA SHTETE KENI VIZITUAR DHE CILI VEND JU PËLQEN ME SHUMË?

Vizitat e mia janë më shumë profesionale se sa private. Jam pjesëmarrës në ekspozita kolektive me karakter ndërkombëtarë, bienale, workshope, udhëtime kuratoriale, festivale teatrore dhe festivale të filmave. Nga ajo që kam vizituar, të gjitha vendet kanë një karakteristikë në vehte e sidomos në pëlqimin pamor. Përveç këtyre më pëlqen të vizitoj ato vende të cilat ende nuk i kam vizituar, do të thoja ndoshta një planet tjetër. Veprat e mia kanë shkuar deri në malet Kaukaze. E kam sprovuar veten me vepra të ndryshme vizuale si: video-instalacion, pikturë, disenjo, fotografi, skenografi filmi dhe teatri, kostumografi, land art. Nëpërmjet artit kërkoj që të rindërtoj shpirtërisht unitetin e njeriut, t'i rijap atij energji dhe tension, për të transformuar raportin tim me botën. Koncepti i artit përqaset me nevojën për të futur të gjithë elementet e gjallë në raport me botën dhe komunikimin ndërmjet tyre, pa privilegjuar asnjë. Në këtë moment shoqëria modelohet dhe vetmodelohet në ndërgjegjësimin progresiv që publiku përfiton nëpërmjet dialogut me artistin. Në veprimet dhe në debate futen nivele të ndryshme, natyra, vdekja, ekonomia, me qëllim që të rikthehet uniteti i një kulture të ndarë në specializimet e saj të larmishme ashtu siç jeton shoqëria e ndarë në klasa.

CILAT JANË DISA NGA EXPOZITAT MË TË RËNDËSISHME QË KENI BËRËE GJATË GJITHË KARIERËS SUAJ?

Çdo ekspozitë e ka rëndësinë e vet, do të veçoja ato ekspozita të cilat nuk kemi mundur t’i realizojmë. Ku në një të ardhme të afërt besojmë dhe shpresojmë që do t’i realizojmë, gjithmonë duke u bazuar në eksperiencë dhe në kreativitet. Jam evidentuar në shumë fusha të arteve kontemporane, siç përmenda edhe më lart, kam qenë kurator i disa ekspozitave konceptuale, skenograf në disa filma profesional, pjesemarrës në shumë ekspozita kolektive në vend dhe jasht vendit. Arti që preferoj është arti profesional kontemporan. Në shumë vepra, materialet po fitojnë një intensitet të ri, po shpërbehen në pika të reja ndjesore referimi ku: “Arti kërkon sytë, intelektin, dëshirat, por ai është gjithnjë i lidhur me trupin”. Për natyrë arti është subversiv, ai vë në pikëpyetje realitete të konsoliduara shqetëson tradita të rrënjosura dhe kështu krijon rregulla te reja gjuhësore, njëkohësisht artistike dhe shoqërore.

CFARE KENI NE PLAN PER TE ARDHMEN, ME Ç’FARË PROJEKTI JENI DUKE U MARË AKTUALISHT?

Prezantimi i artit shqiptarë në arenën ndërkombëtare është prioritet për të ardhmen tonë artistike. Personalisht pas fitores time në Konkursin Kombëtar për logon e “100 Vjet Pavarësi” si dhe shumë shpërblimeve e sukseseve të mia, aktualisht jam në parapërgaditje të një ekspozite në maj të këtij viti si pjesmarrës në Budapest, përgaditja e disa dizajnimeve si: libra, monografi pllakata etj, si dhe skenografi Teatri dhe filmi, janë shumë projekte profesionale të cilat mendoj se ia vlen për një të ardhme të afërt.  Jemi në përgatitje edhe të Festivalit të 5-të Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë “MonoAkt 2013” këtu jam menaxher artistik. Është një rrugë e gjatë e cila na premton origjinalitet dhe risi pambarim.

SI MENDONI PER RRETHIN E ARTISTEVE NË PRISHTINË, CILËT JANË AKTUALISHT DISA NGA ARTISTËT ME NJOHUR TË KOSOVËS, DHE ME CILIN PREJ TYRE KENI PUNUAR NË PROJEKTE TE PERBASHKETA?

Ne kemi mjaft artistë të mirë të cilët kanë reflektuar bindshëm në arenën ndërkombëtare e sidomos nga gjeneratat e reja ku edhe jetojnë jasht vendit. Bashkëpunim të mirë kam pasur edhe me shumë artistë ndërkombëtar, si kurator kam organizuar ekspozita të përbashkta ndërkombëtare edhe në Kosovë. nRaporti dhe komunikimi rreth artistve të huaj është më profesional dhe me i frytshëm se sa me ato vendor për arsye se arti vendor vlerësohet në mënyrë shumë profesionale nga kritika ndërkombëtare. Sipas mendimit tim problemi qëndron këtu se tek ne nuk ka kritikë të mirëfilltë të artit në përgjithësi dhe nuk ka bashkëpunim ndërmjet vetë artistëve. Janë të paktë ata artistë të cilët kanë raporte të mira me artistë vendor. Mendoj që edhe tek ne tani është bërë një zgjidhje, dhe jemi të bindur se arti nuk është një çështje shijeje të përgjithshme, por një çështje zgjidhjeje personale. Zgjidhja kërkon kurajo dhe vendosmëri, ndërsa shija mbetet përherë e papërcaktuar dhe e pavendosur. Arti që flet në këtë nivel është një instrument që ndërgjegjëson për bashkëshoqërimet historike, që bën të ngjasin plot gjera, që ngre emocione që kërkojnë vlerësim, arti i cili nuk i drejtohet ndërgjegjes së transfiguruar metafizike, por jeton në kushtet e ekzistencës tokësore dhe prandaj na provokon që t’i shohim gjërat në një mënyre  të re.

Ju faleminderit për intervistën!



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora