E premte, 19.04.2024, 08:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Ditë diellore ose mjegulla që (s’)po shitet

E shtune, 02.02.2013, 08:58 PM


Ditë diellore ose mjegulla që (s’)po shitet?

Nga Blerim Rrecaj

Njëri nga mëngjeset agoi me qiell të vranët në të errtë e me shi. Dhe pas jo shumë kohësh qielli hapet, dielli pa dhëmbë shfaqet duke ia lëshuar rrugën kaltërsisë. Rrezet ndritin, dukshmëria e lartë. Kjo dukshmëri të kthjellon edhe mendjen. Sa për të kujtuar dike që duke iu drejtuar shtatores së Nënës Terezë në qendrën e qytetit: “Fol, a është në rregull Nëna Terezë, fol, fol pse gjithë kjo varfëri e ky mjerim, fol, fol…”Derisa sheh këtë person të emocionuar e me bërtima të tilla e duke lëvizur duart nga karrika ulur në kafenenë “Syri i kaltër”, vemevete thua se athua e pat përnjëmend ose është ndonjë artist që është duke përgatitur ndonjë skeç për shfaqje a për ndonjë spot. Dhe mendja të vete te gjendja, shpresa, potenciali, kapacitetet. Mendja të shkon te varfëria e te fjala e Nënës Terezë që e ke parë diku: “Varfëria nuk u krijua nga Zoti. E kemi provokuar ne, unë dhe ti, egoizmi ynë!” Dhe vërtit mendimet te politika, ekonomia, sociologjia, bujqësia…Kujton ndonjërën nga bisedat  jashtë mureve të strehës e  brenda mureve të një tjetër srehe dhe përmendjen e një mori ngjarjesh a personalitetesh e emra të mëdhenj si Muhamed Ali a Bill Gejts…Mund të të vijnë edhe mysafirë dhe shumica prej tyre që pijnë duhan shfrytëzojnë ballkonin për të ndezur e pirë cigaren. Dhe flasim dhe themi si është e mundur që në gjysmën e lokalit, por pirja e duhanit te një tavolinë lejohet e te tjetra jo. Ku e patëm fjalën, po te ditët  me diell. Dhe dikur pasdite në internet sheh kronikën: “Koha e mirë nxjerr përplot njerëz në shëtitore”. Bëhet fjalë për Strugën e Ohrin dhe fotot paraqesin një shëtitore pranë liqenit dhe një tjetër brenda qytetit. Dhe pasi hedh vështrimin përtej dritareve e ballkonit, dal pasi shoh qiellin kristal të larë e me forma e me kope resh, këtu, aty, atje, andej. Dhe vërtet dita është e bukur e këndshme, një ditë dimri e fundjanarit por që anon nga një ditë pranvere. Me re të bardha, të hirta, diku këto dy ngjyra janë kombinuar, diku re të murrme e diku një kuqëlim resh hy diku në mes resh tjera e andej kah përëndon dielli një e artë e hijshme e ndritshme. Bredh duke shijuar këtë mozaik resh në qiellin e pastër. S’ lë anash as vështrimet tokës, rrugës, lëndinave, maleve…Bie muzgu, erret e erret dhe terri të gjen brenda e pranë kompjuterit me freski të “grabitur” përjashta… Në facebook fotografi Naim Shala ka publikuar një foto me një pamje të reve me këtë shënim: “Ka brushë piktori që di t’i imitojë këto ngjyra të mahnitshme të perëndimit të diellit në Prishtinë? Kjo ndodhi vetëm para disa minutash!” dhe më pas ai  merr komente e falënderime që këtë pamje ka shpër-ndarë edhe për të tjerët. Dhe terri ecën për t’i lënë vendit agut, dritës,ditës që fillon e vazhdon. Edhe sot diell e rreze simpatike. Lëvizjet vazhdojnë. Qielli është i këndshëm, me re hirtësi, kaltërsi, kristale, stalagmite, stalagtite,e shenja  të ngjashme krahasimtare-artistike. “Like” e kanë, që do të thotë i pëlqejmë.Turma sorrash si copëza thëngjinjsh të zinj vazhdojnë rrugëtimin. Lehin qentë ndoku. Karvani ecën. Sidoqoftë  tash muzg. Erret. Qielli tash duket si një pllakë mermeri e murrmë. Në perëndim kuqëlim i horizontit… Qielli tashmë është ndarë në dy pjesë. Kufiri fillon prej ballkonit ku vështrojmë e në drejtim të kryeqytetit ai është i errët  që ka përpirë retë e pjesa tjetër ende me një kaltërsi kristali të murrme dhe forma resh që duken qartë por ngadalë ngadalë errësira i mbulon dhe me to tregohet më e mëshirshme…Mbase edhe sonte do ketë hënë dhe yje.Dhe tash kujton atë qe pe mbrëmë: Dëgjohen të lehura të thekshme dhe nga ballkoni sheh dy të rinj që ikin nga një qen jo trupmadh. Dhe derisa kalojnë rrugën dhe qeni më nuk vazhdon me ndjekjen e tyre e nuk rrezikon të godas ndonjë automjet ,ata të dy kthehen edhe disa herë duke e nxitur e duke e ndërsyer qenin për t’i ndjekur. Kështu u pëlqen dhe ikin me të qeshura të thekshme. Një hënë , që anon prej së plotës, diku mund të themi rreth 70% e  saj  që i ngjanë një pogaçeje të ndarë ndriçon fuqishëm dhe përreth nëpër qiell ka yje të shndritshëm. Kur kthehesh ku ishe dëgjohet zëri i folësit nga valët e radios që vijnë nga telefoni: “Po fillojmë emisionin e natës”. Më pas dëgjohet edhe kënga e Eliza Hoxhës: “Për ata që s’janë” dhe kënga e Jerichos: “Deri kur do të këndohet kjo këngë”, që u kushtohen robërve shqiptarë të luftës që ende fati i tyre është i pazbardhur.

Tash po kujtoj ca shkrime që lexova disa nga pishtarët e analizës vendorë dhe ndonjë ndërkombëtari.

“Nexh e di që të duhen paratë po mjegulla më nuk po shitet”, i drejtohej në qytetar njërit prej kombistëve kosovar në komentet që bëjnë lexuesit përfundi shkrimeve që shfaqen portaleve.

Edhe sot pasuan shkrime për të cilat u derdh djersë e mund për t’i bërë ato sa më të sofistikuara e njëri nga ta ishte ai i Jens Oliver Shmitt-it me titull: “Një vetbesim i ri i shqiptarëve në Ballkan”. Ja një pjesë e shkrimit të tij, i cili nuk tregon ku i ka marrë të dhënat, por thotë se numri që kanë vizituar armët e Skënderbeut (të ardhura nga Vjena për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ka qenë i falsifikuar), përmend tortën gjatë festimeve të Pavarësisë dhe na mëson ne shqiptarëve se më mirë është të jemi të mirë se të mëdhenj duke akuzuar shqiptarët se “  vështrojnë edhe dobësitë e vendeve që tradicionalisht i kanë parë si kundërshtarë, Serbia, e shkatërruar nga luftrat e humbura, dhe Greqia, e cila deri para pak kohësh kishte një influencë të madhe në vend”.( Për librit e tij të fundit pat disa reagime si p.sh ai i Fahri Xharrës: Thëngjilli nuk bëhet ar, zotëri Oliver Jens Shmit, duke I cilësuar gjykimet e tij fort të cekëta…). Hajde Schmitt, hajde,(na kujtove diellin dhe shoshën) edhe anëtar i ASHAK-ut, ia ke mësyrë për t’u bërë. Për të vazhduar.

“Intelektuali kritik më i rëndësishëm i Shqipërisë, Fatos Lubonja, flet për “nacional-europianizmin”. Ai nënkupton me këtë, atë që elitat shqiptare, të dala prej kuadrove komuniste, nacionalizmin e tyre e qëndisën me retorikë europianizmi, ashtu siç dikur kishin përdorur si mbulesë marksizmin. Dhe në fakt, një analizë e retorikës nacionaliste tregon se modelet e mendimit janë po ato të vjetrat. Koncepti hapësinor i Berishës i korrespondon idesë së një Shqipërie me katër vilajete, pra me provincën e madhe të Shkodrës Osmane të deri 1912-ës, Kosovën (me kryeqytet Shkupin), Bitolën dhe Janinën”. Por ja dhe një koment i një lexuesi për shkrimin:

“E lexova shkrimin shkarazi,me qëllim për ta lexuar edhe një herë më vonë më mirë. Ajo që më neveriti është se në vete tekstin e “huazuar nga MAPO” është përvjedhur një gabim jo edhe i vogël në vend të Manastir, është shënuar Bitola. Kush duhet të na i përmirësoj gabimet tona? Të huajt, sigurisht jo...pra kujdes me toponimet!”

Dhe s’di a është rastësi por edhe mjaft shkrime të kombistëve të rinj u vargisën sot pas atij të Shmittit. Por një intervistë e Dr. Alexandre Lambert që e kam parë në internet (e sipas Eshref Ymerit është bllokuar e nuk është publikuar në shumë medie të ashtuquajtura shqiptare) i kundërvihet shpifjeve e padrejtësive ndaj kombit shqiptar. Ja se çfarë thotë Lambert në një vend:

“Përballë tendencës së përgjithshme të shtypit dhe mediave të tjera ndërkombëtare, pjesërisht të ndikuara nga propaganda serbe dhe greke, si dhe nga gjithë ata që i mbështesin, duke folur keq për shqiptarët - dhe duke qenë se bashkësia ndërkombëtare bën pyetjen për të ardhmen e këtij populli në Evropën Juglindore, unë mendoj se është koha që të paraqitet ky popull në një mënyrë objektive, konstruktive, dhe pse jo edhe të drejtë. Më lejoni të ju them që në fillim se unë nuk mendoj se shqiptarët janë engjëj dhe popuj të tjerë duke përfshirë edhe serbët të jenë të tillë. Unë do të ju flas për faktin se me përhapjen e klisheve, këtyre ideve të rreme shumë herë të përsëritura me fyerje kundër shqiptarëve, askush nuk do mund t'u ndërrojë bindjen shqiptarëve për dinjitetin e tyre të shquar, as edhe për identitetin e tyre kombëtar, për të cilin ata kanë të drejtë të jenë krenar. Me fjalë të tjera, të flasësh qëllimisht keq për dikë dhe pa argumente tregon se kemi të bëjmë me një vogëlsi shpirtërore që mbulon me turp atë që shpif, sidomos kur nuk ia njeh, por edhe më keq kur ia mohon vlerat një populli. “

Dhe nuk është çudi se shpifje dhe mohim i vlerave po vazhdon e do të vazhdoj. Një gjë të tillë e bëri edhe njëri nga neonzistët e “Agimit të Artë” në një intervistë për Artur Zhejin. Ai i shprazi të gjithë fishekët e çmendurisë propagandistike duke thënë se e tërë Shqipëria është provincë e Greqisë. Derisa gjithë këto sulme, them se s’duhet t’i kemi edhe aq punët keq, veçse të mos flemë gjumë po të ecim përpara me punë, e me gjithë mangësitë që kemi duhet t’u japim përgjigje manipulimeve, shpifjeve, dredhive, dinakërive, krimeve, përçarjeve, synimeve për të na goditur, mposhtur, dobësuar, zhbërë…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora