E premte, 29.03.2024, 02:18 PM (GMT)

Mendime

Ali Podrimja: Aventura, shkaku i dinjitetit

E enjte, 01.05.2008, 06:05 PM


Nene Tereza
AVENTURA, SHKAKU I DINJITETIT

Nga Ali Podrimja

Historia e një libri

Ishte çështje kombëtare dhe do ishte e turpshme të tërhiqja. Ne shqiptarët kurrë nuk kishim vepruar në bazë të besimeve. Të gjithë kishim qenë tok ndaj të keqes. Tek e fundit Nëna Tereze ishte e të gjithëve. Nga Roma informimi ishte i shkurtër dhe i saktë. Qeveria maqedone e të ndjerit Trajkovski, me rastin e Lumnimit të Nënës Tereze, do e plasonte një libër në gjuhën maqedone dhe angleze: se kjo Nënë na qenka me origjinë maqedone. Dhe ky ishte një falsifikim tipik sllav. Mbi tavolinë kisha librin "Mësomë të dua", i cili sapo ishte botuar në gjuhën gjermane. Nga Lumnimi nuk na ndante as një muaj. Mund të përkthehej edhe në anglisht brenda një kohe të shkurtër, nuk mund ta besoja. Dëgjohem me Avni Spahiun, i cili në mes tjerash, më thotë se shumica e poezive dhe e uratave gjendeshin në gjuhën angleze. Duhej të përktheheshin vetëm ato që ishin të vonshme.

Ndërkohë, përgatitesha për në Tiranë. Dy botuesit, "Rozafa" nga Prishtina dhe "Arbëria" nga Tirana, kishin rënë në dakord të botonin antologjinë e parë për çamët "Eni vjen pej Çamërie", e cila ishte në fazën përfundimtare. Botohej me rastin e 60- vjetorit të dëbimit të çamëve nga trojet e tyre. Në Tiranë kisha lënë takimin edhe me poetin e mikun Visar Zhiti. Dëshiroja të di se a ekziston diç në papat për origjinën e Nënës Tereze, për të cilën aq shumë kishte zënë të përflitej në Ballkan. Visari kishte qenë ca vite si atashe kulture në ambasadën shqiptare në Romë dhe me siguri kishte njohuri për këtë. Më njofton se një tekst domethënës të Papa Gjon Palit II, kisha shqiptare në Tiranë e kishte lëshuar si thirrje. Teksti mjaftonte të shkonte dhe si parathënie. Ishte në tri gjuhë italisht, anglisht dhe shqip. Libri "Mësomë të dua" tani thuajse ishte i kompletuar. Me përkthyesin isha në kontakt dhe numëroja ditët deri te Lumnimi.

Pas tri javësh përkthyesi e kishte kryer punën e vet. Mbetej përgatitja dhe ana teknike e librit. Shpejt ikën dhe dy ditë e libri "Teach me to love" tashmë po shtypej. Nga gëzimi kisha zënë vend në një kafene ku takova rastësisht një mik, përkthyes i një gjenerali amerikan në Bondstill. I them se libri i poezive dhe uratave të Nënës Tereze në gjuhën angleze pritet të dalë së shpejti. Disa ekzemplarë kemi vendosur t'ua shpërndajmë konsullatave të huaja në Prishtinë, një kontigjent t'ua dhurojmë ushtarëve amerikanë në Bondstill, të cilët na u gjetën në kohën më të vështirë, ndërsa njëmijë ekzemplarë do t'i dërgojmë në Vatikan, me rastin e Lumnimit të Nënës Tereze, t'ua ndajmë burrështetasve, masmediave dhe ca t'ia lëmëbibliotekës së Vatikanit. Gjesti ynë e kishte habitur mikun, por kishte shtuar se për këtë duhet të kem një ekzemplar për ta shikuar gjenerali. Nga shtypshkronja na sollën dy ekzemplarë: një për gjeneralin dhe një për mikun. Me zyrtarët e Bondstillit pasi ishte konsultuar, miku ia kishte behur të nesërmen me dy ushtarakë dhe një xhip. Nuk mund të besonin ende për një dhuratë të çmuar nga një shtëpi e vogël botuese që kishte ndarë pesëqind ekzemplarë për ta. Thoshin se ishte diçka befasuese. Kurrkush nuk i kishte kujtuarmë parë nga Kosova ushtarët amerikanë. Zotërinjtë nga Bondstilli na kishin shprehur falënderime. Brenda dite libri ishte shpërndarë deri në kopjen e fundit.

Shkelnim në javën e fundit. Njëmijë ekzemplarët ishin paketuar për destinacion në Itali. Lumnimi i Nënës Tereze mbahej nga data 18 deri 21 tetor 2003. Më 18 tetor aeroplani me pelegrinët nga Kosova ishte ngritur nga Sllatina në drejtim të Romës. Mendoja për librat dhe ç'do të bënte qeveria e zotit Trajkovski, sapo të ketë një ekzemplar të librit tone, a do të skuqej nga fjalët e Papa Gjon Palit II, që fliste me admirim për "bijën e popullit shqiptar që i ka dhënë nder dhe shkëlqim kombit të saj…". Maqedonia ishte shtet e unë isha vetëm individ, që plasoja të vërtetën për Nënën Tereze.

Mirëpo, befasia ndodhi në aeroportin e Romës. Mezi kishim kaluar zonën e kontrollit. Shiriti transportues i bagazhit kishte filluar të sjellë plaçkat, por dhe pakot e derdhura me librat e Nënës Tereze. Nesër ajo nderohej nga tërë bota, po ç'kishte ndodhur ? Isha shtangur dhe nuk dija ç'të bëja me pakot e derdhura. Kisha marrë një libër dhe iu kisha drejtuar policisë: "Frikësoheni edhe nga Nëna Tereze?" Shefi i aeroportit i tëri i zverdhur, sapo kishte parë në ballinë fotografinë e asaj që tubonte një dynja njerëz nga tërë rruzulli, u kishte britur kolegëve. Imzot Mark Sopi, ish-ministri i kulturës së qeverisë së Kosovës, z. Behxhet Brajshori, ca gra të shtyra në moshë, disa policë dhe unë filluam t'i mbledhim librat. Shërbimi i kontrollit kushedi ç'kishte menduar se ka në ato pako, drogë apo diçka tjetër më të rrezikshme. Njëri nga pelegrinët kishin zënë të zgërdhiheshin tamam si Lepi Cane nga seria serbe "Muzikantët", kurse ca vraponin të dilnin sa më parë nga aeroporti, dëshironin të shënonin momentin historik në bllokun e prapanicës, njëkohësisht të mos u shihej as pasaporti i Serbisë. Se, më në fund, udha i kishte qitur edhe në Romë. Pas një ore librat ishin palosur në thasë të rinj dhe vendoseshin në autobusët që na bartnin në hotel. Tek udhëtonim mendoja se Nëna Tereze nuk më takonte vetëm mua. Unë kisha kryer një punë të ndershme për të mposhtur një falsifikim tipik sllav dhe për t'u treguar të tjerëve nga ishte Nënëmadhja. Kryeja, pra një punë atdhetare. Bindesha se njerëzit tanë kur ia mësyjnë botës, më tepër u intereson levërdia e xhepit se çështja nacionale . Mendoj kështu dhe tani. Mjafton të përqendrohesh në bisedat e paraqitjet e tyre në masmedia e të bindesh se kush na mbron nga e liga. Atdheun e konsiderojnë para dhe asgjë tjetër. Nuk më habit, pra nëpërkëmbja jonë edhe nga ata që nuk kanë identitet ende. Ështe tmerruese kjo.

Më 19 tetor pelegrinët nga Kosova gjendeshin në rendin e pare, meqë vinin nga vendlindja e Nënës Tereze. Papa Gjon Pali II, i cili do e mbante meshën për Lumnimin e të Shenjtës sonë, nuk ishte as dhjetë metra larg nesh. Masmediat gumëzhinin në sheshin e madh të Vatikanit, ku ishin tubuar afër një milion njerëz. Atje në fund ishte shpalosur skaj më skaj një flamur shqiptar. Nga stacionet e huaja televizive e sidomos nga CNN nuk hiqej kopertina e librit "Teach me to love" e Nënës Tereze, të cilin tanimë e kishin të gjithë burrështetasit e masmediat. Një i kishës sonë po ashtu kishte arritur t'ia dorëzojë dy ekzemplarë dhe Papës Gjon Palit II.

Personi që më kishte informuar nga Roma për dredhinë maqedone, më kishte gjetur në mesin e pelegrinëve dhe më kishte thënë: falsifikatorët e tërhoqën librin, e kishin lexuar se ç'thoshte Papa për bamirësen tonë. Ky ishte fundi i një ëndrre sllave.Nuk besoj se kishte njeri më të lumtur se unë atë moment. Kisha kryer një punë të vogël për një çështje të madhe. Nga muri i lartë i Katedrales së Shën Pjetrit vazhdonte të buzëqeshte Nëna Tereze. Ishte zbrazur dikur sheshi i pafund i Vatikanit, ku fitues ishte populli im që kurrë nuk u nda sipas besimeve. Dikur vonë isha larguar nga aty. Në ekranet televizive vazhdonte filmi për jetën e Nënës Tereze.

Me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skenderbeut në Cyrih, gjendesha prapë me Imzot Mark Sopin dhe kryesinë e kishës sonë (nëntor 2005). Biseda kishte filluar aty ku e kishim lënë në Romë. Mesha e së dielës është mirë të fillojë në kishën tonë me uratën e Nënës Tereze, të cilën e thotë vetë ajo dhe është e inçizuar. Kjo ide imja i kishte habitur zotërinjtë, që kishin filluar të shikojnë njëri-tjetrin, tek ua ofroja tekstin. Dukesha para tyre një diktator ndoshta, por unë mendoja se fillimi i meshës së të dielës me uratën e Nënës Tereze nderon kishën tonë dhe ne si popull.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora