E premte, 19.04.2024, 06:52 PM (GMT+1)

Faleminderit

Tefik Selimi: Alush Canaj - Poeti që u vra nga UDB-a...

E marte, 29.01.2013, 07:00 PM


Poeti që u vra nga UDB-a...

Nga Tefik Selimi

Na ishte njëherë një poet gjilanas. Poet i ri që iku para kohe. Para kohe na iku. Ai sapo filloi të shkruajë vjersha e tregime. Ishte i tëri poet. I tëri krijues i artit letrar. Ishte  poeti Alush Canaj. Një djalosh i jo i hajthëm, por mesatar dhe shumë tërheqës. Ato flokë kaqurrel të lënin përshtyjen e portretit të  Bajronit, poet anglez. Jo! Ky na ishte një poet shqiptar. Alush Canaj ishte i lindur më 24 gusht të vitit 1952 në fshatin Koretin të Kamenicës, Dardana sot. Në vitin 1956, në kohën e terorit serb, në aksionin e famshëm të armëve e të shpërngules së shqiptarëve për në Turqi, familja e tij vendosej në Gjilan. Alush Canaj, shkollën fillore e kreu në “Musa Zajmi” të këtij qyteti. Më vonë ai regjistrohet në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit. Si nxënës i fillores u dallua për talentin e tij të jashtëzakonshëm në artin letrar. Thonë se, në Gjimnazin e Gjilanit ishte katër vjet kryetar i Rinisë shkollore. Pse jo? E donin shokët, por e deshën edhe profesorët. Ai ishte një organizator i madh i orëve letrare në shkollë. Në këto orë arti tubonte rreth vetes shumë të ri shkollarë artdashës. Zëri tij adhurohej nga të gjithë. Ishte i ëmbël. Fjala e tij ishte e artë dhe me peshë. I urtë, afrues, por edhe komunikues e temperament. I paimponueshëm. Në vete ngërthente një atdhedashuri të madhe. Kur fliste për Arbërinë e trimin Skënderbeun, zemra i bëhej mal. Për këto tema, ai shpesh i përjetësonte në vargje, të cilat krijime i janë botuar në veprën e tij “Vals veror” (1992). Por, ishin kohë të “tjera”. Kohë të rënda për poetin dhe krijuesit tjerë. E, Alush Canaj jetoi nën presionin e UDB-së. Nuk e lënin të qetë. Ky ishte poet i zjarrtë, por i zgjimeve dhe i revoltës. Poet rebelues. Të “tjerët” e  përcillnin hap pas hapi. Pse jo? U bie në sy se ishte shkollari më i mirë prej më të mirëve. Alushi ishte një vullkan i pashuar. Poezitë e  tij ishin bërë halë në sy armikut. Ato, sa urreheshin nga armiqtë, aq më tepër lexoheshin nga miqtë. Alush Canaj pati një shpirt të trazuar krijuesi. I përngjante fort Migjenit, poetit të zgjimit rinor. Nga ky orientim, ai shpesh u ftua nëpër biseda informative nga lakejtë e UDB-së. Atë kohë, pas kryerjes së gjimnazit, ai regjistrohet në Fakkultetin e Shkencave Politike në Beograd. Por, nuk mundi ta durojë atë jetë urrejtëse ndaj shqiptarëve. Andaj, deri sa ishte në Beograd, u shkruante shokëve letra dhe u tregonte për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve. Qytetin Beogradin quante qytet i zi, sepse të gjitha të zezat e jetës ishin për shqiptarët e Kosovës. Në një letër të tij, e cila lexohej dorë më dorë nëpër orët mësimore të gjimnazit, shtonte: “Këtu vëllezërit tanë janë të përbuzur tejmase. Ata  bajnë valigje nëpër stacionin e autobusve, por i sheh edhe duke larë rrugët në mëngjezet e hershme të këtij qyteti vetëm e vetëm për të fituar një kafshafë të gojës. Në këtë qytet të “Bardhë” shtypen qytetarët vetëm se janë shqiptarë me plisa të bardhë”. Në letër shton se, “ka ardhur koha për ta shtërnguar grushtin e fortë, atë grusht si të Migjenit...” Letra e tij bie në dorë organve të sigurimit. Tash, poeti e pëson rëndë. Dhe, nuk kaloi shumë kohë, ate e etiketuan dhe e shënuan në fletoren e zezë. Atje shkoi sa për të marrë frymëmarrjen e atij ambienti urrejtës ndaj shqiptarëve. Nuk qëndroi shumë kohë dhe kthehet e regjistrohet në Fakultetin Filologjik në Prishtinë. Edhe sot na përcjell hija e tij me atë buzëqeshje të përhershme. Ishte një djalosh simpatik e shumë kurreshtar. Kujtesa për te nuk zbehet dot. Edhe ato pak kohë, që e kemi njohur, ishin nëpër orët letrare që mbaheshin në Gjimnazin e Gjilanit. I lexonte veprat letrare, sidomos e pati pasion poezinë. Alushi Canaj, vjershën e parë e botoi në Rilindja për fëmijë më 1965. Ishte mosha e tij 13-vjeçare. Por, edhe në mësime, ai ishte shembullor. Një fenomen i rrallë i shkollarit. Ia kishin lakmi shokët e shkollës. Ishte djalosh fjalë pak. Isuf Jakupi, profesor, thotë se, Alushin e kam njohur qysh nga mosha e hershme e  fëmijërisë. E njoh nga klasa e pestë e arsimit fillor. “Unë atë kohë erdha nga  Livoçi i Epërm dhe pata fatin të takohem në klasë me këtë personalitet të rrallë. Po, e dij se, Alushi ishte më i veçuar nga të gjithë ne. Ishte i veçuar jo vetëm në fushën e dije e shkencës, por ai ishte i veçuar në fushën e artit poetik. Por, mbi të gjitha ai ishte krijues me talent. E dyta, ai shkuante bukur. Shkrimi i tij ishte një madhështi e rrallë e shkrimit”. Edhe Rafet Bajrami, arsimtari i tij i gjuhës shqipe, shton: “Alush Canaj ishte një figurë e rrallë e artit letrar. Ate shpejt e zbulova se kishte talent të veçantë. Kur një ditë bëra hartim, aty vërejta një hartim të rrallë të të shkruarit. Ishte hartim i shkëlqyeshëm. Kur ua solla hartimet në klasë, e  ftoj Alushi, poetin e ri, ta  rilexojë hartimin e tij. E lexoi. U mahnitëm nga ai hartim artistik me plot simbole fjalësh. Ia thashë këto fjalë: “Të lumtë, djalosh!” Aty e shihja një poet shumë simpatik dhe tejet i zgjuar. I lindur nga nga natyra poet. Ishin ato krijime të  tija plot figura fjalësh, por edhe plot figura mendimesh. Aty, në orë letrare lexonte Shefik Shkodra, Mehmetali Rexhepi, por ka lexuar Haxhi Vokshi e Beqir Musliu. Autori i këtyre radhëve ishte shkollar në një shkollë tjetër. Ato ditë kur Alush Canaj vdiq me 15 shkurt (1972), e shkroi dhe e botoi poezinë “Filizi i këputur” në “Zëri të rinisë”, më 4 mars të vitit 1972. Ja si tingëllojnë vargjet: “Një filiz s’është më ndër ne/ që ëndërronte aq bukur në art/ jeta e tij me shumë kujtime – tani fle/ Për këngët e kënduara me gjuhën e zjarrtë”. Ai shkoi, por dhembja për te, mbeti e  madhe, e rëndë. Pse jo? Fjalori i tij poetik vlonte nga dashuria për Abërinë (Shqipërinë). Ishin vite 1968. Vite të rënda për shqiptarët. Ai ishte lexues i pasionuar i shumë revistave. U regjistrua në Fakultetin Filozofik, dega e Allbanologjisë. Vijonte studimet, por edhe shkruante. Shkruante nëpër disa revista që dilnin në Kosovë e Maqedoni, si janë: “Pionieri”, gazeta “Rilindja për fëmijë”, “Fatosi”, “Gëzimi”, “Flaka e vëllazërimit”, “Zëri i rinisë” e të tjera. Vëllau i tij, Avdush Canaj, pas vdekjes, në vitin 1992, ia përgaditi dhe ia botoi veprën “Vals veror”, botues “Zëri” Prishtinë 1992.  Vepër kjo me poezi dhe me disa tregime. Ajo që dallohej  e  veçohej tek ai, ishte  talenti i parakoshëm. Ky talent i tij dukej një prirje e jashtëzakonshme, ku konceptohej me veprat e disa autorëve të shquar të letërsisë shqipe. AlushCanaj shkruante bukur, sa ato xixa letrare ishin të barasvlerëshme me artin e Migjenit. Ai, si i ri, e përjetoi “gjendjen” e rëndë të jetës së shqiptarëve në Beograd, apo si e quanti ai qytet i “zi”. Në artin e tij artikuloheshin ato cicërrima urrejtëse dhe plot neveri ndaj politikës shoviniste serbe, e cila, edhe atë kohë i shtypte shqiptarët pa masë kudo që jetonin. E urrente këtë padrejtësi njerëzore. Kur ishte në bangat e gjimnazit, Alush Canaj shkroi dy letra, në të cilat shihej përmbajtja e tyre prej prej atdhetari të etshëm për liri të popullit shqiptar. Letrat u ranë në dorë shokëve të tij dhe ato u lexuan mësheftas. Por, njëra prej letave u bie në dorë organeve të sigurimit ose UDB-së, ku e zbulojnë poetin atdhetar duke shfaqur atë grusht të fortë kundër  tyre. Sa e sa herë  UDB-a e fton në biseda informative. E marrin dhe e torturojnë. Torturat ndaj tij ishin të rënda dhe  poetit të ri gjilanas ia rëndojnë jetën normale. Andaj, ai psiqikisht e ndjen vetën të lodhur nga këto kërcnime të rënda që i bëhen ndaj tij dhe një ditë prej ditëve ai e mbyll jetën duke pirë helm. Kjo ishte një vrasje e dhimbshme e poetit gjilanas, i cili sa filloi të lulëzojë në mëngjezet e hershme të Kosovës së robëruar. Ai shumë shpejt u bë i njohur si poet. Atë kohë, Rifat Kukaj, shkrimtar, tash i ndjerë, pati shtuar se, poezitë e Alushit do të duhej  të gjenin vend për botim. Edhe Hajro Ulqinaku, poet, Haxhi Vokshit, krijues, i pat porositur duke i thënë: “Mos e lë pa ardhur në Ferizaj pa Alushin”. Ai e donte  Alushin, poetin e ri revolucionar gjilanas. Alush Canaj ishte figurë e rrallë e artit letrar për fëmijë. Shkoi në kohën e re për të mos u kthyer më. Pra, poeti që u vra nga UDB-a në vitin 1972, ende pa i mbushur 20 pranvera të plota. Ai atë kohë i  kishte 19 vjet e 6 muaj e 4 ditë. Ishte zë i veçantë në letërsinë shqipe.



(Vota: 21 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora