Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Një në dhjetë meshkuj përdor stimulantë seksualë

| E enjte, 07.04.2005, 01:51 PM |


Andrologët: Arsyet, stresi dhe kurioziteti. Të përdoret mbi 45 vjeç

Një mashkull shqiptar në dhjetë është përdorues i stimulantëve seksualë. Shifrat e larta deklarohen nga mjekët andrologë, të cilët pohojnë se arsyet kryesore lidhen me stresin.

Shqetësues është fakti se moshat e reja kanë filluar të përdorin stimulantë të shtyrë nga dëshira për ta provuar. Andrologët rekomadojnë përdorimin e tyre në moshën 45-vjeçare. Kjo pasi, sipas mjekëve, duke qenë të pakontrolluara, ato përveçse nuk kryejnë funksionin e duhur japin edhe efekte anësore te meshkujt.

STIMULANTËT DHE RREZIQET
Andrologët thonë se, mbi moshën 40-vjeçare, 25 për qind e meshkujve bëhen impotentë, mbi moshën 50 -vjeçare bëhen 50 për qind e tyre dhe në moshën 70-vjeçare mbaron aktiviteti seksual. Por, ata sqarojnë se impotenca është një fenomen i zakonshëm. “Impotenca fillon të shfaqet në moshën 40-vjeçare. 25 për qind e meshkujve në këtë moshë nisin të bëhen impotentë. Ndërsa me kalimin e viteve, në moshën 50-vjeçare, rreth 50 për qind e meshkujve janë impotentë. Ky fenomen vazhdon të shtohet, edhe në moshën 60 -vjeçare edhe në moshën 70-vjeçare, atëherë kur shuhet aktiviteti seksual”, shpjegojnë mjekët andronologë. Viagra këshillohet që të përdoret nën moshën 65-vjeçare. Sipas mjekëve, doza më e përdorur aktualisht është ajo 25 gramë. Ky medikament stimulues këshillohet të pihet gjysmë ore ose një orë para aktit seksual, por asnjëherë 12 orë më parë.

Keshilla
Bari nuk u këshillohet për përdorim atyre që vuajnë dhe kanë probleme kronike nga zemra, tensioni i lartë, aritmia, apo nëse kanë hasur probleme të këtij lloji, për periudhën e 6 muajve të fundit. “Medikamentet, të cilat vijnë në rrugë kontrabandë janë të pasigurta dhe nuk japin efektin e dëshiruar. Madje, përkundrazi mund të krijojnë efekte anësore të padëshiruara që dëmtojnë shëndetin e përdoruesve. Një viagër e pakontrolluar, e pasigurtë i ka 10-30 fish efektet anësore të dëmit”, thonë andrologët. Sipas studimeve të kryera, cialis, jep më pak efekte anësore, madje përmirëson qarkullimin periferik të gjakut në zemër. Ky bar nuk këshillohet për ata që vuajnë nga zemra, tensioni i lartë, aritmia. Viagra, sipas mjekëve, duhet të pihet gjysmë ore ose një orë para aktit seksual dhe asnjëherë 12 orë më parë. Ky medikament është aprovuar më 27 mars të vitit 1998 dhe që nga ajo kohë vazhdon të tregtohet në “treg të zi”. Shqiptarët që kanë nevojë për stimulantë në një moshë të caktuar, mbase edhe të ndikuar nga mentaliteti ende e blejnë nën dorë.

70 për qind e stimulantëve, kontrabandë
Rreth 70 për qind e stimulantëve futen në rrugë ilegale në Shqipëri. Një nga këto është edhe viagra, bari trajtues për impotencën e meshkujve që shitet rëndom në farmacitë shqiptare. Grosistët pohojnë se në fakt ai hyn në rrugë të jashtëligjshme dhe shitet poshtë banakut. Akoma edhe sot e kësaj dite, ky bar nuk është futur në listën e barnave të regjistruara për të hyrë nga dogana shqiptare. Kjo do të thotë që ligjërisht ilaçi kundër impotencës së meshkujve nuk lejohet të hyjë në vend. Grosistët thonë se ajo hyn kontrabandë, kryesisht nga shteti fqinj Greqia, sikurse shumë barna të tjera në Shqipëri. Ata thonë se kjo nuk ka të bëjë me moslejimin e futjes për ndonjë arsye të veçantë, por thjesht sepse kompania që e prodhon, e cila quhet “Pfizer Inc”, nuk ka asnjë zyrë përfaqësimi, apo filial shpërndarjeje në Shqipëri. Ndërkaq, sipas mjekëve në vendin tonë, qarkullojnë tre lloje stimulantësh, viagra, cialis dhe levitra.
Panorama