Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Shala: Intervistë ekskluzive me poetin Muhamet Luma

| E diele, 27.01.2013, 12:23 PM |


Intervistë me poetin e ri Muhamet Luma

'POEZINE E KAM PASUR DHE E KAM PREHJE TE SHPIRTIT."

Ekskluzive nga Albert Shala, Gjakove

Përshëndetje Muhamet, jeni një emer i panjohur për publikun, disa fjale per "Zemra Shqiptare" dhe jetën tuaj.

Ndjehem i nderuar nga ana juaj që kam nderin të jem i intervistuar. Unë kam lindur në Glloboqicë të Kaçanikut para 37 viteve, shkollimin fillor e kam mbaruar në vendlindje ndërsa shkollimin  e mesëm e kam filluar në Gjimnazin "Skënderbeu" në Kacanik dhe e kam përfunduar në gjimnazin e Tetovës.

Që nga viti 1993 jetoj dhe punoj ne Gjermani.

Kur keni filluar të merreni me shkrime (poezi)?

Me poezi kam filluar të merrem qysh herët në bankat e shkollës ku edhe janë botuar poezitë e para në revistat e shkollës e revistat e atëhershme për fëmijë.

Poezinë e kam pasur dhe e kam prehje të shpirtit, thjeshtë kam shkruar herë pas here edhe këto 17-18 vitet që jam në mërgim, por nuk kam menduar që poezite e mia kanë ndonje vlerë, thjeshtë ishin mendimet e mia që i shfaqja në letër, që i shkruaja natën dhe i asgjësoja ditën dhe për këtë me vjen keq. Ka një vit që kam filluar t'i publikoj poezitë e mia.

D.m.th. nuk i keni ruajtur shkrimet e 17-18 vjeteve të fundit?

Fatkeqësisht jo dhe e thashë më lartë se për këtë më vjen keq. Ka shpëtuar vetëm ndonjë që rastësisht e kam shkruar në ndonjë kapak të librave që isha duke i lexuar në momentin që i kam shkruar.

Ku janë botuar poezitë tuaja?

Poezia e parë që është botuar pas 19 viteve ishte poezia " Rrugëve të përjetësisë" kushtuar poetit te madh Ali Podrimja, e cila u botua në "Antologjia e dhembjes poetike" ku shfrytëzoj rastin t'i përshendes gjithë ata që vlerësuan këtë poezi dhe në veçanti z. Naim Kelmendi, dhe një poezi kushtuar poetit dhe martirit të flamurit Fajzli Grajqevcit që u botua në " Një shekull dritë" një përmbledhje poezish nga 100 poet që jetojnë në diasporë dhe që u botua për jubileun e 100 vjetorit të pavarësisë me iniciativë të LSHAKSH- të Gjermanisë, gjegjësisht kryetarit të saj z. Hasan Qyqalla.

Jeni shumë i mirëpritur në FB si poet nga ku edhe pata rastin të njoftohem me shkrimet tuaja, a mendoni se mjafton kjo?

Unë thashë më parë që poezinë e kam prehje shpirti dhe komunikim me letër në caste dhe momente të ndryshme jetësore.

Nuk kam menduar se do të mirëpritet kaq mirë nga krijues dhe artëdashes. Por duke pasë parasysh tërë interesimin e lexuesve kam vendosur të botoj një përmbledhje për adhuruesit e poezisë sime.

Çfarë temash do të ketë libri juaj.

Do të ketë poezi me të gjitha temat duke filluar nga poezitë lirike të dashurisë, malli për Atdhe etj.

A mendoni se përkrahen poetët e rinjë?

Që të jem i sinqertë nuk jam i kyqur në rrjedha sa duhet...por nga ajo që kam verejtur dhe kam lexuar jam i mendimit se jo.

Cilët janë poetet tuaj të preferuar?

Po ju thashë edhe më lartë që ka pasë vite që nuk kam qenë në rrjedha dhe nuk njoh shumë poetë të rinjë... Janë poetët që kam lexuar në rini Ali Podrimja, Azem Shkreli, Ismail Kadare etj.

Në fund nga Zemra Shqiptare ju urojmë suksese në jetë dhe krijimtari. Çfarë do të thonit për fund...

Ndjehem i nderuar nga ana juaj për kohën dhe interesin që treguat. Pasi që ka vite që jetoj në mergim dhe ndoshta kjo është arsyeja që disa gjëra e dukuri në Atdhe i shoh nga një prizem tjetër mund te adresoj vetëm një urim, të cmohen më shumë vlerat dhe këtë me shumë sinqeritet në çdo rrjedhë e lëmi të jetës.

 

_________

Poezi nga Muhamet Luma

FLIJIM

Dua te burgosem ne qerpikun tend
Hale dashurie ne syte e tu prore
Perjetshem t´flas me lotin ne gjuhen e heshtjes
Ne ate ishull te bukur te drites hyjnore.

GJAKIM

E gjate,
E gjate eshte kjo nate dimri sikur s´ka te sosur
Malli si gjilpere ne shpirt ben tatuazh
Tatuazh ne zemer qindra here nje emer
Mbi flaken e kandilit portreti yt mirazh

Jemi bere te dy si paralele te hekurta
I ngjajm nje hekurudhe te gjate te pafund
Si dy brigje lumi karshi njeri-tjetrit
Na lage i njejti uje e s´takohemi askund

Dua,
Dua te marr per dore rrugeve te Kordobes
N´Alhambra te ngjitemi si zogj ne fluturim
Nen tingujt e kitares te ma luash flamengon
Per nje nate te vetme, vec per shpirtin tim

DHURATE JERUSALEMIT

Nje copez shkembi
Te Grykes se Kacanikut
E solla ne token tende
Jerusalem shenjteri e roberuar.
Je ngopur me hajmalite
E djajve pa brire
Dhe lotet e mallkimit
Te muri i vajeve.
Andaj ne vend te lotit
Te solla nje copez shkembi
Simbol paqe dhe kujtim trimerie
Dhurate nga toka e sapo cliruar
E nje Jerusalemi tjeter.

KOZMOGRAFI

Te kam thene shpesh...
Ti me thua " s´je ne toke"
Dhe une prape te them se ka miliarda yje
Ne gjithesine e pafund ka edhe planete
Ku te deh bukuria dheu ka ngjyre te bardhe
Shpirterat atje ushqehen nga dashuria
Nje ze me thote shpesh nga atje keni ardhe...!
Valle c´mekat beme ne te dy e dashur
Qe na internuan ne kete planet te vjeter
Te kam thene, te them, nje ze me thot shpesh:
Toka eshte burgu i nje planeti

VARGJE ME NGJYRE MALLI

Tashme nata heshtur qete e puth qytetin
Hena e ngasheryer leshon drite te muget
Yjet si te dehur dremiten n´lartesi
Nen driten e fanareve ngadale vdesin rruget

Asnje lajm e asnje fjale, asnje pershendetje
Gumezhima e ndonje makine thyen qetesine a varrit
Ti diku e strukur pas mureve te mosguximit
Une ngjyej penen e shpreses ne ngjyren e mallit

DISA NGA NJEQIND PYETJE

Sa yje shprese ka ndezur qielli yt ne kete nate?
Deti te perkund ne vale endrrash apo ka shtrengate?
Zjarri i gjakimit te ngrohe apo te djeg?
Ne prangat e pamundesise sa deshira mbeten peng?
Sa here u perpelite si nje zogez me krah te thyer?
Sa melodi te pakopmozuara ne pentagramin e shkyer?
C´portet te shfaqet sonte kudo fatamorgane?
C´drejtim kane rruget ne kete nate te vone?
Sa monolge zhvillove sonte me Perendine?
Valle athua sa here e mallkove largesine?!