E premte, 29.03.2024, 02:28 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Anatomia e dashurisë

E shtune, 26.01.2013, 06:01 PM


ANATOMIA E DASHURISË  NË VARGJET E NJË LIBRI ME LIRIKA

Nga Pëllumb Gorica

Poetin e metaforës së fuqishme, elbasanlliun Milanov Kallupi, e kam lexuar që herët, në moshë shkollore. Ishte aty nga fundi i viteve shtatdhjetë, kur ai shkroi poemën e bukur “Shmili im, tokë e kuqe” dhe mua më ka mbetur në mendje ai krijim i Milianovit. Jo për faktin e përdorimit të metaforës e të simbolit, për fuqinë shprehëse të vargut, se këto dihen, se janë në stilin e poetit, por për diçka tjetër. Për një gërshetim të bukur e shkrirje të natyrshme të traditave, historisë, shpirtit liridashës të shqiptarit me aktualitetin modern të kohës.

Pavarsisht se vëllimin e tij me lirika e titullon “Bohem”, Milanovi nuk bëri kurrë një jetë bohemi, por e kërkoi të bukurën dhe të mirën kudo. Luftoi dhe sakrifikoi me dinjtet për të dhe e përvetsoi artistikisht, duke i bërë ato pjesë të shpirtit dhe të mendimeve të tij. Në poezitë e tij rrjedh shqetsimi i ndershëm i intelektualit dhe qytetarit të këtij vendi, shqetsim që shtrihet që nga kozmosi e burrat e shtetit e gjer tek njerëzit e thjeshtë e fijet e barit.

Vëllimi “Bohem” ndahet në katër cikle me tituj metaforikë si “Sikur bota të kish veç  Hemera “ Floriri i shpirtit” “Trillet e erës” dhe “Kurora prej Lari”, të cilat i bashkon në një të vetme mesazhi se njeriu duhet ta jetojë jetën, me gjithë trillet dhe dinakëritë e saj, me gëzimet dhe lumturinë njerëzore , duke lënë në këtë jetë gjurmët e tij prej humanisti e artisti.

Qenia e poetit është e shkrirë në gjithë natyrën e ambientin ku jeton ,  në të cilin  mendon e merr frymë për gjithcka ,në të cilin  i jep jetë jetës , ku merakoset për dritën dhe të atdhmen, të dashurën dhe shpresën, duke luftuar me shpirt e vargje arrësirën: Yjet i mbledh të gjithë nëpër  duar /të ndez, të prushuroj trupin tënd o natë !

Poetit i vjen keq për çka nuk ka mundur të realizojë,  ndaj mban ndezur shpresën,  E mpreh vargun e tij plot metaforë të ndez me zjarr malli poetët, që të glorifikojnë cdo gjë të bukur e të mirë, përpiqet të ruajë ekulibrin e shekullit dhe të arrijë të zbusë sado pak dhëmbjen e kësaj bote me zërin e tij brilant:Ku-ku ti qaj. Për ty mëshirë! /ndjej sonte unë që zgjuar rri /brengën  që ke,  oh kam dëshirë /ta  shkul    heshtje me poezi.

Poeti është i ndërgjegjshëm për praninë në këtë botë të trazuar edhe të  të mirit edhe të  të ligut,  për të janë në lëvizje edhe Hemerat edhe Erebitë, edhe Hiret edhe Eriset, por ai kërkon të gjejë shpirtmadhësinë e njeriut, frymëzimin  e poetit, që të mos endet kurrë në boshllëk e të mos cënohet kurrë dashuria dhe mirësia, drita dhe bamirësia. Ai ëndërron një ditë të bardhë pa Eris, ndaj shkruan:  Ja që ka  dhe në botë  Eris /aq Eris sa  mos  flerë në Olimp / të gjithë letrat edashurisë i gris /dhe grindja i sëmbon thellë në shpirt/ A do të vijë ajo ditë që pa Eris /ta kërkojmë ne botën përjetë/ A do rritet njeriu i lire/ Dhe zemrën sa qielli ta ketë “

Këta janë thjeshtë retorika që poeti kërkon të nxjerrë nga të kundërtat e realitetit , se ai realisht është optimist se patjetër bota kështu do të jetë, e bukur, pa sherre, pa grindje , pa shpifje .Ai gërmon në honet e  lashtësisë e mitologjisë dhe  çmitizon të mitizuarën , bisedon me figura fantastike e mbretër kapriçiozë dhe këmbëngul që prej tyre të nxjerrë vetëm mezazhe paqeje, dhe dritë  zemërbardhësie dhe mirëkuptimi, jo për ta arratisur njeriun në botën e parajsës, por për të ruajtur ekuilibret e këtij shekulli kryeneç.

Mbreti Amfion, Niobën me shtatë vajza e shtatë djem, Dionisi, Laokonti që e mbysin gjarpërinjtë e pabesisë, Agamemnoni e Klorida, të gjithë  këto qenie mitologjike ,poeti i zbret në sofrën e poezisë dhe u jep gjak të pastër njerëzor , për  t’u dhënë të gjithëve  mesazhin e madh, se bota mund të bëhet e të eci përpara  vetëm nga njerëzit e mirë e plot shpresa.

Metafora dhe simboli, krahasimi dhe hiperbola   janë në funksion të përcjelljes së mesazheve të mirëkuptimit dhe dashurisë, të besës dhe rindërtimit, dhe të bëjnë  të jetosh çdo grimcë të kësaj jete  dhe të krenohesh me një poet si Milanovi. Poeti shqetsohet për gjithçka, e sikur shkul damarë zemre, kur shkruan i prekur thellë nga eksodi , nga  një copë atdheu që ikën: Bregu qan porsi vajtojca/flokët shkul e ulërin/Po më turren gjithë kockat/Edhe trupi po më ngrin./Breg o breg, o det i zi/rrudhesh mplakesh për hata/ o unë krejt ty do të pi/ o fund jeta këtu ka.

Nuk ka si të mos jetë i pranishëm në vargjet e poetit, këngëtari i madh elbasanas, Isuf Myzyri  që e shkriu jetën e tij si ashik i këngës së bukur popullore: E bridhka e qetë  sot zemra /përtej … e në dheun e nënës /veç portën të hapur e mbake /Nuk mehet kjo sofër e këngës.

Thelbi i gjithë mesazhit të librit është poezia “shpirti i mikut “ me të cilën aludohet për jetë bohemi, gjë që ka sintetizuar edhe titullin e librit: Një raki një gotë verë/ me ca njerëz krejt të dlirë  /të kujton se ndonjëherë / shpirti bëhet zog i lire.

E veçanta është ,se poetit i pëlqen mënyra e brishtë  se si e ka ndërtuar jetën e tij secili në këtë botë, poetesha e lashtësisë Safoja dhe Lasgushi i madh, këngëtari e kurbetliu, zogu e flutura,  e poetët e çdo stili i kanë kënduar me mënyrën e tyre këtij vorbulli të madh që quhet jetë dhe që ka të pranishëm edhe arixhofkën edhe të papunin edhe lypsin edhe zonjën me qen, edhe servilin  edhe spiunin, edhe i afti edhe i drejti , ku  secili e koncepton jetën dhe e shijon atë   ashtu siç i pëlqen dhe siç e mendon: Jam lart e poshtë visoresh të pafundme/ jam ajër zog nën diejt e  nën retë jam gjeth gjethnajash,/ hijesh krejt të murrme/ Përmbi shëmtitë jam ëngjëll me dy fletë.

Ndaj ai e vlerëson dashurinë si më të madhërishmen, kur e krahason të dashurën e zemrës me hyjnitë e magjistricat e legjendave: Ti më je Venera Afërdita / Ti më je Driadë ja  çmë je/ Asnjëherë sytë nuk ti shqita/Të marrosur pas gjithmonë më pe.

Dashurinë ai e do konkrete të prekshme, të nxisë botën për përtëritje, ndaj zbret nga qielli  Nimfa e Najada, shtojzovalle e  Afërdita dhe dëshiron  ta kthejë vargun  burim që rrjedh dashuri, se dashuria për poetin është themeli i ripërtëritjes së botës. Ai pasi i ka kërkuar të gjitha qeniet e figurat mitologjike për të krahasuar bukurinë e vajzave , menjëherë i largon ato nga vargu, se mbizotërues bëhet bukuria e vajzave që jetojnë përreth poetit: Ç’duhen nimfat e ujit e çduhen/ në u dashtë të mbytesh diku/ më mirë mbytesh në sytë e vajzave/ që ecin shpenguar rrugëve këtu.

Dashurinë poeti e cilëson flori të shpirtit, duke bërë një sintetizim shumë domethënës. Ai rrok parametrat që ka një dashuri  e vërtetë dhe duke qenë marathonomak këmbëgjakur i saj , e bën  atë të matshme e të prekshme: Syri, yt e dogji diellin/ piu lumin,thau detin.

Dhe të arrish dashurinë e vërtetë , duhet mund e djersë, duhet ndershmëri e  zemërkthjelltësi, se sipas poetit “duhen 100 shkallë gjembash  mes dhëmbjeve e mundimeve që të arrish tek dashuria e vërtetë.”

Poeti ka një merak që është dëshira e tij e zjarrtë për ta opoetizuar jetën deri në qelizat e saj kur shkruan në vjershën “porosi”: Si deng hidhëmëni

Në zbrazëtirën e varrit/Nëse s’jam përgjëruar /Dhe për fijen e barit…

Milianov Kallupi mbetet poet i të gjithëve. I tokës e i qiellit, lumenjëve dhe detit, i barit, e i luleve, i luftës dhe i djersës.



(Vota: 19 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora