E enjte, 25.04.2024, 06:03 AM (GMT+1)

Editorial

Gjergj Xexo: Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit (2)

E merkure, 30.04.2008, 06:57 PM


Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit (2).

 

Parahistoria dhe « indoevropianët ».

 

Nga Gjergj Xexo

 

Përpara se të bëjmë edhe një hap të vetëm në trojet e lashta parahistorike, le të përcaktojmë që në fillim si kufi të sipërm njerëzit e shpellave. Është e sigurtë se në qoftë se do të aventurohemi më përpara në kohë, do të ndeshim me hominiden Luçie (Lucy) të Ethiopisë, përfaqsuesen më tê shquar të familjes së primatëve – më saktësisht të Australopitekëve. Fundja, duhet t’i vemë fre vehtes, pasi me këtë vrull do të përfundojmë tek amiba protozoare e oqeanit primar.

 

Pa asnjë dyshim, banorët primitivë të hapësirës së sotme shqiptare si dhe popullsia protohistorike e këtyre territoreve ishte po ajo e vendeve të tjera fqinje ose të pellgut të Mesdheut : popullsi të shpërndara të tipit neandertale - banorë të shpellave - që kishin ditur të zhvillonin industri të formës musteriane. Ata zhduken nga fundi i paleolitit të mesëm (40.000 – 35.000 vjet p.e.s) për arsye që ende nuk njihen mirë, për t’u zëvendësuar nga njerëzit e Kromanjonit (sipas shembullit të Orinjacienëve dhe të Magdalenianëve pa harruar që 15.000 vjet ndajnë të parët nga të dytët).

 

Njerëzit e paleolitit të lartë janë gjuetarë të shkathët dhe peshkatarë të zotë, që dinë të shfrytëzojnë veglat e strrallit të gëdhendura mirë si edhe bririn apo kockën e drerit. Sipas mendimit të përgjithshëm, jeta paqësore prej gjuetari – mbledhësish frutash e këtyre aborigjenëve të epokës së gurit të ri (neolitit) u ndërpre nga shtrirja graduale e popullatave të reja bujqish dhe rritësish kafshësh rreth viteve 6.000 – 5.500 vjet p.e.s. Këta të fundit, nëpërmjet shkeljes përsipër, përzierjes, përthithjes për të mos thënë asgjësimit të aborigjenëve, u imponuan në një zonë mjaft të gjerë gjeografike. Mendohet se kjo zonë fillimisht kufizohej në Ballkan dhe në rajonet fqinje danubiane, përpara se të përhapej mbi gjithë kontinentin evropian ose dhe më tej. Lidhur me bujqit–kafshërritës tanë neolitikë, pothuaj që të gjithë studiuesit dhe kërkuesit (historianë, gjuhëtarë apo të tjerë arkeologë), lenë të nënkuptohet bile edhe arrijnë të shprehen se ata janë me origjinë ose nga vetë rajonet ballkanike ose ata kanë ardhur nga zonat fqinje të Azisë të Vogël. Falë kapaciteteve të tyre të reja – gjenetike, morfologjike dhe intelektuale – ata bëhen jo vetëm shpikës të teknikave të reja bujqësore por njëkohësisht edhe krijues të « kulturës danubiane », e quajtur ndryshe edhe « kultura e Evropës së Vjetër » - kjo « bashkësi e gjerë që gjen burimin e vet gjatë neolitizimit të Ballkanit (mijëvjeçarin VIItë p.e.s.) dhe që vazhdon përmes gjithë periudhës kalkolitike deri në epokën e bronzit ».

 

Meqënëse kosheres ju gjet kështu origjina, debati përqëndrohet mbi motivet e roitjes së kësaj bashkësie, mbi shkaqet e shpërndarjes në të gjithë gadishullin evropian të popullatave që paraqisin një varg treguesish të përbashkët të natyrës materiale, gjuhësore dhe kulturore.

Një pakicë studiuesish ka shprehur një tezë të quajtur « anatoliane », sipas të cilës të gjithë fermerët e parë të Evropës kanë dalë nga vatra e tyre e origjinës, diku në pllajat e Anatolisë, rreth 7.000 vjet përpara erës sonë. Ky difuzim njerëzor është i pandashëm, për të mos thënë pasojë direkte, e mënyrës së re të prodhimit bujqësor që shkakton një rritje të vazhdueshme të popullatës. Me të arritur ngopjen e saj nga pikpamja numerike – gjë të cilës i duhen disa shekuj - kjo e fundit, zgjidhjen e problemit të saj demografik e kërkon në mënyrë krejt të natyrshme nëpërmjet çvendosjes progresive. Duke prekur fillimisht brigjet lindore greke, dhe më tej thellësitë e gadishullit Ballkanik rreth 6.000 – 5.500 vjet p.e.s, këtyre bujqve neolitikë ju desh gati një mijëvjeçar për të arritur në viset e Gjermanisë së sotme dhe një mijëvjeçar tjetër për të mbrritur në Angli ose në Skandinavi. Krahasimi i të dhënave arkeologjike dhe të studimeve gjenetike vërteton atë fakt pothuaj të pamohueshëm që në këtë rast bëhet fjalë për mërgimin e proto-indoevropianëve, të cilët imponuan teknikat e tyre bujqësore në një zonë gjeografike që përputhet me zonën e përhapjes së gjuhëve indoevropiane.

E parë nën këtë kënd vështrimi, gadishulli ballkanik, ky skaj i Evropës më i afërti me Anatolinë, paraqitet si një vatër dytësore e shpërndarjes së proto-indoevropianëve, segmente të tëra të të cilëve difuzojnë pak nga pak drejt zemrës së Evropës – dhe më tej, drejt zonave të tjera perëndimore. Nga pikpamja teknologjike, futja e ekonomisë bujqësore u ndoq nga një revolucion i vërtetë, që i lejoi paleolitikët e vonët të përkryejnë veglat e tyre të gurta, të lëshohen në rritjen e specieve të para të kafshëve ndërkohë të zbutura, të shpikin teknika të reja të poçerisë dhe të thurjes së pëlhurave dhe së fundi të zbulojnë egzistencën dhe përdorimin e metaleve. Duke u shpërndarë fillimisht me ritmet e shpejtësisë së çvendosjes së njerëzve, këto përparime teknologjike ndihmojnë në krijimin e artefakteve – ose kulturave të dallueshme një një epokë më të vonshme, sipas zgjedhjes së popullsive të ngulura në vend për t’ju kushtuar aktiviteteve të qëndrueshme të natyrës artizanale. Rasti i poçerisë dhe i keramikave është ndoshta shembulli më i mirë.

 

Thellësisht antillogjike dhe me sa duket e keqinformuar : ky është opinioni i një numri të madh partizanësh të asaj teze mbizotëruese, e quajtur ndryshe edhe « e kulturës së Kurganeve », të cilët kritikojnë të parët për një përdorim të paarsyetuar të ndërlidhjes krejtësisht të gabuar mes bujqve neolitikë dhe proto-indoevropianëve. Thellësisht të bindur, këta studiues ngulmojnë në tezën e tyre që përcakton vatrën e origjinës të proto-indoevropianëve diku mes stepave që shkojnë nga Vollga deri në malet Ural. Me fjalë të tjera, paralelisht me kulturën neolitike danubiane – që ju përket bujqve – një kulturë e re lind dhe zhvillohet : ajo e pushtuesve të stepave – bujq të pazot por kafshërritës të shkëlqyer. Kjo kulturë e re, e ndihmuar nga fuqia e luftëtarëve të saj të paepur, nga shpejtësia e kuajve të tyre si edhe nga vullneti i përhapjes jashtë territoreve të njohura, fillimisht përmbyt dhe me tej transformon Evropën, duke sjellë me këtë rast edhe gjuhën proto-indoevropiane. Kështu me sa duket, indoevropianizimi i Evropës fillon në mijëvjeçarin e Vtë p.e.s.

 

Duke demaskuar në këtë mënyrë përgjegjësin e shpërndarjes së gjuhëve indoevropiane – qoftë përhapjen e ngadaltë të bujqësisë, qoftë shtrirjen e papërballueshme të blegtorëve, sejcilës prej teorive i mbetet nderi të çmontojë mekanizmin e ndërlikuar të ndryshimeve gjuhësore, të diferencimit të një gjuhe të përveçme duke u nisur nga trungu i përbashkët i gjuhës primitive – veçori e indoevropianëve të parë, bile përpara se sa t’i përvishet problemit ende më të ndërlikuar të formimit të grupimeve njerëzore të llojit etnos që dallohen nga njeri tjetri pikërisht me anë të përdorimit të gjuhës.

Cilidoqoftë hipoteza, në të perënduar të neolitit të lashtë për të parët apo në lindje të kalkolitit për të dytët, në gjirin e këtyre indoevropianëve që banojnë në gadishullin ballkanik fillojnë dhe krijohen gropime pak a shumë të dallueshme dhe të përveçme, me fjalë të tjera fillojnë dhe ngjizen popullsitë arkaike lokale, në pamje të parë fort tê ngjashëm mes tyre. Sipas të gjitha gjasave, duhet pritur fundi i eneolitit dhe fillimi i epokës së bronzit për të « dalluar » elementët përbërës të proto-helenëve të parë, bashkë me të ngjashmit e tyre, që do të quhen me tej jonianë, eolianë ose arkadianë – në rrethqarkun jugor dhe ishullor të gadishullit, të proto-maqedonasve dhe të bashkëngjiturve me ta – diku në veri-veri-lindje të të parëve, dhe së fundi ky trup shumëformësh i përbërë nga proto-thrakët, proto-getët si edhe proto-iliro-dardanët, në hapësirën kontinentale të gadishullit.

Po vetë Ilirët ku janë në këtë mes ? Cila është origjina e tyre dhe si mundën të çfaqen në këto toka ?

 

 

Gjeneza e Ilirëve, Trakëve, Getëve dhe të tjerëve si puna e tyre.

 

Bashkësia e pyetjeve të mësipërme përbën si të thuash atë shkëmb të nënujshëm ku vazhdon të përplaset mendimi shkencor – historik dhe gjuhësor, i përmbledhur nga termi shkencor ilirologji – pjesë përbërëse e albanologjisë të shquar. Siç mund të merret me mend, detyra e parë e saj është pikërisht të njësojë djepin e ilirëve.

Pikërisht, në lidhje me këtë djep të famshëm, ky mendim ndahet mes dy tezave të ndryshme :

 

- E para, e mbështetur nga një numur i madh studiuesish evropianë të shekullit të XIXtë dhe të gjysmës së parë të shekullit të XXtë, shpreh mendimin që ilirët janë një popullatë indoevropiane që vjen nga rajonet e Evropës Qendrore për të mos thënë të Veriut – sidoqoftë përtej Danubit të mesëm – dhe që ka marrë pjesë në atë dyndjen e madhe të popullsive dorike, egjeane ose panono-trake, që ka ndodhur në mijëvjeçarin e dytë p.e.s.

 

- Teza e dytë, e formuluar nga shkolla shqiptare bashkëkohore, e çmon kulturën ilire si « një dukuri të formuar historikisht në vetë truallin ilir në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë të saj gjatë gjithë epokës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit ». Duke bërë sintezën e gjetjeve arkeologjike në një varg qendrash të përmendura si ilire, kjo teori e dytë predikon se « zhvillimi i pandërprerë i kulturës, jep mundësi të flitet edhe për një zhvillim të pandërprerë etnik ».

I zhdërvjellë në këtë mënyrë, problemi i ndërlikuar i gjenezës së ilirëve paraqitet me një thjeshtësi emocionuese dhe imponohet si një shpjegim i shëndoshë, koherent dhe llogjik, të paktën për atë pjesë të publikut lokal që kënaqet me shpjegime të shëndosha dhe llogjike.

 

- Përtej këtyre tezave dhe në hapësirën mes tyre çfaqet një tezë e tretë, e formuluar prej kohësh por që çuditërisht, kohët e fundit ka gjetur një frymëzim krejt të ri. Në kundërshtim me mendimin e përgjithshëm, ajo mbron me forcë egzistencën e një vazhdimësie ose të një "akulturimi" - gjithmonë jetësor dhe të ruajtur në një formë te mrekullueshme – që shkon nga Homo Sapiens-ët e parë të shpellave deri tek pellazgët, nga këta të fundit tek proto-ilirët ose edhe ilirët, ndërkohë që prodhimi i fundit mbetet të jenë shqiptarët e sotëm.

Ja pra se si dalin përpara nesh edhe Pellazgët hyjnorë !

 

Duke fshirë çdo gjurmë të indoevropianëve që, sipas Matjë Aref - një prej autorëve të fundit të kësaj teorie, s’përfaqsojnë gjë tjetër veçse « një neologjizmë të krijuar nga hamëndja, nga imagjinata ose nga fantazia e disa filologëve dhe gjuhëtarëve të shekullit të XIXtë », ajo sulmon botën mbarë me anën e një instrumenti – hapës universal, gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë, ajo jo vetëm pretendon të ketë zbuluar hallkën lidhëse të atij vargu kolosal popujsh tashmë të zhdukur ose ende të gjallë të Evropës por njëkohësisht, edhe esencën që ju ka munguar kërkimeve dhe studimeve të deritashme « që shpesh shmangen për mungesë këmbënguljeje ose saktësie ose përfundimisht, devijojnë nga përzierja në to e elementëve ideologjikë, mashtrues ose tendenciozë ».

 

Do të detyrohemi të mbajmë një distance nga këtë teori të fundit, për shkak të pohimeve dhe përfundimeve të saj që tejkalojnë cakun e guximit të thjeshtë dhe shpesh kthehen në paradoksale, megjithë dëshirën e saj të dukshme për të na kujtuar ne, Shqiptarëve të thjeshtë dhe fort pak të stërvitur me shkencën e madhe, se stër-stër-stër-stërgjysërit tanë kanë qenë jo vetëm krijuesit e çdo qytetërimi antik – pra, të të gjitha qytetërimeve, nga ai egjiptian i Piramidave deri tek ai grek i Athinës, ai trojan i Trojës e më këtej – por edhe rrënja e të gjithë popujve të Evropës, ndoshta edhe të botës mbarë.

Personalisht, duke lënë mënjanë krenarinë e paanë që më jep fakti kur mësoj se disa nga fjalët e shqiptuara dikur nga Faraoni Tutankhamon mund të kuptohen me anë të shqipes së sotme gegë, preferoj të ve në lëvizje mendimin tim dhe të kqyr me kujdes ato çka më serviren të gatshme për t’u gëlltitur. Në të vërtetë, edhe sikur të pohojmë se këta Pellazgët kanë egzistuar rreth e qark pellgut mesdhetar dhe se dikur kanë populluar viset tona, teoria e tyre është e paaftë të shpjegojë të paktën dy elementë :

 

- në ç’mënyrë kjo popullsi e stërlashtë (flitet për mijëvjeçarin e VI p.e.s) u « teletransportua » deri në ditët e sotme dhe u mishërua tek Shqiptarët – duke kaluar natyrisht nëpërmjet « Ilirëve » - pa pësuar ndërfutje dhe ndikime të ndërsjellta të popullsive të tjera të mëvonshme, siç ka qenë rasti i të gjithë popujve të tjerë ballkanikë, mesdhetarë ose evropianë ?

 

- si ka mundësi që ky fenomen « trashëgimie gjenetike » dhe më tej gjuhësore u kufizua vetëm tek ilirët veriorë, ndërkohë që të tjerë pellazgë të jugut u tretën pa lënë gjurmë nga çorba Greke, Midease, Fenikase, Egjiptiane, Etruske, Kelte bile deri edhe Baske (për të mos përmendur të tjerë « uzurpatorë ») ? Cila është e veçanta e këtyre Ilirëve që ju ka siguruar dhe mbrojtur prejardhjen e tyre hyjnore ?

 

Le t’i kthehemi përsëri Arefit, i cili nuk heziton të gërmojë në burimet e veta për të na kujtuar herë herë që « .. pjesa më e madhe e ilirëve u strehua .. në malet e tyre të pamposhtur, duke ruajtur në këtë mënyrë fondin e tyre gjuhësor… », herë herë që « stërgjyshërit e tyre mundën të mbijetojnë ndaj asimilimit të plotë dhe mundën të ruajnë kulturën e tyre, si dhe zakonet ose gjuhën duke u strehuar në vende të paarritshme, të egra ose malore ».

Nuk është e vështirë të konstatohet se masivet malore shqiptare janë nga më të thepisurit e Ballkanit por nga njera anë, jemi ende shumë larg nga dekori himalajan dhe nga ana tjetër, mbetet shumë e vështirë të pranohet që kemi të bëjmë me një popullatë Jeti ballkanike e cila, që nga epoka eneolitike e pelazgëve "..ka qenë mësuar me këtë topitje që e ka shtyrë t’i dorëzohet mënyrës së jetesës si luftëtare në strofkat e saja të paarritshme" dhe "që ajo zgjohej vetëm për të zbritur nga fortesat e saja malore me qëllim që të luftonte kundër pushtimeve sporadike dhe sulmeve të ndryshme".

 

Ndërkohë, analiza e dy teorive të para më të besueshme lejon të shihet menjëherë se origjina përtej-danubiane e ilirëve tashmë duket e vjetëruar dhe në mospërputhje të plotë me interpretimet bashkëkohore të mërgimit të popullsive proto-indoevropiane në kontinentin tonë. Përsa i përket « të vetmes » që mbetet më këmbë - ajo e shkencëtarëve shqiptarë – asaj i duhet të mbrohet kundër një varg sulmesh dhe kundërtezash, të zhvilluara nga historianët ballkanikë.

 

Përtej pohimeve të saj monolitike, me thekse të një gjuhe të ngurtë dhe shpesh stereotipe, një vështrim i vëmendshëm mbi këtë teori të ilirëve ve në dukje një shumllojshmëri nuancash dhe huazimesh, të marra nga shtresa doktrinale më të vjetra, të cilat bashkëjetojnë me kontributin origjinal të shkencës shqiptare të këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit. Për të shpjeguar thelbin e saj, do të na duhet të përdorim një gjuhë mjaft të ndërlikuar dhe me këtë rast, i kërkojmë ndjesë publikut. Nuk e di përsenë, por sa herë që bëhet fjalë për teori që zhyten në mjergullën e kohës dhe që rrezikojnë të humbin sensin e logjikës së zakonshme, aq më hermetike bëhet gjuha e shkencëtarit, aq më e stërholluar bëhet shprehja e tij – dhe me këtë rast, aq më të pakët janë ata që kuptojnë diçka. Të tjerët enthusiazmohen nga dituria e të diturve dhe heqin dorë nga loja, duke u mjaftuar me pranimin pa kushte.

Ja edhe linjat kryesore të kësaj teorie të Ilirëve kaq të përfolur :

- Primo : ky « proces historik shumë i gjatë dhe i ndërlikuar autokton » fillon « me dyndjen e madhe të periudhës kalimtare nga neoliti në epokën e bronzit » diku andej nga mijëvjeçari i IIItë p.e.s, në origjinën e të cilit mbetet shtegtimi indoevropian që përmbyti treva të gjera të Evropës dhe të Azisë. Mungojnë vetëm kalorësit e stepës dhe kuajt e tyre për të qenë brenda teorisë së Kurganeve sipas të cilës, të ardhur nga stepat lindore, grupe dhe grupime të një popullate kafshërritëse ose baritore, depërtuan në Ballkan ne formë valësh njerëzore të dallueshme dhe të përsëritura gjatë mijëvjeçarit të IIItë p.e.s. Fillimisht, ata prekën viset lindore të gadishullit dhe në një kohë të dytë ata u përhapën në zonat perëndimore, duke përfshirë edhe territorin e Shqipërisë së sotme.

- Secundo : procesi i etnogjenezës së popullsive të vjetra ballkanike kryhet mbi bazën e një përzierjeje të plotë mes popullsive autoktone dhe të porsaardhurve, të cilët « mundën t’i impononin me këtë rast vendasve gjuhën, kulturën, në një farë mase edhe zakonet e veta ». Me fjalë të tjera, përzierjet e natyrës etnike dhe kulturore mes popullsive neolitike autoktone para-indoevropiane dhe të porsaardhurve indoevropianë të stepave përbëjnë edhe themelin mbi të cilin ngrihen proceset e etnogjenezës të popullsive të vjetra të Ballkanit perëndimor. Ky është « rrjedhimisht edhe procesi i formimit historik të trungut etnik ilir me tipare të përbashkëta kulturore, të dallueshme prej bashkësive të tjera fqinje jo ilire » (1).

- Tercio : duke patur karakteristika autoktone, « kultura eneolitike e vendit tonë - në lidhje të ngushtë me kulturat bashkëkohore ballkaniko-egjeane - ju nënshtrua shndërrimeve ekonomike e shoqërore të kohës e veçanërisht procesit të rëndësishëm të indoevropianizimit ». Në fund të eneolitikut, kjo çoi në formimin e një bashkësie të madhe kulturore, indoevropiane në planin gjuhësor – një substrat protohistorik që në mënyrë konvencionale mund të quhet pellazge.

- Quarto : duke ardhur më në fund tek ilirët tanë, etnogjeneza e tyre kërkoi një hark kohor të rëndësishëm – një mijëvjeçar – gjatë të cilit, një varg procesesh « tashmë të njohura të diferencimit, të integrimit dhe të asimilimit » ishin të nevojshme për të farkëtuar individualitetin e tyre etnik. Nga pikpamja historike, nën kushtëzimin e e faktorit relativ autokton si dhe nga një sërë përparimesh që u bënë në disa degë të ekonomisë, vazhdon të thellohet më tej procesi i diferencimit të elementit etnik që paraqet tashmë karakteristika të reja ilire, por njëkohësisht fillon të veprojë edhe procesi i integrimit – procese që në bashkëveprimin e tyre, çuan në lindjen e etnosit ilir gjatë periudhës së bronzit të mesëm.

 

Është krejt e tepërt të shtojmë që kjo tezë paraqet një vizion nga më tërheqësit lidhur me fazën fundore të parahistorisë së Ballkanit si dhe të protohistorisë së tij, me një varg përfundimesh të rëndësishme në rrafshin praktik. Ideja e formimit « në vend » mbi bazën e « autoktonisë » i ofron një thellësi të pamatshme asaj çështjes aq delikate të gjenezës, duke i paraqitur Ilirët si një nga popujt më të vjetër, për të mos thënë më të vjetrin e Ballkanit. Nga teza në tezë dhe pas një kërcimi të vërtetë në kohë për të pranuar më në fund që këta të fundit janë stërgjyshërit e banorëve të sotëm të Shqipërisë, kjo gjë i bën shqiptarët përfaqsuesit e vërtetë të parahistorisë së kontinentit tonë.

 

Ky ndërtim teorik i admirueshëm shtjellon në mënyrë të përsosur dinamikën e evolucionit njerëzor që zhvillohet në një territor të caktuar : substratin etnik para ilir – atë popullsi jo indoevropiane, mesdhetare neolitike e eneolitike ; elementin indoevropian – valët dyndëse të popujve baritorë, të ardhur nga stepat e Azisë gjatë mijëvjeçarit të IIItë p.e.s ; indoevropianizimin e vendasve – atë proces të gjatë zhvillimi, që fillon diku gjatë epokës së eneolitit, ku nëpërmjet një proces asimilimi dhe disimilim kulturor dhe etnik çfaqet ajo bashkësi e gjërë kulturore, kultike dhe pjesërisht etno-gjuhësore që u formua gjatë eneolitit në Ballkanin Perëndimor, pra ata pellazgët tanë; vazhdimësinë kulturore dhe etnike nga epoka eneolitike në atë të bronzit të hershëm – atë përbërësin etno-kulturor eneolitik, i cili mori pjesë aktive në formimin e etnosit ilir gjatë epokës së bronzit, nëpërmjet ngjizjes mes përbërësit vendas dhe atij të ardhur ; formimin e etnosit ilir mbi një bazë autoktone – atë proces të ndërlikuar të zhvillimit të brendshëm që zhvillohet në bazë të disa parimeve të përgjithëshme, tanimë të njohura: të diferencimit, të integrimit, të ngjizjes të asimilimit dhe të konvergimit, fillimi i të cilit gjendet diku gjatë bronzit të mesëm ose të vonët.

Për të ilustruar atë çka u përmend më art, ja edhe një nga opinionet më të pjekura të ilirologjisë shqiptare të sotme lidhur me ngjizjen e bashkësisë etnike – etnosit – ilir :

 

Në periudhën e bronzit të vonë, si rezultat i përparimeve të shënuara në të gjitha fushat e ekonomisë, u zhvillua me shpejtësi procesi i ngjizjes së bashkësive më të vogla në bashkësi më të mëdha dhe, si rrjedhim, në fund të epokës së bronzit u krijua një bashkësi e gjërë ilire me tipare të përbashkëta kulturore, kultike dhe gjuhësore. Duhet theksuar se jo të gjitha dukuritë që karakterizojnë bashkësinë etnike ilire u zhvilluan krahas dhe arritën të njëjtën shkallë njësimi, sepse siç dihet, njësimi i kulturës materiale të popullsisë së një territori të caktuar bëhet më lehtë e më përpara se sa njësimi i gjuhës, e cila zhvillohet me ritme shumë më të ngadalta. I pari prin të dytin dhe është bazë për njësimin gjuhësor dhe të dy bashkë çojnë në formimin përfundimtar të bashkësisë etnike. Kështu, gjatë periudhës së bronzit të vonë, në trevën ilire ngjizja gjuhësore duhet të ketë qenë më mbrapa, kurse krejt ndryshe ishte gjendja në zhvillimin e zejtarisë dhe sidomos punimi i bronzit, të cilat kishin çuar në marrëdhënie intensive ndërfisnore dhe madje në marrëdhënie të ngushta me botën mikene. Si rrjedhim, edhe shkalla e zhvillimit të njësisë kulturore në trevën ilire, gjatë epokës së bronzit të vonë, është më e lartë sesa shkalla e zhvillimit të njësisë gjuhësore. Prandaj në përcaktimin e karakterit etnik të bashkësisë ilire duhet patur parasysh ky shpërpjestim kohor i njësimit të kulturës me gjuhën, si dhe fakti që mbetjet gjuhësore zenë vendin e fundit në krahasim me të dhënat e tjera të kulturës materiale e shpirtërore.

 

Ç’është e drejta, kjo teori përmbledh absolutisht të gjithë elementët e duhur përveç njërit : lidhjet e shumëfishta – dhe të vjetra – mes gjuhës shqipe me një varg gjuhësh tashmë të zhdukura që i përkasin grupit etnik trako-dakë, pa harruar edhe ngjashmëritë e habitshme me greqishten e lashtë - të vrojtuara me aq këmbëngulje nga helenistët shqiptarë. Përse kjo ngjashmëri e thellë kufizohet pikërisht me grupin e gjuhëve trako-dake ? Në lidhje me këtë çështje, na duhet të pranojmë që teoria jonë e mësipërme jo vetëm që nuk di t’i përgjigjet kësaj pyetje por njëkohësisht, ajo mundohet t’a shmangë – me anë të piruetave të llojit të mësipërm.

Nuk ka asnjë arsye të mendojmë që ai mekanizëm i formimit « in situ » mbi bazën e « autoktonisë » të asaj përzierje mes aborigjenëve dhe nomadëve të stepave, pra indoevropianizimi eneolitik, të ketë qenë një fenomen i izoluar dhe origjinal që ka prekur vetëm ilirët. Edhe sikur të ardhurit rishtas të kenë mundur t’u imponojnë vendasve vetëm gjuhën e tyre, duke « pranuar » të treten në masën vendase sikundër thonë specialistët tanë të ilirologjisë, ky proces që ka ndodhur gjithandej në trojet evropiane – bile edhe në ato aziatike të Lindjes së Afërt – duhej të kish prodhuar gjithandej një varg situatash të ngjashme. E thënë ndryshe, ilirishtja duhej të ngjiste jo vetëm me trakishten por edhe me paraardhësit e gjuhëve sllave, me ato gjermanike, me ato italike, me ato keltike… për të mos përmendur edhe të tjera. Për çudi, gjuhëtarët deri edhe Çabej i shquar ngulmojnë dhe përsërisin se ilirishtja e zhdukur pa lënë gjurmë dhe sidomos, shprehja e saj e mëpastajme – gjuha shqipe – ngjasin veçanërisht me gjuhën trako-mëze. Si rrjedhim, ose duhet pranuar se

 

-          ilirishtja është një dialekt i gjuhës trake dhe anasjelltas;

-          ose që karakteri iliro-thrakas i gjuhës shqipe duhet shpjeguar me faktin se ilirishtja me trakishten rrjedhin nga një burim i përbashkët, meqë një varg karakteristikash gjuhësore të ilirishtes përputhen me ato të gjuhës trake.

 

 

 

----------

1) Në këtë pikë precize të teorisë, Korkuti – një nga udhëheqësit e shkollës ilirologjike shqiptare, sjell shumë më tepër detaje. Ai vëren një diferencë të prerë mes konceptit « etnos », tipari më i qënësishëm i të cilit është gjuha, me atë të « kulturës », e përfaqësuar nga tërësia e tipareve kulturore që formojnë fytyrën e saj të veçantë. Duke aplikuar këtë gjë në studimin e formimit të ilirëve dhe më saktësisht të substratit proto-ilir, ai mbërrin në përfundimin se shkrirja e elementëve heterogjenë – nga pikpamja etnike – është realizuar nëpërmjet një procesi të asimilimit, balanca e të cilit mund të « matet » me anë të karakteristikave gjuhësore dhe kulturore të « produktit » përfundimtar. Në rastin konkret, meqënëse rezultatet e gërmimeve arkeologjike tregojnë një vazhdimësi të kulturës materiale duke filluar nga një periudhë të mëparshme (eneolitike) deri në atë të mëpastajme (epoka e bronzit), mund të arrijmë në përfundimin që të ardhurit rishtas mundën t’ju imponojnë gjuhën e tyre por jo edhe kulturën aborigjenëve ose dhe më tej, furacakët indo-evropianë u « shkrinë » në masën autoktone që me këtë rast indo-evropianizohet, duke mbetur gjithnjë « autoktone ». Me fjalë të tjera, meqënëse « kultura e bronzit të hershëm në treguesit themelor ka tipare të njëjta në Shqipërinë Juglindore, Jugore e Brendshme dhe Veriore – pra në të gjithë territorin kombëtar, ndërkohë që Maliqi, Bënja dhe Gajtanët e tjerë janë mishërimet e saj primitive - dhe meqënëse në formimin e saj kulturor dhe etnik vendin kryesor e zë përbërësi autokton eneolitik, përbërësi tjetër - ai me origjinë lindore, i ardhur si rezultat i dyndjes së fundit të nomadëve të stepave - shpejt u dobësua dhe u shkri me përbërësin vendas ». Mbi këtë subjekt, shih : Muzafer KORKUTI - Parailiret - Iliret – Arberit, Bot. Toena, Tiranë, 2003.

2) Teza që vlerëson popullatat arkaike pelazgjike si substratin madhor të qytetërimeve antike mesdhetare është një teori sikundër dhe të tjerat, të cilat mundohen të venë pak rregull në atë rrëmujë postneolitike. Po qe se i besojmë të dhënave që vijnë nga autorët e botës antike, duke përfshirë dhe Homerin, këta « pelazgë hyjnorë » barbarë dhe autoktonë (lexo : jo-helenë), paskëshin populluar një zonë të gjerë të jugut të Ballkanit, që shkon nga Azia e Vogël, nëpër Thesali dhe Epir dhe që vazhdon edhe më tutje nëpër Evropë. Deri njëfarë kohe, pjesa më e madhe e historianëve shqiptarë i përmbaheshin mendimit që nuk egzistojnë të dhëna serioze për të krijuar ndonjë lidhje trashëgimie mes pelazgëve dhe ilirëve, ndërkohë që këta të fundit konsiderohen pa diskutim si stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm. Megjithatë, pista e pelazgëve, e formuluar në mënyrë instiktive gjatë « Rilindjes » shqiptare të shekullit të XIXtë, u ndoq përgjatë një kohe, e frymëzuar veçanërisht nga punimet e homeristëve lokalë. Kohët e fundit, një tezë e re mundohet të vërtetojë që pelazgët janë stërgjyshërit origjinalë të ilirëve – dhe këta të fundit stërgjyshërit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve të sotëm. Ajo niset nga hipoteza që qytetërimi pelazg ka shërbyer si përbërës kryesor i të gjitha qytetërimeve të mëpastajme të rrethqarkut mesdhetar si dhe në përgjithësi të gjithë Evropës, dhe në mungesë të provave materiale direkte, ajo përdor gjuhën e sotme shqipe – në variantin e saj gegë – si një çelës për të deshifruar një tog mbresëlënës fjalësh të të gjitha gjuhëve bashkë. Shih mbi këtë çështje një nga përfaqsuesit e saj më të hershëm : Spiro KONDA – Shqiptarët dhe problemi pellazgjik, Tirana, 1964 si edhe më të riun : Mathieu AREF – ibidem.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora