E premte, 29.03.2024, 10:56 AM (GMT)

Mendime

Behxhet Shala: Atë që e zë gjumi, e merr lumi!

E shtune, 26.01.2013, 09:52 AM


Atë që e zë gjumi, e merr lumi!

Nga Behxhet Sh. Shala

Vajtojcat e Shkodrës dhe reagimet politike:

Lapidari i UÇPMB-së u hoq. Pa asnjë rezistencë të atyre që "kishin vendosur të vdesin" në mbrojtje të lapidarit.Qofshin ata që ishin të gatshëm ta "nisin luftën" me Serbinë nga kafeteritë e Prishtinës, zyrave të institucioneve qendrore dhe lokale, trimoshave nga Shqipëria dhe Maqedonia, nga shetitioret e Gjilanit dhe burrat e "armatosur të odave të ulur në bisht të trapazanit! E pranoj se kam qenë i shqetëauar shumë, sepse nuk isha në gjendje , në mungesë të trimërisë dhe guximit, të sakrifikohesha për lapidarin dhe vetëm shikoja si do të ikja për të shpëtuar lëkurën time! Sidomos pas flakës që e ndezën politikanët gjithandej trojeve ku jetojnë shqiptarët trima! Se do ta mbronin me trupat e tyre lapidarin, se nuk do ta pranojnë yhvendosjen e lapidarit, se do të jepnin dorëheqje nga postet politike për shkaqe etike dhe shumë të tjera! Doli se nga kjo flakë ishte vetëm një tym i dendur i cili, në vend se ta mbulonte përgjegjësinë e atyre që folën fjalë të mëdha, në fakt e lakuriqësojë papërgjegjësinë të lehta dhe të forta që i japin politikanët tanë e që hyjnë në "llugë pa sakicë"! politikanët dhe shigjetarët opozitarë që janë të parapaguar të ngrenë tensione është dashur të jenë shumë të kujdesshëm, sidomos pas deklarimit të ambasadave të huaja në Beograd se "çeshtja e lapidarit është çeshtje e brendshme e Serbisë" dhe se kjo shprehimisht, për ata që kanë njohuri elementare politike, nënkupton se Serbisë i janë duartë e lira për veprim! Është interesant se pikërisht pas prononcimit të ambasadave të huaja "radikalët" tanë e sforcuan retorikën e tyre duke shpërndarë kërcënime nëpërmjet medieve të shkruara dhe elektronike të cilat treguan se janë shumë larg moralit dhe profesionalizmit në krijimin e opinionit! Shkrimet e mediave apo raportimet krijuan një atmosferë lufte dhe mungonte vetëm ora e saktë se kur do të fillojë kjo luftë! Daçiçi nuk intervenoi para takimit në Bruksel për fituar pikë politike te ndërkpmbëtarët, dhe në këtë mënyrë u krijua përshtypja se Serbia u tërhoq nga vendimi për rrënimin e lapidarit gjë që trimërojë edhe më shumë trimoshat që dilnin para medieve, ata politikanë dhe ish komandantë të shndërruar në zhvatës ordinerë të cilët përpiqen ta rikthejnë lavdinë e dikurshme në situatë kur prodhohen kriza qofshin ato edhe artificiale! Xhandarmëria serbe me të dyshuarin për krime lufte në Drenicë, gjeneralin Dikoviq i famshëm për betimin me rastin e marrjes së postit të të parit të kësaj xhandarmërie, në mëngjesin e së dielës kur sipas Vedat Stupcit edhe AKSH është në pushim dhe punon, e hoqi lapidarin pa hasur as në një rezistencë vërbale! Këta që thërrisnin në rezistencë deri në sakrificë e zgjatën gjumin. Jo se nuk patën guxim të dalin! Në fakt nuk kishin guxim as t'i hapnin dritaret apo të shkonin në xhami. Sepse kishin urdhër të prerë, ndryshe do të qëllohej mbi çdonjërin në të cilin dyshohej. Pas largimit të xhandarmërisë serbe te vendi ku ishte lapidari u mblodhën "mbrojtësit" e tij,politik dhe ushtarak duke vendosur lule apo qirinj! Dhe duke dhënë deklarata para mediave të Serbisë me një gjuhë serbe të rrjedhshme. Faktori ndërkombëtar edhe këtu u turpërua, sepse haptazi po zbaton standarde të dyfishta. Duke kërkuar të drejta për serbët e Kosovës mbi të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave kombëtare, dhe duke ua mohuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës! Duke krijuar entitetin parashtetëror serb në Kosovë, dhe në anën tjetër duke e inkurajuar Serbinë t'i shpërngul shqiptarët e Luginës me frikësim dhe terror! Atë që e bëri shteti serb dhe xhandarmëria serbe në Preshevë është terrorizëm shtetëror! Prandaj, fitorja e Daçiçit në fakt është fitore e Pirros e cila do t'i kthehet si bumerang në të ardhmën.Nuk ka rast në botë që dhuna ka prodhuar paqe. Kosova është shembull tipik për këtë pohim timin. Në planin afatgjatë nuk mund të zbatohet në Kosovë Pakoja e Ahtisarit që i bën serbët mbipopull këtu, ndërsa në Luginën e Preshëvës të zbatohet Pakoja e Daçiçit dhe e Dikoviqit që ka për qëllim zhbërjen e shqiptarëve në Luginë! Gjithashtu, nuk mund që çeshtja e veriut  dhe lokacioneve ku jetojnë serbët në Kosovë të trajtohet si çeshtje e Brukselit dhe Uashingtonit, ndërsa çeshtja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të trajtohet si çeshtje e brendshme e Serbisë! Nuk është në rregull dhe nuk është e lejueshme që lapidari i UÇPMB të trajtohet si çeshtje e brendshme e Serbisë dhe të hiqet në mënyrë të dhunshme, ndërsa lapidari shovenist dhe çetnik në qendër të Garazhdecit të konsiderohet si trashëgimi kulturore serbe e mbrojtur nga ndërkombëtarët në Kosovë! Lapidari shovenist në Garazhdec aktualisht i ka mbetur vetëm edhe mbrojtja e UNESCO-s në mënyrë që të hyjë edhe në listën e objekteve ndërkombëtare të mbrojtura. Lapidari i Garazhdecit nxitë urrejtje ndëretnike dhe i glorifikon ata që janë përgjegjës për vrasjen e 10.000 civilëve shqiptarë në Kosovë gjatë luftës 1998-1999 dhe fillon me fjalët: "Të vrarë nga duart e terroristëve shqiptarë..." Aty është edhe emri i kriminelit Shalipur dhe të tjerëve që kanë masakruar qytetarët e Dukagjinit dhe më gjerë!

Mbrojtja e "zjarrtë" dhe reagimet edhe më të "zjarrta":

Vajtojcat e Shkodrës ishin trup profesionast që vajtonin të vdekurin e që ngjallte një hidhërim dhe mërzi të thellë tek të pranishmit. Vaji i tyre prodhonte efekt emocional. Politikanët tanë janë si Vajtojcat e Shkodrës.Reagojnë gjithmonë në kor vetëm pasi "të falet Bajrami"! Reagimet i kanë të forta sikur edhe përkrahjen. Vajtojcat e Shkodrës dhe politikanët shqiptarë kanë shumë gjëra të përbashkëta. Reagojnë me një zë dhe këto reagime janë artificiale. Të dyja palët derdhin lot të rreme ose me zhargonin modern derdhin lot krokodili. Dhe përfundimisht të dyja palët paguhen mirë për vajin e tyre të cilin shndërruar në art! Kjo nuk nënkupton se edhe në mesin e vajtojcave nuk ka të tilla që vërtetë ndjejnë dhimbje sikur që edhe në mesin e politikanëve ka të tillë që janë të vetëdijshëm për fuqinë apo më mirë të them për pafuqinë për përkrahje. Lexuesi i vemendshëm e ka të qartë se pas takimit të dy komandantëve politikë të UÇPMB-së dhe UÇK-së në Prishtinë, ky i Luginës pas takimit ku duket se ka pritur përkrahje të madhe, nuk u nda shumë i kënaqur, sepse nuk kishte asgjë të re!

Zyra e Presidentes rivalizon KMDLNJ-në:

Zyrtarët për informim të presidentës Atifete Jahjaga pas kthimit të tyre nga haxhillëku në Arabinë Saudite dhe Abu Dabi reaguan ashpër duke deklaruar se:"heqja e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut...". Për këtë arsye KMDLNJ nuk ka reaguar fare duke e shfrytëzuar si zëdhënës pikërisht Zyrën e presidentes, Atifete Jahjaga! Sipas vlerësimit të KMDLNJ-së ky reagim ka qenë nën profesionalizmin e një organizate joqeveritare që merret me të drejtart e njeriut! Për reagim për të drejtat e njeriut e dhashë vlerësimin, ndërsa për reagime të natyrës politike nuk mund të jap vlerësimin. Së paku deri tash, sepse nuk ka pasur fare reagime. kanë qenë do reagime të kopjuara apo eho e reagimeve të politkanëve tjerë. Shpresoj se pas takimit me Nikoliqin do të kthjellen, sepse ua kanë zgjatur shumë veshët me këtë takim, të cilin aq shumë po e dëshirojnë. Deri në gjakim!

Oj Serbi ta ngulsha hunin pse aq shpesh po na e prishë gjumin:

policia serbe është shumë interesante. Më heret na arrestonte kryesisht midis orës 4 dhe 5 të mëngjesit pikërisht kur na zinte gjumi mirë e mirë. Kryesisht ditëve të pushimit dhe festave. Ata nuk janë normal fare.Në vend se t'ia fusin gjumit sikur ne, ata punojnë.Vetëm kur e shihnim vetëm të prangosur. Me brekë apo pa to. Siq kishim qëlluar! Dhe ne vazhdojmë ende të flemë. Tash, në këtë kohë na arreston policia e UNMIK-ut dhe EULESH-it! Sipas kohës serbe dhe me dosje serbe! Por as ne nuk jemi normalë! Nuk ia prishim vetës gjumin. Ndonëse është dashur të mësohej nga pësimi! Edhe në Preshevë "mbrojtësit e Lapidarit" i zuri gjumi! Prandaj ua rrëmbyen Lapidarin. Ne vazhdojmë ende të flemë, prandaj jemi ku jemi! Në Mitrovicën e veriut serbët nuk flinin natën apo flinin në barrikada. Prandaj janë faktorizua dhe po faktorizohen. Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të faktorizohen deri sa të jenë në gjumë. Ata duhet të bashkohen në radhë të parë. E jo të mbesin si deri tash, si vetë e qyqes! Politike e korbave(nxjerrja e syve njëri-tjetrit)ka qenë fatale për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Kemi mbetur vrima e fundit e kavallit ballkanik dhe evropian! Prandaj të tjerët i luajnë gishtat dhe bëjnë muzikë, dhe ne luajmë sipas asaj muzike! Mbase edhe nuk kemi vesh për muzikë-politikë!

ZOTI na ndihmoftë! ( autori është kryetar i KMDLNJ në Prishtinë-FM)

(shkrimi u huazua nga gazeta Epoka E Re, e martë, 22 janar 2013, fq-11)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora