E hene, 18.11.2019, 02:52 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Lulia i shkruan presidentit Obama

E enjte, 24.01.2013, 07:59 PM


Lulia i shkruan presidentit Obama

Njëqind vjet i ranë në qafë herë Serbia, herë gjithë Jugosllavia, ndërsa 13 vjet kombi i saj nuk e sheh dritën e diellit nga qeverisja e keqe. “Edhe sikur të doja aq keq nuk do të dija të qeverisja”, me thotë e indinjuar heroina e Kodrës së Trimave.

Nga Gani MEHMETAJ

Lulia ka rënë në pikë të hallit. Ka mëdyshje të mëdha. Të bëhesh kryeministre, a ta lejosh vendin të gremiset, kjo është çështja. Është e brengosur me gjendjen në shtetin e saj fatkeq. Frikësohet për të ardhmen e vet e të bashkatdhetarëve. “Si po ia mbathin të rinjtë në Perëndim, një ditë s’do të mbes askush në Kosovë, pos qeveritarëve e ndonjë opozitari me biznese të përbashkëta me qeveritarë”, me thotë ajo me doza të depresionit jo të zakonshme për natyrën e saj të optimizmit naiv. “Janë qeveritarët e një pjesë e opozitarëve ata që kanë punë, kanë biznese e pasuri të paskajshme. Për të tjerët s’mbetet asgjë”, me tregon e brengosur për hallet e miletit. “Të  huajt nuk investojnë, sepse u kërkojnë reket, aksione nga biznesi e çka mos tjetër. Më të dëgjuar për këto kushte, investuesit evropian ia mbathin një orë e më parë, duke u përpjekur të shpëtojnë lekët e veta. Për fitime as u shkon mendja”, ma sqaron ajo mbarëvajtjen e investimeve të jashtme.

E lodhur nga kjo gjendje, e tronditur nga varfëria, Lulia ngrysët e gdhihet më një ide të guximshme në kokë: t’ia shkruaj një letër presidentit Obama. Do t’i tregoj fije e për pe gjendjen, do ta falënderoj deri në qiell për ndihmën amerikane, pastaj do t’i thotë vendosni si ta keni për mbarë, shkëlqesi. Mbase, presidenti Obama, s’do të ketë kohë ta lexoj letrën e Lulisë, prandaj mendon ajo, do t’ia kthejë ambasadores amerikane e ambasadorëve të Kuintit në Prishtinë, ta shqyrtojnë. Në këtë letër nuk do t’i denoncoj qeveritarët tonë, as s’do t’i shaj për të pabërat, kot që i shanë, sepse nuk përmirësohen dot, ma thotë e indinjuar, por dëshiron t’ua ofrojë një rrugëdalje atyre që vendosin për neve. Ajo nuk ka atdhe rezervë, prandaj do t’i shkruaj presidentit Obama, t’ia shpëtoj atdheun e saj nga falimentimi. Dikur amerikanët e shpëtuan nga Serbia, tash le ta shpëtojnë nga qeveritarët vendës.

Ia sollën në maje të hundës korrupsioni, krimi i organizuar, vrasjet e pasqaruara, zhvatjet, kërcënime. “Duhet t’i japim fund kësaj agonie”, me thotë e vendosur. Por është kundër demonstrimeve në rrugë.

Në letër do të kërkojë ta emërojnë kryeministre! Ajo e di se dy milion shqiptarë të Kosovës janë të sigurt se mund ta udhëheqin vendin më mirë, mirëpo s’kanë guxim të shkruajnë letra në qendra vendimmarrëse. Mu për këtë arsye do t’i shkruaj ajo.

Me la pa mend, kur e dëgjova.

-Si mund ta kërkosh këtë  post aq shumë të lakmuar, -e pyeta jo pa i kapsallitur sytë.

“Asnjë  kryeministër nuk është emëruar pa ndihmën e ambasadorit amerikan e të ambasadorëve të Kuntint. Pa bekimin e tyre s’do t’i fitonte askush zgjedhjet.  Kush e caktoi kryeministrin e parë? Të dytin a të tretin? Kush e zgjodhi kryeministrin dy mandatorë? Ambasadori amerikan e ambasadorët e Kuinit. Me votat e qytetarëve kryeministri dy mandatorë”, me thotë Lulia, “do të rrinte në Drenicën e vet heroike, apo ata para tij do të shullëheshin në Dukagjinit e trimave me flet. Në vend të ngrysnin ditët në bezdinë e jetës provinciale, e rregulluan punën më ndërkombëtar, u dhanë premtime, u betuan se do t’i dëgjojnë si s’ka bërë vaki, prandaj kënaqën në kryeqytet. Luksit nuk ia dinë kufirin”.

Po nuk e shkroi letrën një orë e më parë, është e sigurt ajo, e mori lumi shtetin e saj të pavarur e demokratik në kushtetutë e më ligje që s’i përfillë askush. “Janë sa për sy e faqe këto shkronja në letër”, më tregon ajo për kushtetutë e për ligje.

Përpiqem ta bind se nuk është kaq lehtë, sepse lipsen votat e qytetarëve, lipset ta ketë një parti të fuqishme. “Pse do të fitonin me zgjedhje këta që janë?” Ma kthen përgjigjen aty për aty, pa me lënë t’ia tregoj rregullat e demokracisë.

“Edhe zogjtë e malit e dinë se votat ishin të falsifikuara. Askush s’pret ndryshe as në votimet e radhës. Por askush nga ambasadorët e nderuar nuk e përmendi këtë ‘episod të pakëndshëm jodemokratik’, më hakërrohet ajo për naivizmin tim politik.

-Pse  i zgjodhën, atëherë, sipas teje, - nuk me pritej ta mbërtheja.

“Sepse janë të dëgjueshëm, bashkëpunues, si i thuhet ndryshe gatishmërisë së politikanit për t’ua bërë qejfin të tjerëve në dëm të qytetarëve të vet”.

-Pse ti s’do të bëheshe bashkëpunuese?

“Nuk ka shqiptar nga Merdarja në Morinë, apo nga Tropoja në Konispol që s’do t’i dëgjonte amerikanët”, ma kthen ajo flakë për flakë. Prandaj, nuk e ka të qartë pse i zgjodhën pikërisht këta që janë e jo të tjerët. Kjo gjë e habitë heroinën e Kodrës së Trimave. Ka aq shumë bashkëkombës të saj që s’kanë asnjë njollë në nderin e tyre, ma thotë ajo më pikëllim, por nuk i morën për të qeverisur vendin.

Me la pa mend mprehtësia diplomatike e gocës së Kodrës së Trimave, e cila përsiatë natë e ditë për çështje kombëtare. Dikur me brejti krimbi i dyshimit.

-Pse ua kërkon postin e kryeministrit? Të bësh pasuri a pushtet?

E zura ngushtë. Filloi të belbëzoj si parlamentarët tanë, kur gënjejnë, a zyrtarët kur i zënë me presh për dore, megjithëse shquhej për oratori që se ka asnjë nga politikanët tanë. Sipas saj zyrtarët tanë flasin aq keq sa e rrëqethin. Dy fjali nuk i lidhin bashkë, ndërsa i rren mendja se mund t’i zgjidhin hallet e atdheut.

Iu kthye pyetjes sime. Lulia e kërkonte postin e kryeministrit, ma bëri të ditur, që ta nxjerr vendin e pafat nga balta. Njëqind vjet i ranë në qafë herë Serbia, herë gjithë Jugosllavia, ndërsa 13 vjet kombi i saj nuk e sheh dritën e diellit nga qeverisja e keqe. “Edhe sikur të doja aq keq nuk do të dija të qeveris”, me thotë e indinjuar.

Gati me bindi, megjithëse nga natyra jam dyshimtar. Mbase ca pasuri do të ve anash për ditë të zeza? Mbase do ta bëjë një shtëpi më të mirë për prindër, do të blije një mercedes benz ?!

Nxitoi të më tregoj se edhe Kreshnikut do t’ia gjej një punë më të sigurt, a ndonjë biznes të lidhur me qeverinë, sepse fondet në OJQ një ditë mund të shterojnë. Pararendësit, e saj kryeministra e zhvendosën gjithë fshatin e tyre në administratën e shtetit, ma thotë ajo, e informuar nga gazetat dhe nga debatet parlamentare.

Për këtë arsye dhe për arsye të tjera që i la të nënkuptohen, është e sigurt se ambasadorja amerikane, më ambasadorët e Kuintit do ta mbështesin.

Do të bëhet e dëgjueshme si manare. Sepse, duke dëgjuar amerikanët, ajo do të bëhet njëkohësisht patriote e përflakur. Kush e dëgjon Amerikën e do Kosovën, e do Shqipërinë me gjithë Çamërinë, ma thotë ajo me patetikë patriotike, ende në euforinë e 28 Nëntorit.

I do vijat e prera Lulia me fundin e lumtur si në filmat e Holivudit.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT