E premte, 19.04.2024, 04:49 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Betimi i Obamës

E merkure, 23.01.2013, 07:59 PM


Meditime kur presidenti Obama u betua me Biblën e Linkolnit e Martin Luther King Jr.

ÇDO SHQIPTAR ËSHTË PO AQ I RËNDËSISHËM SA ÇDO SERB

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Dita e Inaugurimit të mandatit të dytë të Presidentit Obama përkoi me Ditën e Marthin Luther King Jr., e cila në Amerikë festohet të hënën e tretë të çdo janari. Martin Luther King Jr., Nobelist i paqes më 1964, lider i Lëvizjes Afrikano-Amerikane i të Drejtave të Njeriut, ikonë e të drejtave civile përmes mosbindjes paqësore pa mjete dhune dhe violencë, i ka kontribuar kësaj dite. Prandaj Barack Obama u betua me dorën mbi dy Bibla, njëra ishte e Abraham Lincolnit, presidentit që nxori jashtë ligji skllavërinë dhe tjetra e Martin Luther King Jr.. Sepse të dy këta burra ndikuan që në fjalimin inaugurial presidenti Obama të thosh se: "Ajo që e bashkon kombin tonë nuk është ngjyra e lëkurës sonë apo prejardhja e emrave tanë, por fakti se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe kanë të drejta të padiskutueshme". Gjysmë shekulli më parë nuk ishte e imagjinueshme që një Afrikano-Amerikan të zgjidhej President i SHBA. Martin Luther King Jr. luftoi që kjo ditë të mos ishte ëndërr!

Në të njëjtën ditë me inagurimin zyrtar të presidentit të SHBA, në Tiranë u kujtua 2 vjetori i 21 janarit, kur dy vjet më parë një manifestim i PS degjeneroi në kaos dhe për pasojë humbën jetën katër viktima të pafajshme. Ka dy vjet që pozita dhe opozita shigjetojnë njëra-tjetrën me akuza, ndërsa drejtësia nuk ka thënë ende fjalën e saj. As për Gërdecin. Aq sa thuhet rëndom se në Shqipëri nuk ka drejtësi.

Por një sistem demokratik, që të funksionojë, duhet pavarësi dhe integritet i tre pushteteve, legjislativit, ekzekutivit dhe drejtësisë, e në Shqipëri pushteti i tretë është i krimbur. Pushteti i katërt, shtypi dhe mediat, është klientelist, ndërsa integriteti i klasës politike e cila popullon dy pushtetet e tjera është për tokë.

21 janari i vitit 2011 i ktheu Tiranës për disa orë të gjata ankthin e 1997, sepse ata që organizuan atë manifestim deshën ta inkuadronin në kontekstin e Revolucioneve dhe Pranverës Arabe, duke harruar se vendi ynë sot është anëtar i NATO-s, ku mjetet që të ofron demokracia e përjashtojnë dhunën dhe kaosin.

Prishtina më 21 janar kujtoi 7 vjetorin e vdekjes të Liderit Indipendentist, në një klimë të tensionuar ku në Preshevë u mbajt protesta e shqiptarëve autoktonë në përgjigje të veprimit fashist, si e cilësoi Adem Demaçi, të makinerisë policore serbe e cila e armatosur gjer në dhëmbë dhe me tytat e armëve gati, të dielën në mëngjes hoqi lapidarin e ushtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Këto paralele dhe fakte të ndërthurura në mënyrë si rastësore, me vështrimin e parë, të duken se nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, në fakt flasin qartë se liria punon. Nëse sot Marthin Luther King Jr. do të ishte gjallë ai do të deklamonte se ëndërra e tij për të qënë vëlla me të bardhin është kthyer në realitet dhe se përpjekjet e tij triumfuan.

Marthin Luther King Jr. sot do t'iu bënte thirrje shqiptarëve që të arrijnë tek aspiratat e tyre duke përdorur metoda legjitime që ofron demokracia. Aspiratat e shqiptarëve në pesë shtete sot janë që të jenë të përfaqësuar nga një klasë politike me integritet dhe se çdo shqiptar të ketë të drejta të barabarta me bashkëqytetarët e çdo përkatesie kombëtare.

Marthin Luther King Jr dhe Ibrahim Rugova po të ishin gjallë do t’i thoshin Daçiqit që t’i ulte armët kundër shqiptarëve të paarmatosur, sepse armët dhe milicia e tij nuk i frikëson shqiptarët dhe se këto armë u kujtojnë shqiptarëve veç krimet e Serbisë së Milosheviçit, çka e bëri të detyrushme mbrojtjen dhe intervenimin e NATO-s.

Martin Luther King Jr. do t’i tregonte Daçiqit se çfarë ndodh sot në Washington D.C. ishte e paimagjinueshme të ndodhte 50 vjet më parë, që Beyonce të këndonte hymnin amerikan, ndërsa një poet amerikan me rrënjë hispanike të recitonte sipas traditës një poezi përpara Presidentit të SHBA, ashtu si kishte deklamuar Robert Frost, poeti i „Fire and Ice – Zjarr dhe Akull“ përpara John F.Kennedy dhe Maya Angelo përpara Presidentit Bill Clinton! Ku është parë kjo! Kjo është parë në Amerikë dhe atje ku shtrin rrënjët liria. Që do të thotë se do të bëhet realitet edhe tek ne në ish-Ballkan.

Ish-Ballkani i ka ikur një herë e mirë erës të konflikteve. Dhe Serbia gabohet nëse do të vazhdojë të bëjë demonstrime force, si ai që pamë të dielën, me mjete të blinduara dhe me tyta armësh për t’i frikësuar e gati për të qëlluar shqiptarët e Kosovës Lindore. Perëndoi ajo kohë. U fut në arkiva, në muzeumet që priten të ndërtohet.

Shqiptarët nuk kanë më frikë nga Serbia sepse shqiptarët besojnë tek liria dhe liria nuk vret, liria mbjell barazinë, është e barabartë midis të barabartëve. Ballkani ka mbaruar punë me diktatorët, prandaj sot është ish-Ballkan. Fati i tyre tashmë dihet. Shqiptarët janë duke sendërtuar lirinë, dhe liria bën që shqiptarët e serbët t‘i gëzojnë frytet e lirisë dhe shanset që u jep shteti i së drejtës në mënyrë të barabartë edhe atje ku janë pakicë edhe atje ku janë shumicë. Kështu thoshte Martin Luther King Jr.. Dhe kështu u bë! Sepse kështu vepron liria!

Mjafton të shihni se si ëndërrat e Martin Luther Kingut Jr. dhe Ibrahim Rugovës sot janë bërë realitet. Dikur, për ne shqiptarët, jo shumë larg në kohë, në një të shkuar të afërme, ishte gjithçka tabu. Ta ëndërroje quhej imagjinatë e çmendur, quhej çmenduri, krim, sot janë të çmendur ata që mendojnë se mund ta ndalin këtë realitet të ri, i cili i fton të gjithë qytetarët e ish-Ballkanit ta gëzojnë jetën si qytetarë të barabartë të Europës juglindore. Sepse koha kur Shqiptarët trajtoheshin si qytetarë të dorës të fundit ka mbaruar!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora