E enjte, 18.04.2024, 11:13 PM (GMT+1)

Faleminderit

Shukrije Bunjaku - Mani: Deshmori Ajet Kosovica

E marte, 29.04.2008, 07:01 PM


DËSHMORI AJET KOSOVICA

1917-1947

 

Nga Shukrije Bunjaku - Mani

 

Për kaçakun e mirënjohur Ajet Bunjaku- Kosovica, derimëtani ka shkruar Dr. Muhamet Pirraku, Në librin e vet voluminoz: “Mulla Idrisi i Gjilanit dhe lufta e Kosovës Lindore”.

Unë që po shkruaj këto radhë, kam qenë 9-vjeçare: mbaj mend situatat dhe veprimet e kushëririt tim Ajetit dhe nga tregimet e të tjerëve përgjithësisht, në veçanti rrëfimet e babait tim të ndjerë, Emërllah-Maleh Bunjku (1905-7.9.1990), rrëfimet e axhës tim të ndjerë, moshatar i Ajetit, Hamza Bunjaku (1917-1996), rrëfimet e vëllezërve të mi të ndjerë, Bejtush Bunjaku (5.10.1929-18.6.2004) dhe Mustafë Bunjaku (5.5.1936-30.8.1990); po ama apostafat për hollësira kam bisedua, për gazetë, me vëllain më të vjetër të Ajetit, Ahmet Bunjakun (1920-1999), të cilin në oborr të vet në Prishtinë e kanë vra snajperistët serbë, me kushëririn tonë, me vëllain tjetër më të ri të dëshmorit Ajet, me Rrahim Bunjakun dhe me kushëririn e Ajetit, Alldyz Bunjkaun, dëshmitarë të gjallë sot- bashkëbarinj dhe bashkëluftëtarë të dëshmorit Ajet Kosovica.

Nga aktakuza kundër Rrahim Bunjakut, për ta përjashtuar nga detyra e policit (për shkak të identifikimit se është vëlla i Ajetit) e datës 24 tetor 1957 në Pejë, nga ana e prokurorit disiplinor, Millosh Mariq, Aje Kosovica quhet: Kryebandit, kaçak e kriminel i luftës (për ne shqiptarët: Kryekomandant e luftëtar i lirisë dhe i pavarësisë), i cili është kapur më 1947 dhe është gjykuar me vdekje- pushkatim. Aty ceket se Ajeti ka vra dy serbë, njëri prej të cilëve, Kostiq Mlladen, ka qenë kryetar i fshatit Bushincë.

Tutje Rrahim Bunjaku akuzohet pse ka ditur e s’ka kallëzuar, nuk e ka denoncuar vëllain e vet Ajetin, i cili ka marrë pjesë në luftën e Hajkobillës, pastaj te Bunari i Thatë dhe në Keqekollë ka luftuar kundër një aradhe partizane, më 12 mars 1944, ku ka vra 25 shokë nga ana e vullnetarëve, të cilën aradhe e ka udhëhequr Ajet Kosovica me Bajram Amatin nga Tugjeci.

Në vazhdim Rrahimi akuzohet për shumë “parregullsi dhe kundërvajtje”, e nga më të rëndat numërohet, se në atë kohë ka qenë në detyrën e policit në Ponoshec, afër kufirit me Shqipërisë, dhe njëherit si kujdestar që ishte, e ka lënë Postrojën me pajisje e municion, dhe ka shkuar në dyqan nja një kilometër larg, e gjatë asaj kohe ka mund të ndodh rast i papëlqyeshëm, të plaçkitet Postaja me municion lufte nga elementë të atij terreni.

Ajet Kosovica ishte tri vjet më i ri se vëllai i tij Ahmet Bunjaku (1920-27.3.1999), i vrarë nga snajperistët serbë; Ajeti ishte 11 vjet më i vjetër se vëllai i vet Rrahimi (1927) dhe më i vjetër se kushëriri Alldyzi (1920),- ata si bashkëbarinj nuk dinë që Ajeti të jetë dalluar për ndonjë send; fillimisht është veshur vullnetar.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ata hynë në Brigadën e III-të, tre vëllezërit: Ahmeti, Ajeti dhe Rrahimi. Kanë shkuar në Marec, në Krilevë, në Bushincë. Në Lisocë te Pajaziti kanë bujtur tri net, në Hogosht kanë bujtur një natë: ka kërcit një pushkë dhe e ka kapur Jakupin, (me pahir), pastaj në Busavatë, në Sllovi, në Shtimje, në Prizren. Kanë qenë 250-300 luftëtarë.

Në Gjakovë Hoxhë Nishevci: aty e njohin Ajetin dhe del në mal. Pastaj del në mal edhe Haliti, Muharrem Poroshtica, Fazli Rukoci nga Tirinca. Ajeti ka qenë kaçak bashkë me Shyt Marecin dhe me Bahtir Dumnicën.

Torturat në Hasan Bunjkaun dhe në Ruhan Bunjakun... Edhe Shaban Bunjakun e kanë torturuar dhe e kanë mbështetur në mur për pushkatim. Stanku i Meshinës, kryetar!

Halil Tugjesi e ka dërguar te mjeku: “Si je, a je mirë?”- s’ka guxuar të flasë as te mjeku, dhe me këtë rast është ndërprerë rrahja. Kurse Rexhep Oranën e kanë mbytur dajak!

Në foto: Ajet Kosovica në midis, djathtas Shaban Qerim Bunjaku (1892-1968), majtas Hamit Sjarina- Hallaqi.

Nga libri voluminoz me 508 faqi i Dr. Muhamet Pirrakut: MULLA IDRIS GJILANI DHE MBROJTJA E KOSOVËS LINDORE 1941-1951”, Botues “Dituria Islame”- Redaksia e Botimeve  Historike, Prishtinë, 1995.

 

Formimi i Shtabit të Rezistencës për Kosovën Lindore

 

“Mulla Idrisi i ka 300 veta të betuar mbi Kur’ani e mbi Flamur se kanë për t’i dalë zot vendit  e trojeve stërgjyshore...!”

(Hafëz Kallaba)

 

Kuvendi emëroi Shtabin Drejtues të Rezistencës Shqiptare për Kosovën Lindore (SHDR): Mulla Idrisi- komandant, Muharrem Fejza- sekretar, Sylë Zarbinca- zëvendëskomandant, kurse për anëtarë u emëruan të gjithë komandantët e njësiteve guerile: Shefki H. Desivojca, Ajet Rainca, Lam Breznica, Ajet Kosovica, Xheladin Kurbalia, Lotë Vaku, Hoxhë Lipovica, Faik Tahiri, e Sylë Hotla.

Më 8 shkurt 1947 bashkëpunëtorët e OZN-as e zbuluan edhe Bislim Zeqirin, nga Mareci, të njohur në popull me emrin Shyt Mareci, një strateg për luftë e trim i paepur. E rrethoi shtëpinë e Rexhë Sinan Vrapcollit në Meshinë, komandanti i milicisë në Hajnoc. Në njësinë e OZN-es ishin përfshirë edhe aktivistët politikë. Pas një lufte të rreptë, çau rrethimin, por me një plagë të rëndë në trup. Meqë sa vinte dhe plaga do t’i rëndojë, me të arritur pranë shtëpisë së Shaban Gubacit, në vendin “Nër Britë e Kurtoviqe”, duke mos pasur mundësi për rezistencë të mëtejshme, për të mos rënë i gjallë në dorë të OZN-ës, ashtu siç ishte betuar,- i aktivizoi dy bomba nën këmbëkryqin e tij. Oznasit në xhepin e rrobave të Shytit gjetën një listë me emrat e rreth 30 bashkëpunëtorëve të OZN-ës, në krye të të cilëve emrin e Zaim Zeqë-Vitisë, e të cilët i kishte në plan për t’i likuiduar! OZN-a në shenjë hakmarrjeje kundër jatakëve të Shyt Marecit, pushkatoi Rexhë Sinan Vrapcin e Meshinës para derës së oborrit dhe Imer Aziz Krasniqin e Tugjecit, tek i cili kishte ndejë, gjatë kohë. OZN-a e ngarkoi në sajë dhe kufomën e Shyt Marecit e dërgoi në Hajnoc, për t’i gëzuar serbët se, më në fund, u shtrua edhe Shyt Mareci!

Realisht, nga fillimi i vitit 1947, OZN-a ndërmori ofensivën e gjithanshme për likuidimin e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare, përkatësisht për likuidimin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare- NDSH-së, në përgjithësi. Burgosjet dhe torturat e OZN-ës ndaj veprimtarëve të NDSH-së dhe të personaliteteve popullore shqiptare, vetëm për “dyshimin e bazuar”, se kanë ndihmuar, ose duke ndihmuar “reaksionin shqiptar...!?”, bëri të mbyllën edhe dyert e jatakëve më besnike edhe për dy anëtarët e vetëm të ish-Shatabit Drejtues të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare në Kosovën Lindore. Ajet Kosovicën dhe Lotë Vakun.

Luftëtari Ajet Emini, i njohur në popull me emrin Ajet Kosovica, sipas katundit atëror, jetoi në Bushincë. Ai ishte nip i ish-kaçakut të famshëm, Vesel Kosovica, i cili së bashku me Ajet Ahmetin e Bllatës, më 1923, vranë çetnikun zullumqar Rade Popullanin dhe ish-vojvodën e periudhës osmane Stojan Sekuliqin- komitin e Domorovcit, kanibal për shqiptarët.

Grupi i Ajet Kosovicës fillimisht pati 16 veta dhe ishte grupi i vetëm i Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare në Kosovën Lindore  1944-1046, që kalonte jetë rreptësisht ushtarake, ndaj asnjë aksion nuk i dështonte.

Mirëpo, në rrethana të papërspektivë për ndonjë fitore të shënueshme të Lëvizjes për Lirimin e tokave Shqiptare nga fundi i vitit 1946, për ta kursyer gjakun e bashkatdhetarëve dhe të popullsisë  së paarmatosur, Ajet Kosovica e shpërndau njësitin dhe për disa muaj jetoi në ilegalitet të thellë. Në marsin e vitit 1947, duke mos pasur dëshirë që t’u sillte telashe miqve e jatakëve, iu dorëzua me “besë” Gigë Strezovcit.[1] Burrërisht u përballoi torturave mizore. Meqenëse OZN-a nuk ia doli t’ia nxirje asnjë fjalë për bashkëpunëtorët e jatakët, e pushkatoi.[2]

 

Kosovica e vogël e trimave të mëdhenj

 

Me sa mbaj mend vetë, apo edhe nga rrëfimet e të tjerëve, që tanimë janë bërë pronë imja, pasqyroj.

 

LUSHI E VESELI JANË KUVENDU

 

Lushi e Veseli-o janë kuvendu

ue- ky Nikolla kryet fort e ka çu

ue- zunë-o pusi o bre përmbi shpi

ie- duel Nikolla-o n’kamë për-o me fshi

ie-krisën pushkët o bre përmbi shpi

ie- këtij Nikollës o bre bri më bri

ie-bri o më bri o bre anë o për anë

ane- gjallë o përjetë o nuk e kanë lanë-eee!

 

Njëfarë Nikollë Qupaku, vojvodë nga Jasenoviku, u kërcënohej kaçakëve, bënte kërkesa materiale nga fshatarët e Makreshit e të Busavatës. Një ditë këtij ia zënë pritën dhe e vrasin Lush e Vesel Kosovica dhe Murat Halim Osmani.[3]

Mirëpo Nikolla filluar t’iu qesë haraç: vjehrrit tim, Murat Osmanit, ia lyp orën e xhepit! Murati i thotë: lyp diçka tjetër, aq sa bën ora, ngase orën e kam kujtim nga babai im? Mirëpo Nikolla nuk pranon asgjë tjetër pos orës! Murati i ankohet kushëririt të vet Bajtush Osmanit, Bejtushi miqve dhe bashkëkaçakëve Lushit e Veselit të cilët i qërojnë hesapet me harambashin.

Bejtë Osmani nga Makreshi ishte kaçak më 1895, i cili ik nga ushtria serbe dhe i bashkëngjitet kaçakut në zë, Vsel Bunjaku- Kosovica. Bejtës fill ia arrestojnë familjen dhe ia dërgojnë në burgun e Nishit: vëllai i Bejtës, Nazifi, 2-3 vjet më i vjetër, vetëm sa ishte martuar me Azemine Bunjakun, që të dy i marrin në burg, nusen më të vjetër, Rukën, të cilës i kishte vdekur burri dhe e kishte lënë me një fëmijë, Nuhiun.

Në pika të shkurtra, këto ishin bëmat e Kosovicës së vogël me trima të mëdhenj, të cilët nuk do të përfillnin as harambashët serbë dhe as Mbretërinë e tyre.

Në këtë atmosferë trimërie, u rrit dhe u brumos Ajeti, dhe u lidh me kaçakun e mirënjohur, Shyt Marecin, dhe pastaj me Organizatën e madhe të Mulla Idrizit, ku pranohet anëtar i Kryesisë në Shtabin e Rezistencës për Kosovën Lindore.

Ajeti me shokë kishin strehimoren te ara Kryelugu, një ngushticë buzëpërroit, e gërryer apostafat, dhe kur futeshin brenda, pas vete tërhiqnin një ferrëkaçubë për maskimin e strehimores- më tregonte më vonë vëllai im Mustafa- i cili si bari, po përvidhej dhe po iu çonte ushqim.

 

Ajeti i pati vra dy serbë në kurorën e qershisë së vet!

 

Atë ditë që do t’iu ndodhte taksirati shkieve, katër kaçakët e Kosovicës: Ajet Bunjaku, Ahmet Bunjaku, Muharrem Bunjkau dhe Halit Bunjaku, ishin në mal mbi shtëpinë e Shaban Bunjakut. Nga katundi Bushincë vijnë në Kosovicë dy serbë, Mlladeni e Dina, të cilët takohen me Bacën Zukë tonin, dhe kur merr vesh qëllimin e tyre, iu ofron të shkojnë në qershiat e tija, se a e dinë ata që Ajeti është në mal? “Jo- i thonë ata- Ajeti është në mal- formal! Tash u çlirua Jugosllavia, po shkojmë t’ia hamë qershia! Se qershiat e Ajetit i kanë kokrrat më të ëmbla se tuat!!”

Dhe në momentin kur shkiet po ngjiteshin trungut e në kurorën e bojlisë, Haliti që ishte hipur në një lis dhe po vrojtonte me dylbi, i sheh shkiet duke u katërrithur qershisë dhe i thërret Ajetit dhe i tregon. Ajeti vrik niset me pushkë ndër dorë e zbathur vetëm me çorape, kur hyn përnen qershi: në pyetjen se kush iu ka dhënë leje të hipin në qershia të huaj?- me mendimin se mos iu ka dhënë leje Baca Zukë?- ata tentojnë t’i kapin armët e veta, pushkë e revolverë, por Ajeti syshqiponjë ua përspjetë dhe që të dy i vret!!

Ishte interesant fakti që Ajeti kishte qëlluar i zbathur, pa opinga (mbase i ka lënë në kaçuba të thahen në diell?), dhe zbret te mullini ku kishte qenë duke bluar, vëllai i njërit nga të vrarët, e urdhëron vrik t’i zbathë opingat, duke i thënë: shko e merre vëllain se është duke ngrënë në qershiat e mia! 

Ajeti vrik mbath opingat e shkaut dhe niset kah katundi Bare, një fshat serb, ku shkiet e shkinat kanë qenë duke punuar nëpër ara dhe të tmerruara nga Ajeti i armatosur, me tri rrethatore fishekësh: një në brez dhe dy krahaqafë, kanë ikur të lemerisur dhe janë fshehur nëpër kaçuba!! Ajeti hyn në një shtëpi serbe ku e gjen një tepsi me fli: ia fut duart përfundi dhe e merr dhe e shin në strajcë. Shkina i thonë se flia është me dhjamë derri?- Ani s’ka gajle!- i përgjigjet Ajeti dhe vazhdon rrugën për të shokët e vet.

Sakaq, Kosovica u rrethua me ushtri e me polici: Draga i Bushincës vringëlli shulin e pushkës për të vrarë! Një partizan nga Shqipëria, quhej Rasim,  ia rrok armën dhe i bërtet: çfarë do!?- kush iu ka thënë të vinë këtu? Vëllaznim-Bashkimi ynë nuk e cenon pronën e tjetrit! E kanë lypur, e kanë gjetur!

A ka pasur fat ushtari Rasim, nëse s’ka marrë vesh Enver Hoxha, se paska një partizan shqiptar që kursyeka ballistët!?! Përndryshe, do të urdhëronte që të vriteshin gjashtë shqiptarë për dy serbë, sikur që ka urdhëruar Ramiz Alija që të vriteshin 21 shqiptarë për 7 serbë, poashtu plaçkitës!!!

Shkinat marrin kujën:

 

Aleluj-aleluj!

Bože pomiluj!

Joj kuku lele!

Joj Mlladene moje!

Joj Dino moje!

Aleluj-aleluj!

Bože pomiluj!

 

(Mësdhiroi zot, që e humbën jetën kotnasikot!)

I morën kufomat dhe i çuan në fshatin e tyre Bushincë. Të nesërmën ortezhi niset tatpjetë kah Kosovica dhe ndaloi te udhëkryqi: po donin t'i varrosnin nën qershi!?!Habia jonë ishte e madhe- pse?- po shpejt morëm vesh se ata duan t'i varrosin në Kosovicë, në vendin e rënies „heroike“, për të bërë pak-histori!

Mirëpo shkinat u kapën për arkivole dhe nuk lejuan, ngase nuk do të guxonin nga kaçakët t'iu shkonon në rate ceremonie, ndaj kortezhi vijoi rrugën për në varrezat e shkive.

Në një rast tjetër, Ajeti kishte qëllua në mal duke u rrua, dhe dudke ruajtur fshatin ee vet nga plaçkitësit partizanë. Afër vetes, si gjithnjë, e kishte lënë pushkën e mbushur. Policia e hetojnë dhe po i shkonin ga pas që ta kapnin, por Ajeti i sheh në pasqyrë! Ajeti me t'u rrotulluar si vetëtimë, i vret që të dytë!!

Më vonë, miku ynë i shtçpisë, Axha Bajram Sadiku nga Reçaku, na ka treguar se kishte marrë pjesë nëgjykimin e Ajet Kosovicës, dhe na trefgonte se Ajeti kishte pranuar se kishte vrarë 20 zullumqar serbë, kurse aktakuza e rëndonte edhe për më tepër.

 

 

 



[1] Giga ishte helaq njeri. Midis poshtërsive që bëri, e dhunoi bijën e vet, e cila, për hakmarrje, e vrau “babanë”!

[2] Shih te Monografia nga Halit Maliqi: “BUSAVATA NËPËR SHEKUJ”.

[3] Shih te Monografia nga Halit Maliqi: “BUSAVATA NËPËR SHEKUJ”, f. 122-123.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora