E shtune, 25.09.2021, 05:32 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Poeti që vjen edhe duke ikur

E shtune, 19.01.2013, 09:29 AM


Poeti që vjen edhe  duke… ikur.

Përsiatje rreth vëllimit poetik “Poema e ikjes” e Aqif Hysës

Nga Timo Mërkuri

1-…edhe poeti iku. Si  qindra mijra të tjerë. Ndoshta edhe më keq se ata që ikën me anie apo ata që kapërcyen  klonet me gjëmba. Sepse poeti iku me skaf, duke shtuar kështu rrezikshmërinë e ikjes. Ne që jetojmë në brigjet e detit, e dimë mire, se  ikja e një skafi nga bregu, është gati si një ikje nga jeta. Një dallgë e madhe, një zbulim i papritur, një pazar i prishur a një plumb i pabesë lëshuar nga ortakët, rivalët apo ziliqarët e skafistëve, i ndryshon drejtimin ikjes, duke e bërë atë të pambritëshme e të pakthyeshme.

Prandaj është e errët si lot murgu, kjo rënie muzgu. Prandaj dhe në këtë korrik, dimri shëtit kaqë pranë. Sepse po nisen, drejt mbritjes apo mosmbritjes…njëzetetetë vetë plus dy fëmijë, njëzetëetetë vetë plus dy fëmijë, plus dy skafistë.

U drodha  te vargu …Dy skafistët/ gjithnjë japin urdhëra për të mos lëvizur…sepse unë e di, që pas atij urdhëri, nuk qëndron kujdesi për njeriun, por e kundërta, flakja e tij në det, me apo pa një plumb në kokë, për të lehtësuar aratisjen e skafit, nga rezja e shikimit të radarëve apo prozhektorëve të anieve patrulluese të vendit fqinj.

U nisën, në një det  të hapur si një libër i madh…me shumë fletë të pashkruara ende,

ku do të shkruhen  kapitujt e rinj me . ..një lot i ngrirë mes qerpikëve/si një presje/në vargjet epike.

Ndoshta  kapitujt do fillojnë me hënën dhuruar nga i biri…mere hënën, ma kthe kur të kesh mbritur…Unë nuk e di, a e mori   hënën me vete,  apo i ndriçonte si hënë e plotë buzëqeshja e të birit, në atë fotografinë e strukur në portofolin bosh, që mbante te xhepi i pasëm i pantallonave.

Por gjithsesi, iku nën një dritë të bardhë, për të mbritur te ato brigje ku .s’ka pulëbardha. As re ska. As gjurmë  Aty, ku… me asnjë metër… malli s’mund të matet.

Iku me dhimbje koke e shpirti, në vënd të një gazmendi shpresëdhënës …Më dhëmb koka, them e shtrëngohem pas litarit….Kam pirë shumë cigare sonte dhe e kam bërë rrëmujë gjithëçka/…/dy pako aspirina kam pirë. Dhe kafe. Dhe kam ikur…

Iku në kërkim të pranverës, por mbriti në dimrin e vetmisë…Pranvera që vjen s’besoj të ma shkrijë dot gjakun/Prej ç’dreq akullnaje dhjetravjeçare qënkam përbërë kështu? /…/ Përvjetori i djalit dhe i vajzës më gjeti pa buzëqeshjen e tyre/…Dhe dashuria ime, buzëhidhëruar nga nikotina më gjeti./S’më puthi…

2-Poeti iku, jo se aratisej nga frika e ndëshkimit për krimet e bërra, sepse në këtë botë, vetëm poetët nuk bëjnë krime…Asnjë zog nuk kam vrarë në ullishtat e fëmijërisë…

Ai iku për njëmijë  arsye shumë të thjeshta, njëra nga të cilat ishte se askush nuk e “ndihmoi” (apo lejoi të ngrinte) të gjente… shtëpinë e tij… banesën numër tremilionë në ç’përallë bën hie…(Apo s’është gjëkundi,përveçse në ëndrra)?

Iku… për të përjetuar një …pritje të  gjatë, plot ankth e dhimbje. Pritje për një rikthim, si rinisje të jetës, thua nga e para, në atdheun e braktisur fizikisht, por kurrë shpirtërisht. A nuk janë këto poezi urat e hedhura mbi  det, që lidhin poetin me atdheun. Dhe a mund të ndërtojë ndokush ura më të bukura e më të forta vallë?

Përmbi këto ura që kalojnë ëndrat dhe shpresat nga poeti tek atdheu  dhe  me pak, fatkeqësisht, nga atdheu tek poeti.

Rinte poeti në brigjet e huaja, te këmbët e urës së ngritur prej tij, në pritje që ti vinte (qoftë dhe për një vizitë në ditëlindje) atdheu apo dashuria e tij.  Kaq kohë pa u parë si  të ishim vrarë/Kaq vjet të paprekur thua kishim vdekur/ As fjalën dëgjuar (mos ishim shurdhuar)?/As vështrimkëmbyer, mall-heshtje pathyer./ Pritja… është pritje që dhëmb. S’di pse më tingëllon si një vajtim kjo poezi, apo poeti vërtet vajtonte  kur e …nxori nga shpirti? Se që është një rënkim shpirti, dallohet në shtatë male.

3-Por nuk iku vetëm poeti, për të mbritur në një… humbje. Ishte koha e një ikjeje të madhe…Ti ke ikur.Dritarja ka mbetur kyçur/Jetime kanë mbetur lodrat/Ikur kanë fëmijët/…/Fjalët ikur kanë/Kanë zënë ndryshk mendimet,myshk vështrimet/

Dhe s’di pse rilexoj si një refren vargun…shumë po ikin e pak po mbeten, ka thënë / plaku i vjetër që kreshnikët imitonte me mustaqe….Sepse me ikjen e tyre, ikën nga vendi edhe këngët e legjendat, ëndrat dhe dashuritë. Qoftë dhe për faktin se s’ka më të rinj që të këndojnë, të ëndërojnë, të dashurojnë. Dhe pleqtë s’kanë kujt t’ja tregojnë legjendat e vjetra, sepse nipërit e mbesat lindin e riten larg.

Nuk ka faj poeti  pse iku, sepse ishte koha e një ikjeje të madhe. Një hemoragji njerëzore e një  vendi, që “rridhte”  nga një plage epokale. Një hemoragji  që shuan  kombe. Që lë kombe e vende pa kujtesë, mbuluar nga hiri i harimit, në qoftë se  ata nuk  kujdesen ta dëshmojnë egzistencën e tyre, qoftë edhe  nëpërmjet gdhëndjes së historisë në mermerin e fjalës. Ndaj poeti nxiton të thotë fjalën e tij… Druhem mos vdes krejt papritur/pa ta thënë fjalën e fundit…

4-   Iku poeti, i veshur me të kaltëra/jo për inat të detit. Iku si një valë deti në zbaticë, për tu rikthyer përsëri me baticën., sepse ai, nuk mund të rijë larg detit..  Të kam thënë,deti çmëndet/po s’shkuam në breg mbrëmjeve… /Të them, s’duron dot njeriu/pa det e pa diell, pa kaltërsi

a-Sepse ai është bir i detit dhe nuk jeton dot larg brigjeve të tij (më kanë thënë miqtë e mi, se në disa brigje fqinje ka emigruar). Madje ai flet me brigjet e me valët  natyrshëm …i paske thënë bregur:më zgjo pas mesante/ ndërsa valës: te bregu më zgjo…

b-Jo vetëm kaqë, por edhe ritmika e vargjeve të kujton ardhjen e valëve në breg, njera pas tjetrës, gati  të paregullta, disa më të gjëra e disa më të shkurtëra, ndonëse me një kadencë muzikore. Madje edhe kur nuk është fjala për detin …Vetë e çova drejt vdekjes.Hap pas hapi/…Shkonim përtej fjalës.Si përtej lodrës/I telefononim erës.Erës së vjeshtës së fundit/Na përgjigjeshin gjethet.Gjethet e rëna udhës….

c-A doni të dëgjoni edhe  ritmikën e valëve të detit në pragvjeshte. Le ta dëgjojmë këtë te poezia ..një shteg tjetër kërko… Dëgjoni pak miqtë e mi…një shteg tjetër kërko në udhën për te dashuria.Një shteg/që se di as ti, as unë.As ata që janë dashuruar para nesh/nuk e dinë. Është pak një e puthur.Dhe një përkëdhelje.Dhe një/ledhatim . Dhe një/buzëqeshje/pak është.Ti ik më tej.Kërko….

Unë mund të sillja shëmbuj të tjerë, por ja lë lexuesit ta shijojë detin dhe zhaurimën e valëve  vetë, gjatë leximit të librit. Edhe po nuk e kuptoi, gjithsesi lexuesi do ta ndjejë. Ashtu siç e ndjejmë magjinë e detit, pa e zbërthyer dot missterin e tij.

ç-Dhe tek ato vargje, te ajo zhaurrimë valësh, ka dhe një muzikë magjike që lum kush e dëgjon. Ja, ta dëgjojmë bashkë te  kjo poezi, që mund të quhej dhe …poezia e kontrasteve…Të kam kaqë pranë.Po prapë të kërkoj/Të prek në çdo cast.Prapë s’je e tëra/Ylli ka ndritur.Mesmosha ka zbritur/Jemi te vetja/autostradë ëndrash të gjëra…

A nuk ndjeni muzikën e një serenade korçare që të fton të bashkohesh me poetin…Le ta shoqërojmë, pra, me kitarë…Hem të them eja.Dhe të them ik/Të ikësh trishtohem.Të vish kam frikë/Eja e ikë.Iki e vij/gjer ëndrat të shkri(iiii)j.

Tani që e zbuluam pentagramin në vargjet e poetit, le të këndojmë  me kitarë dhe një këngë tjetër, psh  …erë e shpërngulur….Tani që gjethet po bien/Dhe joshja është e zbehtë/Kërkojmë të mbjellim erën/Në kopshtet e të tjerëve/.. Tani që deti fryhet/E fillon të bjerë shi prej syve/të kuqen rubin vërejmë.Në buzët e hapura për puthje…

Pak poetë e kanë këtë muzikë në vargjet e tyre. Unë do të thoshja se këtë muzikë ja jep…deti.

5-Poeti iku…dhe u kthye. Në se iku mes heshtjes urdhër-kërcënuese të skafistëve, ai u kthye si një dallgë e madhe, që nuk e pengojnë dot as shkëmbijtë nënujorë. Madje ata e kreshpërojnë, e bëjnë më të bukur në  ardhjen drejt nesh, nën atë bardhësi stërkalash dhe me metaforat si pulëbardha që fluturojnë përmbi të. Dhe vjen drejt nesh si një dallgë deti, jo për të lozur  me ne në ranishte, por  për të na mbuluar të tërin me kaltërsinë e njelmët të vargje-valëve të tij. Dhe kur të vjen dallga e të mbulon, veç të notosh nëpër të të mbetet. Tjetër gjë s’bën dot. S’mund ta lesh në mes leximin e këtij libri, jo .Veç mund të pyesësh kofidencialisht, në se është  autobiografia e poetit ky libër. Ska rëndësi përgjigja, rëndësi ka fakti që pyetja nuk është e gabuar. Sepse këto poezi, janë nga pak biografia e të gjithë shqiptarëve. Prandaj na duket sikur i kemi lexuar (jetuar) diku këto vargje. Prandaj shpesh metaforat ndrijnë mes  vargjeve si lotë të strukur në qepalla.

Kështu u rikthye Aqif Hysa, me  një poezi, ndërtuar (krijuar nga shpirti e hedhur në letër) me një  strukturë mjeshtërore moderne dhe me një fizionomi individuale. Në qoftë se do flisnim për portretin e tij poetik, ai është poeti shqiptar i brigjeve të kaltëra  me shikimin drejt perëndimit. Madje, po të isha piktor, kështu do ta pikturoja, duke ecur  ranishtes, në thellësi të detit, thua se do shkojë me këmbë nëpër det  deri në brigjet matanë.

Dikush tha që erdhi një poet i çuditshëm.(Ç’do të thotë poet i çuditshëm)?

Në detin e pamatë të poezisë u ngrit një dallgë e madhe dhe erdhi në brigjet tona.

Dikush tha që  erdhi von.(Ç’domethënë von, për një poet dhe për një përmbledhje poetike)?

Unë po ju them, u rikthye në Atdhe poeti Aqif Hysa. Ejani ta presim e t’i urojmë mirëseardhjen.

 

6-Personalisht nuk njihem me Aqif Hysën, por pas leximit të librit të tij “poema e ikjes”, nuk di pse m’u fiksua, (ndoshta për këtë fiksim fajin e ka miku ynë A.M. për një ngjarje të treguar nga ai), pra nuk di pse m’u fiksua, se kur të takohemi, do takohemi vetëm në ndonjë plazh.

Ai do jetë duke dalur nga deti (ndoshta një riardhje), si një dallgë që ngrihet, me ujët që do ti rjedh teposhtë nëpër trup, të ngjashëm me  vargjet e poemës së ikjes. Të kaltër, të njelmët në shije, nga kripa apo nga dhimbja. Dhe metaforat e poezive do ti fluturojnë  mbi krye si pulëbardhat mbi dallgë, plot lodrime  e klithje. Vërtet që  do afrohen edhe disa spurdhjakë a trumcakë, që të përzihen me pulëbardhat, si disa poezi andej nga fundi i librit, (sa për mos  ta  marrë  sysh këtë peisazh ),  por unë e mba me vete gjithmon llastikën e fëminisë.

Por ajo që ka rëndësi, është se unë do ta njoh menjëherë.

Jo nga fotografia në kopertinë, por nga kaltërsia oqeanike e shpirtit të tij, që do përplaset te shpirti im.

Siç përplaset dallga e Adriatikut me dallgën e Jonit, në kufirin e  pashënjuar,  mes dy deteve.

Dhe do fluturojnë shumë pulëbardha mbi kryet tona, me siguri.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora