E enjte, 28.03.2024, 08:12 PM (GMT)

Mendime

Skënder Buçpapaj: Hossana, Barjaba!

E diele, 13.01.2013, 10:48 AM


HOSSANA, BARJABA!

NGA SKËNDER BUÇPAPAJ

Është vërtet lehtësi stilistike ta shoqërosh mbiemrin Barjaba me atë të personazhit të njohur biblik, aq popullor tek ne nga poezia e famshme e Nolit, "Marshi i Barabajt", ku thirrja "Hossana, Barabba" përsëritet disa herë në çdo strofë.

Opozita vetë, në përpjekje për të kaluar në kundërakuzë, tha se Kosta që u kap në dyqanet e Kalifornisë duke vjedhur është Barjaba, ndërsa Barabbajt e vërtetë janë pushtetarët aktualë të Shqipërisë.

Në Testamentin e Ri, në të katër ungjijt, Barabba përmendet si një i burgosur ose kriminel i liruar për ta kënaqur kërkesën e turmës para kryqëzimit të Jezusit. Barabba, në të gjitha shkrimet e shenjta, është përshkruar si një vjedhës apo si një i pabindur ndaj ligjit. Sipas zakonit të asaj kohe që në Pashkët të lirohej një i burgosur, Pont Pilati sugjeroi lirimin e Jezusit, por turma protestoi dhe kërkoi lirimin e Barabas. Pilati e liroi atë dhe e dërgoi Jezusin për ekzekutim me vdekje.

Do pranuar që, përveç ngjashmërisë tingullore, pra, personazhi Barjaba, ka edhe përbashkësi të tjera me personazhin biblik Barabba. Ai është kapur duke vjedhur, madje sende të shtrenjta, në një dyqan luksi, në një shtet luksi të Amerikës, në Kaliforni. Nëse Amerika është ëndërr për të gjithë, Kalifornia është ëndërr brenda vetë ëndërrës. Atje Barjaba ka provuar edhe prangat dhe arrestimin nga policia amerikane.

Në kontekstin e tillë, ngjarja nuk do të kalonte pa bujë as në rastin e një emri të padëgjuar. Buja do të ishte e veçantë kur Barjaba është anëtar korespondent i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Doktor i Shkencave Psikologjike dhe Sociale dhe Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike e të Administrimit Publik në një universitet të Tiranës, (Universiteti Mesdhetar) emrin e të cilit nuk e lakon asnjë nga mediat e atjeshme, asnjë nga institucionet e atjeshme. Në një shoqëri dhe vend të komprometuar nga krimi në çdo qelizë është diçka normale që të mos ketë kurrë informacione të plota.

Falë ndjeshmërisë së qytetarisë së standardit të lartë që ka vendosur shoqëria amerikane, posaçërisht ajo kaliforniane, vjedhja e kryer nga Kosta Barjaba me të shoqen dhe të bijën, u publikua nga mediat e atjeshme. Dhe, falë mediave online, zllapat e lajmit erdhën edhe tek ne.

Kompleksin e fajtorit të kapur në faj e manifestuan menjëherë të gjitha palët në Tiranë, si ata që heshtën, si ata që bënë akuza e kundërakuza. Tirana ia ofroi televizionet e saj Barjabës për ta përgënjeshtruar lajmin e dhënë nga mediat amerikane dhe për të mashtruar opinionin publik, siç i thuhet ndryshe asaj pjese të popullit që është më e ndjeshme ndaj zhvillimeve.

Barjaba është anëtar korespondent i Akademisë, pra është emërtesë e vetë Kryetarit aktual të Këshillit të Ministrave. Akademia, pothuaj gjatë gjithë tranzicionit, është dalluar si institucion politik i çdo qeverie në fuqi. Akademia, normalisht, do të ishte adresa e parë ku mediat të trokisnin dhe të pyesnin: Ku e keni Kostan, dini gjë për të? Adresa e dytë do të ishte universiteti ku ai është dekan. Adresa e tretë Qeveria. Adresa e fundit - Partia Socialiste. Kjo e fundit do të ishte e pritshme të gjendeshin edhe njoftimet më të plota e më të sakta.

E vërteta, në kushtet e Shqipërisë, do të vazhdojë të mbetet e përciptë. Të dhëna nuk jep asnjë nga burimet e mësipërme. Në përpjekjet për distancime, për heshtje, apo për fajësime të ndërsjellëta, në fakt shihet përpjekja e të gjitha palëve për t'u treguar dorëjashtë jo aq ndaj individit Barjaba apo familjes Barjaba, por ndaj kategorisë sociale që përfaqësojnë ata dhe dukurisë që përfaqësojnë ata.

I përkufizuar nga disa analistë si një prej pehlivanëve më të shkathët të tranzicionit, që ka pirë në shumë nëna, Kosta Barjaba, në fakt, aktualisht, ndodhej shumë më pranë opozitës. Në shkrimet, qëndrimet, hulumtimet, studimet e tij, Barjaba ishte megafon i opozitës kundër shumicës, duke ia ngarkuar asaj kriminalitetin e lartë, varfërinë e lartë, papunësinë e lartë, sfera këto të fushinteresimit të tij si dijetar i sociologjisë.

Nga të dhënat e përdorura në shkrimet e këtyre ditëve, del se Barjaba është nga ata minoritarë (grek) që është pjesë e mirëfilltë e realitetit shqiptar. Nëse minoritarët tanë do të ndaheshin në tri kategori - ata që gjatë tranzicionit janë vendosur me të dyja këmbët në shtetin amë (Greqi etj.), ata që një këmbë e kanë atje dhe një këmbë në Shqipëri, dhe ata që janë me të dyja këmbët në Shqipëri - Kosta Barjaba duket se mund të klasifikohet në kategorinë e tretë.

Edhe nga analistë më pranë opozitës pranohet që Kosta iu përket atyre që kanë përfituar pa e merituar gjatë tranzicionit dhe është ndër të pasurit. Edhe fakti që festat e fundvitit i kalon në Kaliforni, që shopingjet i bën në dyqanet më të shtrenjta, që është me makinë private, kushedi - ka edhe vilë private në Kaliforni, e tregon se Kosta nuk është për t'ia qarë hallin.

Kosta nuk duket se është një 'vjedhës që e bëri rasti', siç e kanë një shprehje italianët. Jo se i doli përpara një çantë e bukur, i pëlqeu gruas apo vajzës dhe ia luajtën mendjen sa ta zgrapcte, por, siç thonë burimet hetimore kaliforniane, ishte vjedhje e planifikuar.

Meqë sendet e vjedhura, sado të shtrenjta, ishin të vogla, kjo edhe në mediat e Shqipërisë u quajt 'vjedhje e vogël', ndërsa autori 'vjedhës xhepash'. Të tillë ka, në fakt, edhe tek njerëzit e pasur. Vite më parë Winona Rider, një nga hollivudianet më të talentuara, u kap duke vjedhur sende të zakonshme në një supermarket në Los Anxhelos. Kjo është tamam sëmundje e 'kleptomanisë', e 'vjedhjes së vogël' e 'xhepistit'. Rëndom, sidomos në sferat e tilla të larta të shoqërisë, ata me vese të tilla iu nënshtrohen rehabilitimeve.

Si 'vjedhës të vegjël pushteti' janë cilësuar prej shumë vitesh vetë politikanët shqiptarë, madje nga një figurë e tillë e lartë amerikane si Robert Doll, i cili akuzonte për 'kleptokraci' dhe i quante 'kleptokratë' të padurueshëm. Pra, në një shoqëri ku 'pushteti' politik, ai 'ekonomik' ai 'mediatik', çfarëdo pushteti tjetër janë gjëra që vidhen dhe futen në xhep, edhe kleptomania e atyre që përbëjnë të ashtuquajturën 'elitë' të Shqipërisë është një gjë e rëndomtë dhe e legalizuar.

Këto ditë në Tiranë doli një listë për zyrtarët e lartë që nuk i kanë paguar taksat e makinave. Një nga më të 'ndershmit' prej tyre tha 'kam harruar, thjesht është një shkujdesje njerëzore'. Nëse vjedhja e Kostës do të kishte ndodhur në një supermarket të Tiranës, pra, është e sigurt se ai mund ta hidhte me një 'epo ishte një shkujdesje njerëzore' apo 'ishte një dobësi njerëzore'.

E vërteta është se të ashtuquajturat 'shkujdesje' apo 'dobësi' të të ashtuquajturës 'elitë' të Tiranës, janë 'shkujdesje' çnjerëzore, janë 'dobësi' çnjerëzore. Rasti Barjaba, tregoi se Barabajtë janë atje në çdo hap, në çdo zyrë, në çdo shkallë të pushtetit, në çdo rang të administratës. Kjo tregon se Kostat, edhe nëse bankat amerikane do të ishin sende që mund të futeshin në xhep, nuk do t'ua falnin sekondën. Kjo tregon se Barabbajtë e Tiranës, çdo gjë që ua përfshin rrezja e pushtetit, e shanseve që ua jep karrikja, e konsiderojnë të tyren dhe nuk ia falin sekondën. Dhe, një shoqëri që vetëm iu këndon hossananë Barabbajve të saj, ajo është e dënuar me vetëshkatërrim të pashmangshëm, sa dhe të pandalshëm.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora