E enjte, 25.04.2024, 11:19 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Parku i “Çairit” mes sëpatave politike dhe fetare

E premte, 11.01.2013, 05:53 PM


PARKU I “ÇAIRIT” MES SËPATAVE POLITIKE DHE FETARE

NGA KALOSH ÇELIKU

Parkun e bukur të dikurshëm të “Çairit” e mbaj mend si sot, kur isha nxënës i shkollës së mesme normale “Zef Lush Marku”, në Shkup. Përmëtepër, ato vite shkollimi isha vendosur me banesë edhe në këtë lagje të Shkupit. Vendbanim përrallor, që pas tërmetit katastrofal (1963) u ndërtua me ndihmat solidare nga e mbarë Bota. Dihet, politika e atëhershme shtetërore jugosllave e “lulëzoi” për vete si një ndër lagjet më të bukura maqedonase (kombeve dhe kombësive) mes gjelbërimit. Edhe, në atë kohë ua shpërndau banesat falas partizanëve të Partisë Komuniste.

Natyrën qiellore kësaj lagjeje të Shkupit ia kishte falë vetë Zoti. Jo, rastësisht edhe sipas pozitës gjeografike e kishin pagëzuar me një fjalë turke “Çair” (livadhe). Plot me drunj e gjelbërim që e ruante nëpër vite me xhelozi para syrit keq të Dexhallit. Vend, ku ne nxënësit e asaj kohe me kitara përqafe e mandolina të mësuesit të muzikës, Syreja Imami e kalonim kohën e lirë nën hije me cucat azgane qafë për qafe para syve të Hënës deri në agim.  Edhe sot, më rri parasysh si në fotografi: gjelbërimi i madh dhe drunjtë kokë më kokë verë e dimër. Lagje e re moderne, që i gjithë Shkupi ia kishte lakmi. Degëve të tyre, ku nateditë fluturonin plot pëllumba. Zogjë, që gjatë stinës së verës këndonin këngë e gjatë dimrit truma-truma na trokisnin për thërmia buke në dritare. Vetja të dukej se jeton në katund, e jo në mes të Shkupit. Dihet, majë tyre herë pas here kakariste edhe ndonjë laraskë, ose sorrë e zezë. Pasmesnate, edhe Zogu i keq me atë këngën e tij të kobshme shkatrraçe mbi çati, që mezi na vënte në gjumin e thellë të gërhasim për Liri duke sharruar shelgje mes livadheve.

Vite më vonë, pas studimeve në Prishtinë, kur do të kthehem përsëri me punë në Shkup, rreth viteve ’80 –ta, vërtetë do të dëshprohem keq me pamjen e Parkut të “Çairit”. Sipërfaqen e madhe me gjelbërim dhe drunj e kish uzurpuar një stadium sportiv betoni. Thuaj ti se, nuk ka pasur për të ndonjë vend tjetër strehimi në periferi të “Çairit”. Sipërfaqe shtetërore të lënura shkret me vite edhe sot e kësaj dite, të mbjellura me misër dhe lakëra nga pensionistët e afërt me shtëpi.

Gjatë ndryshimeve demokratike, Parkut të “Çairit” do t’i sulet edhe një Parti politike shqiptare (PDSH). Lokalin e vogël turistik “Merkez”, do t’ia dhurojë një partizani të saj partiak, të cilin ai brenda pak viteve pas disa “flijimeve patriotike” partiake do ta uzurpojë gati gjysmën e sipërfaqes së Parkut të “Çairit” dhe do të ndërtojë një godinë të madhe disakatëshe biznesi mbi pronën shoqërore.

Lufta e vitit 2001, Parkut të “Çairit” plotësisht do t’ia ndërrojë pamjen e bukur nusërore të përrallave fantastike. Maqedonasit dhe serbët do t’i shesin me të madhe banesat e tyre për pak e për shumë para, vetëm e vetëm që të mos jetojnë më bashkë me shqiptarët. Lufta e 2001 -shit, menduan se i dha fund “vëllazërim-bashkimit”. Prognozë vizionare kjo e gabuar e “vëllezërve”. Rast i volitshëm ky, që katundarët e fshatrave përreth Shkupit me pak para i blenë banesat e tyre dhe zbritën në qytet. Një rrezik tjetër ky për Shkupin shqiptar. E sidomos “Çairin”, të cilit po ia shohim sherrin si shqiptar sot gjatë “ndryshimeve demokratike”. Shkaku se, i lëshonin fshatrat dhe vinin pa vende pune në qytet. Përgaditje të lartë shkollore. Asnjë shpresë ekzistimi për jetë. E, qyteti si qytet, nuk është si katundi ku e ke plot me pula e gjela oborrin. Lopë e dele livadhin. Dru për dimër në të katër anët e shtëpisë. Qyteti të detyron nëse nuk ke ekzistencë buke, të merresh me të gjitha punët tjera joligjore për ta mbajtur veten gjallë dhe familjen.

Tashti, sipërfaqet e gjelbëruara para ndërtesave dhe Parkun e “Çairit” filloi ta mbulojë me të madhe edhe bërlloku. Ferrat që i sillnin fshatarët nga katundi me të cilat rrethonin oborrin e tyre para ndërtesave. Edhe telat e djersitur gjembor, një rrezik tjetër për fëmijët  që loznin top mes hapsirave të mëdha të gjelbërimit para ndërtesave të banimit në mungesë të fushave sportive. Secila ndërtesë banimi ishte mjaftë larg njëra tjetrës, thuajse projektuesit kishin menduar që fëmijët ta kenë edhe parkun e tyre të lojërave para dere. Populli thotë: Uji fle, po hasmi nuk flen. Drunjt filluan t’i presin për dimër, ndezin zjarrin me flakë si në katund rreth oxhakut. Vetëmse, jo këtij “Rreth oxhaku”, që e shohim ne për çdo javë në ekranet tona televizive me këngë dhe valle popullore. Shpeshëherë, ku fotografohen para kamerave televizive edhe politikanët tanë dhe artistët e partive politike. Po, rreth oxhakut ku drunjt e Parkut të “Çairit” digjen flakë. E për mua si shkrimtar, një dru i Parkut të “Çairit” është i barabartë me një njeri. E pret një dru, e ke vrarë një njeri pas shpine. Tjetër punë është ajo se, te ne në këtë “shtet demokratik” edhe policinë e ka zënë gjumi i thellë dimëror. Nateditë gërhet në gjumë, sharron shelgje mes livadheve.

Përinat të shqiptarëve, përditë e më shumë Parku i “Çairit” zhvishet lakuriq nga bukuria natyrore. Asnjë petk gjelbërimi nuk i mbeti më në trup. Qoftë ai edhe gjethi i Adamit. Rrezik ka, kështu si e kanë nisur partizanët e partive politike shqiptare me politikën e tyre “madhore”, një ditë ta lënë edhe pa brekë në mes të Dimrit.

Kryetari i komunës, më në fund falë luftës së 2001 –shit për herë të parë erdhi shqiptar. Shpresa e vetme kjo, për Parkun me gjysëm shpirti të “Çairit” që Ditën e nesërme të ngrihet nga shtrati. Duartrokitje, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Vetëmse, nuk ndodhi mrekullia e premtimeve të përrallave parazgjedhore. Secili, kujt t’i teket i rrethonte hapsirat para ndërtesave dhe shtronte përmes gjelbërimit rrugica me asfalt për kalimtarët e rastit para zgjedhjeve lokale e parlamentare. Ndërtonte në mes parkut shtëpi pa leje ndërtimi si në kohën e Turqisë. Garazhë për makinën e tij shkatrraçe. Ose, lokal biznesi të çajit rusit. Tjetri kotec të pëllumbave. Partizanët e partisë në pushtet, edhe ndërtesa disa katëshe biznesi të egëra vend e pa vend pa plan urbanizimi, që brenda një nate mbinin si këpurdhat pas shiut. Hapësirat e të cilave, të nesërmen i shitnin me para të majme në Bit-Pazar. Pasurinë e shoqërisë nisën ta përvetsojnë për vete, bëjnë rrush e kumbulla para syve të popullit dhe “Shtetit juridik”.

Njëzet vjet më vonë, në Ditën e sotshme “demokratike”, përveç partive politike kësaj lagjeje të “pastërt” shqiptare me sëpata në krah e duar do t’i sulen edhe “vëllezërit” besimtarë ortodoks të Zotit. Drunjtë e rritur me vite, edhe ato sot pak në numër, brenda një nate do t’i presin persona të papërgjegjshëm fetar në emër të Krishtit dhe me to do t’i ndezin zjarret e krishtëlindjeve ortodokse. Edhe atë, Natën e Madhe, kur besimtarët mysliman të Pejgamberit fundit Muhamedit a. s. e falin “teravinë” në xhami.

Përçudi, me gjithë këta politikanë dhe besimtarë të Zotit dhe Allahut, Parku i “Çairit” në Ditën e sotshme mezi e mbanë veten gjallë mes sëpatave politike dhe fetare para syve të shqiptarëve. Kryetarit të Komunës së “Çairit”, që me siguri kësaj radhe duke u marrë gjatë gjithë vitit me “aktivitete kulturore” partiake në Njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, e ka zënë pa dru Dimri…



(Vota: 318 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora