Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Kirurgu i famshëm amerikan Dorian J. Wilson

| E premte, 11.01.2013, 06:13 PM |


Njeriu dhe….Njerëzorja (2)

KIRURGU I FAMSHËM AMERIKAN DORIAN J. WILSON

Ekskluzive per ZemraShqiptare, nga: Zeqir Lushaj

…I qeshur, gjithnjë i qeshur. Me një trup sportisti të vertetë. I gjatë mbi 1 e 85. Me një ecje tejet të sigurt dukej si një gjeneral në paradë. Bluzën e bardhë të mjekut thuajse gjithnjë e mbante të hedhur mbi supe pa e veshur dhe pa e mberthyer! Ngjyra e zezë e lëkurës, krahët e fuqishëm,   sytë plot besim e afri, sidomos nën kapelen e bluzën e bardhë i jepnin një pamje gati si legjendare. Zoti e kishte falur at Rob për të hequr dhimbje e për të dhuruar shpresë. Gjithnjë i rrethuar me kolegë që e ndiqnin (me një distance nga pas) e sikur i thonin gjithkujt nga larg: -Ky është i pari ynë, ky është udhëheqësi…!

Mbas 11 ditë qendrimi në një ndër spitalet me emër të mirë të Nju Xhersit, (Spitali me emrin e Shenjëtit), mjekja kirurge që e kishte në patronazh si paciente gruan time Sabrien, na tha në esencë, këto fjalë:

-Gjendja e Sabries është shumë serioze. Melçia e saj ka arritur në dimensione të frikshme. Ne nuk e marrim dot pergjegjësinë e operimit… Ju, tani do të paraqiteni në Kliniken nder me të mirat e globit per transplatimin e organeve në Newark dhe aty do të merrni kontakt me shefin e asaj klinike doktorin me famë botrore Dorian J. Wilson. Ai, vet Ai, do e kryej këtë operacion…!

Dolëm nga spitali disi me zemer të thyer. Siguria e mjekes së nderuar e shumë të sjellshme sikur nuk na dha shumë besim e shpresë!… Në mendjen time e të Sabries, vërtiteshin turlifarë hipotezash: “a mos po dojnë me na heq dere”, “a mos është kancer dhe hezitojnë të na thonë”, “a mos insuranca jonë e shendetit nuk i mbulon krejt shpendzimet?”, etj etj.,  insinuata të njeriut hallexhi, të njeriut që e sheh veten në mes jetë-vdekjes!

…!

… I qeshur, gjithnjë i qeshur. Me një trup sportisti të vertetë. I gjatë mbi 1 e 85.  Me një ecje tejet të sigurt dukej si një gjeneral në paradë. Bluzën e bardhë të mjekut thuajse gjithnjë e mbante të hedhur mbi supe pa e veshur dhe pa e mberthyer! Ngjyra e zezë e lëkurës, krahët e fuqishëm, sytë plot besim e afri, sidomos nën kapelen e bluzën e bardhë i jepnin një pamje gati si legjendare. Zoti e kishte falur at Rob për të hequr dhimbje e për të dhuruar shpresë. Gjithnjë i rrethuar me kolegë që e ndiqnin (me një distancë nga pas) e sikur i thonin gjithkujt nga larg: -Ky është i pari ynë, ky është udhëheqësi…!

Pa e parë kurr si njeri (as në foto), por ju siguroj që e njoha dhe prezentimi i tij para nesh në dhomën e pritjes së pacientëve ishte ndoshta thjeshtë një formalitet. Me një dosje në dorë, ai ju drejtue gruas time sikur e kishte parë kushedi sa herë dhe thue se e kishim gjak të afërt:

-Zonja Sabrina! Unë jam doktor Dorian Wilson. Ju kërkoj falje se ju lash me prit pak më shumë se zakonisht prandaj  per viziten e stome nuk do të ju dergoj billë-pagese. Ju ftoj në dhomen e vizitës dhe ju siguroj se kam kënaqësi ti sherbej një familje si ju, -tha ai dhe na prini nëpër ato koridore të mëdhaja që dukej sikur frymonin  me ritmin e frymëmarjes së tij.

…!

…Mbas disa analizash të thella, ishim në herën e tretë në takim me dr Wilson. Nga takimi në takim, nga biseda në bisedë, ai njeri të bëhej me i dashur, më i afert, më shpresëdhënës e bindes në çdo spjegim e deklarim të tij.

Mbasi na foli per gjendjen shendetësore të Sabries, ai doli per dy tre minuta jashtë dhe u kthye me një hartë, më mirë të themi me një grafikë ku paraqitej skicë-diagnoza per të cilën po flisnim. Solli edhe disa mjete plastike që tregonin melçinë dhe me shumë durim, si në një orë mësimi me studentet, na spjegonte ç’ka ndodhur në organin e dëmtuar dhe se, ç’do të bente ai me tej. Perfundimisht tha:

-Sabrina! Ju keni në bark një “top beisbolli”…Po unë do ta heq at’ top! –Ta lëmë per 11 janarin 2001. Ora 8 am? …Fiksoj daten e operimit, e shenoi në kompjuterin e tij sa një telefon i vogel dora dhe na u drejtua:

-A keni ndonjë diçka per të pyetur miqtë e mi të nderuar?

Ndoshta unë u nxitova pak sa nga meraku e diçka ndoshta edhe nga frika dhe e pieta:

-Doktor! –A keni siguri per këtë nderhyrje kirurgjikale?

-Mister Lushaj, -mu pergjigj ai, buzëgas dhe shumë i sjellshem:

-Jam kirurg i vjeter dhe si shef i këtij pavjoni kam plot 13 vjet. Kurr në jeten time nuk më ka ndodhur të më mbetet ndonjë pacient në dorë… Sabrina nuk ka frikë, po ti ç’ke?- më tha ai dhe më ra miqsisht me pëllëmbën e dorës së tij mbi sup.

…!

Data 10 janar 2001. Një natë para operimit. Në ora 9 të darkës në shtepinë tonë në Cliffside Park, ra telefoni:

-Jam doktor Dorian Wilson. Dua të flas me Sabrinën. (Keshtu e shqiptojnë amerikanët emrin Sabrie, ku emri Sabrina është shumë i perhapur).

-…Sonte të lutem të flesh heret, të pushosh sa më e qetë se nesër…, nesër Sabrina më duket se e kem’ lënë që të takohemi!!... Takohemi nesër në mëngjes në klinikë. -Natën e mirë!

…!

Djali ynë i vetem, Lulzimi (profesor në kolegjin “Champittet” të Lozanës), kish një javë që kish ardhur nga Zvicrra per të ju gjetur afër të emës në këto çaste delikate. Kështu që, me djalin Lulin, me nipin Hamitin që jeton këtu në USA, në mëngjes ishim në orën e vendin e caktuar në dhomë-pritjen e para-operimit të ketij pavjoni në Qendren Mjeksore Universitare të Newark,NJ.

…Ora 7-45’ e mëngjesit dhe hapet dera. Shend e gas pershendet i mirnjohuri Prof Dr Wilson dhe i drejtohet Sabries:

-Sabrina! Unë e di që ti je e fortë por edhe unë i fort jam. Të mos kesh asnjë merak.

I bashkoi të dy duart para fytyrës, ngriti shikimin plot besim lartë, dhe foli:

-I lutna Zotit që sot me qenë me Mue e me Ty!!

-Shihemi pas 15 minutave në sallën e operacionit!...

Dhe doli, plot besim, si një fortunë që len pas vetes heshtje e qetësi…

…!

Kishin kaluar 4 orë nga futja në sallë dhe ishte ora plot 12 kur, dr Wilson, u fut vrullshëm në dhomen ku ne ishim në pritje. Si instingtivisht u ngritem njeheresh në kembë.

-Si është gjendja doktor? –Mbaruat?,- -pyeti i pari djali, Luli?

-Gjithçka simbas parashiklimit tim dhe jam shumë i gëzuar. Deri tani kemi kryer vetem hapjen e organeve të mbrëndeshme dhe i kemi vendosur në furka, në tavolinë!… Pra, tani jemi gati të fillojmë nderhyrjen. Jemi tre kirurg por operacionin e udhheq vet-Unë. Po pres edhe një koleg tjetër që vjen per 5 minuta dhe do fillojmë të presim në mëlçi…

…!

-Dola nga salla që të ju takoj juve, Luli. Unë e di se sonte në darkë ju e keni bileten kthyese per në Lozanë të Zvicrrës. Zvicrrën e njoh mirë se atje kam patur fatin të specializohem si kirurg dhe të shtoj se -frengjishtja është një nder pasjonet e mia. Kështu që Ti-Luli, nisu, mos e anullo bileten e per nenen të mos kesh asnjë merak…!

Djali mbasi e falenderoi per këtë vemendje deri tek bileta e tij e udhtimit, i tha se kjo nuk mund të ndodhë, sepse perndryshe unë “përse erdha!”.

-Si të duash, -tha dr Willson duke qeshur, –Veç mos u merzitni se ne edhe 3-4 orë mund të vonohemi.

…!

…Ora 7 e darkës. 11 orë operacion dhe akoma asnjë fjalë, asnjë lëvizje, asnjë lajm veç takimit të orës 12 siç ju pershkrova më sipër…

Unë, djali Luli e nipi Hamitit e kishim humbur qetësinë e gjithçka ishte kthyer në një ankth të paspjegueshem, në një ankth ndjellakeq. Nuk mund të rrimin më në dhomen e pritjes dhe endeshim nëpër koridore per ti dhënë vetes sado pak qetësi… Mbas njefarë kohe, një grua e mbajtur, e kujdesshme në paraqitje e sjellje, na u drejtua:

-Ka kohë që ju shoh të silli këndej. Keni ndonjë hall…?

Ia tham problemin…11 orë në pritje dhe asnjë lajm…!!

-Mos u shqetësoni,- na tha ajo. Unë jam një ndermjetese e shtetit me spitalin dhe kjo këtu është zyra ime. Do shkoj dhe do hy në sallë të operacionit…per një informacion… Dhe ashtu bëri…

Mbas tre katër minutash doli me fytyrën tërë gas dhe nga larg nesh, zgjati të dy duart përpara dhe i ngriti dy gishtat e medhenj lart (konvencioni anglo-amerikan =shkëlqyeshëm!) dhe na foli:

-Asnjë merak mos keni. Sabrina është shumë mirë. Doktor Wilson ka bërë një punë të shkëlqyer…! Për 10 minuta, Ai do të takohet me ju… Prisni te dhoma e vizitorëve ju lutem.

Emocjonet tona u fashiten si një ortek i fuqishëm bore që mbasi ka fshirë ç’ka gjetur perpara në shpatet e maleve, nivelohet mbi shkumen e bardhë të valëve duke bashkuar si një digë e bardhë të dy anët e brigjeve të lumit  me një oshtimë-duhamë larg-përçuese e të pashoqe.

…!

-Ju të tjerët prisni. Luli do vijë me mua dhe do shkojmë të takojmë Sabrinën, –tha dr Wilson dhe i futi krahun djalit e dolën… E shoqroj deri  në reaminacjon. Ju dha porosi personelit: asnjë pengesë per vizitoret e Sabrinës. Zotria ka ardhur nga Europa per të qenë sot afër të ëmës. Pastaj, ju drejtua djali tim: -Infermeret e mia, nga 5 që janë sonte këtu, katër e flasin frengjishtin perfekt, kështu që s’do të keshë asnjë problem…

Sabrieja, mbas atij opracioni odise, ku nga melçia e saj u hoqen plot 7 kilogram e gjysëm mish e gjak, ishte shumë mirë dhe ditën e dytë u ngrit në këmbë.

Zoti në qiell dhe dr Wilson në tokë e kishin bërë mrekullin e tyre duke e rikthyer në jetë.

…!

Mbas disa kohesh, me dërgon djali nga Zvicra një pako të vogël me një brisk-zviceran, si dhuratë per dr Wilson. Shkova te spitali por at’ditë doktori nuk ishte aty e pakon ma mbajten punonjësit e sherbimit per tia dhënë atij.

Të neser-mbrëmen doktori na mori në telefon në shtëpi:

-…Jam i prekur nga dhurata e djalit tuaj. Shumë-shumë faleminderit. Ishte një dhuratë e gjetur me finese… Do e ruaj si një gjë të shtrenjtë, -na tha ai.

…!

  nderuar lexuesit e mi të dashur:

-Këtë publikim qëllimisht nuk e quajta “portret”. Pse do thoni ju? Sepse e kam shumë të veshtirë ta bëj portretin  e një mjeku të njohur, portretin e një kirurgu të famshëm në Amerikë e, këta këtu thonë se është i njohur edhe në kontinente të tjera. Pra, pena ime kështu ndjehet e varfër, e brishtë, e paaftë ta japë siç duhet atë figurë. Eshtë kjo arsyeja që ky shkrim është në mendjen e skedat e mia të shtypit plot tash 12 vjet pa u zbardhur në leter as në ekranin e kompjuterit.

Sot vendosa ta shkruaj, tua jap e ta lexoni, por jo si portret… E inkuadrova në rubriken time të kohëve të fundit në ZSh -Njeriu dhe…Njerëzorja- Dhe unë u mundova që të flas sa më pak per tia lënë vendin sa më shumë Atij, kirurgut të famshëm që do të thoja se: -më shumë se Kirurg i famshëm, i tillë ishte (dhe është), edhe si Njeri-

Kur njeh doktor të tillë si shumë i nderuari Dorian J. Wilson, (edhe koleget e tij), kur sheh e provon kaq shumë herë një sjellje tejet njerëzore, njeriu thotë me veten e tij se: -Edhe vdekja në doren e kësi Mjekësh dhe kësi Njerëzish behet diçka si e parëndësishme, ndoshta edhe krejt e papërfillshme….Kjo që ju tregova unë është vetem një rast në jetën e tejmbushur me ngjarje të tilla të dr Wilson. Por “për të provuar verën nuk duhet të pish tërë fuçinë. E njeh me një gotë…”.

…!

Dua tua them të drejten me dorë në zemer: -I mendoj këto që shkrova më lart, e shumë të tjera dhe…mendja më fluturon fill e në atdheun tim, per të cilin, per të mos e prishur shijen e këtyre radhëve sot nuk po flas.

…Por e di që do të flisni ju, lexuesit e dashur të revistes sonë ZemraShqiptare…

Një pyetje kërkon përgjigje, nga ne të gjithë, e sidomos nga emigracioni:

-Vallë, a kemi ne të drejtë ta ëndërrojmë e përfytyrojmë atdheun tonë si vendet e tjera mbi këtë tokë në të cilen na fali i Madhi Zoti?

E nëse -Po,  -ju lutëm më thoni se: - Kur?

-----------------------

(Shkrimi është pjesë e librit që autori ka në projekt me titull : ”Amerikë, i thonë këtij vendi”).