Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Peter Tase: Pervizi dhe miqësia me Princin Umberto

| E marte, 08.01.2013, 07:57 PM |


Gjen. Prenk Pervizi dhe miqësia me Princin Umberto të Italisë

Nga Peter Tase

Gjatë viteve 1930-1933, Prenk Pervizi, i shoqëruar nga familia e tij,  vazhdonte studimet në shkollën e luftës në Torino duke mbajtur gradën nën-kolonel.  Pasi kreu studimet në Torino, qendroj edhe për dy vjet të tjera në Firence, i caktuar si inspektor i studentëve shqiptar në Itali.

Shkolla e luftës në Torino frekuentohej nga oficerë me gradën kapiten që vinin nga akademi të ndryshme ushtarake nga e gjithë Europa.  Prenk Pervizi akademinë ushtarake e përfundoj me rezultate të larta në Austri, në një kohë kur Europa ishte e përfshirë në Luftën e Parë Botërore (1914-1918).

Perjudha e studimeve në Torino ishte e mbushur me plotë kujtime për Major Prenk Pervizin përfshi këtu edhe miqësinë e ngushtë me Princin trashëgimtar Umberton, me të cilin shoqërohej dhe shpesh herë Umberto e thërriste dajë, duke patur parasysh se Malazezët (tek të cilët ishte nip) dhe shqiptarët i përkisnin të njëjtës origjinë Ilire.  Siç dihet nëna e Umbertit, Helena, ishte e bija e Krajl Nikollës, Mbretit të Malit të Zi.  Umberto ishte gjithmonë në shoqërinë e Prenkës gjatë orëve të lira si edhe nëpër festa të ndryshme.  Duhet theksuar se kuadrot ushtarak në Torino, vinin nga familjet fisnike të Italisë kryesisht nga dinastia Savoja, që sundonte mbi krahinën veriore të Piemontit, në kufi më Francën, dhe në këtë shkollë prania e tyre ishte e madhe. Madje edhe mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III kishte dalë nga portat e kësaj shkolle. Krahas elitës italiane në Torino kanë studjuar edhe grupe oficerësh nga e gjithë bota përfshi këtu princa Japonez, Tailandez por edhe anëtarë të familjeve të njohura në Austri, Poloni, Francë e Gjermani.

Pavarësisht nga paraqitja e tij me një fizik të shkurtër, Viktor Emanueli kishte një kulturë të gjerë por faktikisht nuk gëzonte autoritet mbretëror dhe sundimtari de facto i Italisë ishte Benito Musolini.  Sido qoftë marrëniet e Prenk Pervizit me Mbretin Viktor ishin thjesht formale por megjithatë nga kultura e monarkut ai mësoj shumë.  Ndonëse nuk kanë patur rastin të bëjnë biseda politike, përsëri vihet në dukje admirimi i madh që mbreti kishte për Gjergj Kastriot Skënderbeun, të cilin e përmëndte herë pas here në akademinë e Torinos si “një strateg i madh shqiptar dhe princ i një populli të vogël trim.”

Bisedat mbi Shqipërinë kanë qënë krejt normale madje nuk përmëndej asnjë herë mundësia e ndërhyrjes ushtarake të Italisë përtej Adriatikut, jo vetëm nga Mbreti por edhe nga ushtarak të tjerë që kalonin ditët bashkë me Prenk Pervizin në Torino.

Marrëdhëniet morën një dimension të ri kur princi Umberto u martua dhe Prenka ishte ftuar familiarisht për të marrë pjesë në dasmën madhështore ku nusja e princit do të ishte princesha e Belgjikës.  Megjithëse Prenka largohet për në Firence, ai përsëri qendroj në kontakt me Umberton sa herë qe ai shkonte në Kolegjin e Don Boskos. Kthimi në Shqipëri i Prenk Pervizit, do të vështirësonte më tej kontaktet e këtyre dy ushtarakëve të talentuar por kjo nuk do të zgjaste shumë sepse Major Pervizi do të caktohej si anëtar i komisionit vëzhgues ndërkombëtar në luftën e Italisë në Abisini, Etiopia e sotme, 1935-1936, e cila do teë vijonte  pastaj me manovrat e mëdha të Italisë në Gusht, 1936.  Në këtë perjudhë ai pati rastin të kuptoj planin e Musolinit për aneksimin e Shqipërisë, sepse në shtabin ushtarak Italian, në Abisini, kishte shokët e shkollës së luftës në Torino me të cilët shkëmbente mendime fare hapur.  Prenk Pervizi kishte patur mundësinë të fliste nga afër me gjeneralët e shquar Italian si Badolio, Graciani dhe De Bono, të cilët i kishin lënë për të kuptuar se mbas Bririt të Afrikës e kishte radhën Shqipëria, e cila do të bëhej pjesë e planit të Duçes për të ringjallur Perandorinë Romake. Me anëtarët e komisionin të vëzhguesve të huaj ishte takuar edhe Musolini, i cili duke i dhënë dorën Prenkës, i tha se “Shqiptarët janë një popull i vogël” dhe Prenka i ishte përgjigjur duke i thënë se “edhe napoloni i arit është i vogël por vleftën e ka të madhe,” batuta të cilat u mbyllën me të qeshura.  Një skenë e ngjashme do të përsëritej edhe në Manovrat e medha në Gusht 1939, ku mori pjesë edhe vetë mbreti Viktor Emanuel, i cili përshëndeti delegacionet e huaja duke filluar si gjthmonë me delegacionin nga “Albania.” Kur u takua me Prenkën, Viktor Emanueli u kënaq që po takoheshin përsëri dhe theksoj se “Shqipëria i ka dhënë Historisë një Strateg të madh, Skënderbeun.”  Pas tij Musolini, përsëri deklaroj se “Shqipëria është një shtet i vogël dhe do ta bëjmë të madh.”  Prenka, flak për flak ja ktheu: “ne na mjafton ashtu siç është” dhe Duçja i befasuar nuk kishte ç’farë të thoshte dhe e mbylli fjalimin e tij duke falenderuar pjesëmarrësit.

Fatmirësisht, Gjen. Pervizi, njëri ndër të vetmit kuadro të ushtrisë shqiptare, ishte në dijeni të planeve të Musolinit disa vite para se të zbarkonte ushtria Italiane në brigjet e Durrësit.

Megjithëse i raporton në kohë mbretit Zog I, mbi ofensivën e mundshme Italiane, Gjen. Pervizi caktohet komandant i qarkut të Korçës, në vend që të ishte në krye të mobilizimit të ushtrisë shqiptare për të qenë  arritur në gatishmërinë e duhur ndaj ofensivës së mundshme Italiane e cila pritej nga momenti në moment.  Për arsye të pashpjegueshme Gjen. Pervizi nuk gjeti mbështetjen e mbretit Zog, për të filluar përgatitjet dhe trajnimin e forcave tokësore dhe çuditërisht u dërgua si komandant larg Tiranës zyrtare.

Mbreti Viktor Emanuel vizitoi Shqipërinë në Verën e vitit 1942. Me atë rast qeveria Shqiptare, shtroj një pritje të madhe me të ftuar special. Gjen. Pervizi nuk ishte ftuar zyrtarisht nga autoritetet Shqiptare; ai konsiderohej një besnik i madh i Ahmet Zogut por edhe kundërshtar i betuar i ndërhyrjes Italiane, gjë që e kishte treguar në frontin e luftës Italo - Greke, ku me urdhër të tij trupat Shqiptare e braktisën frontin; si rrjedhoj Italianët pësuan disfatën e radhës dhe ja ngarkuan përgjegjësinë shqiptarëve “dezertorë”.  Trupat shqiptare u tërhoqën nga fronti dhe gjen. Pervizi bashkë me shtabin e tij u izolua në malet e Pukës; kjo ishte dhe arsyeja pse qeveria Kuislinge Shqiptare në pushtet nuk e kishin ftuar atë në darkën zyrtare me mbretin e Italisë.  Përpara kësaj situate, Italianët duke dashur të ishin korrekt në atë pritje vërejnë se emri i Prenk Pervizit mungonte dhe me një herë i nisin atij një ftesë të veçantë me skicën e vendit në rreshtin e tavolinave, ku ai do të ulej m’u përballë mbretit Viktor.  Kur Gjen. Pervizi hyn në sallë, pala shqiptare u shtang madje kishte zëra që dyshonin se ai kishte ardhur me kokën e tij, dhe po këta njerëz u habitën kur Gjen. Pervizi bisedonte shumë miqësisht me mbretin Viktor Emanuel III i cili tregoj se dinte të ruante miqësitë e hershme.  Ky takim do të ishte edhe kontakti i fundit i gjen. Pervizit me autoritetet italiane.  Gjatë gjithë karierës së tij ushtarake, gjen. Preng Pervizi, ka treguar një devotshmëri dhe profesionalizëm të standarteve perëndimore, vlera të cilat fatkeqësisht edhe sot nuk vështirë të gjenden në kuadrot e ushtrisë shqiptare.  Fatkeqësisht ai vazhdon të mbetet gjenerali i harruar i Shqipërisë - ashtu si shumë te tjerë - me gjithë kontributin që ai ka dhënë për rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe besnikërinë e admirueshme që ai kishtë për mbretin Zog I deri në ditët e fundit të monarkisë.