Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Intervistë me Prof. Fehmi Kelmendi

| E hene, 07.01.2013, 10:07 PM |


Intervistë me Prof. Fehmi Kelmendi

“Shqiptarët nuk kanë nevojë për fanatizëm fetar dhe liderë me biografi komuniste”

Në këtë situatë tejet të vështirë të një varfërie të skajshme që e përjeton populli i Kosovës, të ndërtosh një xhami me vlerë prej 30 milionë eurosh, në vend që të ndërtohet një fabrikë për inkuadrimin e njerëzve të papunë, don të thotë mëkat i pajusfikuar. Mufti Tërnava, për interest e tija personale, është në gjendje ta kthejë popullin për njëmijë vjet prapa. Ky gjest antifetar është në kundërshtim me rininë shqiptare të cilës nuk i konvenon fanatizmi fetar, por shkenca dhe kultura. Ky është një nga mendimet e mia që ia servova Prof. Fehmi Kelmendit gjatë vizitës së tij në Bukuresht, por zotëria e tij ka të drejtë ta pranojë apo demantojë.

Nga Baki Ymeri (baki.ymeri@yahoo.com)

B. Y.:  - Si i vlerësoni bisedimet Prishtinë-Beograd?

F. K.: - Është për t’u çuditur, se pas bisedimeve të Vienës (shkurt 2006-mars 2007), nën mbykqyrjen e Marti Ahtisari dhe ndihmësi i tij Albert Rohan, bisedimet e reja nuk kanë rezon. Sa mendoj unë, Serbia pas paraqitjes së rezolutës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të verifikuar shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, se a ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ky organ më i lartë i botës, e dërgoi rezolutën respektive në GJND. Për vlerësim, GJND e miratoi vendimin në favor të Kosovës. Megjithatë, Serbia nuk u pajtua dhe hartoi Rezolutën e dytë, me verdiktin e GJND-së, të cilën e paraqiti përsëri në Këshillin e Sigurimit. Faktori i jashtëm, sipas gjasave, u mori vesh me Beogradin që të tërheqë Rezolutën, duke i premtuar se ajo që është e mundur prej të gjithë opsioneve, pjesa veriore e Kosovës të fitonte një status special për serbët, dhe se trashëgimia fetare e kulturore ortodokse serbe, si dhe enkllavat serbe të fitojnë disa të drejta plus pakos së Marti Ahtisarit. Unë mendoj se kanceri serb po e bren Kosovën duke u shndërruar në metastazë. Ky model është i ngjashëm me modelin e Bosnjës.

-Cili është mendimi Juaj për Ibrahim Rugovën?

-Në krahasim me udhëheqjen aktuale të LDK-së, Dr. Rugova ka përparësi në çdo aspekt. Megjithate, nuk e pranoj dot atë që e thot Kujtim Morina, gjoja se Rugova paska qenë profet dhe se Titoja paska qenë më i mirë se Enver Hoxha për shqiptarët. Ky krahasim nuk ka lidhje me realitetin historik.

-Më duket se Kujtim Morina dhe Kadri Mani i ndjerë të kanë ofenduar gjoja se paske qenë enverist! Në kohën e Enverit shqiptarët nuk i ngrejshin vithet në rrugë si tani, në Tiranë apo Prishtinë.

-Punë për ta. Për të vdekurin vetëm fjalë të mira (De mortuis nihil nisi bene), ndërsa me Kujtim Morinën, pa marrë parasysh funksionin dhe orientimin e tij politik, kurëdoqoftë jam gati të ballafaqohem për t’i treguar me fakte të pakontestueshme se dashamiri i tij, Titoja, ka qenë xhelat i popullit shqiptar. Enveri ka nam gabimesh të pafalshme, por vjen fjala për fenë, Enveri i bashkoi shqiptarët duke ua servuar shqiptarizmin si fe, në vend të islamizmit apo kristianizmit. Dhe jo vetëm kaq. Në krahasim me socializmin, demokracia ka bërë nam punësh të mira për infrastrukturën e vendit (turizmi, rrugët, mendimi i lirë etj.), por ka bërë edhe mëkate të pafalshme në pikëpmaje të moralit apo strukturës demografike të Shqipërisë, duke i mbushur rrugët e Italisë me femra që shesin trupin, apo Greqinë me rreth 700 mijë shqiptarë për të siguruar ekzistencën e familjes.

-Cili është mendimi juaj për Kinën?

-Kina përnga popullsia zë vendin e parë në botë. Prandaj, popullsia kineze do të detyrohet të zgjerojë territorin. Dhe cili vend është më i përshtatshëm, pyes vetëveten? Përpos Rusisë fqinje, Kinës së madhe asnjë vend tjetër nuk i përshtatet për ekspansionim pozitiv. Pse, sepse Rusia ka 17.075.200 km², duke qenë vendi më i shtrirë në botë, me një popullatë prej rreth 142 milionë banorë, në kohën kur Kina ka mbi njëmiliard banorë.

- Çfarë pershtypje keni nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

-Në vitin 1998, vizitova disa qytete të rëndësishme të SHBA-së, dhe me një rast u mbajt një tubim i shqiptarëve në Çikago, ku Josef Diogardi me bashkëshorten e tij e udhëheqën tubimin. Pas mbylljes iu drejtova Diogardit me këto fjalë: Në krahasim me satelitët e Rusisë në Ballkan (Serbia, Greqia, Maqedonia), ne shqiptarët kemi qenë dhe mbetemi besnik të përhershëm të Amerikës, dhe të gjitha shpresat i kemi varrë në shtetin më demokratik dhe më të fuqishëm në çdo pikëpamje në botë, nga i cili presim t’i korigjojë dhe përmirësojë gabimet e Europës, duke na bashkuar në një shtet të vetëm kombëtar. Pastaj e njohtova edhe me hisoriatin e Luginës së Preshevës. Për të njëjtën gjë i kam shkruar edhe Xheorxh W. Bushit të Ri.

- Çfarë mbresash ju ka lënë takimi me Adem Demaçin?

- Vitin e kaluar në muajin dhjetor, isha për vizitë te vëllau im në Prishtinë, dhe një ditë u takova me Adem Demaçin, me të cilin patëm një bisedë prej 2-3 orëve. Ndër të tjera, unë atij i thash me plot sinqeritet se meriton të jetë president i Kosovës, për disa arësye: 1. Është trim dhe nuk frigohet, nuk shitet as nuk blihet, kur në moshën më të mirë e ka treguar veten si patriot i shquar, edhe më tepër në këtë pjesë të moshës së tretë do të tregohet si patriot i devotshëm, prandej populli duhet vetë ta kërkojë për udhëheqës të tij. Ai heshti dhe nuk m’u përgjegj, duke më lënë të kuptoj se nuk e mundon lakmia për pushtet.

- Cili është roli i mërgatës shqiptare për interesin kombëtar?

- Diaspora shqiptare, si në Europë, ashtu edhe në Amerikë dhe gjetkë, ka kontribuar maksimalisht në interes të çështjes kombëtare. Ajo nuk e la popullin e Kosovës duke e ndihmuar me para të mos nënshtrohet para pushtuesit serb, dhe njëherit, një pjesë e rëndësishme e organizimit të luftës çlirimtare të Kosovës i takon kësaj diaspore. Por, sot askush nuk interesohet për gjendjen e kësaj kategorie, sikur që nuk po interesohen për veteranët, për luftëtarët e lirisë, për të plagosurit, për invalidët e luftës dhe familjet e tyre. Dhe me plot të drejtë, si të zhgënjyer, të anashkaluar e dëshpruar, shqiptarët e kanë humbur besimin në klasën politike të Kosovës.

- Gjendja aktuale në Kosovë.

- Po qe se e vërejmë rrjedhën e ngjarjeve historike, kundruar kronologjikisht në epoka të ndyrshme, konstatojmë se ato kanë qenë gjithmonë të karakterizuara që nga ilirët e këtej, me përçarje mes shqiptarëve. Për fat të keq, kjo traditë e dëmshme ende po vazhdon tek ne shqiptarët. Sot, duke mos kuptuar si duhet pluralizmin politik dhe demokracian e mirëfilltë, janë formuar një mori subjektesh politike, që shpiejnë drejt përçarjes mes tyre. Liderët partiakë nuk honepsen, kurse mjetet e informimit janë të njëanshme, sepse u mungon korektësia, sinqeriteti dhe objektivizmi, duke botuar artikuj, kritika, sarkazma, sipas rekomandimeve dhe dëshirës së botuesit. Fjalën e kemi për mediat e shtypura, e jo ato të Internetit. Por edhe disa deputetë pa përvojë dhe pa traditë parlamentare, sillen si ujqërit e tërbuar në Kuvend. Qeveritë shqiptare, posaçërisht kryetarët e tyre, në vend të avansimit të procesit demokratik, veprojnë si diktatorë, sundojnë si burokratë, teknokratë dhe autokratë. Pothuajse asnjëri prej tyre nuk çan kokën për popull, por mendojnë vetëm se si ata të pasurohen në kurriz të popullit. Këto lëndojnë emocionete shtresës më vitale të popullit. Zgjedhjet lokale në Shqipëri më 8 maj 2011, nuk ishin të ndershme sepse votat janë vjedhur. Besimi i sovranit u kepërdor. Po e njëjta gjë ndodhi edhe në Kosovë. Këtë e vërtetoi kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili në Kuvend deklaroi publikisht se PDK-ja edhi në pushtet me vota të vjedhura. Përndryshe, J. Krasniqi i përket partisë së njëjtë, duke qenë i dyti pas kryetarit Hashim Thaçi.

- Si e shihni kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë në Tiranë?

- Në Tiranë u pregadit me pompozitet kremtimi i 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Në këtë manifestim shkuan vetëm ata që kanë lekë, por jo edhe idealistët, ata që kanë lindur dhe janë në gjendje të vdesin për Shqipërinë e Bashkuar, për Shqipërinë Reale, apo për trojet e bashkuara në një shtet kombëtar. Disa diletantë të politikës shqiptare vijnë me moton gjoja se Shqipëria do të jetë e bashkuar në Bashkësinë Europiane, dmth. në BE. Beeeee blegërijnë delet, por deleve u mungon dashi. Vajhalli për klasën tonë politike, liderët e së cilës janë ntrashur si derrat, kurse tani kërkojnë edhe kurban qengjash e deshësh, thuajse jemi në Azi apo Arabi. Po ç'keni me kafshët, more kafshë të politikës ballkanike që e poshtëroni njëri-tjetrin, duke krijuar mbi 20 parti politike në trojet shqiptare për të gëlltitur djersën dhe gjakun e kombit shqiptar!

- Çka mund të na thoni lidhur me besimet fetare?

- Besimet janë paragjykime, parafytyrime dhe imagjinime të njerëzve që pranojnë diç të mbinatyrshme duke u dhënë atyre cilësi hyjnore. Këto faktikisht janë botëkuptime të njerëzve primitive që lidhen me kulte, rite, magji, mite e legjenda nga frika e vdekjes, nga mosdija apo edhe nga interesi. Mosnjohja e fenomeneve natyrore dhe shpjegimi i tyre i gabuar shpie tek besimet e kota. Fetishizmi është besim në objekte të ndryshme të cilëve u përkulen, u bëjnë kulte apo therren (siç është rasti i kurbanit). Idetë fetare fillojnë sipas bestytnive. Kemi psh. adhurimin e natyrës dhe të dukurive të pakuptueshme dhe të pashpjegueshme të saj. Animizmi (animos-shpirt) është formë e besimit primitive se të gjitha sendet paskan shpirt. Totemizmi (totem-kafshë), është besimi i rendit fisnor kur adhurohet kafsha si e para dhe mbrojtësja e fisit. Religjionet: Poligenizmi, teori antropologjike sipas të cilës racat e ndryshme njerëzore rrjedhin nga të parët e tyre, respektivisht nga kafshët e ndryshme (psh., ujku, dhelpra, luani, skifteri, gjarpëri etj.). Politeizmi, besimi në shumë zotëra. Antropomorfizmi, paraqitja e hyjnive me pamje njerëzore. Monoteizmi, besimi në një zot.

-Dini gjë për budizmin?

-Ky besim fillon në Indi dhe përhapet pastaj në Azi. Lajmërohet në shek. 6 para Erës Sonë. Themeluesi i budizmit është Buda (560-480). Ky religjion propagon barazinë njerëzore dhe parasheh Zhdukjen (Nirvana) dhe Ringjalljen (Reincarnatia), gjë që këtë fenomen e gjejmë te Bibla dhe Kurani. Religjionet janë rezultat i kohës dhe rrethanave të caktuara, si dhe i nivelit të vetëdijes së njeriut. Ky nocion tregon botëkuptimin e njeriut rreth fesë dhe rreth fenomeneve që e rrethojnë, të cilët i spjegon në mënyrë të gabuar. Fillohej me mite, legjenda, fantazi, përfytirime etj. Krahs zhvillimit ekonomiko-social dhe të vetëdije shoqërore, paragjykimeve ndaj botës reale që karakterizohen me besime të llojllojta, perceptimi është rezultat i imagjinatës së kohës. Ateizmi është mohim i religjionit. Është e drejta e secilit individ të zgjedhë fenë që e do, apo ateizmin, pa kurrfarë imponimi. Përfundimisht mund të them se religjionet kanë shkaktuar përçarje, luftëra dhe viktima të pafajshme. E vetmja rrugë për shpëtimin e njerëzimit duhet të jetë toleranca, mirëkuptimi, paqa, harmonia dhe respekti i ndërsjellë.

-Por përveç feve, ka diç tjetër që sjell përçarje, konflikte, gjakderdhje dhe viktima të pafajshme?

-Po, janë partitë politike që sjellin të njëjtat fatkeqësi. Të marrim shembullin e Shteve të Bashkuara ku ekzistojnë vetëm dy parti politike që nuk konfrontohet mes tyre siç veprojnë dyzet partite tona politike në Kosovë, Shqipëri e gjetiu.

-Me çfarë pështypjesh jeni kthyer nga Stambolli?

- Përpos objekteve kulturore, pata rast të vizitoj edhe rezidencën e Sulltanit në Top Kapi. Përshtypjet e mia lidhur me këtë vizitë janë tejet të hidhura. Aty, me një koleg të studimeve, Sedat Xharto, hymë në harem, ku kustosi turk na tregonte historiatin e aventurave të pamoralshme të sulltanëve. Ndër të tjera, ai na tregonte dhomat e femrave të reja, të quajtura xharije, të zëna rob apo të blera me të holla. Ndërkohë, miku im, Sedati, reagoi duke i thënë: Po si është e mundur kjo kur njerëzit kanë dhënë jetën për sulltanët duke menduar se paskan qenë profetër? Kustosi turk iu përgjigj: Mos bën mëkat se zoti ua ka lejuar sulltanëve një gjë të tillë. Prej këtyre femrave, në harem asnjë nuk ka qenë turke dhe asnjëra nën moshën 20 vjeçare, duke qenë  shqiptare, ukrainase, bullgare, etj. Ku i ka hije udhëheqsit të një perandorie të shfrenohet me viktima të pafajshme, disa prej të cilave ishin minore?

- Cili është mendimi juaj për lidhur me përçarjen ndërshqiptare, apo, pse jemi kaq të përçarë gjatë historisë? Cilët janë faktorët dhe ideja juaj për zgjidhjen e këtij problem? Cili është mendimi juaj për Shqipërinë? Ka apo s’ka demokraci atje?

- Në kryengritjen ilire të vitit 6-9, të udhëhequr nga Batoni Desitiat kundër Romës, u ngrit kundër tij Batani Breuk, i cili u vu në shërbim të pushtuesit. Në kohën e Gjergj Kastriotit, u ngritën dy kundërshtarë që tentuan ta tradhëtojnë (Hamza Kastriotit dhe Moisi Golemi). Ali Pashë Tepeleni, për hir të inatit, nuk bashkëveproi me Mustafa Pashë Bushatin e Shkodrës për të krijuar një shtet të fuqishëm shqiptar. Esat Pashë Toptani, me ndihmën e serbëve, iu kundërvu Ismail Qemalit. Ahmet Zogu, poashtu me ndihmën e serbëve, përmbysi Qeverinë demokratike të Fan Nolit. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, u kapën mes veti në momentin më kritik kur Kosova gjendej nën shpatën e Demokliut serb. Në vitin 1997, lufta civile shpërtheu në Shqipëri me fajin e Fatos Nanos dhe Sali Berishës, të cilët luftonin për pushtet, duke marrë në qafë mbi 10 mijë shqiptarë të pafajshëm. Në Kosovë, presidenti Rugova dhe kryemistri Bujar Bukoshi, me fajin e këtij të fundit, i acaruan raportet dhe e dëmtuan çështjen kombëtare. Në Kongresin e 6. të LDK-së, u kapën për post Fatmir Sejdiu me Nexhat Dacin dhe e përçanë partinë. Në Kongresin e 7-të zgjedhor, Isa Mustafa e shtriu përtoke Fatmir Sejdiun. Njëri i stafetës së Titos, tjetri hajni që e ka plaçkitur diasporën shqiptare. Ukë Rugova krijoi triumvirat me armiqtë e babait të tij, me dy hajna të famshëm, Bujar Bukoshin dhe Isa Mustafën. Kam përshtypjen se, dy qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës, kanë uzurpuar pushtetin me metoda mafiotike, duke e shndërruar shtetin në pronë private.

- Si e shihni ngritjen e Xhamisë në madhe në trojet Universitetit?

- Në këtë situatë tejet të vështirë të një varfërie të skajshme që e përjeton populli i Kosovës, të ndërtosh një xhami me vlerë prej 30 milionë eurosh, në vend që të ndërtohet një fabrikë për inkuadrimin e njerëzve të papunë, don të thotë mëkat i pajusfikuar. Mufti Tërnava, për interest e tija personale, është në gjednje ta kthejë popullin për njëmijë vjet prapa. Ky gjest antifetar është në kundërshtim, madje, me Kuranin dhe me fenë islame, e sidomos me rininë shqiptare të cilës nuk i konvenon fanatizmi, por shkenca dhe kultura. Më habit fakti se një dr.prof. i medicinës, Ferid Agani, tenton të tregohet më katolik se Papa, duke tentuar ta shndërrojë popullin në një turmë  kafshësh që sulen pas kultit islamik në vend të kultit patriotik, për të fituar poena në popull, sepse kjo kafshë politike i lakmon votat. Kjo demagogji konfesionale shërben për interest e Serbisë dhe të njerëzve të pashpirtë. E respektoj besimin Tuaj që është e drejtë Juaja, por nuk keni të drejtë të kontribuoni në kafshërimin fetar të kombit shqiptar!

- Çka mendoni ju si historian lidhur me rolin e gruas në botën shqiptare?

- Mjerisht, nën ndikimin e disa faktorëve, si primitivizmi, robëria, feja, mentaliteti, tradita etj., gruaja shqiptare nuk ka qenë e barabartë për një periudhë të gjatë, bile edhe sot e kësaj dite nuk është e barabartë me burrin. Gruaja konsiderohej sa unë e mbaj mend, si rob i shtëpisë, megjithëse roli i saj shumëfisht është më i madh se roli i burrit, sepse gruaja është nënë, amvise dhe edukuese e fëmijëve. Sa i përket rolit pozitiv të femrës shqiptare, dëshmojnë aktet heroike të tyre. Shumë sosh kanë luftuar trimërisht duke mbrojtur atdheun e rezikuar, psh.: Kaja Galia nga Nokshiqi, Trinka Smalja, Ganimete Torbeshi, Sabrije Bije Vokshi, Shukrie Surraj-Cara, Laskarina Bubulina, Nora Kelmendi që vrau Vuço Pashën, Shote Galica, Kita Paro, Sado Koshena, Hibe Palikuqi, Hava Shala, Xheva Lladrovci, Marigo Pozeo e shumë të tjera, pa e harruar mbretëreshën ilire, Teutë. Kushdo që e maltreton femrën, nuk është njeri, por kafshë.

- Keni vizituar një numër të konsideruar të shteve, që nga Turqia deri në Amerikë. Cili është sistemi më i përsosur në botë?

- Prej të gjitha shteteve që i kam vizituar, më së tepërmi më ka pëlqyer Suedia. Pas saj vjen Zvicra. Suedia ishte parajsa e botës. Pse? Sepse derisa në Kosovë ushtari i UÇK-së vret vetëveten si pasojë e varfërisë, në Perëndim varfëria apo pleqëria nuk na trembin.

-  Sa jeni të kënaqur me vizitën tuaj të dytë në Bukuresht?

- Gjatë vizitës sime të parë (2010), me rastin e përurimit të suksesshëm të librit tim “Golgota kosovare”, konstatova se nga 100 vetë në sallë, 95% që e nderuan këtë manifestim ishin rumunë, kurse vetëm 5% shqiptarë. Vaj halli për ne! Dy shqiptarë e tre parti. Egoizëm, bajraktarizëm, karierizëm, inat aziatik dhe xhelozi ballkanike. Gjatë vizitës së dytë, konstatova të njëjtën gjë, duke njohur dhe duke qenë i shoqëruar më shumë nga rumunë se sa nga shqiptarë. Nuk mund ta harroj kurrë mençurinë, diapozonin dhe simpatinë ndaj shqiptarëve që ka Tiberius Puiu (ish/këshilltar qeveritar, njohës i 22 gjuhëve, autor i 100 shkrimeve mbi Kosovën dhe Shqipërinë. Fola edhe me një mik tjetër të madh të shqiptarëve, zt. Gheorghe Bucura (diplomat). Nuk mund ta harroj kurrë mikpritjen që na e bëri Dr. Xhelku Maksuti dhe bashkëshortja e tij, zonja Dojna, rumune, bijë prifti ortodoks, por që i do shqiptarët më shumë se çdokend në botë, duke e ditur të kaluarën tonë të hidhur. Ç’ka bërë Shqipëria, dhe ç’ka bërë Kosova për zotin Maksuti dhe zotin Tiberius Puiu që e kanë shkrirë jetën për Kosovën dhe Shqipërinë.

BOX

Redaksia dhe autori që e realizoi këtë intervistë, kanë të drejtë të pajtohen apo mospajtohen me të gjitha përgjigjet, ndërsa konkluzioni ka të bëjë me një të vërtetë, se prof. Fehmi Kelmendi, autor i disa veprave historike, nuk i përkulet asnjë feje dhe asnjë partie. Kjo është e drejtë e tij në moshën 82 vjeçare, duke i njohur gjërat konform realitetit dhe duke e shprehur mendimin e tij të lirë, konform të drejtave dhe lirive të njeriut.