E premte, 19.04.2024, 08:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Mujë Buçpapaj: Fjalori i 8 dhjetorit

E hene, 07.01.2013, 09:01 PM


Tetë dhjetori prodhoi terminologjinë e re të lirisë

Për studentët ato ditë dhjetori fjala revolucion ishte si fjala “dashuri”, apo “ta rrëzojmë regjimin komunist”, ishte e ngjashme me një si “a do latë darke”, fjala “Poshtë Nexhmije Hoxha”, ishte pak a shumë si “zonjushe a dëshiron të bëjmë një vallëzim bashkë”, një rregull rutinë i mbrëmjeve strikte të organizatës së rinisë komuniste në fakultete. Fjala “poshtë regjimi komunist” ishte tamam si, “kjo supë e mencës shtatë nuk hahet, pse nuk kërkojmë diçka tjetër më të mirë nga qendra”.

Esse nga Mujë Buçpapaj

Tetë dhjetori bëri një rregullim të historisë. Nëse tirani kishte menduar se kishte fashitur çdo shpresë për trazirë, 8 dhjetori dha shembullin e kryengritjes. Një natë ndau historinë. Rebeluesit ndaj sistemit, një grusht djemsh dhe vajzash studentë konviktorë, kapërcyen rregullin. Dolën nga godinat e errëta të Qytetit “Studenti” për t’iu drejtuar kryeqytetit me një shpërfillje ndaj sistemit të hekurit dhe dhunës.

Ata ngjitën në majë të natës dritën e guximit. Përpara kishin sistemin e dikaturës së proletariatit, sampistët, anëtarët e byrosë, pleq të rrjedhur dhe mizorë, strukturat e krimit të fshehtë, skuadrilet e pushkatimit pa gjyq, ushtrinë dhe urrejtjen ndaj lirisë.

Tetë dhjetori prodhoi lirinë, forcën e ecjes dhe sendërtimit të fjalorit të ri politik.

Tashmë fjala Komitet Qendror ishte një përqeshje, ndërsa kalec vetëm një nofkë. Një byroist ishte një matuf, ndërsa një polic një mjeran i pashpresë. Një pjesë e shoqërisë kishte dalë nga rreshti dhe gjendej në rrugë në kërkim të Europës. Shoqëria e kazermës po shpërbëhej. Slloganet “E duam Shqipërië si gjithë Europa” dhe “Liri-Demokraci” e tronditën nga themelet Komitetin Qendror dhe Sigurimin e Shtetit. Liri, Demokraci, Barazi, NATO, Perëndim dhe Mosbindje, është fjalori i ri i tetë dhjetorit.

Ajo natë me gjithë spontanitetin e saj, zuri të papërgatitur sistemin e diktaturës së proletariatit. Në mesnatën e 8 dhjetorit 1990, kur batalione të dhunshme të regjimit ngritën dorë kundër Azem Hajdarit dhe bashkëstudentëve të tij, Partia e Punës së Shqipërisë me gjithë strukturat e saj, e vendosi veten në anën e kundërt të historisë. Për këtë shkak, por edhe për të tjera më të rënda që do të vinin më vonë, Partisë së Punës (sot Partia Socialiste) i mungon 8 dhjetori.

Ky nuk është një detaj i vogël. Është krejt historia e PS-së, ndaj pluralizmit. Më saktë, mospranimi i tij, kundërshtimi nervoz që zë fill më 8 dhjetor 1990.

Përleshja kishte filluar për jetë a vdekje, mes dy sistemeve, në mes dy formacioneve, edhe pse më të pabarabartat në botë. Njëkohësisht më të ndryshmet. Studentët kishin vetëm ëndrrat e lirisë dhe zemrat e forta, ndërsa PPSH-ja kishte mekanizmat e dhunës që do të ndërsente mbi studentët. Që nga ky moment bashkëstudentët e Azem Hajdarit nuk ishin më konviktorë të thjeshtë që e kishin ngrysur atë natë pa darkë dhe në errësirë, por luftëtarë të lirisë, ndërsa ata që ishin në anën tjetër, Muri i kalbur i Berlinit, zgjatimi i telave me gjemba që kishin mbajtur të izoluar vendin për gati 50 vjet.

Atëherë kur gati na kishin lënë shpresat për një ndryshim, studentët ndezën zjarrin ku gjërat do të shiheshin më mirë.Në Universitetin e Tiranës drejtonte Azem Hajdari, në Universitetin e Shkodrës studenti radikal  Flamur Buçpapaj.

Presidenti komunist Ramiz Alia, një vit pas rënies së Murit të Berlinit dhe prerjes së kokës së Çausheskut, dukej qartë se po mashtronte. Ai nuk kishte qëllim të inicionte reforma që preknin thelbin e sistemit, por vetëm të reformonte atë, ta bënte më të manovrueshëm në kushtet e reja botërore. Siç thuhej atëherë, “një farë Kube në breg të Adriatikut”. Por studentët nuk mendonin kështu. Thirrjet e tij se “Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim”, apo “një rast i veçantë”, ishin qesharake. Fjalimet e tij të fshehta në Byronë Politike se, “edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim” ishin kobndjellëse. Përpjekjet e tij për të ruajtur edhe Enver Hoxhën edhe sitemin socialist ishin antihistorike. Ato nuk mund të çonin në pluralizëm dhe bash për këtë shkak studentët kishin ngritur krye, duke formuluar terminologjinë e lirisë gjatë një procesi të vështirë të matjes së forcave. Me studentët kishte shumë faktorë. Me regjimin thuajse asnjë. Për studentët ato ditë dhjetori fjala revolucion ishte si fjala “dashuri”, apo “ta rrëzojmë regjimin komunist”, ishte e ngjashme me një si “a do latë darke”, fjala “Poshtë Nexhmije Hoxha”, ishte pak a shumë si “zonjushe a dëshiron të bëjmë një vallëzim bashkë”, një rregull rutinë i mbrëmjeve strikte të organizatës së rinisë komuniste në fakultete. Fjala “poshtë regjimi komunist” ishte tamam si, “kjo supë e mencës shtatë nuk hahet, pse nuk kërkojmë diçka tjetër më të mirë nga qendra”.

Ky ishte fjalori i ri që lindi papritmas më 8 dhjetor, por që mund të kishte lindur edhe më 14 janar 1990 në Shkodër kur u rrëzua busti i Stalinit, më 2 korrik 1990 kur u thyen ambasadat në Tiranë, apo në fund të tetorit 1990 kur vendin e braktisi Ismail Kadareja, në shenjë proteste ndaj regjimit. Por mllefit shoqëror i duhej pak kohë për t’u përgatitur për 8 dhjetorin, siç i duhet një kuzhinieri të mirë për të përgatitur një gosti. Ky ishte banketi që studentët i kishin rezervuar regjimit, e thartë, biles e hidhur për byroistët, për bllokmenët, për dinastinë komuniste, por e nevojshme që vendi të dilte nga izolimi, censura, përjashtimi kombëtar dhe vetëshkatërrimi.

Faktori SHBA, rrënja e Murit të Berlinit, dështimi i regjimeve socialiste përgjatë Europës Lindore, rrënimi ekonomik, papunësia, varfëria ekstreme, kriza e bukës dhe zija e ushqimit, ishin kundër sistemit. Shqipëria reale ishte kundër regjimit, Presidenti Amerikan Bush dhe “Zëri i Amerikës”, ishin kundër regjimit.

Ora e gjykimit kishte ardhur nga Azem Hajdari  që ishte një   gjykatës i rreptë, por të drejtë. Gjykimi i tij vazhdon edhe sot ndaj Partisë Socialiste që u gjend atëherë në anën e kundërt të historisë. Ai bëri thirrje të ecnin përpara, të shembnin sistemin gjakatar, i cili po e mbante Shqipërinë larg proceseve europiane. “Dominoja e fundit” siç e quanin amerikanët Shqipërinë e asaj kohe, po binte. Pas katër ditë protestash, apo mitingjesh ne Qytetin Studenti,  do të lindte edhe Partia Demokratike. Fjalori i tetë dhjetorit do të bëhej terminologji e lirisë dhe e Shqipërisë europiane, do të bëhej pjesë njerëzore e Partisë Demokratike.

Tetë dhjetori ishte vetëm një miting, një takim i lirisë, një  protestë ndaj regjimit komunist dhe ai i përkiste studentëve, të cilët katër ditë më vonë themeluan Partinë Demokratike. Fjala antimiting u shpik nga komunistët si një menyre per t’iu kundervene furtunës demokratike qe i kishte vënë perpara.

Zhargoni i dhjetorit, tashmë ka ndryshuar gjithçka. Përveç terminologjisë së mirësjelljes që u përdor për herë të parë pas gati 50 vjetësh, si “zonjë” dhe “zotërinj”, pas 8 dhjetorit 1990, sloganet “Miting”, “Shkojmë në miting”, apo “Si shkoi mitingu” u shndërrua në një fjalor të ri të njerëzve të PD-së, të krejt qytetarëve shqiptarë. Ndërsa antonimi “antimiting” është një terminologji e Partisë Socialiste, është një kundërvënie.

Pra, fjala miting për herë të parë u përdor nga demokratët në dhjetor 1990, kurse fjala antimiting u përdor për herë të parë nga burokracia socialiste në janar 1991, duke u bërë në vazhdim një praktikë e saj kundër PD-së. Qysh prej 11 janarit 1991 kur PS do të organizonte antimitingun e parë në Tropojë (për shkak se dy udhëheqësit kryesorë të PD-së, Sali Berisha dhe Azem Hajdari ishin nga Tropoja), deri më sot, dhjetor 2009, termi antimiting ka mbetur në fjalorin e vjetër të PS-së.

Festimi i demokratëve dhe popullit të Tiranës më 8 dhjetor 2012, është një rikthim tek 8 dhjetori 1990, tek fjalori dhe terminologjia e lirisë që prodhoi ajo datë fatlume e historisë tonë të re.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora