E premte, 29.03.2024, 11:36 AM (GMT)

Mendime

Elida Buçpapaj: Nexhmedin Spahiu bën shqyptarin...

E diele, 06.01.2013, 12:55 PM


Reagim ndaj shkrimeve të R. Xhungës dhe N. Spahiut

NEXHMEDIN SPAHIU BËN SHQYTARIN PROFAN TË RUDINA XHUNGËS!

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

Reagimi im lidhet me dy shkrime të botuara tash së fundi që kanë ngjallur diskutime. I pari nga Rudina Xhunga titulluar «Serbi afër teje... » dhe i dyti nga Nexhmedin Spahiu „Rudina Xhunga dhe dallimi Kosovë – Shqipëri“.

Nuk është e vërtetë se ne dhe fqinjët tanë nuk e dimë historinë e njëri-tjetrit; nuk është e vërtetë se ne shqiptarët prodhojmë mite; nuk është e vërtetë se historiografia shqiptare minimizon kontributin e fqinjit tonë verior në Europë, sepse ne nuk kemi fare historiografi; nuk është e vërtetë se shqiptarët shohin me lente zmadhuese të shkuarën e largët me qëllime denigruese ndaj fqinjit tonë verior apo me qëllim dëmtimin e fqinjit tonë verior; nuk është e vërtetë se jemi treguar ndonjëherë agresivë ndaj pakicave; ne jemi dalluar gjithnjë nga mikpritja, bashkekzitenca, toleranca fetare e shqiptarëve është unike; nuk është e vërtetë se kemi ndërhyrë në punët brendshme të fqinjit tonë; se kemi dërguar ne njerëzit tanë të themelojnë partinë komuniste në Beograd, përkundrazi. Ne jemi duke folur për të tashmen ose për të shkuarën e afërt, kur ndodhi një konflikt i përgjakshëm, ku viktimat ishin shqiptarët dhe agresori ishte një shtet kriminal. „Falni, por mos harroni“, u tha shqiptarëve të Kosovës Presidenti Clinton. Dhe kurrsesi të harrojmë. Kujtesa na bën veç mirë. I bën mirë edhe fqinjit tonë verior.

Nuk kemi arsye t’i largojmë frikat se fqinji ynë verior nuk i ndal pretendimet ndaj Kosovës; nuk është e vërtetë se jemi ne inatçorë, hakmarrës apo urrejtës ndaj fqinjit tonë verior.

Nuk është e vërtetë se ne jemi fajtorë ndaj fqinjit tonë verior; nuk kemi kryer asnjë faj, asnjë vepër që të na bëjë të kërkojmë ndjesë, nuk e kemi shqetësuar kurrë fqinjin tonë verior, nuk e kemi përdorur kurrë historinë për të ushqyer asnjë lloj nacionalizmi apo patriotizmi e krenarie. Nuk jemi krenuar ne me Nishin por Serbia, nuk jemi krenuar për turpin tonë as me perandorin iliro-romak Shën Konstandinin, që ligjëroi dhe përhapi krishtërimin, por Serbia.

Gjithmonë jemi sulmuar prandaj na është dashur të mbrohemi. Kjo është e gjitha, kjo është e vërteta, por ne duam të fillohet një faqe e re e historisë moderne, si fqinj dhe vende të integruara në Europë.

Nuk kishte asnjë simpati, dyzim apo dyshim, siç pretendon Rudina Xhunga në programin e Ivo Andriçit kur firmosi “Memorandumin e Akademisë Serbe” që siç e pohon vetë Rudina programonte shfarosjen e shqiptarëve.

Programin e Andriçit e ekzekutoi pikë për pikë Milosheviçi në luftën e fundit në Ballkan që shkaktoi mijra viktima dhe 1 milion të dëbuar. Pas 14 vitesh edhe sot e kësaj dite nënat shqiptare të Kosovës presin një lajm apo një trumbë eshtra të fëmijëve të tyre vrarë gjatë këtij konflikti mizor, ku urrejtja etnike dhe fetare ishte monstruoze. Rudina Xhunga tani do të bëhet nënë dhe sa ta marrë foshnjen e saj në krahë uroj që ta kuptojë dhimbjen e nënava të Kosovës.

Shqiptarët e Kosovës dhe shtetit amë kanë treguar shumë vullnet pas konfliktit që të ndërtojnë me fqinjin tonë verior marrëdhënie të fqinjësisë të mirë në kontekstin e reciprocitetit e integrimeve europiane. Janë zhvilluar për herë të parë në historinë midis dy vendeve takime të nivelit më të lartë në të mirë të dialogut, ndërkohë që Serbia e Nikoliçit reagon me platforma që cënojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës. Ashtu si u shpreh edhe Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Jacobson, e cila nënvizoi se «platforma e Serbisë për Kosovën është pengesë për dialogun në mes të Prishtinës e Beogradit».

Këtë qëndrim do të duhej të mbante pseudoelita shqiptare në Shqipëri ndërsa vazhdon e mbetet puthadore si në kohën kur Enver Hoxha do t’i justifikonte të gjitha vrasjet e shokëve se ishin kryer me orientimin e Miladin Popoviçit.

Tani janë zbuluar fakte të reja që hedhin dritë se Enver Hoxha ka patur lidhje të ngushta me Serbinë, më tepër përmes Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Për një fije floku, Shqipëria nuk u bë republikë e shtatë e Jugosllavisë. Masakra e Tivarit është një krim, ku janë të përfshirë regjimi i Enver Hoxhës dhe Serbia. Por gjatë diktaturës, në asnjë kohë - edhe në ato më të tendosurat midis dy vendeve, - asnjëherë nuk u ndal bashkëpunimi. Edhe tani. Serbia nuk i ka dorëzuar kurrë dosjet e spiunëve të saj midis rradhëve të shqiptarëve dhe kjo do të thotë se njerëzit e Serbisë në trojet shqiptare, përfshi edhe shtetin amë kanë qenë e vazhdojnë të mbeten të privilegjuar, ndërsa politikanët janë shumë prudentë në qasjen ndaj Serbisë. Ndërsa opinionistët si puna e Rudina Xhungës janë ultrakonformistë dhe puthadorë.

Dhe prandaj nuk kemi si të mos pretendojmë se ndodhemi përballë fasadës së një segmenti të politikës, si vijim i atij të Enver Hoxhës, në kushtet të reja.

Si konkluzion do të thosha, se dëshirat e mira dhe vullneti i mirë duhet të jetë i kompensuar nga pala tjetër, në mënyrë reciproke, nëse jo, elitat duhet të kujdesen që të ndihmojnë afrimin nga pozita të barabarta dhe jo të përgjunjëzuara, siç bën Rudina Xhunga.

Shkrimi i Xhungës shkaktoi me të drejtë shqetësim në Kosovë dhe opinioni publik reagoi me pyetjen „e si është e mundur të shkruhet kësisoj“.

Ndërkohë, nervozizmi kaloi të gjitha përmasat dhe Xhunga u sulmua me një gjuhë të padenjë dhe të patolerushme, kur, në vend të iracionalitetit, do të duhej të hapej temë për diskutim dhe të ftoheshin gazetarë të Tiranës e të Kosovës për t‘u shprehur. Por gazetarët e Tiranës janë plaçka më e pavlerë e konsideruar nga politika e tranzicionit dhe oligarkët e mediave, ndërsa opinionistët-oligarkë kushedi se ku lluksozeshin në ndonjë rezort lluksi në kontinentet e ngrohta, për turp të botës.

Dhe Rudina Xhungën nuk kishte se kush ta mbronte. Atëherë sollën në skenë Nexhmedin Spahiun, një kalorës pa kalë, që i doli në krah Xhungës, i doli në mënyrën më donkishoteske të mundshme, por për çudi, jo nuk është aspak çudi, donkishotizmi i tij u botua gati në të gjitha gazetat e Tiranës. Shikoni pra pushtetin e oligarkisë mediatike si instrument të një segmenti të politikës të Tiranës, që ka pushtet politik dhe ekonomik, por që s’ka asnjë lidhje me demokracinë dhe marrëdhëniet midis dy shteteve në kohën e sotme.

Po ndalem tek reagimi i Nexhmedin Spahiut, i cili vë në diskutim pozitën e tij si intelektual dhe publicist. Në pseudoargumentat që ai jep për të mbrojtur Rudina Xhungën, shkruan se reagimi negativ i shqiptarëve të Kosovës ndaj shkrimit të Rudina Xhungës „ vjen për shkak të një moskuptim thelbësor mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë…", sepse, sipas Nexhmedin Spahiut, „shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri përbëjnë dy kombe të ndryshme, jo se ka dallime në gjuhë dhe gjak, por dallimi është në konceptimin politik“.

Një përçartje tjetër e Nexhmedin Spahiut është kur del me deduksionin se „Të jesh viktimë nuk është gjë për t’u mburrur“. Po ky zotëri nuk është fare në vete, sepse, natyrisht, asnjë shqiptar i Kosovës nuk mburret se ka qenë viktimë e Serbisë, por çdo shqiptar i Kosovës kërkon drejtësi dhe një shtet ku të jetojnë të gjithë bashkë në liri, demokraci dhe të integruar në Europë!

Kulmi arrin kur Nexhmedin Spahiu shkruan se „shqiptarët e Kosovës sapo kanë lindur si komb dhe janë në foshnjërinë e tyre kombëtare, ata madje ende nuk e kuptojnë se kanë lindur si komb. Ende trashëgojnë mentalitetin e pakicës etnike.“

Mentalitet foshnjor nuk kanë shqiptarët e Kosovës, por mentalitet të një të vonuari ka pikërisht i ashtuquajturi publicist Nexhmedin Spahiu, i cili e arrim një kulminacion tjetër të padijës së tij kur shkruan se „Rudina Xhunga i takon një kombi tashmë 100-vjeçar… për dallim prej kombit kosovar që po mbush 5 vjet jete, ai shqiptar tashmë ka mbushur 100 vjet.“

Zoti na ruajtë! Ky profan nuk e ka idenë dhe nuk e bën dot dallimin midis shtetit dhe kombit! Shqipëria dhe Kosova janë një komb disa mijëra vjeçar, nga më të lashtët në Europë, flasin një gjuhë, kanë një histori dhe në mileniumin e tretë jetojnë në dy shtete, shteti amë posa ka hyrë në qindshin e dytë, ndërsa Kosova së shpejti feston 5 vjetorin e pavarësisë dhe çlirimit të saj nga një ish-pushtues, si Serbia e cila do t’i bashkohet një ditë me Kosovën dhe Shqipërinë në BE, por që tani për tani ka shprehur qartë se nuk dëshiron që t’i bashkangjitet aleancës Verio-Atlantike të NATO-s, e cila i shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga konflikti i fundit i urrejtjes etnike në Ballkan.

Tani nuk ka më dyshime se e ardhmja e rajonit është integrimi dhe shqiptarët janë fatlumë ngaqë u ka trokitur fati në derë që të jenë faktorë integrimi, paqeje dhe stabiliteti, por nuk kanë asnjë arsye të shfaqin kompleks inferioriteti ndaj fqinjit tanë verior, i cili ende nuk është shkëputur nga e shkuara e tij mitomane dhe vazhdon t'i pengojë proceset në të mirë të gjithë banorëve të rajonit.

Disa muaj më parë Vuk Jeremiçi, ish-Ministri i Jashtëm serb ishte vizitë zyrtare në Zvicër dhe gjatë një konference për shtyp me gazetarë e pyeta se përse ai, duke qënë i ri në moshë e duke i takuar gjeneratave të reja, të edukuara në Perëndim, Europë dhe SHBA, kalonte pjesën më të madhe të kohës në qiell duke fluturuar nga njëri kontinet tek tjetri për t’i bindur vendet që vizitonte për të mos e njohur Kosovën, kur do të duhej që kjo kohë të përdorej për të ndërtuar ura midis dy kombeve, sepse tani e kemi një fat të përbashkët siç është integrimi europian.

Por deri më tani nuk e kemi asnjë shenjë të tillë. Ne të gjithë ishim dëshmitarë se njohja e pavarësisë të Kosovës nga ana e Pakistanit shqetësoi Beogradin për të vazhduar turin që të mos lejojë pavarësinë e Kosovës! Ne po ashtu jemi dëshmitarë se si po tensionohet situata në Bujanoc dhe Luginën e Preshevës për shkak të kërcënimeve të kryeministrit serb Ivica Daçiç për heqjen e Përmendores së Dëshmorëve të UÇPMB-së apo për heqjen e Flamurit Kombëtar. Ky është realiteti. No comment.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora