Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edgar Frashëri: Mendime për monumentin e mbretit

| E diele, 06.01.2013, 10:08 PM |


Disa mendime per monumentin e ish mbretit Zog.

Nga Edgar Frasheri

Pa rrezikuar të hyj në vlerësimin e figurës së ish mbretit Zog, më ngacmoi ana e realizimit të monumentit dedikuar atij, i vendosur në krye ( sepse vetëm sot është krye) të bulevardit që i është vënë emri i ish mbretit. Sapo që e pashë skulpturën dicka në kujtesë më ngacmonte se ajo mund të kishte ngjajshmëri me një vepër tjetër të realizuar. Mbas disa përsiatjesh, them se kam gjetur atë që më rrotullohej në mëndje. Figura e ish mbretit Zog duket se është huazuar nga skulptura e Donatello-s e Shën Gjergjit ( San Giorgios ) e cila ruhet në një nga muzetë e Firences. Sigurisht që nuk është copy-paste, por në esencë figurat kanë ngjajshmëri statike. Njëri mban mburojën, tjetri mban shpatën, pozicionimi i këmbëve, koka dhe duarve janë gati po ato.

Vepra e Donatello-s është "public domain" pra nuk ka autorësi ligjore. Kushdo mund ta kopjojë dhe ti verë cfardo emri. Por për një artist i cili duhet të ketë fillimisht frymëzim para se ti hyjë një pune, kjo vepër të çon tek ato me porosi-commissioned. Dhe për një vepër me porosi ( ku mbase të thonë që e duam 3 m të lartë ) mos prit frymëzim. Duke pas parasysh afatin e ngushtë ( nga Korriku në Nëndor të 2012 sipas njoftimeve të shtypit)) pa tjetër që do të rrotullosh sytë të gjesh sa më shpejt gjëra të gatëshme!

Donatello mendoj se e ka nxjerrë autorin nga sikleti.

Kam lexuar nga shtypi se autori ka punuar me orë të zgjatura- sigurisht i detyruar- që ta përfundonte në kohë. Sepse ky monument me qëllimin për të cilin u ngjiz duket se nuk mund te vendosej në vëndin e vet as në 101 vjetorin e pavarësise (2013), sikunder edhe nuk i ra ndermend kujt të realizohej ne 99 vjetorin e pavarësisë (2011), pale që në 82 vjetor ( 1994 ) nuk i përmëndej emri fare. Nga kjo pikëpamje afati kohor tepër i shtrënguar mund të ketë ndikuar edhe ne zgjdhje të nxituara dhe të pa arrira.

Për sa i takon idesë dhe simbolikës që kjo vepër përcjell, kam mendimin se nuk përmban elementë të së vërtetës. Po te flasim për shpatën e cila është dhe boshti kryesor i figurës, duke ju referuar materialeve arkivore por edhe në gjithe jetën  e tij si mbret në Shqipëri, Zogu nuk e ka nxjerrë “shpatën nga këllëfi.” si Shën Gjergji. Edhe atëhere kur duhej ai e nuk e bëri. Pra Zogu nuk ka luftuar asnjëherë. Por ama ajo që dihet është që pushtetin e vuri me dhunë dhe e mbajti po me dhunë.

Pra mund të them se statuja e ish Mbretit Zog është e pafrymëzuar. Por ajo ka mangësi edhe në vendosje. I shkreti skulptor cfarë mund të ketë hequr për ti fshehur kurrizin kur i thanë që do të shihej nga të katër anët. Kjo është puna më e vështirë për autorin. Sepse kur është shpallur konkursi dhe janë paraqitur bocetet, ende nuk ishte vendosur vëndi se ku do të qëndronte monumenti. Pikerisht këtu qëndron edhe absurdi tipik shqiptar. Në të tilla kushte, vetëm skulptorë të pa përgjegjshëm dhe sharlatanë mund ti marrin përsipër kësi lloj veprash të cilat fillimisht qëndrojnë në ajër, dhe pastaj ju gjehet vëndi. Por pjesëmarrësit që në fillim na e kanë matur kokën me pe, dhe e kanë kuptuar se e gjithë kjo tam-tam për monumentet më shumë ka pasur “kashte se sa kokër”. Prandaj dhe gara është kthyer jo për të marrë zgjidhje cilësore por për të marre paratë e shpërblimit, ndonese mund të kenë qënë pak për këtë punë.  Prite kur në një të ardhme jo të largët, kur bulevardi Zogu i pare te zgjatet, statuja e ish mbretit Zog të lëvizë prej atje ku është sot dhe zoti e di se ku mund të përfundojë.  Prandaj dhe kryeveprat botërore janë të tilla sepse autorët i kane bërë në për vënde të caktuara dhe në më të shumtën e rasteve autorët ato i kanë futur në nike ose në sfonde të mbyllura dhe nuk kanë luajtur prej andej në shekuj.

Në përfundim besoj se ja vlen te vihet në dukje se keto monumente ( perfshi atë të Pavarësisë, te Shqiponjës e të tjera më parë ) përshkohen nga nje fill i përbashket që e ka origjinën nga deformimi i pësuar por dhe i trashëguar i ideologjise monumentale te socializmit, e cila kompleksin e inferioritetit të një populli që historikisht ka jetuar me ëndrrën e bretkocës së fryrë, e përdori për të krijuar tabura artificial gjoja patriotike, qe sot demonstrohen ne nivele mediokriteti duke prodhuar të tilla vepra që artistikisht nuk kane vlera. Këto jane produkte tipike të vëndeve me ish sisteme diktatoriale ( Musolini, Hitleri, Stalini, etj) qe këtu ne Shqipëri duket se mbahen ende gjallë, por tashma me emër tjetër. Si shqiptar I mirëedukuar me këtë fryme, jam befasuar dhe më pas kam reflektuar kur, duke kaluar përmes sheshit Adenauer ne Berlin, gati sa nuk përplasesh me statujën e gjigandit të historisë moderne evropiane dhe një ndër figurat më të shquara të kombit të bashkuar gjerman- Kondrad Adenauer- vetëm sepse ajo statujë qëndron lirshëm në një vënd ku kalojnë të gjithë, me përmasa gati naturale, dhe ti si kalimtar gati sa nuk e përshëndet.

Por në fund të fundit ne nuk bëhemi dot gjermanë!

efrasheri@rotarytirana.org