E enjte, 28.03.2024, 01:08 PM (GMT)

Mendime

Shaban Arifaj: Mos i vrisni festat

E hene, 07.01.2013, 08:04 PM


MOS  I VRISNI FESTAT

Viti i Ri erdhi. Prishtina i ngjante Bejrutit: e zymtë, e rënduar, e plagosur, e plandosur, me rënkime, e helmuar, me gëzhoja e mbështjellëse të lëndëve plasëse, gjithandej. Sa më dhimbsej qyteti im.

Nga Shaban Arifaj

Një ndjesi e pakëndshme më kaploi sot pas gjithë asaj që ndodhi tri-katër ditët para Vitit të Ri, në veçanti natën e Vitit të Ri. Ende nuk mund te kuptoj dhe asnjëherë nuk mund të kuptoj primitivizmin tonë shqiptar, por besa edhe ballkanik të shënimit të festës së Vitit të Ri. Por ne shpesh herë shquhemi për parregullsi dhe primitivizëm. Si është e mundur të dashurit e mi, që vetëm ne, në krejt botën, me rastin e festës, të kemi të vrarë e të plagosur. A jemi në luftë, të dashuri e mi, apo në paqe? Sa e pakëndshme më doli nata e Vitit të Ri kur të nesërmen mora vesh se aksidentalisht nga të shtënat e pakontrolluara, kishte të vrarë në trojet shqiptare, kurse në Kosovë edhe mbi 100 të plagosur, për  vetëm një natë, nga lëndët shpërthyese. Ku jemi nisur kështu të dashurit e mi? Ende i kemi të ngrohta plagët e luftës, por trimat e Bllacës po mi kujtojnë ato edhe tash.

Si nuk ju vjen turp, për këto sjellje aq të prapambetura. Pse ne, shqiptarët nuk dinë të festojnë? A thua edhe festat i kemi përjetuar si luftë! Të shtëna nëpër dasma, të shtëna për fejesa, të shtëna nëpër syneti, të shtëna nëpër ndeja e të shtëna për gazmende të tjera. Por disa nga këta “trima” kur duhej, ia mbathen për Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Disa trima u benë gra, duke dashur të maskoheshin për të mos qenë pre e soldateskës kriminale serbe.

Të dashurit e mi (disa primitiv), ku e keni kulturën prindore, familjare e shkollore. Ku është kontrolli shtetëror. Si blihen e si shiten lëndët shpërthyese, pa kurrfarë kontrolli. Edhe fëmijët adoleshent mund të pajiseshin me arsenalin më të vrazhdë “luftarak”, jo për të festuar për të zhurmuar. Nëse përpiqesh të japësh ndonjë këshillë, të konsiderojnë si njeri që nuk di apo nuk dëshiron të festosh. Nëse i pyet mësimdhënësit për nxënësit e tyre (disa pa edukatë) në këtë plan, të përgjigjen se çka është një natë, nuk janë të tjerat.

Sa bukur dukej bota tjetër e qytetëruar. Vetëm natën e Vitit të Ri në mënyrë të organizuar ndizeshin fishekzjarrët për 15-20 minuta, pikërisht në orën 00.00 duke numëruar zëshëm së prapthi nga dhjetë deri në zero. Çdo gjë përfundoj me aq  bukuri mahnitëse, sa të kënaqej syri e shpirti. Kjo është festë e vërtetë. Kështu edhe qielli buzëqeshë.

Te ne nuk dihej kush po ndez e kush po gjuan më shumë. Njeriu nuk di nëse është festë apo luftë. A është ora 18.00,  20.00, 22.00, 00.00 apo 04.00, apo 05.00, ruana zot. Ora pesë e mëngjesit, e ti sa ke rënë të pushosh, apo ajo nëna me foshnje, apo ajo shtatzëna, e dikush nga të “dehurit” e krismave, ja fut nga një të shtënë sa dridhen themelet e apartamentit. Nuk di çfarë kënaqësie përjetoi komshiu im me një krismë të tillë shqetësuese. E di, se dëgjova vet vajin e foshnjave në fqinjësinë time.

Edhe një “çun” rreth të 20-tave,  përballë pallatit tim hidhte mbi makina lëndë plasëse. I thash: “Ti do ta vrasësh Vitin e Ri, apo, do të festosh? Tashmë koha e të shtënave ka përfunduar, sepse Viti i Ri erdhi, nëse pati  ku të vi, ose nëse nuk e keni vrarë ndërkohë. Çuni nuk foli por u fut brenda. Por sapo u largova ai vazhdoi me të tijën, sepse aq zgjatë edukata e tij. Sa të pasjellshëm që jemi. Ne vetëm dimë t’i bëjmë qejf vetes, e punë e madhe për të tjerët. Një spot televiziv “edukonte” se si duhet të përdoren lëndët shpërthyese dhe kur mund të fillojnë të përdoren ato. Shumë qesharake. Mos i hidhni para nënave shtatzëna, para fëmijëve të vegjël, para pleqve, ndërkohë që prindi me gruan shtatzënë dhe me fëmijën e tij të vogël, nuk ndalojnë se hedhuri lëndë plasëse në sheshin e qytetit.

Viti i Ri erdhi. Prishtina i ngjante Bejrutit, e zymtë, e rënduar, e plagosur, e plandosur, e rënkuar, e helmuar, me gëzhoja e mbështjellëse të lëndëve plasëse, gjithandej. Sa më dhimbsej qyteti im. Më dukej se ishin bërë përpjekje se kush do ta lëndoj më shumë qytetin tim. Era vinte barot. Nuk të binte ndërmend se nata e kaluar kishte qenë natë festive, apo ne kishim kaluar një natë lufte me të vrarë e të plagosur. O zot, po përsëris, vetëm shqiptarët festojnë me viktima. Viktima edhe nëpër dasma, viktima nëpër ahengjet e gëzimit familjar nga plumbat qorr, viktima nëpër festa nga të shtënat. Sa tmerr të dashurit e mi. Vallë pse jemi të dashuruar në krisma. Nga njëherë, pyes veten se a jemi si popull liridashës, të prirë edhe për sjellje të tilla. Apo i këndojmë këngët kreshnike vetëm për t’u treguar të tjerëve se ne jemi trima, por nganjëherë edhe për t’u vrarë për një gurë në mezhdë, apo për një zënkë, apo për një biletë tramvaji. Sa keq, të dashurit e mi jo (primitiv).

Ndërkohë, të dashurit e mi, dikujt ende nuk i kishte mbërritur Viti i Ri as pas tre ditësh, sepse edhe pas tre ditësh, nuk pushuan shpërthimet, por dorën në zemër, jo të intensitetit të natës së Vitit të Ri. Ose ndoshta e kishin vrarë.

Sa jemi...........A mund të edukohemi të dashurit e mi, apo jemi mësuar që të edukohemi vetëm me masa shtypëse, qoftë nga tanët, qoftë nga të huajt. Fatkeqësisht.

Nuk e kam ndërmend që t’u jap këshilla moralizuese, por në këtë plan edhe shteti duhet ta tregonte gishtin e tij. Jemi të mësuar me masa shtetërore, sepse në shtëpi, shkolla e mjedise tjera, po mungon në një masë të konsiderueshme edhe edukata. Gjeneratave tona shkollore u duhen orë e orë të lëndës së mirësjelljes. Merre me mend të dashurit e mi, Qeveria norvegjeze, është vënë në lëvizje të plotë, vetëm për shkak të lëndimit të 17 qytetarëve të këtij vendi të cilët në gjendje të dehur kanë përdorë lëndë pëlcitëse. Nuk kam arsye ta drejtoj gishtin. Le të merret vesh kjo punë.

O zot na ruaj nga të këqijtë, e na ndihmo që të mos përsërisim “kënaqësi” të tilla sepse këto nuk janë kurrfarë kënaqësish, por për ata që i bënë, çmenduri e një primitivizmi të pashërueshëm, ndoshta edhe ballkanik Stop “luftës” vetëvrasëse në festa, të dashurit e mi. Mos i vrisni festat, dhe njerëzit tuaj në to, o njerëz!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora