E premte, 19.04.2024, 07:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Unë, Ali Podrimja...

E hene, 07.01.2013, 11:06 PM


NJË MIRËNJOHJE PUBLIKE PËR GAZETAREN LUMIRA KELMENDI

(PJESA E DYTË E ESEUT PËR POETIN ALI PODRIMJA):

UNË, ALI PODRIMJA…

Nga Xhemail Peci

Pasi m’u dha Lamtumira, përpara botës që shfaqej, Portat e Amshimit u hapën nga Fjalët e Lamtumirës, dhe se Engjëjve nuk u mbeti asgjë tjetër, veçse ashtu siç kisha lexuar nga Librat e Shenjtë; të ulnin fletët! Unë isha nga poetët e rrallë, ndoshta ndër më të rrallët që pata një fat të tillë. Unë vajta që ta shuaja Etjen tek Lumi, dhe u ktheva që andej, sepse Ju e dinit se Fjala e shtrydhë Gjakun. Edhe unë e edhe Ju së bashku, e dinim se do të kthehesha, sepse përmbi çdo gjë e kam dashur Tokën që më lindi dhe që më rriti, Tokën që më mba në gjirin e saj të shenjtë: Toka Mëmë! Në të vërtetë ne gjitmonë kthehemi, dhe në qoftë se Ikja jonë është e papritur, Kthimi ynë është gjithmonë i pashmangshëm, dhe po aq i sigurtë. Konstantini u kthye, bëri copë e grimë dërrasat dhe honet e shekujve, e nga thellësia e botës së nëndheshme, sa nga malli po aq edhe nga dhembja për të motrën, sa nga Fjala e Dhënë, po aq edhe nga Dashuria për te: U Kthye! Krushqit e Ngrirë u kthyen nga Legjenda dhe e hapën Rrugën e Kombit! Edhe Naimi i Frashëllinjve u kthye! Se do të kthehesha e dinim të gjithë! Ndonëse, siç e thashë, jo të gjithë kishin fatin që të përcilleshin me: Lamtumirë! Jo. De Rada e deshti Shqipërinë aq shumë, po mbeti edhe sot atje…larg…larg nga Toka që e deshti sa Diellin. Edhe Naimi mbylli sytë larg nga malet vigane që i deshti aq shumë. Por megjithatë: u kthye edhe Ai. Fishta, Poeti i Kombit, ishte ndër të rrallët, ndoshta shumë të paktët në gjithë globin, që si Poet i Kombit, mbeti edhe pa varr! Si për ironi të fatit të pafat, ia hapën varrin e eshtrat ia hodhën në Lumin Dri, po Shpirti i mbet në Vargjet e Tij Epike. Pati edhe të tjerë që u ekskomunikuan, që u torturuan e që u pushkatuan: Padrejtësisht!

Të dashurit e mi, kush e kishte menduar që një ditë, Poetët e Shqipërisë edhe do të pushkatoheshin, dhe se Dekretet e Pushkatimit do të shkruheshin: me Alfabetin e Kongresit të Manastirit!!! E në ndërkohë që në Zvicër kultivohej me aq dashuri dhe respekt, Luja me emrin Genti, ndoshta Mbreti Ilir që nga më të rrallët në historinë botërore, do të binte duke luftuar edhe pse gati në moshën 90 vjeç, në Shqipëri – Diktatura do të pushkatonte Poetin që mbante Emrin: Genci!

O tempora, o mores! O kohëra, o çudira!

Lexues dhe Admirues së Fjalës së Bukur Shqipe, Unë nuk mund të flas më me Juve, por Unë mund të Flas për Juve. Ashtu siç flet edhe Vepra Ime. Në të vërtetë Unë ua lashë Trashëgim të gjitha që i shkrova, me Mendje dhe me Zemër. Në Botën e Amshimit, Unë – ALI PODRIMJA, morra me vete vetëm dy gjëra, asgjë tjetër: KRYEVARGUN – KOSOVA GJAKU IM QË NUK FALET, SI DHE: LAMTUMIRËN QË M’U DHA! Prandaj, Fjalët e Përzgjedhura qenë të atilla, sa Engjëjve nuk u mbet gjë tjetër veçse të ulnin Fletët! Në të vërtetë, unë u pyeta me kërshëri të veçantë se kush e kishte Frymëzuar dhe se kush e kishte shkruar Kryevargun Tim? Përgjigja ishte shumë e thjeshtë: Vargu u Shkrua nga Gjaku! Kurreshtja donte të dinte si? Unë u përgjigja me krenari të veçantë: nga Bashkëkombasit e

Mi, e më së shumti me kokën tek pragu. Pyetjes tjetër, se a kisha Bashkudhëtarë, unë iu përgjigja shkurt: Po, ata që bartin librat në duar, ata janë Bashkudhëtarët e mi, kurse pyetjes nëse kisha Bashkëmendimtarë, iu përgjigja me shpresë dhe krenari të ligjshme: Natyrisht, ata që janë brenda dhe jashtë Atdheut tim!

 

Një Përshtypje të veçantë doli nga mënyra se si m’u dha Lamtumira! Po, e thashë sërish. Pjesa e Parë ka të bëjë me ate që e tha Hegeli, se Arti është Mbretëri e Lirisë. Ajo që e tha Teodor Drajzeri se Arti është mjalti i grumbulluar i shpirtit njerëzor, dhe siç është thënë me po aq të drejtë: Arti është ajo që pa Borhesi kur u verbua! Pra Pjesa e Parë është Lamtumira në Mbretërinë e Lirisë. Pjesa e Dytë ka të bëjë me Dheun dhe me Shenjtërinë e Tij, pikërisht ate që e thashë për herë të fundit: KOSOVA KA QENË TEATRI TRAGJIK I ILIRISË! Dhe se Pjesa e Tretë dhe mbase më e Bukura dhe më Kuptimplotja, ka të bëjë me Amshimin. E thashë hapur dhe për të satën herë, se Kombi të cilit kam Nderin dhe Krenarinë e Ligjshme t’i takoj, Gjithmonë ka Gjakuar: Paqen dhe Amshimin!

Po. Është e vërtetë. PËR MUA: ASNJË MERMER NUK DO TË ISHTE MË MONUMENTAL! ASNJË CEREMONI SHTETËRORE NUK DO TË ISHTE MË E DENJË DHE SE ASNJË KOMB NUK DO TË DENJONTE TË NDERONTE NJË POET MË BUKUR!

Unë s’isha asgjë tjetër veçse Poeti që Gjakonte të Përhapte Profecitë e Orakullit të Dodonës! Dhe se Lamtumira për mua ishte vetë Dodona e cila po ua shtrydhte gjakun fjalëve duke përkulur majat e bjeshkëve në shenjë: Nderimi dhe Mirënjohjeje!

Një Nderim i tillë u bëhet vetëm atyre Poetëve që në lartësinë e misionit të tyre, si një Parathënie të cilën ua ka falur veç Providenca Hyjnore në Bekimin e Saj, qëndrojnë të papërkulur në besimin e tyre se letra ka më shumë vlerë se floriri, dhe se siç e ka thënë poeti i madh romantik Bajroni, rima ka fuqinë e një perandorie. Poeti i Pushkëve të Bardha, Shqiptari i Madh e Shkodrani i Mençur, Pashko Vasa, që si një Qëndismë Shekujsh prej Gjaku vuri mbi Ballët e Atdheut: Obeliskun e Tij Madhështor, ndoshta të Vetmen Poemë që ka shkruar në Gjuhën Shqipe (O Moj Shqypni!), kur e thirri Sulltan Abdyl Hamiti në Audiencën e tij për ta bërë Vali në Kosovë, Pashko Vasa iu përgjigj: Madhëri, jam një shërbëtor besnik i Perandorisë dhe do të përpiqem t’i shërbejë me zell të çiltër! Por, edhe jam bir besnik i popullit tim. Ose më duhet ta tradhtojë popullin tim, ose më duhet t’i shërbejë perandorisë…Padyshim Një Përgjigje e Mençur: Solomonike! Mbret dhe Poet janë dy gjëra të papajtueshme! Se kjo që e tha Pashko Vasa ishte e vërtetë, e dëshmoi edhe Andon Zako Çajupi. I vajti Mbreti Zog ta bënte për vete! I shkoi bashkë me Faik Konicën. Por Çajupin s’e blente dot Sulltani, e lëre më Mbreti. Edhe Lasgush Poradecin e luti Ahmet Zogu që t’ia bënte një poezi. Po ku di unë, O Madhëri, të bëjë poezi për Mbret e për Mbretëri! Po unë s’e bëjë dot një varg, lëre më shumë!... Lasgushi, i cili për 14 vjet, shkroi vetëm 14 poezi! Lasgushi që për 25 vjet, vesh e desh vetëm një palë rrobe! Lasgushi, siç ka thënë Kadare, njeriu më modest që ka ecur ndonjëherë rrugëve të Tiranës. Edhe Migjeni, po t’i thurte Himne Mbretit, sigurisht se nuk do të vuante ashtu siç ka vuajtur…

Të gjitha këto mua më bëjnë kaq krenar në misionin e paracaktuar dhe po aq fisnik. Por le të mos harroj edhe diçka. Mbreti i Persisë, i tha Firdusit – Poetit më të madh persian, siç e kanë quajtur ‘Shekspiri i Lindjes’, që ta shkruante Epin Kombëtar, sepse çdo gjë do t’ia paguante me ar! Dakord, i tha Poeti. Por kur Firdusi shkroi për 30 vjet, jo me pak se 60,000 vargje për Shahnamenë (‘Lufta e Mbretërve’), atëherë sasia e vargjeve e mundi sasinë e thesarit të shtetit! Dhe siç bëjnë Mbretërit rëndom, Mbreti e ndërroi mendjen: do t’ju paguajmë me argjend, jo me flori! Firdusi nuk tha gjë! Një ditë, e takoi Mbretin tek po dilte nga banjoja. Sa para bëjë unë? – e pyeti Mbreti. Dy metelik, hiç më shumë! Po si ka mundësi - ia ktheu Mbreti i Persisë, kaq bën vetëm peshkiri që kam unë?! Duke llogaritur edhe ate – Hirësi! Kështu i qe përgjigjur Poeti i Madh i Persisë. Ironia e Fatit e deshti që më në fund shuma e premtuar për vargjet t’i paguhej në ari! Ishte tepër vonë. Në ndërkohë që floriri po hynte në Portën e Shtëpisë së Poetit, Arkivoli i Tij po dilte që andej, dhe po hynte: Në Portat e Parajsës. Drejt: Amshimit!

PO. E di Krye-Vargun e Pjetër Bogdanit: Veshur me Diell, mbathur me Hënë! Edhe shprehjen aq të bukur për Lasgushin: Po i ikte Shqipërisë edhe ky Flori! Por nuk mund të mos e them, se Unë isha më me fat se edhe Firdusi vetë. Askund nuk ka më shumë flori se në thënien e moçme sa Dielli vetë: Kush nuk di të nderojë të amshuarit e tij, nuk di të nderojë as të gjallët.

Prandaj Fuqia e Fjalës e ka Fuqinë e Një Perandorie, dhe se Bota e Amshimit është vetë Bota e Frymëzimit. Aty, pra në Vargjet e Poetëve, siç e ka shkruar Filip Sidni në Apologjinë që i ka bërë Artit Poetik, lumenjtë rrjedhin më të kulluar dhe se luleve u vjen era më e mirë se kudo tjetër.

Në botë ka vetëm dy gjëra, përmbi të cilat Fuqinë e ka vetëm Mëshira Hyjnore: Shpirti dhe Frymëzimi…

Të dashurit e mi! Lexues dhe Amirues së Fjalës së Bukur Shqipe. Në Gjakimin për Lirinë, për të Bukurën dhe të Madhërishmen – Kthimi është i Pashmangshëm! Mund të ndryshojë vetëm koha, por Frymëzimi është po Ai. Konstantini – ua thashë pse është kthyer. Lasgushi kthehet në Vallen e Yjeve e në Vallen e Qiejve ku, siç e ka thënë: Poetët janë Qenie Qielli. Zef Serembe kthehet nga mërgimi i gjatë, nga rrugëtimi për dashurinë e plagosur, nga rrugëtimi i gjatë në Frymëzimin e Pafajshëm. Ergjëndi i Poezisë Shqipe, siç e kanë quajtur, Kthehet në Tokën e Premtuar të Poetëve të Saj – tek Arbëria Matanë Detit! Asgjë s’ka më të dashur për te, madje as ajo Vello Nusërie që thurte në vargjet e tij gjithë lot dashurie, për më të Bukurën që ish në Strigari, e për të cilën Klithte nga Thellësitë e Shpirtit të Tij Lirik, dhe se duke sfiduar fatit e fatit farmak me zemrën që i pikonte gjak, zgjaste duart drejt qiellit me gjithë fuqinë e shpirtit: Edhe Engjëjt e dinë mirë, se Zoti s’ka me falë më kurrë të tillë! E megjithatë, me kthimin ndodhë e njëjta gjë si me frymëzimin: Përsëritet! Për Zef Seremben, Poezia është Shiu i Shpirtit! Është Frymëzimi i Pafajshëm, dhe se më të pafajshme janë vetëm lulet, vetëm pikat e shiut, vetëm lotët e fluturave. Asgjë s’ka më të dashur për te se Arbëria  - Dashuria Jonë e madhe! Eni vjen prej Çamërie!...

Asgjë! Sepse Pafajësia e Frymëzimit dhe Pafajësia e Pagëzimit janë Një, dhe se Serembe kthehet, kthehet sepse për te: ‘Lutja dhe Mëshira janë Zanat e natyrshme dhe të gëzueshme të gjitha viseve dhe të të gjitha kohëve’.

Dhe ndoshta sgjë s’e thotë më bukur Arsyen për Kthimin Tonë, sesa letra që profesor August Konti, nga Firenca, i shkruante Zef Serembes, më 12 qershor 1883: Të mahnitshme janë kujtimet e Shqipërisë!

Të Dashurit e Mi, asgjë nuk është më e madhërishme sesa e Bardha e Kryezonjave të Arbërisë, sa herë që u shpalosë e ra në Shenjë Nderimi dhe Respekti, për Bijtë Shpirtmëdhenjë të Ilirisë, sa herë që u hapën arkat me flori, ku Atdheu ruan reliket e tij më të çmuara, sa herë që na thanë: LAMTUMIRË!...

E Një Ditë, do të kthehem edhe Unë, do të kthehem si Konstantini kur solli Doruntinën. Me vete do kem prapë, KRYE-VARGUN: KOSOVA, GJAKU IM QË NUK FALET!

BESA E ZOTIT!

UNË, ALI PODRIMJA! ...



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora