E premte, 19.04.2024, 04:23 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Pierre-Pandeli Simsia: Ditët e Letërsisë në Michigan

E shtune, 05.01.2013, 12:15 PM


Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan, ngjarje e rëndësishme kulturore letraro-artistike.

"Ajo sallë e thjeshtë me ata njerëz të mrekullueshëm, dashamirës të artit, të letërsisë, dashamirës të Kuvendit, m'u duk më e madhërishme, më e bukur se vitet e tjera. Atje ishte mbledhur shpirti bashkatdhetar paqësor, atje ishte humori ynë popullor, folklori ynë i pasur madhështor, fjala jonë e artë poetike, gura jonë popullore e pashtershme shqiptare..."

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Në një ambient tepër të ngrohtë miqësor e vëllazëror, në Michigan nga datat 17 dhe 18 nëntor, 2012 u zhvilluan "Ditët e Letërsise Shqipe" për vitin 2012, organizuar nga KUVENDI, revistë kombëtare informative dhe kulturore.

Për të 11-tin vit radhazi ai aktivitet i rëndësishëm tashmë ka hyrë në historinë e diasporës shqiptare si një ngjarje e madhe e rëndësishme kulturore letraro-artistike.

Këtë vit, si asnjëherë tjetër, "Ditët e Letërsisë Shqipe" u zhvilluan në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Pikërisht, ndryshe nga vitet e tjera, kur aktiviteti është zhvilluar në fund të muajit tetor, sivjet, jo pa qellim ishin zgjedhur edhe datat 17 dhe 18 nëntor, 2012.

Duke qenë për të disatën herë pjesëmarrrës në atë aktivitet edhe sivjet nuk mund të rija pa shkuar në Michigan. E ndjej veten time mik, pjesëtar të atij komuniteti të nderuar; gjej mikpritje, ngrohtësi, dashuri...

Pasi mbërij në Detroid, në dalje, në koridorin e Aeroportit DTW takohem me shkrimtarin Ramiz Gjini bashkë me familjen e tij, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tyre, vajza dhe djali. Kishim kohë pa u takuar fizikisht me njëri tjetrin edhe pse jetojmë në të njëjtin qytet edhe pse shkëmbejmë mesazhe miqësore.

Dy fëmijët si yje, ku rezatonte urtësia dhe edukata, më nxorrën mallin e dy djemve të mij edhe për faktin nga shtatlartësia e tyre; i takoj dhe i përqafoj me mallin e një prindi.

Kur krijuesit takohen me njëri tjetrin dijnë se për çfarë të flasin, kështu që edhe ne dy kolegë e gjetëm shpejt mënyrën e komunikimit.

Sapo dalim jashtë derës së terminalit, i "zoti i shtëpisë" zotëria i nderuar Pjetër Jaku që kishte ardhur për të na pritur, bashkë me Mondi Rakaj, intelektual i ri në moshë, sekretar i degës së Vatrës në Michigan, na njofton me telefon se ndodhet shumë afër nesh, meqenëse aeroporti ka disa terminale dhe dyer dalëse.

Unë takohesha me miqtë pas disa muajve, kur u takuam në Nju Jork në festimin 100 vjetorit të Vatrës, ndërsa Ramizi dhe familja e tij e kishin për të parën herë që mernin pjesë në atë aktivitet.

Nuk ka nevojë për fjalë të tepërta, sepse gëzimi që ndjen njeriu në ato çaste takimi e tregojnë fytyrat, e tregojnë ndjenjat emocionante...

Kështu ishin fytyrat tona në ato çaste, të qeshura e të gëzuara. "J'u faleminderit shumë... që na keni nderuar me ardhjen në Michigan, me pjesëmarrjen tuaj në aktivitetin e rëndësishëm të Letërsisë Shqipe..." shprehej zoti Pjetër Jaku.

Pas një rrugëtimi disa minutësh në autostradat e Michiganit të zotët e shtëpisë na çojnë në hotelet luksoze për të pushuar. Si çdo vit, masat ishin marë, pagesa e hotelit ishte bërë nga miqtë pritësa. (U ndjehemi shumë borxhlinj...)

Pushoni në hotel, na thotë Pjetri, më vonë do vijmë t'ju marrim sipas programit që kemi për aktivitetin.

Edhe pse disi i lodhur, sikur nuk ndjehesha i qetë në atë dhomë të hotelit. Më dukej sikur ora ecte ngadalë; doja të takoja sa më shpejt edhe miqtë e tjerë: Alfons Grishaj, Elinda Marku, Julian Çefa, Paulin Palushi, Luigj Gjokaj, Nevruz Nazarko, Prof. Lulash Palushaj, Nexhip Ejupi, Pal Rakaj, Ilir Myftiu, Gjovalin Lumaj, Shkëlqim Legisi, Rubin Jaku, .....

Në këto mendime e sipër, dëgjoj zilen e telefonit; ishte Pjetër Jaku. Më njofton se në hotel sapo ka mbëritur kolegu tjetër, poeti Mëhill Velaj. Dal nga dhoma; edhe me Mëhillin kisha kohë pa u parë dhe, sigurisht, takimi ishte miqësor vëllazëror.

"Edhe pse Michigani është më larg se vendet ku banojmë ne, na duhet të vijmë këtu për t'u takuar e shmallur me njëri tjetrin..." i them Mëhillit.

Mëhill Velaj, përveç buzagazit të tij që i qendron përherë në fytyrë, ka edhe një humor të këndshëm, që ia shton edhe më tepër bukurinë bisedës. Me humor m'u përgjigj edhe ai mua.

Shpirti i poetëve, i krijuesve letrarë nuk mund të rijë i qetë pa patur edhe humorin në buzë për të shoqëruar bisedat e këndshme.

Mësojmë se shkrimtari Fatos Kongoli dhe bashkëshortja e tij, Lili, për arsye familjare, e kishin anulluar biletën e avionit dhe ndodheshin në Shqipëri. Me shkrimtarin Kongoli kemi qenë edhe herë të tjera bashkë në Michigan dhe ruajmë mbresa të shkëlqyera dhe kujtime tepër mbresëlënëse dhe të paharuara dhe e dëshiroja shumë që të ishim përsëri prap edhe pse shpesh herë bisedojmë në telefon dhe shkëmbejmë mesazhe në e-mail.

Edhe shkrimtari Naum Prifti për arësye tjetër nuk mundi dot të vinte. Edhe me zotin Naum kam mbresa të paharuara, sepse kemi qenë disa herë të ftuar në aktivitete në shtete të ndryshme të Amerikës si edhe në gëzime familjare të bashkatdhetarëve tanë. Edhe komuniteti atje e ndjen mungesën e shkrimtarit Prifti; ndoshta do ta ketë pranë së shpejti...

Koha kalon dhe përsëri në dhomën e hotelit ku po rrija dëgjoj prap zilen e telefonit. Përsëri ishte Pjetër Jaku. Na njofton të bëhemi gati, pas pak vijnë makinat për të na marrë ..........

Mblidhemi në lokalin e Pjetër Jakut. Që nga jashtë e ke të kollajtë për ta kuptuar që është lokal shqiptar, sepse tabela lexon KAFE KUVENDI

Një tjetër ambient i këndshëm shqiptar na priste atje. Bashkatdhetarë të ndryshëm kishin zënë vend në ambiente të lokalit, një pjesë e tyre e shijonin kafen apo pijet e ndryshme në këmbë, pranë banakut. Takohemi dhe përqafohemi me miqtë e vjetër bashkëkombas. Mall, emocione, nostalgji...! Dy televizorë të mëdhenj në dy qoshet e lokalit me programet e tyre, pikturat e varura në murr me pamje nga atdheu, gjuha e bukur shqipe që flitej atje, e ndjeje veten që të ishe edhe në Shqipëri edhe në Amerikë.

Në një tavolinë tjetër janë ekspozuar libra të ndryshëm nga autorë shqiptarë, kryesisht nga të diasporës. Dhe, në të tilla raste, për kënaqësinë e miqve, vjen kamerierja... Na lini të shmallemi njëherë, po edhe kafen do t'a pijmë - i them me humor, duke bërë në të njëjtën kohë edhe porosinë . Dhe biseda fillon shtruar, përmallshëm me Prof. Julian Çefën, me Pishtarin e Demokracisë Shqiptare, Alfons Grishaj, artistin grafik, të mirënjohurin shkodran, Paulin Palushi, dekoruar nga presidenti i republikës me Urdhërin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, aktori, artisti i mirënjohur, i talentuari Ndue Gjekaj, Luigj Gjokaj, Shkëlqim Legisi ... Djali i Pjetër Jakut, Rubini i shkathët, buzagaz, me një kulturë për ta patur zili, m'u duk, sikur ndjehej në siklet; donte si e si të na kënaqte më mirë. Takohemi me pjesën tjetër të Familjes Jaku; me Elindën, Monelën, Marën.

Mësojmë se në atë Kafe Kuvendi përveç pijeve të ndryshme shërbehej edhe raki Skrapari. - Po këtë na thoni ju neve... dhe nuk vonoi shumë erdhën gotat me raki.

Sa shpejt ikën koha në ambiente të tilla të këndshme me aromë Shqipërie!

Duhet të dilnim nga kafe Kuvendi për të hyrë përsëri nëpër makinat që na prisnin jashtë.

- Po Alfonsi, ku shkoi? ..... Nuk po e shohim!

Alfons Grishaj kishte shkuar në "Romë" Atje kishin menduar për të na kënaqur të darkonim, në "Romë" në Luçiano's RESTAURANT.

Dhe vërtet, kur shkuam atje, ishim në "Romë", në Romën e lashtë. Alfons Grishaj na priste në derën hyrëse. Restoranti luksoz, një ndër tre restorantët më me emër në Michigan ishte i ndërtuar në brendësi të tij me arkitekturë romake. Tapeti i sallës i "shtruar" me kalldrëm, ndërtesat karakteristike romake të vjetra, me mure diku të plasaritur, me ballkonet e shtëpive me lule shumengjyrëshe, me çatitë e shtëpive me tjegulla të kuqe, me rrugicat e ngushta midis shtëpive..., ma ngacmuan pak mallin dhe nostalgjinë, sepse më kujtonin shtëpitë dhe rrugicat e Beratit... Ky ishte ambienti brenda në "Romë" që të ofronte Restoranti Luçiano.

Tri sallat e mëdha të restorantit ishin të mbushura plot me klientë ku dëgjoheshin zërat melodiozë të dy këngëtarëve Xhina dhe Pipo të këndonin në dy gjuhët, italisht dhe anglisht; të tjerë klientë rinin në këmbë për të pritur. Prandaj edhe Alfonsi kishte shkuar më parë se të mbërinim ne atje, për të rezervuar tavolinat tona.

Pasi zumë vend në tavolina, zoti Pjetër Jaku, me gotën e verës në dorë, çohet, na uron të gjithëve mirëseardhjen, na falenderon që ndodhemi atje...

Në kulmin e kënaqësisë që po shijonim atë ushqim special e të bollshëm, pamë të vinin drejt tavolinës sonë dy këngëtarët. Mrekulli e vetë Zotit! Ta shijosh atë ushqim me zëra të ëmbël. Kur ata mësuan se ne ishim shqiptarë, atëhere Pipo na thotë se si mund të dëgjonte edhe ai një këngë shqiptare. Duke e përtypur me të shpejtë ushqimin që kisha në gojë, menjëherë çohem, marrë mikrofonin dhe ashtu, pa muzikë shoqërimi, fillova të këndoj këngën e mirënjohur korçare "Se vitet ikin tutje" Se si m'u kujtua për momentin dhe përsëritjen e strofës së parë e ktheva menjëherë duke e kënduar në gjuhën angleze. (I took it my guitar, I start to sing my song...) Kjo i dha edhe humor edhe kënaqësi tryezës që u prit me duartrokitje. Pipo kishte mësuar edhe titullin e një kënge tjetër shqiptare, "Mora mandolinën" Pasi mbarova këngën e parë, fillova të këndoj këngën "Mora mandolinën" të shoqëruar edhe nga zoti Kujtim Qafa.

Edhe pse të "dehur" nga kënaqësia që përjetuam në Luçiano's Restaurant, edhen pse ora tregonte mesnatë, para se të shkonim në hotel, na duhej të ktheheshim përsëri në Kafe KUVENDI për të vazhduar kënaqësinë e asaj mbrëmjeje. Natyra na kishte dhuruar një tjetër befasi; Michiganin e kishte mbuluar të tërin mjegulla. Epo, duhet ta shikonim edhe me mjegull Michiganin... Të tjerë bashkatdhetarë na prisnin në Kafen Kuvendi, e midis tyre Luigj Gjokaj dhe aktori Ndue Gjekaj; të tjerë artistë të humorit dhe të këngës na prisnin për t'u kënaqur...

Eh Zot! bekoji të gjithë ata njerëz të mirë e të dashur që jetojnë në atë komunitet atje, që vetëm dashuri, mikpritje, humor, kënaqësi dijnë të falin....

E diel, 18 nëntor, 2012.

Përsëri kafja e mëngjesit do pihej në lokalin e Pjetër Jakut, Kafe KUVENDI e shoqëruar me "ilaçin" e shumëdashur për burrat, Raki Skrapari.

Më pas do të niseshim në një tjetër ambient të këndshëm e piktoresk, në kompleksin Patridge Creek, ku me të vërtetë është një vend shlodhës me shumllojshmërinë e dyqaneve.

Vendin për të drekuar, miqtë pritësa e kishin menduar në sallën e madhe të Qendrës Kulturore pranë Kishës së Shën Palit. Ishte edhe dëshira jonë për ta vizituar atë qendër.

Ishte hera e parë që shkoja atje. Një vend magjepsës natyror, mes gjelbërimit të pafund dhe ajrit të pastër ngrihet Kisha e Shën Palit në Michigan.

Që në ambentet hyrëse qendrojnë madhështore dy figura të ndritura të Kombit tonë; Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu dhe Shenjtorja Shqiptare, e ndritura Nëna Tereze.

Janë këto dy figura të ndritura të kombit tonë që të përshëndesin të parët e të urojnë mirëseardhjen në atë vend të shenjtë, duke na dhënë edhe bekimin.

Përpara Kishës, valëvitet edhe Flamuri ynë Kombëtar përkrah Flamurit Amerikan.

Brenda në Kishën e Shën Palit mesha, falja e kishës ende nuk kishte mbaruar, ndërsa ne hyjmë në sallën kulturore. Ajo që të binte menjëherë në sy, në murret e sallës qendronin të varura piktura me heronj, luftëtarë shqiptarë, Flamuri ynë Kombëtar me shqiponjën dykrenore.

Koha ecën shpejt, pa u kuptuar dhe ne, duhet të ktheheshim përsëri në hotele, të shlodheshim pak për të qenë gati në mbrëmjen e madhe të letërsisë.

Dhe pikërisht, në në Sallën e takimeve dhe të festave pranë Kishes Katolike ” Zoja Pajtore, u mbajt mbrëmja e Letërsisë Shqipe.

Nuk ishin bërë ftesa private dhe nuk ishte e arësyeshme të bëheshin, përderisa dihet tashmë, njoftimi ishte dhënë kohë më parë në revistën Kuvendi dhe në shtypin elektronik. Letërsia ndjehet, dashurohet, interpretohet, shkruhet, mirëpritet, respektohet... dhe kjo nuk ka nevojë për ftesa private.

...........................................

Ajo sallë e thjeshtë e Kishës, me ata njerëz të mrekullueshëm, dashamirës të artit, të letërsisë, dashamirës të Kuvendit, m'u duk më e madhërishme, më e bukur se vitet e tjera. Atje ishte mbledhur shpirti bashkatdhetar paqësor, atje ishte humori ynë popullor, folklori ynë i pasur madhështor, fjala jonë e artë poetike, gura jonë popullore e pashtershme shqiptare... Atje ishte shpirti intelektual, artist, krijues, atje ishin njerëzit e thjeshtë bashkatdhetarë të ardhur me dëshirën e tyre me dashurinë për letërsinë, për Kuvendin, me dashurinë dhe respektin që tregojmë ndaj njëri tjetrit, për të cilën kemi shumë nevojë të falim dashuri, të marrim dashuri. Dera e KUVENDIT është përherë e hapur për të gjithë dhe ai i mirëpret me dashuri të gjithë ata që e repsektojnë me pjesëmarrjen e tyre.

Mbrëmjen e Letërsisë Shqipe në Michigan, atë gërshetim të bukur të poezisë me këngën, të interpretuesve me zgjedhjen e poezive, të humorit... e moderuan me mjeshtëri artistët e mirënjohur të komunititetit Enita Hajdari dhe aktori i talentuar dhe i suksesshëm Ndue Gjekaj.

Prezantuesit bënë të njohur emrat e personaliteteve që kishin ardhur për të marrë pjesë: Dom Ndue Gjergji, Famulltari i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Don Fran Kola, Famullitar i Kishës së Shën Palit, Alfons Grishaj, Kryetar i degës së Vatrës për shtetin e Michiganit, Mondi Rakaj, Sekretar i degës së Vatrës për shtetin e Michiganit, Prof. Julian Çefa, Kujtim Qafa, biznesmeni Gjeto Ivezaj, Prof. Dr. Bahri Brisku i ardhur nga Ulqini, veprimtar i shquar, ish kryetari i fondacionit "Vendlindja thërret" në Michigan, z. Luigj Gjokaj, përfaqësues të Shoqatës KASTRATI...

Vagjet poetike nga poetët dhe shkrimtarët Pjetër Jaku, Alfons Grishaj, Elinda Marku, Nexhip Ejupi, Mensur Spahiu, Gjovalin Lumaj, u interpretuan nga aktorët: Ndue Gjoka, Ndue Gjekaj, Enita Hajdari, Fran Gjoka, Agim Agalliu, Mirushe Lumaj, Manjola Dega-Tërshana. Interpretimet e tyre me ndjenjë dhe emocione bënë që disa herë të ndërpiteshin nga duartrokitjet.

U kujtua miku i Kuvendit që u nda nga jeta pak javë më parë, Zef Lleshi. Në nderim të të ndjerit u mbajt një minutë heshtje.

Drejtuesit ia dhanë fjalën Botuesit të Kuvendit, organizatorit të atij aktiviteti, poetit dhe prozatorit Pjetër Jaku: "Falenderoj gjithë ju që jeni të pranishëm në këtë mbrëmje të bukur letrare. Ditët e Letërsisë Shqipe vijnë sot në vitin e tyre të 11-të. Ne e kemi filluar këtë aktivitet në vitin 2001 dhe kemi mbëritur deri këtu ku jemi mbledhur sonte, pa u shkëputur asnjëherë. Pothuajse një pjesë e mirë e juaja keni qenë të pranishëm çdo vit. Ju falenderoj në mënyrë të veçantë që na keni ndjekur dhe vazhdoni të na ndiqni. Edhe një falenderim tjetër të veçantë edhe për ata të tjerë që nuk kanë mundur të marin pjesë sonte për arësye të ndryshme. Nëse mbrëmja e letërsisë shqipe është në vitin e 11-të, në kemi 12 vjet që botojmë revistën Kuvendi dhe dua të them se e gjithë koha e botimit të kësaj reviste, ka qenë ditë letërsie. Për 12 vjetë në të gjithë numrat që kanë dalë ne kemi përfshirë rreth 3000 faqe të letërsisë artistike me mbi 80 autorë nga diaspora, materialet e të cilës gjenden në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Unë uroj që sonte të kalojmë të gjithë së bashku një mbrëmje vërtetë të këndshme. Ne kurrë nuk kemi synuar që të kemi numër njerëzish, të kemi artista të fjalës. Na intereson të kemi në këtë aktivitet ata njerëz që e kuptojnë letërsinë, që e respektojnë atë, duke patur edhe parasysh që jetojmë edhe në kushte të vështira. Një vlerësim të veçantë unë e kam për Prof. Dr. Bahri Brisku, i cili na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij, është autor i disa librave dhe që e njeh mirë letërsinë" tha në përshëndetjen e tij z. Pjetër Jaku.

Enita Hajdari, recitoi poezinë "Mos më zhgënje" të poetit prozator, Alfons Grishaj.

Më pas e mori fjalën Dom Ndue Gjergji, Famulltari i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve: "Ju përshëndes të gjithëve për këtë mbrëmje të letërsisë, e cila është e gjithpërfshirëse kjo ditë e letërsisë shqipe. Ju përshëndes dhe dua të përmend këtu që, siç e dini, në Shqipërinë tonë mbëriti libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe "MESHARI" Në të gjitha gjinitë e letërsisë sonë jepet ajo ç'ka ne jena, një popull i madh, fuqiplotë që e përvuajti mundimin nëpër luftëra, shtrëngata të ndryshme gjatë gjithëhistorisë së tij. Në atë kohë, Luigj Gurakuqi, është treguar figura më e madhe e kombit tonë... Ju jeni ata, të nderuar krijuesa letrarë, që me zërin tuaj në shkrimet tuaja e ngrini Ju uroj të gjithëve juve organizatorë për këtë mbrëmje të bukur të letërsisë shqipe; ju të gjithë, që jeni mbledhur në këtë aktivitet letrar artistik. Uroj gjithë shqiptarët anembanë kudo janë "Gëzuar Festën e madhe të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë" Zoti j'u bekoftë".

Kryetari i degës së Vatrës për Michiganin, Pishtari i Demokracisë Shqiptare, zoti Alfons Grishaj, në përshëndetjen e tij, i uroi mirëseardhjen gjithë të pranishmëve dhe duke i bërë një paraqitje të shkurtër veprimtarive nëpër vite të Kuvendit, vlerësoi dhe falenderoi të gjithë ata krijuesa, aktivistë që kanë ndihmuar në ritjen dhe gjatësinë e tij, rolin e madh atdhetar që luan revista Kuvendi...

Fran Gjoka më parë se të fillonte interpretimin, përshëndeti: "Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan janë një aktivitet që meriton përkrahjen, vlerësimet, përgëzimin tonë për vetë mbledhjen e artistëve të diasporës, që dihet se sa shumë vlerë ka puna e tyre. Dihet, se sa shumë jetë i jep jetës shqiptare dhe komunitetit shqiptar.... Siç e dimë të gjitha viset, vendet shqiptare, po vishen kuq e zi në prag të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. J'u përshëndes nga zemra. Ndjej kënaqësi dhe i privilegjuar të recitoj disa nga poezitë e poetes tashmë të talentuar, Elinda Marku..."

Manjola Dega-Tërshana, recitoi poezi nga poeti Mensur Spahiu.

Aktori i talentuar Agim Agalliu, recitoi poezi nga Nexhip Ejupi, "Atdhe"

Rushe Lumaj, recitoi përshëndetje nga poeti Gjovalin Lumaj, në pamundësi për të marë pjesë në atë aktivitet.

Vargjet poetike nga poeti Gazmend Gjika u interpretuan nga dy aktoret e mirënjohura.

Aktori Ndue Gjeka interpretoi pjesë nga krijimtaria e poetit, prozatorit Pjetër Jaku.

Në fjalën e tij përshëndetëse Dom Fran Kola, Famulltar i Kishës së Shën Palit midis të tjerave në përshëndetjen e tij tha: " Përshëndetje të dashur bashkatdhetarë! Është kënaqësi e madhe të ndodhem sot midis jush, në mes të intelektualëve. Sa bukur është të ndodhesh në mesin tuaj, sepse ju jeni përgjegjësit e shoqërisë... Me penën tuaj, me shkrimet tuaja, ta reshtoni popullin tonë shqiptar në realitetin e ri..." Dom Fran Kola kujtoi me respekt edhe poetin nga Kosova Ali Podrimja, i cili u nda nga jeta para pak kohësh..."

Zoti Julian Çefa: "Është një kënaqësi e veçantë një krenari kombëtare sonte kemi në mesin tonë në këtë mbrëmje të bukur të letërsisë, gjendet ajka e kombit tonë, shkrimtarë, poetë, romancierë, historianë... që janë një krenari e veçantë për kombin. Të gjithë shqiptarëve që kanë zotësi nëpërmjet penës dhe mendjes, j'u uroj suksese në krijimtarinë e tyre të bukur e të vështirë letrare. Natyrisht, ky bashkim sonte i dedikohet zotit Pjetër Jaku dhe gjithë stafit të tij. Një respekt i veçantë që për dymbëdhjetë vite drejton Kuvendin. Ky zotëri i nderuar ka ngritjen kryesore që na bashkon të gjithëve... J'u uroj të gjithëve Gezuar festën e madhe të 100 vjetorit Pavarësisë..."

Luigj Gjokaj: " ... Faleminderit që na keni bashkuar sonte në këtë mbrëmje. Dua të them se jeni një ndër më të vlerësuarit në komunitetin tonë këtu në Sh.B.A. sepse për 11 vite me radhë na keni dhënë Revistën KUVENDI. Më kujtohet nata e parë e mbrëmjes për letërsinë në Kishën e Shën Palit kur kemi filluar të kujtojmë At Gjergj Fishtën, por Pjetër Jaku bashkë me të gjithë ne së bashku, vendosi që të kalojmë edhe një hap më tepër për të zhvilluar Mbrëmjen e Letërsisë Shqipe dhe vit pas viti, kjo u bë traditë këtu në Sh.B.A. që ne të mblidhemi, të dëgjojmë fjalën tuaj poetike letrare, të shohim artistë, krijues, historianë... të ndryshëm. Ndjehemi krenarë që ndodhemi në mes të intelektualëve tanë..."

Shkrimtari Ramiz Gjini në fjalën e tij përshëndetëse, midis të tjerave tha: "...M'u bë shumë qejfi që këtu po njihem me poetë, shkrimtarë, të cilët, fati na ka ndarë, sepse Amerika është shumë e madhe, jetojmë larg njëri tjetrit. Gjatë kësaj kohe na u dha mundësia të bisedojmë dhe të shkëmbejmë edhe libra... " Ramiz Gjini gjithashtu, lexoi edhe disa poezi nga poetja Elinda Marku.

Poeti Mëhill Velaj, njëkohësisht edhe kryetar i jurisë në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi punën e Kuvendit dhe gjithë stafit të tij...

Unë, autori i këtij shkrimi, në fjalën time përshëndetëse, midis të tjerave u shpreha: "Kjo sallë, me pjesëmarrjen e këtyre njerëzve të mrekullueshëm që kanë ardhur me dëshirën e tyre me dashurinë për letërsinë, për Kuvendin, me dashurinë dhe respektin që tregojmë ndaj njëri tjetrit, po më duket e madhërishme. Është ajo dashuri që neve na mban gjallë, që e kërkojmë ndaj njëri tjetrit... Dhe atë dashuri ne e gjejmë në vatrën e "shenjtë"KUVENDI në Michigan dhe gjithë stafin që e drejton atë. Dashuri gjejmë në Komunitetin Shqiptar në Michigan që di të shprehë dashuri, mikpritje, respektin për miqtë bashkëkombas që shkojnë atje... Shfrytëzova rastin të recitoja poezinë "DASHURISË" të poetit Ndoc Gjetja.

Zoti Kujtim Qafa: "... Programi i kësaj mbrëmjeje ka qenë shumë i shkëlqyer, ka qenë në nivel, ka qenë një mbrëmje mjaft e gëzuar me muzkë, më recitime, me këngë, me humor. Na keni dhënë një kënaqësi jo vetëm që keni ardhur, por edhe me interpretimet, recitimet tuaja, do mbeten të paharuara. Unë kam qenë pjesëtar i Kuvendit së bashku me Pjetër jakun dhe kam mendimin se duhet ndihmuar; po bën një punë të shkëlqyer, jo vetëm me revistën Kuvendi, por edhe me këtë aktivitet, siç është kjo natë që jemi mbledhur sonte.

Përshëndetën edhe Prof. Bahri Brisku, poeti Mensur Spahiu, dashamirësi i artit, zoti Gjeto Ivezaj, Rakip Babqorri, Pal Rakaj, Kujtim Qafa, Paulin Palushi, përfaqësues të Shoqatës KASTRATI, Shkëlqim Legisi,Valentin Lumaj...

Biznesmeni i njohur Gjeto Ivezaj përshëndetjen e tij e shoqëroi edhe me disa fragmente poetike për Bajraktarin e Grudës, Smajl Martini si dhe Prek Topalli me një krijim të posaçëm për Gjergj Fishtën.

Poetët Elinda Marku dhe Gjovalin Lumaj recituan poezi nga krijimtaria e tyre.

U lexua edhe përshëndetja e shkrimtarit Fatos Kongoli.

Zëri i ëmbël dhe melodioz, që unë e quajta kanarina e këngës shqiptare, këngëtarja e komunitetit tonë në Michigan, Manjola Degaj-Tërshana, na befasoi, na emocionoi. E thjeshtë, e çiltër, duke kënduar këngët me mikrofonin në dorë, ajo do të shkonte edhe tavolinë më tavolinë... E shoqëruar në organo nga vëllai i saj, instrumentist tepër i talentuar, Elvis Tërshana. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, kur ata dy artistë motër e vëlla kanë të njëjtin gjak, gjakun e xhaxhait të tyre, Artistit të Merituar Tonin Tërshana.

E ku ka më bukur për ne, pjesëtarët e Diasporës sonë të mbledhur në atë sallë nga vise e rrethe të ndryshme shqiptare të duartrokasim, të këndojmë të gjithë së bashku si në korr këngët e ndryshme shqiptare të interpretuar me mjeshtëri nga ata artista profesionista Manjola Degaj-Tërshana, bilbili i diasporës dhe i mbarë shqiptarisë, i mirënjohuri Frank Kola, instrumentisti Elvis Tërshana, që me muzikën e tyre na çojnë në qiellin e 7-të të kënaqësisë...

Si mund të rish pa hyrë në botën e thellë muzikore, kur Manjola, vetëm mos e kaptë mikrofonin me dorë, se e di vetë ajo pastaj se ku të shtegëton me këngët nga krahinat e ndryshme shqiptare.

E ç'mund të flas unë më tepër në këto rreshta për aktorin, bilbilin zëmprehtë Fran Gjoka, kur më shumë se unë, flet vetë zëri i mprehtë dhe melodioz i Franit, talenti i tij i madh që ai ka për artin muzikor dhe atë interpretik.

E ç'mund të shkruaj unë më tepër në këto rreshta, kur e gjithë salla, magjepset, elektrizohet kur këta dy zëra të fuqishëm bashkohen në duet, duke formuar zërin Dega-Kola. Kënga e mirënjohur "Shqipëri o nëna ime" që nuk është vetëm malli që ne kemi për atdheun tonë, por ajo këngë që kurrë nuk ka plakje, por që vetëm të rinon sa herë që e dëgjon dhe që vetë rinohet nëpër vite, të rrënqeth trupin, na rrëmben të gjithëve të hyjmë edhe ne mes tyre duke e kënduar së bashku të shoqëruar me duartrokitje... Dhe atë këngë e kënduan mjeshtërisht këngëtarët Degaj-Kola

"Xhamadani vija vija" Është kjo një këngë tjetër që, jo vetëm të emocionon sa herë e dëgjon, por pse jo edhe përlotesh. Janë lot malli, gëzimi, emocioni, që na i dha dueti Dega-Kola me interpretimin e tyre të shkëlqyer.

Disi e vështirë ishte edhe puna e jurisë. Mes prurjeve të shumta krijime letrare të gjinive të ndryshme, duhet të përzgjidhnim edhe nga tre çmime në poezi, publiçistikë, prozë. Për këtë, kishim kohë që po punonim.

Juria e përbëra nga: Mëhill Velaj kryetar, Pierre-Pandeli Simsia anëtar dhe Manjola Degaj anëtare, vendosi:

POEZI

Çmimi i parë:                             Nexhip Ejupi

Çmimi At Gjergj Fishta:            Elinda Marku

Çmimi Migjeni:                           Pal Rakaj

PUBLICISTIKË

Çmimi i parë:                             Frank Shkreli

Çmimi Faik Konica:                  Gëzim Basha

Çmimi Arshi Pipa:                    Bahri Brisku

PROZË

Çmimi i parë:                           Alfons Grishaj

Çmimi Petro Marko:               Albana Lifschin

Çmimi Anton Pashku:             Pal Ndrecaj

Çmimet e Këshillit Botues:

Çmim të veçantë për shkrimin më të mirë me temën e 100 Vjetorit të Pavarësisë, iu dha Rakip Babqorrit

Çmimin për librin më të mirë paraqitur dhe promovuar në Komunitetin Shqiptar të Detroitit, ia dha Nusret Pllanës

Dom Ndue Gjergji, Famulltari i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve i dhuroi botuesit të Kuvendit dhe anëtarëve të jurisë albumin "The Mother of Charity" punuar nga Don Lush Gjergji dhe librin "Dom Prek Ndrevashaj" nga Ndrek Ded Guri

Moderatorët e programit kishin menduar t'i jepnin një formë të re aktivitetit. Ndue Gjeka me mikrofon në dorë duke kaluar në çdo tavolinë, bëri që të pranishmit të thonin mendimin e tyre.

Dhe çdo përshëndetje, çdo mendim, kishte refrenin e përbashkët: Vlerësim, respekt, mirënjohje Botuesit të Kuvendit, zotit Pjetër Jaku dhe gjithë stafit të tij.

Në atë sallë të madhërishme që Kuvendi zhvilloi aktivitetin e tij të përvitshëm, ne gëzuam, kënduam, vallëzuam shqiptarçe ashtu siç na ka hije. Ne dëgjuam atje krijimtarinë letrare, interpretimin, fjalën e artë poetike shqiptare.

Takimin regjistroi ACTV telekronisti, mjeshtri Paulin Palushi.

Koha e ndarjes me njëri tjetrin është gjithmonë prekëse dhe emoionante. Ndërsa takohemi, përqafohemi me miqtë, shokët, me ata bashkatdhetarë të nderuar të atij komuniteti "Faleminderit! J'u lumshin këmbët që na erdhët në Michigan, na gëzuat...! J'u faleminderit motra dhe vëllezër të nderuar! J'u faleminderit për mikpritjen vëllazërore që na ofroni. J'u presim edhe ne në New York...!" me mendjen time përsëris të njëjtën shprehje: U jemi shumë borxhlinj këtyre njerëzve të mirë e mikpritësa... Do mundemi vallë ndonjëherë t'ua shpërblejmë atë, që ata bëjnë për ne, për mbarë bashkatdhetarët, për Letërsinë Shqiptare...! J'u FALEMINDERIT.

Dita e hënë në mëngjes përsëri u gdhi e argjendtë; mjegulla e kishte mbuluar përsëri Michiganin. Në hotel vjen Elinda për të na takuar. Pas pak, vjen edhe mjeshtri Paulin Palushi, ku të gjithë së bashku me makinën e tij nisemi drejt aeroportit DTW për t'u kthyer përsëri në New York. Largësia nga hoteli në aeroport nuk ndihet fare, përderisa udhëton me një artist të humorit siç është Paulini.

Faleminderit organizatorë të nderuar, Ju, që na mblidhni çdo vit në Michigan për të festuar Ditët e Letërsisë Shqipe, për t'u gëzuar...

Faleminderit të gjithë ju, miq të nderuar bashkatdhetarë që jetoni atje, në Michigan; Ju, që na prisni me ngrohtësi, që na dhuroni dashuri...

Kështu u mbledhshim përherë me njëri tjetrin jo vetëm në Michigan, por edhe në New York edhe në Connecticut, edhe në Chicago, edhe në...

Gëzuar dhe për shumë vjetë të tjera Festën e Madhe e të Lavdishme 100 Vjetorin e Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë

Shënim:

Botuesi dhe Editori i Revistës “Kuvendi” u kujtuan të pranishmëve se juria ka porosi të veçantë për të mos i vlerësuar me çmime stafin e ngushtë të kësaj reviste.

Unë autori i këtij shkrimi, duke qenë për të disatën herë anëtar jurie në atë aktivitet, edhe pse e njëjta porosi ka qenë edhe në vitet e kaluara, këtë herë e "theva" porosinë. Insistova në pavarësinë e punës sonë në vlerësimin e krijimeve letrare në dhënien e çmimeve. Madje u spjegova të pranishmëve që stafi i Revistës Kuvendi, jo vetëm që nuk ndërhyn në punën e jurisë, por nuk ka fare dijeni se çfarë vendimi merr juria në dhënien e çmimeve.

Në punën tonë si juri, ne kemi vlerësuar krijimtarinë letrare të çdo krijuesi, pa patur parasysh emrin dhe funksionin që ata luajnë në jetën dhe aktivitetin e komunitetit.

Ky spjegimi im u duartrokit nga të pranishmit, që do të thotë se pranohet dhe se vlerësimi ishte i drejtë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora