E enjte, 25.04.2024, 08:35 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Al-Capone, historia e simbolit të mafies që synoi politikën

E diele, 27.04.2008, 04:49 PM


Mafia ka rezistuar me shekuj vetëm përmes "kodit të heshtjes" ose "Omerta" siç quhet në gjuhën e siçilianëve

Nga Redin Hafizi, Michigan

Në historinë e mafies amerikane, shumë gangsterë kanë tërhequr vëmendjen e publikut e jo vetëm kaq, por shumë prej tyre kanë fituar edhe simpatinë e njerëzve. Të tillë kanë qenë në 1920, Al "Scareface" Capone dhe Jack "Legs" Diamond, më 1930 del një tip krejt ndryshe që bëhet menjëherë shumë popullor, tipi i hajdutit të bankave. Të tillë kemi John Dillinger, "Pretty Boy" Floyd dhe "Baby Face" Nelson. Në vitin 1940, fama i takon Benjamin "Bugsy" Siegel dhe vrasësve të organizatës "Murder.Inc" dhe i fundmi i këtij lloj gangsteri që shpesh është konsideruar i tipit hollivudian ka qenë John Gotti, bosi i famshëm i familjes Gambino.

Edhe pse gazetat kanë shkruajtur shpesh për bëmat e këtyre personave, vetëm dy prej tyre kanë pushtuar kopertinën e prestigjiozes "Times". Al Capone dhe John Gotti, kanë dalë në kohëra të ndryshme, 1930 dhe 1986, në kopertinën e revistës "Times", një reklamë e jashtëzakonshme që përbënte një sfidë ndaj shtetit dhe ky ishte gabimi i tyre, dalja nga heshtja, por në të njëjtën kohë ata kërkuan që, me arrogancën e tyre, të sillnin edhe një risi, publicitetin e një mafiozi.

Megjithatë një gjë e tillë për dy mafiozë, që jo vetëm kryesonin dy ndër grupimet më të fuqishme të mafies, por ishin Al Capone dhe John Gotti, që tentuan të luanin macja dhe miu me sistemin e drejtësisë, duke e bërë këtë të fundit disa herë edhe qesharak në sytë e qytetarëve të thjeshtë. Publiciteti i njerëzve të tillë që kërkon të shfuqizojë ligjin është shumë i rrezikshëm për një shtet dhe njëkohësisht rezultoi i rrezikshëm edhe për mafien.

Mafia ka rezistuar me shekuj vetëm përmes "kodit të heshtjes" ose "Omerta" siç quhet në gjuhën e siçilianëve. Bosi i një grupimi të rëndësishëm mafioz nuk mund të dalë në kopertinat e revistave dhe sidomos në "Times", një revistë që nxjerr njeriun e vitit, nisur nga kontributet apo kreditet pozitive apo negative.

Për dy nga gangsterët më të mëdhenj të mafies italo-amerikane, një reklamë e tillë u duk si një tejkalim ambicioz. Kishin nga ata që nisën të mendonin se, Al Capone po mendonte të hyjë në politikë dhe e njëjta gjë u deklarua për John Gottin, i cili nëse nuk do të arrestohej me prova të fuqishme në dhjetor 1990 mund të shndërrohej në kryebashkiakun "de facto" të NYC.

Pas daljes së Al Capones, më 24 Mars 1930 në kopertinën e revistës "Times", morën fund edhe talljet e tij me shtetin. Më 1931, ai u burgos për evazion fiskal dhe kur pas gati tetë vjetësh doli nga burgu vuante nga sifilizi, por nuk vdiq prej kësaj sëmundje, megjithatë ai ishte i gjymtuar dhe nuk mund të pretendonte të merrej sërish me biznes. Ai vdiq në 25 janar 1947, nga pneumonia.

Më 29 Shtator 1986, John Gotti, doli në kopertinën e revistës "Times" dhe në të njëjtën kohë gazetat e qytetit Neë York talleshin, duke nxjerrë tituj të tillë si "Gotti kundër shtetit, 3:0". Në Dhjetor 1990, John Gotti, u arrestua për të mos dalë më i gjallë nga burgu.


Ai ishte një prej "djemve të mirë"….


Emri i pagëzimit ishte Alphonsus Capone, por gjithnjë u njoh si Al Capone. Edhe pse pati një famë të madhe si kryemafioz, nuk ishte Al Capone ai që i nisi trafiqet ilegale që e bënë botën e mafies të lëvizte me Rolls-Roice, por ai pati një rol shumë të madh në perfeksionimin e veprimtarisë mafioze. Siç e tregojnë, ai kishte aftësi të padiskutueshme organizative.

I lindur në Brooklyn më 17 Janar 1899, në një familje italiane, ai ishte një "djalë i mirë" deri në moshën 17 vjeç. Në këtë kohë, në dhomat e zhveshjes në pishinat e Greenpointit, ai godet me grushte dhe hedh poshtë një të panjohur. Vetë Capone mendoi se e vrau atë, ndaj një kushëri i tij, anëtar i një bande në Brooklyn, "Pesë Pikat", e fshehu atë prej policisë. Kur viktima e panjohur u shërua, i riu Al kishte nisur tashmë punëra të vogla me kushëririn e tij. Në një zënkë në Coney Island, ai mori një të prerë në faqen e majtë, megjithatë ai insistonte gjithnjë se atë shenjë e kishte marrë gjatë shërbimit të tij në luftë inkuadruar në Batalionin e Humbur. Ka qenë ajo plagë në faqe që i dha atij më pas pseudonimin "Scareface" (njeriu me shenjë).

Në 1918, Capone njihet me një vajzë irlandeze me emrin Mary "Mae" Coughlin në një mbrëmje vallëzimi. Më 4 Dhjetor 1918, Mae lindi djalin e tyre, Albert "Sonny" Francis dhe në të njëjtin vit, 30 Dhjetor, Capone dhe Mae u martuan.

Më 1921, Capone shkon në Chicago si bodyguard për Johnny Torrio. Në këtë punë, ai u punësua nga Jim Colosimo, pronar i madh restorantesh e shtëpish publike. Ka qenë kjo kohë, që hapi një dritë jeshile për mafien e asaj kohe. Ndalimi me ligj i alkoolit në SHBA do të rriste kërkesën për pijet alkoolike. Grupet mafioze ishin gati që t'i përgjigjeshin kësaj kërkese në rritje dhe në të njëjtën kohë të rrëzonin rivalët. Capone e nisi biznesin me një shtëpi publike dhe ishte kjo koha kur nisi edhe rekordi i tij policor me një gjobë prej 50 dollarësh. Në 1923, Colosimo u vra dhe Torrio mori drejtimin e bizneseve të pijeve dhe të tjera. Ai e bëri Caponen ndihmësin e tij numër 1. Ishte koha kur kërcënimet dhe ballafaqimet mes bandave të anës jugore që komandoheshin nga Torrio dhe atyre të anës veriore nën komandën e Dion O'Banion kishin sjellë shumë frikë dhe probleme. Në 1924, O'Banion u vra pikërisht në dyqanin e tij të luleve. Pak muaj më vonë, Johnny Torrio, i sakatuar nga torturat, arrin të largohet nga duart e rivalëve dhe lë SHBA-në për të jetuar në Europë. Është pikërisht kjo koha që nxjerr Al Caponen në krye të bandës dhe menjëherë, ai nis programin e vet të ekspansionit. Në të njëjtën kohë, "Bugs" Moran, ndjekës i O'Banion pas vrasjes së këtij të fundit, u bë armiku më i betuar i Capones.

Me programin e ekspansionit që Capone po e zbatonte me mjeshtërinë e një biznesmeni, si në çdo biznes tjetër, qoftë të ligjshëm a të paligjshëm, vjen edhe prosperiteti. Capone tashmë zotëronte fshatin Cicero, jashtë qytetit të Chicagos, pikën ku kryqëzoheshin rrugët. Në këtë qytezë të vogël, ai ngriti parajsën e vet të lojërave të fatit dhe bixhozit dhe në të njëjtën kohë e shndërroi atë në një pikë qendrore të veseve. Në këtë kohë, ai nisi edhe garat e qenve. Ai e zhvilloi biznesin e pijeve në të gjitha drejtimet e kushdo që mundohej t'i zinte rrugën, ai e zhdukte pa mëshirë. Një shprehje e famshme e Capones ka qenë: "Është kontrabandë kur është ende në kamion, por kur i zoti i shtëpisë ta sjell me një tabaka të argjendtë, atëherë kjo quhet mikpritje". Shumë shpejt Capone dhe grupi i tij kontrollonin pjesën më të madhe të biznesit të lojërave të fatit dhe bixhozit, bastet sidomos në garat me kuaj, prostitucionin, kontrabandën, biznesin e pijeve alkoolike. Ai arriti nga bizneset e tij të ardhura që arrinin në 100 milion dollarë amerikanë në vit. Një shumë jashtëzakonisht e madhe për fundin e viteve '20.

Edhe pse Capone dha urdhër për dhjetëra vrasje, madje ai ka vrarë edhe me dorë të vet, ai i ka trajtuar njerëzit drejtë dhe me bujari. Ai është njohur për temperamentin e tij violent dhe njëkohësisht për një ndjenjë të fortë respekti dhe nderi. Capone ishte i pari që hapi një kuzhinë për të shpërndarë supë falas gjatë kohës së krizës ekonomike në vitin 1929, dhe njëkohësisht ai urdhëroi tregtarët që të jepnin veshje dhe ushqime atyre që kishin nevojë dhe për ato do të paguante ai.

Duke lënë pas atë qoshe të largët të karakterit të tij të butë, viti 1929 shënon edhe një ngjarje tjetër të famshme, për të cilën Al Capone ka mbetur në histori. Më 14 Shkurt 1929, ndodhi ajo që quhet Masakra e Ditës së Shën Valentinit, ku katër njerëz të Capones hynë në një garazh në 2122 N. Clark Street. Ndërtesa ishte baza kryesore e pijeve alkoolike për rivalin më të egër të Capones, kontrabandistin George "Bugs" Moran, shef i bandës së zonës veriore të qytetit. Koha kishte ardhur që, Al Capone të vendoste hegjemoninë, duke finalizuar programin e tij të ekspansionit. Meqë dy prej njerëzve të Capones ishin veshur policë, shtatë punonjësit e garazhit hodhën armët dhe mbështetën duart pas murit, duke menduar që ishte thjesht një kontroll i policisë. Duke përdor dy armë shotgun dhe dy automatikë, njerëzit e Caponës lëshuan 150 plumba kundër ushtarëve të rivalit të tij. Moran në fakt ishte objekti i vërtetë, por ai ndodhej në anën tjetër të rrugës e kur pa policë të hynin në garazhin e tij nuk lëvizi. Edhe në këtë rast, si në çdo rast tjetër, Al Capone kishte një alibi; ai ndodhej në Florida.

Alibitë e forta që personalisht ai kujdesej që t'i prodhonte, e bënë në atë kohë gati të pamundur që shteti të burgoste armikun e vet numër 1 për jetë, ndaj drejtësia nisi të lëvizte në një drejtim tjetër.

Në vitin 1931, Al Capone akuzohet për evazion fiskal gjatë viteve 1925-1929 dhe me mosdeklarim të të ardhurave në vitin 1928-1929. Qeveria deklaroi se, Capone i detyrohej shtetit një shumë prej $ 215 080.48 (dyqind e pesëmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë dollarë e 48 cent) në taksa për biznesin e lojërave të fatit. Njëkohësisht u shtua edhe një akuzë e tretë për thyerje të ligjit, që ndalonte alkoolin gjatë viteve 1922-1931. Në fillim, Capone u vetdeklarua i fajshëm me shpresën se mund të arrinte një ujdi, ndërkohë që gjyqtari James H.Ëilkerson deklaroi se, nuk pranonte që të binte në ujdi për ta lënë Caponen të lirë, duke paguar vetëm detyrimet financiare, që në fakt ishin një shumë qesharake për atë çka Capone posedonte. Në pamundësi për të arritur marrëveshjen, Capone e ndryshon vetdeklarimin në të pafajshëm dhe tenton që të blejë jurinë, por gjykatësi Ëilkerson e ndryshoi jurinë në minutë të fundit. Si përfundim, Al Capone u deklarua i pafajshëm nga juria vetëm në tetëmbëdhjetë nga 23 akuzat e ngritura ndaj tij. Gjyqtari dha një dënim prej 10 vjetësh burg në një burg federal dhe një vit në një burg lokal. Gjobat arrinin shifrën $50 000 dhe një pagesë tjetër prej $7 692.29 për shpenzime të gjykimit.

Në maj 1932, atë e dërguan në Atlanta, një ndër burgjet federalë më të këqinj, por edhe këtu Capone arriti që të marrë kontrollin në dorë dhe të përfitojë privilegje të veçanta përmes pagesave të shumta dhe shumave të mëdha që ai përdorte. Për shkak të pëshpëritjeve që u përhapën, Al Capone u transferua në Alcatraz, burgu famëkeq në majë të shkëmbinjve. Atje sigurimi ishte më i fortë dhe koha e privilegjeve mori fund. Këtu ai u shndërrua në një të burgosur model dhe gjithnjë refuzoi që të merte pjesë në rebelimet e të burgosurve.

Meqë në Alcatraz ai shfaqi shenja të sifilizit, Al Capone i kaloi vitet që i kishin mbetur në një spital dhe është liruar në 16 Nëntor 1939, por ende kishte për të paguar gjobat dhe shpenzime gjyqi në një shumë të mbetur prej $37 617.51.

Pasi u lirua, ai kaloi disa kohë në spital e më pas shkoi të qetësohej në shtëpinë që kishte blerë kohë më parë në Palm Island, Florida. Sistemi nervor dhe sidomos truri po degradonin me shpejtësi për shkak të sifilizit, ndaj ai kurrë nuk u kthye në Cikago në mënyrë publike, pasi ishte i paaftë që të merrej me politikën e mafies. Në vitin 1946, mjeku i tij dhe një psikiatër nga Baltimora konkluduan se, Al Capone kishte mentalitetin e një fëmije 12-vjeçar dhe kjo vetëm nga dëmtimi i trurit. Al Capone banoi në Palm Island me gruan e tij dhe një rreth të ngushtë familjar deri sa vdiq nga pneumonia në 25 Janar 1947.

"Bosi spic, kush ishte mafiozi John Gotti, njeriu i familjes "Gambino"


Vetë agjentë të FBI-së do të deklaronin se, Gotti rrëshkiste si ngjalë, por edhe ai, Doni që kujdesej shumë për paraqitjen e tij të jashme, nuk mund t'i shpëtonte drejtësisë. Më shumë se viktimë e përgjimeve të FBI-së, John Gotti, është konsideruar më tepër viktimë e ambicies së tij dhe obsesionit në rritje ndaj njerëzve që e rrethonin. Ai kishte një temperament violent, gjë që e afronte me shumë bosë të famshëm të mafies italo-amerikane, por nganjëherë temperamenti i tij e bënte që të mos kontrollonte fjalët e kjo dështoi se ishte fatale për karrierën e tij.

Salvatore Gravano, një ndër bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë dhe në atë kohë "underboss" i familjes Gambino, nuk do t'i kishte dalë kundër nëse nuk do të dëgjonte se çfarë Gotti fliste për të në regjistrimet e FBI-së. Teoria përça e shkatërro e përdorur nga prokurorët e antiimafias amerikane ku spikatin emrat e Rudolf Giulianit, prokuror i Përgjithshëm për Distriktin Jugor në Neë York në atë kohë dhe më pas kryebashkiak i NYC dhe kandidat republikan për president në vitin 2008. Gjithashtu, në atë grup dallohet edhe Michael Chertoff, që aktualisht është Sekretar për Sigurinë Kombëtare.

Problemi që bosi i familjes Gambino kishte krijuar, jo vetëm përmes trafiqeve të veta ilegale, por edhe përmes publicitetit në shtyp dhe më pas daljes në kopertinën e revistës "Times" angazhoi një grup të madh prokurorësh, ndër më të mirët për të shkatërruar një rrjet që po sfidonte sistemin e drejtësisë dhe po sillte kohën e Al Capones në mes të Neë York.

Personi që fitoi simpatinë e një pjese të publikut dhe urrejtjen e prokurorëve federalë dhe agjentëve të FBI-së ishte sërish një bir i një prej familjeve italo-amerikane. Prindërit e John Gottit ishin emigrantë të ndershëm që mundoheshin me të gjitha forcat të ndërtonin një të ardhme në SHBA.

John Gotti lindi në Bronx, NYC, më 27 Tetor të vitit 1940. Kur ai mbushi 12 vjeç, familja e tij u shpërngul në një lagje të vështirë në Brooklyn. Këtu Gotti mori rrugët dhe la shkollën kur ishte në klasë të tetë. Ishte kjo koha që Gotti nisi të lidhet me banda të ndryshme dhe të bëjë krime të vogla, duke u ngjitur lart në hierarkinë e botës së krimit. Në 1966, Gotti ishte lidhur me Familjen Gambino dhe detyra e tij për këtë familje ishte të rrëmbente kamionët me ngarkesë ose para, që vinin nga Aeroporti Kennedy. Për guximin dhe dedikimin që tregonte në këtë punë, ai u afrua shumë nga njeri prej numrave 2 të familjes Gambino, Aneillo Dellacroce dhe pas kësaj u duk qartë që, Gotti do të ecte në këtë grup të madh kriminal. Ai u arrestua në 1969 për rrëmbimin e një kamioni dhe u dënua vetëm me tre vjet burg.

Kur ai doli nga burgu, vazhdoi të njëjtën rrugë që kishte nisur, por në këtë kohë ai vendosi që të shtynte karrierën e tij më lart. Në 1973, Gotti mori përsipër të vrasë James McBratney, i cili ishte i lidhur me vrasjen e një nipi të bosit Carlo Gambino. I lidhur ose jo me vrasjen, Gambino mendonte se ai kishte gisht dhe Gotti duhej që ta zhdukte atë dhe ky i fundit ishte shumë i lumtur për ta bërë një gjë të tillë. Pas vrasjes, policia konkludoi se, Gotti e kishte kryer krimin, pasi kishin edhe dy dëshmitarë okularë, por në gjyq avokati i tij e menaxhoi shumë mirë situatën dhe shndërroi akuzën për vrasje me paramendim në vrasje të shkallës së dytë dhe ai u dënua vetëm me dy vjet burg.

Kur Gotti po kryente dënimin, bosi i familjes, Carlo Gambino, ishte i sëmurë në shtrat dhe kishte nisur të caktonte pasuesit e vet. Paul Castellano do të ishtë bosi i familjes mafioze që kryesonte të pesta familjet e mafies në Neë York. Gotti nuk u pajtua me një vendim të tillë, pasi ai dëshironte në këtë pozicion mbështetësin e tij Neil Dellacroce. Zemërimi i Gottit për një zgjedhje të tillë kurrë nuk do të shuhej, madje do të ishte kjo ndjenjë që do ta drejtonte atë drejt pushtetit.

Kur Gotti doli nga burgu, iu kthye sërish punëve të tij, por tashmë ai kontrollonte edhe shpërndarjen e drogës.

I zemëruar tashmë me Castellanon, Gotti do të përjetonte edhe një tragjedi familjare në vitin 1980, kur djali i tij, Frank, 12 vjeç në atë kohë, vdiq në një aksident. Ai ishte duke i dhënë biçikletës kur një nga banorët e lagjes doli nga një kthesë dhe në mënyrë shumë aksidentale e përplas Frankin e vogël dhe si shkak i përplasjes ai vdes.

Komshiu i Gottit u zhduk pa lënë gjurmë, madje edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku është trupi i tij dhe ditën që ai u zhduk, Gotti dhe bashkëshortja e tij ishin në Florida, kështu që askush nuk mund ta akuzonte atë për vrasje.

Edhe pse po ecte lart në hierarkinë e familjes Gambino, duke u graduar "capo" ai gjithnjë pa vetëm Neil Dellacroce si bosin legjitim të familjes. Nën mbështetjen e tij, Gotti vazhdoi që të kontrollonte tragtinë e narkotikëve. Castellano e dinte këtë dhe i kërkoi disa herë që të ndalte, madje ai tentoi që ta ç'gradonte apo deri edhe ta eleminonte Gottin, por ishte Dellacroce që gjithnjë dinte të vendoste paqen. Ndërkohë që nga ana tjetër, Gotti kërkonte që Dellacroce të ngrinte zërin, duke kërkuar pozicionin e tij si bos, por Dellacroce mundohej të mbante paqen dhe e këshillonte Gottin të qetësohej.

Në 1985 ngjarjet rodhën drejt një pike të nxehtë, Castellano akuzohej përpara komisionit të antimafias ku prova të dala prej regjistrimeve nga përgjuesit e vendosur kudo, madje edhe në vilën e Castellanos, flisnin për trafik narkotikësh. Në këtë çështje ishin nën akuzë anëtarë të grupit që Gotti kryesonte. Pra, njëri duhej të eliminohej patjetër, pasi Castellano që i kishte kërkuar Gottit shpesh të ndalonte atë lloj trafiku, duke kërkuar që të nxirrte veten të larë do të shkarkonte çdo gjë mbi Gottin dhe njerëzit e tij. Ndërkohë që, Gotti nga ana tjetër po dyshonte se mos Castellano do të dorëzohej para presionit të FBI-së dhe mendonte se, Castellano ishte rreziku dhe duhej eliminuar me çdo kusht. Dellacroce ishte i vetmi që po mbante paqen në familje, duke qetësuar Gottin, dhe duke i kërkuar më tepër kohë Castellanos, por kur Dellacroce vdiq, në 1985 u duk qartë se përplasja mes Gottit dhe Castellanos, ishte pranë dhe Gotti godet i pari.

Pasi fitoi mbështetjen e krerëve të grupimeve të tjera të familjes Gambino, dhe në të njëjtën kohë, pasi mori edhe mbështetjen e tre prej katër familjeve të tjera mafioze në Neë York, Gotti, mblodhi një skuadër ekzekutimi dhe në 16 Dhjetor 1985 ai arrin që të vrasë Castellanon dhe zëvendësin e tij të ri Tommy Bilotti, përpara restorantit "Sparks Stake House" në Manhattan. Pas një aksioni të tillë, Gotti u bë bosi i ri i familjes Gambino.

Duke drejtuar familjen nga lokali i tij në Little Italy, Manhattan, Gotti tregoi bindshëm se, nuk ishte thjesht një gangster i nivelit të ulët, por një lider i vërtetë. Në gjyqet e shumta kundër tij ai kurrë nuk e përzuri median, por përkundrazi ai i donte ata. Ai e admironte jetën si gangster i famshëm. Ai pëlqente të dilte me një kostum 2000 dollarësh dhe të buzëqeshte përpara kamerave ose t'i jepte 100 dollarë një lypsi në rrugë.

Pasi fitoi shumë gjyqe (njëri madje falë një bakshishi që pagoi zëvendësi i tij Salvatore Gravano) ai u bë shumë i famshëm, madje në vitin 1986, ai doli në kopertinën e revistës "Times". Ai ndjehej i pathyeshëm. Një Al Capone i ri.

Gjatë kohës që ai ishte në krye i kërkonte anëtarëve të tjerë të familjes që të mblidheshin së bashku dhe kur dikush e pyeti se mos një gjë e tillë mund të ngjallte dyshimet e policisë ai u përgjigj se nuk merakosej shumë për të. "Pse të kemi frikë? Jemi disa italianë që mblidhemi së bashku, është tradita jonë…", u përgjigj Gotti.

Pas shumë vitesh përgjimesh, policia federale arriti që të vendoste përgjues në të gjithë lokalin e John Gottit, dhe pasi kishin shumë biseda u hodhën në sulmin final. Kur Gravano, zëvendësi i Gottit, dëgjoi bisedat që FBI ia serviri atij, dëgjoi edhe gjuhën e ligë dhe arrogante që Gotti përdorte pas shpinës dhe u ndje i kërcënuar. Për të mbrojtur veten Salvatore (Sammy Bull) Gravano vendosi që të bashkëpunojë me drejtësinë. Pas dëshmisë së Gravanos, fotove dhe përgjimeve fati i Gottit ishte shënuar. Në 2 Prill 1992 Gotti u dënua me burgim të përjetshëm për akuza të ndryshme ku përmblidheshin edhe pesë vrasje. Burgu ishte shumë i vështirë. Gotti kaloi më shumë se nëntë vjet në një burg të sigurisë së lartë ku duhej të rrije i mbyllur 23 orë në ditë. Si për ta bërë jetën e tij edhe më të rëndë, ai u sëmur me kancer. Megjithatë, ai vazhdoi të luftonte edhe kundër kancerit, kundër sistemit dhe policisë federale, pasi ai kurrë nuk dorëzohej.

Në 10 Qershor 2002, lufta e Gottit mbaroi. Ai vdiq nga kanceri në një klinikë për të burgosurit federalë në Springfield, Missouri. Një funeral i madh u mbajt në Neë York ku 130 anëtarë të familjes Gambino morën pjesë bashkë me familjarët dhe miqtë e tij.

Megjithatë, vdekja e tij u interpretua sikur John Gotti i shpëtoi dënimit edhe njëherë, pasi kaloi vetëm 10 vjet pas hekurave dhe në një moshë relativisht të re, vetëm 61-vjeç ai vdiq. Gerald Shargel që e përfaqësoi Gottin në disa seanca gjyqësore tha se, ai ishte shumë njeri i veçantë dhe fatkeqësisht ditët e fundit të tij u karakterizuan nga vuajtje të mëdha. "Unë e vizitova atë në një kohë shumë të vështirë. Ai sapo ishte operuar dhe ishte shpërfytyruar komplet, por kur ai nisi të fliste ishte i njëjti John Gotti, duke mos dashur t'i japë askujt kënaqësinë se ai po ankohej", tha Shargel.

Ndërsa, avokati i famshëm i Gottit, i cili nuk u lejua që ta mbronte atë në gjyqin e fundit, Bruce Cutler tha: "Ju kurrë nuk do të shihni një njeri si John Gotti".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora