E enjte, 25.04.2024, 06:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Fiqri Shahinllari: Gjak në vetull

E shtune, 05.01.2013, 11:02 AM


Gjak në vetull

Nga Fiqri  Shahinllari

Kur hodha ne internet shkrimin "Geni Kapricioz" u premtova, lexues te nderuar, se per nje dege nga ka ardhur  geni i Feim Boshanjit  do te tregonja ne nje shkrim tjeter, ca me vone. Mirepo ka derman, miku im, Perparim Hysi? Ai e do shkrimin sa me shpejt dhe per kete "po i bie kembes", si i themi ne nga anet tona. Duket sikur ta kete bere me  "llaf"Perparimi me shkrimtarin tjeter, mikun tim Faruk Myrtaj qe eshte ne Kanada. Edhe ky me shkruan e "...lutet qe rrefenja te mos kete fund.. Luan Cipi, poet e prozator, me kerkoi ne telefon nga Tirana  pjesen qe kam premtuar" Keto kerkesa jane shtysa e pare qe une te shkruaj e te percjell sa me shpejt te jete e mundur pjesen qe u premtova. Shtysa e dyte eshte kjo: Nje miku im nga Tirana, intelektuali Hekuran Lake Boshanji me uroi mua dhe, permes meje, gjithe emigrantet shqiptare ne Amerike per 100 vjetorin e Pavaresise se Shqiperise. Sapo ishte kthyer nga manifestimet ne qytetin e Vlores. Hekurani eshte nipi i Feimit dhe i biri i Lake Boshanjit te cilin e merte me vete Feimi kudo ku shkonte si luftetar. Ne keto kushte, u gjet sebepi qe une t'u dergoj shkrimin qe u premtova te cilin  filluat, nderkaq, ta lexoni. Por, me lejoni te hap nje kllape ketu me disa rrjeshta brenda. Lake(Emrullah) Iljaz Boshanji, i ati i Hekuranit i ishte bere "rrodhe" te atit, Feimit, ne luften kunder osmanllinjve turq e andarteve greke. Riza Kodheli qysh me 1911 shihte te Lakja 23 vjecar patriotin qe luftonte krahas Saliut, plakut te Butkes. Me 1916 Lakja arriti te behej oficer i kaloresise me graden toger.Ai u dekorua me "Urdherin e Legjionit te Nderit te Kaloresise se Republikes Franceze"...Detyra patriotike e thirri ne Vlore me vitin 1920. Qeveria e Sulejman Delvines e dale nga Kongresi i Lushnjes, mori vendimin per t'i lidhur pension Lakes krahas Sali  Butkes. Kjo e drejte e pensionit me 160 franga ne muaj vazhdoi edhe per 25 vjet te tjera. Pastaj (1945) u nderpre per gati gjysem shekulli dhe u perserit "Per merita te vecanta" nepermjet Vendimit te Keshillit te Ministrave te Republikes se Shqiperise  te dates 30 Korrik 1992. Po e mbyll kllapen per Laken dhe po vazhdoj me genin kapricioz te  babait e tij, Feim Boshanjit.

 

Feim Boshanji per te cilin shkruam ne pjesen pararendese:"Geni kapricioz" ishte  nipi i Shaqir Bej Taçit. Ai kishte “përvehtësuar” goxha nga karakteri i daiut të vet, Shaqirit, nga ky njeri i pasionuar pas kuajve e armëve, një kërkues kokëkrrisur. Tregojne se kur Shaqirit i pëlqente një kalë apo armë bënte njërën: “O e ble kalin(armën) o rashë e vdiqa” Shiste ara e troje për të siguruar para e me to blinte, deri në Stamboll, armë të reja të kohës. Trimëria e shkathtësia e Shaqirit kishte marë dhenë në Kolonjë. Në rininë time të herëshme në Floq kisha dëgjuar një histori lufte e dashurie. Xexeja, xhaxhaica e babait tim, çupë nga Pepellashi,martuar në Floq na tregonte mjaft histori e prralla të bukura. Unë e vërsnikët e mij, i bënim veshët bigë dhe i përpinim ato të shkreta. Një herë ajo na tregoi një ngjarje të vërtetë. Fliste për dashurinë e një djali nga Taçi që shkoi me ca trima pas dhe rrëmbeu çupën e Veli Beut në Përmet. Kanë kaluar dekada vitesh që atëhere dhe në kthinat e kujtesës sime sillet e ngatërruar e bërë lëmsh ajo histori aq sa unë nuk e kap dot fillin. Mirëpo ja, në një mbrëmje të nxehtë korriku  te lokali, fare pranë shtëpisë sime, në rrugën “Komuna e Parisit”ne Tirane ku dy motrat Nini Rexhepi e Pembe Cako ulen për kafe, e dëgjova edhe një here historinë. Me motrat ishte këtë radhë edhe Teki Iljazi, vëllai i tyre qe Feimin e kane patur gjysh. U ndodha edhe unë. Se si erdhi rasti dhe ata të tre filluan të këndonin ëmbël, me zë të ulët:

 

Në mes të Përmetit, një oxhak i bardhë

Çup’e Veli Beut,me nishan në ballë

Erdhën të rrëmbyen, dyzet kolonjarë

Çup' e Veli Beut,me nishan në ballë

Të gjithë me guna, Xhaxha Beu me larë

Çup e Veli Beut, me nishan në ballë

Të gënjeu kopilja, të nxori në shkallë

Çup’ e Veli Beut, me nishan në ballë

Të rrëmbeu cobani, të hodhi në kalë

Çup’ e Veli Beut, me nishan në ballë…

 

-Ë, të pëlqeu? - më pyeti Pembja e cila, me sa kuptohet, është një grua plot humor që spikat midis katër motrave të tjera e dy vëllezërve, pasardhës të denjë të nenes, Diturise dhe babait te tyre, Muharremit, djalit te vogel te Feimit.

Të shtatë janë të martuar e me fëmijë, të shtatë tani jetojnë në Tiranë. Kanë harmoni shëmbullore midis tyre. Kënaqesh kur i shikon kështu dhe ke frike se “mos i marësh më sysh”.Ha, ha, haaaaaa!

-Më pëlqeu-iu përgjigja-dhe u shërbeva të treve duke u ndezur cigaren me çakmak.Vazhdova: Me siguri kjo historia e këngës ka një fillim, ka edhe një fund.

-Fundi është i lumtur, fillimi i vështirë, me gjak-ndërhyri Ninija (Nikua).

-Rëndësi ka dashuria midis të rinjve-u hodh e tha Pembja (Pekua). Ata të dy, djali e vajza, duhet të jenë parë në ndonjë vënd dhe ia kanë “vjedhur dhe bërë prush” zemrën njëri-tjetrit.

-Doemos-ndërhyri Tekiu.

-Me siguri, kopilja që e nxori në shkallë, ka marë ndonjë isharet nga çupa e Veli Beut-i vuri kapak bisedës Nikua.

Domosdo që të rinjtë duheshin me njëri tjetrin-shtyva më tej bisedën. Dhe kur një njeri e do me shpirt, i pëlqen atij (asaj) edhe ecjen,edhe fjalët, edhe mënyrën e krehjes së flokëve e se si mer frymë. Madje i pëlqen edhe ngjyrën e këpucëve. Provo të mos e duash më atë njeri dhe do të ndjesh se të gjitha ato që të kanë pëlqyer më parë, do të të duken tmerrësisht të neveritëshme.

-Po ne e kemi fjalën te gjaku ynë, te Shaqir Beu-ndërhyri me vënd Tekiu i cili vazhdoi: Për shkak të rrëmbimit të vajzës së Veli Beut në Përmet, u bë një vrasje në Kolonjë. Si, qysh e pse? Në një mjedis miqësor ishte vendosur që, midis 40 kolonjarëve “krushq”rrëmbyes të ishte edhe Shaqiri nga Taçi.

Fakti që kolonjarët do të shkonin në Përmet si rrëmbyes, tregon se Veli Beu nuk ka qënë dakord për krushqinë e mundëshme,pavarësisht dëshirës te dy të rinjve. Kjo do të ketë qënë arsyeja pse kundërshtoi fisi i kajmekamit, Koçi Lulit nga Starja që të mos përzjeheshin kolonjarët në atë rrëmbim të vajzës në Përmet. Mirëpo vendimi ishte marë. Kryesori për mosbindje na paska qënë Shaqiri. Turfullimi i tij duhej ndalur pa një pa dy. Rasti u gjet. Shaqiri, hipur mbi kalë me shalë, gjezdiste nëpër Ersekë. I dolën përpara tre zabitë:

-Zbrit nga kali, dorëzo armët-kërcënuan ata.

-Unë jam rritur me këto armë dhe nuk i dorëzoj sikur qeni qepën të hajë. Po të dojë le të vijë të më çarmatosë kajmekami-kishtë qënë përgjigja e taçiotit.

Pas gjysëm ore ishte dhënë në rrugë vërtet kajmekami.

-Zbrit shpejt e mos diskuto urdhërin, dëgjove,dëgjova thuaj!- kishte thënë Koçi Luli me zë të lartë e gjithë fodullëk.

-Po tregohesh si shumë kakapërr me mua o Koçi-ishte përgjigjur Shaqiri duke zbritur nga kali. Dhe nuk e kishte bërë të gjatë. Sa hap e mbyll sytë, i fut në gjoks jataganin dhe e la të vdekur në mes të pazarit, pëfaqsuesin e regjimit otoman, Koçi Lulin.

Ngjarja bëri bujë e kënga përjetësoi ngjarjen:

Në mes të pazarit,u bë një rrëmujë

Shaqiri nga Taçi, theri Koçi Lulë.

Pas ngjarjes Shaqiri krisi e iku në fshatin Zagar ku kishte çifligun e tij. Qeveritarët kërkonin të mernin hak e ta arrestonin. Për këtë kishin ngarkuar një të besuar nga Gostivishti tok me trimat e Dajlan Bej Qafëzezit. Por para se ta arrestonin ose ta vrisnin ata donin t’i mernin erzin, ta turpëronin. Plani kishte rënë në veshin e taçiotit dhe një ditë prej ditësh ai na kthehet nga Zagari në Taç. Pa ia bërë tërr syri, këmbën në yzengjinë e kalit e nga Taçi drejt e në kafenenë e Ersekës mbushur me tym duhani e erë rakie ! Zuri vënd serbes, serbes në një tavolinë bosh. Porositi kafe e raki kumbulle të zjerë dy herë.

Nuk kaloi shumë kohë dhe në klub hyn i besuari i qeverisë, me çibuk në gojë. Tërë kapadaillëk, u afrua te tavolina e Shaqirit dhe shkund hirin e çibukut, jo në tavëll por para syve të njeriut të krrisur. Oh, anasënsitimën! A mund të përmjerësh në derë të xhamisë? Poshtërim moral. Plumbi del me plumb!.

-Ç’bën kështu mor pusht?-turfulloi Shaqiri.

-Hëë ?!-pyeti si i trullosur i besuari i qeverisë.

-Hëngla-turfulloi Shaqiri dhe frrap, rrufeshëm, ngrihet në këmbë, me fytyrën lulëkuq, kap mustaqet e tjetrit dhe ia pret me thikën e mprehtë që e nxori nga rripi i mezit. Hodhi qimet në dysheme duke i pështyrë: Ptju!

Dhe iku, çau ferrën.

Nami kishte dalë jo kot që Shaqiri, kur ia bën borxh, të mer gjak në vetull.

Gjak në vetull është një nocion për të cilin shumëkush pyet: Pse thuhet kështu xhanëm. Është e vështirë marja e gjakut në vetull? Të dhemb shumë sepse vetulla nuk ka tul, ka vetëm kockë apo gjenden me zor venat? Thonë se nga vetulla mer gjak vetëm ai që di se ku meret, ai që është “usta” i kësaj pune. Gjak meret vetëm në një pikë të vetullës që jo kushdo e gjen. Në figurën e luftëtarit ky nocion ka të bëjë me trimërinë e guximin. I tillë ishte Shaqir Taçi(Dhëmbi)  Mustaqepreri provoi në kurriz, për herë të pare në jetën e tij, se sa e rëndë psikologjikisht është lëndimi i sedrës krenare kur poshtërohesh

moralisht! Personaliteti moral është më i ndjeshëm se personaliteti fizik. Ja ç’na qënka!Po pse mor birbo, nuk ndodh e njëjta gjë edhe te tjetri, kur ti, si pa gjë të keq, e përbuz dhe e provokon duke i shkundur hirin e çibukut para syve, në tavolinë dhe i prish lezetin e kafesë dhe të gotës? Ti vetë i the sherrit lepe, peqe.

Filozofi i lashtë ka thënë: “Njeri, njih veten tënde,mos lakmo shumë, mos u ngatërro me llafe e me borxhe”

I besuari i qeverisë e vuri vëth në vesh gjestin e Shaqirit. Nuk donte t’ia falte. Me zotësinë e marifetçiut donte t’i ngrinte kurth. Një ditë, fund pranvere ka qene, fshatarët e Taçit panë disa shosharë(romë) që ngjitnin të përpjetën e rrugës. Ata u ndalën afër shtëpisë së Shaqirit.Zunë çobanin e bagëtive dhe me kobure pas veshit e detyruan t’i thërriste të zotit të shtëpisë të dilte jashtë se, me demek, mushka e filan fistëkut kishte hyrë në arat e tij e po dëmtonte të mbjellat. “Shosharët”, me gjak të ngrirë e tërë sy e veshë prisnin të dilte jashtë i zoti i shtëpisë e ta vrisnin në vënd. Poshtë strehës së kasketës prej kashte të “shosharit”, çobani dalloi fytyrën e të besuarit të qeverisë. Të tjerët, u kuptua, ishin shokët e tij.

Ndërkohë Shaqiri kishte kuptuar hilen. Iu përgjigj çobanit nga brenda: “Shko nxire mushkën nga ara,lidhe në lëmë. Nesër në mëngjes shohim e bëjmë,raportojmë në komunë e vlerësojmë dëmin. Urt e butë, tigani plot!”

Pala tjetër u xhindos. “Shoshari” kryesor shkrepi armën. Atëhere Shaqiri lëshoi nga zinxhiri poshtë shkallëve, të tre qentë me madhësinë e ujqëve dhe rrëmbeu armën.

“Shosharët” lëshuan nga duart tagarët, kanistrat e sitat e ikën nga sytë këmbët. Në rrastet kur frika hyn në palcë duket se edhe këmbët bëhen me krahë.

Por çështja nuk do të kalonte kaq lehtë. Në dorën e Shaqirit bie një copë pusullë me shkrimin e Dajlan Bej Qafëzezit, me anën e së cilës ai e ftonte në sarajet e tij. Shaqiri shaloi pelën dhe kafsha “fluturoi” kupthi në Qafzes.Trimat e beut i dolën përpara, kapën frerin e pelës xanxare që turfullonte me flegrat e hundës që i hapeshin e i mbylleshin me shpejtësi.

-Zbrit, zotëri, se kujdesemi ne për pelën-i thonë ata.

Shaqiri kundërshtoi. Beu ndiqte skenën që atje lart, mbi avlli e urdhëroi:

-Lereni, ta shohim nëse do të ngjitë pela e tij shkallët e shumta!

Shaqiri, trak, trak, ngjiti, hipur mbi pelë,shkallët e sarajeve te beut. Bisedoi me Dajlan Beun, s’ra dakord me atë e mori pelën dhe u “bë veri”. “Ndonjë ditë tjetër sherrin do ta gjykonte Baba Hajdari në Teqenë e Kreshovës”. Dhe kështu ndodhi. Në takim, veç Dajlan Beut e Shaqir Taçit, ishte ajka e burrave të zonës. U rrahën problemet. Përfundimi ishte ky: Baba Hajdari i Teqesë së Kreshovës, në shënjë respekti, i fali Shaqirit orën e vet me qostek

floriri, gjest për të cilën flet edhe kënga:

Baba nur të puth tabanë, ti je vetë mirësia

Shaqir trimit nga Kolonja..i fale sahat floriri...”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora