Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Drita Lushi

| E diele, 06.01.2013, 10:07 PM |


DRITA LUSHI

NJË JANAR 2012

Mëngjes bosh,
trullosur nga pija e mbrëmshme.
Trotuare memece, ku hapat nuk trokasin,
zhveshur lakuriq në mardhën e agimit,
që ngjiste trotuarëve këtë mëngjes janari.

Ajri akoma qenka me parfumin,
që vajza i la mbrëme në këmishë djalit
kur u puthën në ndërrimin e viteve.

Pak barut fishekzjarri
me ngjitet pas këmbëve,
që  duket sikur ecin në ajër,
në këte boshësi agimi …

Qyteti bosh ...
Dita që preku vitin e ri,
si një nuse me duvak, pak e turpshme,
dhe e hutuar më duket…megjithëse njerëzit flenë,
ashtu si krushqit pas një dasme të gëzueshme…

Një urban më uron “mirëmëngjesi” - me borinë e tij.
Përpiqem  t’i  kthej përshëndetjen – por dhe ai qenka bosh.

Pemët qëndrojnë kokulura.
Më ngjajnë si virgjëresha fallso ...
Një natë më parë ato lojë të pafundme
bënin me dritat, që s’linin cep pa e prekur e ndiçuar …

Bredhi shtatmadh qëndron i lodhur.
Pranë tij, një natë më parë, kanë bërë foto ...
Madje vetëm pak orë më parë
drita blicesh kanë rënë mbi të ....
Edhe ai qenka në gjumë …

Çdo gjë bosh, sot me datë një.
Po iki dhe unë të dremis …
Më zgjoni në datën dy.

(Nje janar 2012).

DY NE NJË

Në festën
që shkëlqen,
një shishe verë,
e dy gota,
sjell,
për një dolli,
Ti.

Muzik’ e zërit tim,
në vesh,
te përshpërit
me ledhatim:

S’dua,
verë,
sonte!
As ti,
mos pi!

Me kupn’ e zemrës
shpirtin tënd,
m’jep
te pi...
Timin,
në kupa sysh,
do të ta fal,
të gjithin.
Ty.

Dolli
me shpirtrat
tanë,
të ngremë
këtë natë
të  gjatë

Tani,
s’ka
unë,
s’ka ti.
Tani,
jemi
Dy
në Një

(Nje janar 2013)

SHTËPIA E VJETËR.

Sot eci në këtë prag malli,
ku dhe muret e gurët,
më buzëqeshin,
stolat e ndryshkur
dhe trarët e shtëpisë
rinohen,
kur me shohin tek
i afrohem
shtëpisë
së fëmijërisë,
të ëndërrave,
të lojrave.

Edhe  kjo suva e rënë,
kjo pemë e tharë,
ky bli me aromë;
dhe ky trung i prerë,
këto mure të vjetra,
ky divan i rënë;
ky oborr me gjethe
e bar të mbirë,
më ftojnë të rri,
të ulem pakëz
të bisedojmë, 
të luajmë,
si atëherë … dikur …fëmijë …

Sa here vij në këtë prag malli,
shtepinë me suva të rënë
dua më shumë;
sa herë ulem tek ky trung i prerë,
filloj vitet mbrapsht t’i numuroj;
sa herë ulem këmbëkryq në barin
e mbirë në oborr,
më duket se bëhem tokë
dhe erën e saj e dua më shumë.

Malli im
për shtëpinë e vjetër …

Ky mall që veç përtërihet!

(Pranvere 2012)

PUTHMË

Falmë një puthje
Sonte, i dashur,
falmë.

Të ftohtin të ngrohim,
kur buzët të bashkojmë,
dëborën të shkrijmë,
pranverën të fillojmë.

Falmë një puthje
sonte, i dashur,
falmë.

Të shkurtojmë bashkë
natën e zezë e  t’gjatë,
e dimrin zemërak
ta  zbusim sadopak.

Falmë një puthje
sonte, i dashur,
falmë.

Që  gjumi të na marrë
në krahë lehtë,
e parajsën të jetojmë
në të bukurën jetë.

Puthmë pra sonte,
Ti, puthmë.

(Pranvere 2012)

NË MË DO

Në më do ashtu siç thua,
merrmë brenda në zemër,

ose,

më lër të ngrij  jashtë saj
e  dimri të më marrë.

Në më do ashtu siç thua,
pritmë në hapin tënd,

ose,

me lër në hapa vetmitarë
rrugëve të pashkelura.

Në më do ashtu siç thua,
merrmë në heshtjen tënde,
këngë të reja të zgjoj,

ose

m’i mbyll portat
e këngët të kthehen në balada.

Në më do , ashtu siç thua,
mbamë zgjuar,
diellin ta shohim të dy,

ose

lërmë në gjumin letargjik
pa ditur ç’ështe agimi.

Në më do, ashtu siç thua,
merrmë në buzëqeshjen tënde
e gazin të mbjellim në dashuri,

ose

lërme si statujë antike
mbuluar nga pluhuri i mërzisë.
 
Në më do ashtu siç thua…
... më mirë mos më thuaj asgjë,
e vetëm duamë!

Duamë!

(Pranvere 2012)