E enjte, 25.04.2024, 08:21 AM (GMT+1)

Faleminderit

Edward Lear, një mit për ne

E diele, 27.04.2008, 03:31 PM


Piktori viktorian që i vizatoi shqiptarët ndryshe nga ç’shkruante në ditare, realizoi plot 100 peizazhe nga Shqipëria. Një bilanc: nuk kemi asnjë vepër, asnjë rrugë me emrin Edward Lear, dhe as kujtimet e tij për ne. Biografja e Lear-it, Vivien Noakes, në Tiranë për “Vitin e Learit”

Edward Lear
Elsa Demo - Shekulli

Për ata pak që e njohin nga afër krijimtarinë piktorike dhe të shkruar të artistit viktorian Edward Lear (1812-1888), do kishin për ta quajtur padyshim zemërmadh me shqiptarët. Tablotë apo vizatimet seç kanë një rreze dashurie të sinqertë për ne, ndërsa shënimet e udhëtimit për këtë pjesë të Ballkanit, të cilat i botoi me titullin “Journals of a Landscape Painter in Albania”, janë përshkrime po aq të sinqerta dhe të pakursyera për ato që sheh në një “vend islamik”. I këtij mendimi është studiuesi i historisë së artit Ferid Hudhri i cili është nga të paktët qëkanë shtënë në dorë në gjuhën shqipe ditarin në fjalë që me siguri, nëse nuk e ka vjedhur kush, do të jetë kalbur në fondet e Institutit të Kulturës Popullore.

Gjatë 2008-s, piktori anglez ka tre përvjetorë tek ne: 160 vjetorin e ardhjes për herë të parë në Shqipëri; 120 vjetorin e vdekjes dhe 10-vjetori i krijimit të shoqatës “Miqtë e Edward Learit” që drejtohet nga studiuesi Hudhri. Duke dashur që të ketë një “Vit të Learit”, ai sjell në Tiranë për herë të parë biografen e piktorit, Vivien Noakes, për të qenë e pranishme në simpoziumin e pasdites së 30 prillit, që nuk do mjaftonte për të treguar se ç’ishte jeta dhe vepra e Edward Lear-it. Jetën e kishte të pamëshirshme dhe të vetmuar; veprën të pasur me vende ku ai kërkoi të gjejë lirinë. Kur vdiq la 700 akuarele të cilat i kishte realizuar gjatë udhëtimeve.

Edward Lear ishte lindur më 1812. Ishte i njëzeti i familjes me 21 fëmijë dhe u rrit nga motra Anë. I privuar nga trashëgimia që i kish lënë gjyshja nga nëna, nisi të punojë për të mbajtur veten me vizatime të sëmundjeve patologjike për spitale dhe mjekë.

U bë piktor grafist i dhënë me shpirt pas ornitologjisë (studim i zogjve) dhe libri i parë që botoi quhet “Illustration of the family of Psittacida, or Parrots”. Ishte 19 vjeç.

E braktisi këtë pasion kur vendosi të bëhej peizazhist, imponuar kjo nga dëshira organike për t’i ikur klimës së Anglisë të paktën për dhjetë vitet që i kaloi në Romë. Këtu gjeti treg të mirë për veprat. Ndërkaq kishte eksperimentuar boll me stilin e vizatimeve që kishin në fokus terrenin roman. Boton 2 libra, vizatimet e të cilave mahnitënMbretëreshën Viktoria e cila e ftoi t’i jepte një cikël mësimesh vizatimi për 12 orë.

Lear kishte qenë autodidakt deri atëherë, por nuk nguron që 37-vjeçar të bëhet student i Akademisë Mbretërore vetëm për një vit. “Falenderoj zotin që nuk u shkollova pothuajse kurrë”,- do të shkruante ai më vonë.

Nga takimi me William Homan Hunt Lear përvetësoi teknikën e të hedhurit të bojërave direkt nga natyra në kanavacë. Ndikimi i Hunt-it është i dukshëm sidomos në mënyrën si ai e përdorte ngjyrën në tablotë e vajit. I vetëdijshëm për vlerën e punës së tij, nuk hiqte dorë nga çmimet tej mase të shtrenjta që ishte një arsye e rënies së reputacionit të tij dhe largimi nga Anglia ndodhi përpos problemeve shëndetësore, edhe për këtë. Një tablo e tij shitej për atë kohë për 450-700 monedha ari. Sepse Lear mendonte që i kishte dhënë publikut më të mirën e punës së tij dhe ky publik e kishte refuzuar. Sot ajo që konsiderohet si më e mira janë padyshim akuarelet që bashkëkohësit ia patën vënë në dyshim.

“Ai është i njohur për “NONSENSE”-t e lezetshme. Qysh në rini ishte vetëquajtur piktor i peizazhit topografik. Dëshira e tij ishte që të pikturonte “siç duhet”. Nga bashkëkohësit është cilësuar si “një njeri me dhunti të shumta dhe gjeni i lindur”. Janë fjalë përmbledhëse të Roger de Grey, president i Akademisë Mbretërore të Arteve, me rastin e 100- vjetorit të vdekjes së Edward Lear. De Grey e ka fjalën për vizatimet tek “Marrëzi”, një cikël vjershash humoristike dhe duke iu referuar atyre, Lear do të shkruante: “Marrëzia është flladi i fejëzave të mia.”

Pasi i kishte rënë reputacioni në Angli, rivlerësimi i veprës dhe i akuareleve të udhëtimit i erdhi nga Amerika. Kjo është arsyeja që sot kolesionin më të madh të veprave të Lear-it e gjen në Universitetin e Harvardit.

Udhëtimet si “sinonim i lirisë”, siç shkruan biografja e tij Vivien Noaks, është jeta e tij e dytë. Vendet e rrezikshme dhe të vështira që shkeli ai ishte vërtet shprehje e një virtyti të Lear-it: guximi, sidomos për forcën që gjeti për të përballuar epilepsinë që e kushtëzoi të jetonte i vetmuar dhe i izoluar. E kishte kapur që në moshën 5-vjeçare dhe askujt nuk i kishte treguar për “demonin”. Kështu e quante ai.

Sëmundja sociale që e largoi nga shoqëria viktoriane ishte kisha ungjillore e cila e kishte mbushur kupën me predikimet kundër mëkatit dhe dënimit. Kësaj fryme nuk do t’ia kursente kritikat tek “Një libër i marrëzisë” me vargje humoristikë të ilustruara. Lear udhëton në Maltë, Greqi, Turqi, Shqipëri, Egjipt, Sinai dhe më 1949 u kthye në Londër. Udhëtoi për dy vjet në Indi dhe u kthye përgjithmonë të jetojë në malet e San Remos deri në fund të jetës.

Të kthehemi tek Shqipëria. Udhëtimi i tij i parë dhe i më i gjati në Shqipëri ishte në muajt shtator-nëntor 1848. Kishte hyrë në zonën e peizazheve më dramatike që i kishin zënë sytë dhe me kushtet e “një vendi islamik ku paraqitjet piktorike ishin të lidhura me frikën dhe mosbesimin.” Ja çfarë shkruan ai gjatë këtij udhëtimi në Ohër. Sapo i ishte vënë punës të vizatonte qytetin dhe kështjellën kur “një bari guxoi të qasej dhe të shihe se ç’po bëja. Menjëherë zbuloi formën e kështjellës në letër dhe pastaj bërtiti “Shaitan” (Djall) u largua menjëherë nga unë, si nga ndonjë magjistar profan” shkruan në ditarin “Journals of a Landscape Painter in Albania”.

Fjala u përhap, disa “nga këta njerëz të rreptë dhe të trembur më kishin vënë re që larg dhe vraponin duke thirrur nëpër shtëpitë e tyre duke tërhequr shulet dhe duke pëpjekur dyert me vendosmërinë më këmbëngulëse kundër fantazmës endacake.” Të tjerë e godisnin me gurë dhe vetëm falë një beu vendas u zgjidh kjo punë. Ai i pajtoi një truprojë që Lear-i të mund të vazhdonte punën.

Në tetor hyn në Shkodër dhe më pas në Berat. Mahnitet nga kostumet e njerëzve dhe pikturon pa u shqetësuar nga askush. Kishte zakon që vizatimet që bënte në udhëtim t’i punonte më pas në vaj. Kështu ka bërë me tablonë “Mali i Tomorit” që e vizatoi gjatë udhëtimit të vitit 1848 por më pas e ka punuar me tu kthyer në Angli. Një akuarel me të njëjtën pamje i quajtur “Shteg i Tiranës” i përket vitit 1851. Në vitin 1872 “Mali i Tomorit” ishte një nga pesë veprat e mëdha në vaj që Lear ekspozoi në në galerinë e tij të re Villa Emily, edhe pse në atë kohë nuk kishte qëllim t’i shiste. Ashtu si edhe tablo të tjera të ekspozitës, edhe kjo tablo ilustronte vargje nga Alfred Lord Tennyson “Për E.L, për udhëtimet e tij në Greqi”. Kjo tablo iu shit Lady Ashburtonit më 1877. Kjo është sipas Ferid Hudhrit vepra madhore që Lear krijoi për Shqipërinë të cilës i kushtoi 100 peizazhe shumica akuarele dhe litografi.

“Tablotë për Shqipërinë janë realiste” thotë Hudhri “tipari kryesor që e dallon këtë piktor nga të tjerë artistë të huaj që i kushtuan vepra shqiptarit dhe Shqipërisë pa kaluar kurrë në këtë vend. Ka vepra të Lear-it që janë dokumentare pasi objektet që ka në fokus sot nuk ekzistojnë më si psh Ura e Bahçallëkut të Shkodër apo një akuadukt në Gjirokastër. Po t’i referohemi edhe ditarit të tij mbi Shqipërinë, mund të themi se në tërësi Lear-i paraqet anët e errëta dhe të mira të Shqipërisë, duke na thënë një këndvështrim krejt të ndryshëm nga vizitori paraardhës, Lord Byron-i.”

Hudhri e quan më vlerë botimin në gjuhën shqipe të ditarit të piktorit viktorian i lënë në harresë jo ngaqë Lear ishte i ndaluar, po ndoshta për motive të rëndomta.

Ai na informon se ky ditar është në proces ribotimi nga Qendra e Studimeve Shqiptare në Londër në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Tauris”.

Me rastin e ardhjes së biografes Vivien Noakes, vizita e të cilës, ndryshe nga ç’ishte parashikuar ofron aktivitetet për “Vitin e Learit” nga tetori në prill, do të shfaqet në Tiranë dokumentari “Aventurat e Edward Lear-it në Shqipëri” me regji të Dereck Smith. “Është një dokumentar që ballafaqonkohët dje dhe sot në ato vende ku ka qenë E. Lear dhe që do të transmetohet nga Sky News”,- thotë Hudhri disi i pakënaqur nga vështrimi që D. Smith i ka hedhur Shqipërisë me syrin e një të huaji.

Po të bëjmë një bilanc të shenjave që kemi nga ky autor, do të rezultonte se Lear është një mit. Nga 100 vepra kushtuar vendit tonë, nuk kemi asnjë origjinale. Duke përjashtuar galerinë e arteve në Berat dhe konkursin e përvitshëm të arteve pamore po në Berat, asnjë rrugë nuk mban emrin e Lear-it. Nuk kemi asnjë botim për marrdhënien që ka krijuar një nga piktorët më në zë kohës së tij me një vend të panjohur të shekullit të XIX. Vivien Noakes do të jetë anëtari i tretë i nderit i shoqatës “Miqtë e Edward Lear-it” pas ish- ambasadorëve Stephen Nash dhe Peter January në Tiranë. Pastaj historia për miqësinë e rrallë me shqiptarin e krishterë prej Suli, Gjergj Kokalli që i shërbeu për 30 vjet Learit vetmitar, megjithë bukurinë e saj të rrallë i mbetet të kaluarës. Sot duhet të bërë diçka për Edward Lear-in për ta mbajtur gjallë përkushtimin e tij ndaj Shqipërisë që e ofroi pa asnjë lloj shpërblimi.

Shërbëtori besnik, shqiptari i krishterë prej Suli

Gjergj Kokalli (Giorgio Kokali) u bë shërbyesi i Lear-it në Korfuz, në pranverë 1856 dhe ndenji me të deri në vdekje në Monte Generoso, në gusht 1883. Origjina e tij ishte shqiptare, i krishterë nga Suli, fliste greqisht, italisht dhe shqip. Veç detyrave të shtëpisë, Kokalli e shoqëroi Learin në udhëtimet dhe me t’u kthyer ai ishte modeli që pozonte për piktorin, i veshur me kostumet që Lear-i blinte nëpër vende të ndryshme. U mundua t’i mësojë anglisht shoqëruesit të tij dhe një nga detyrat e Kokallit ishte që të lexonte në anglisht me zë “Huta dhe macja”, por pa sukses.

Pas vdekjes së gruas së Gjergjit më 1874, Lear-i u dha një shtëpi djemve të tij; më i madhi Nikolla është varrosur piktorit në San Remo.

Lear-i besonte se “arsyeja që nëntë ndër dhjetë shërbyes i lë të pakënaqur, është se padronët i trajtojnë si karrige apo tavolina dhe nuk e çajnë kokën për ta si qenie njerëzore. Më vonë, në vitet e vetmisë, Gjergji u bë përherë e më shumë shok i Lear-it. Një natë në javë ai e ftonte për një gotë dhe një cigare që të kujtonin udhëtimet së bashku. “I shtrenjti im i gjorë Gjergj, gjithmonë kishte qenë një suliot gjysmë i civilizuar, më shumë një Rob Roy primitiv ose një malësor”,- shkruan ai në Ditar pas vdekjes së Gjergj Kokallit më 1883. “Uroj ta kem merituar një mik të tillë.”

Varri i Edward Lear-it

Vdiq më 29 janar 1888 dhe u varros në varrezën angleze në San Remo. Ishte një funeral pa njerëz që bëri shërbyesi, mjeku dhe e shoqja e tij. Më vonë ajo do të shkruante: “Nuk e kam harruar kurrë, gjithçka ishte kaq e trishtueshme, kaq e vetmuar. Pas një jetë si ajo që Zoti Lear kish bërë dhe miqve të shumtë që kish pasur, asnjë prej tyre nuk ishte në gjendje që në fund të ndodhej me të.

Nikollë Kokalli, djali i Gjergjit është varrosur pranë tij. Gurri i varrit ka një shënim përkujtimor për Gjergjin që kish vdekur më 1883 dhe ishte varrosur në Mendrisio në Zvicër. Në atë pllakë është shënuar: Shqiptari i krishterë nga Suli, ishte për 30 vjet shërbyesi besnik dhe mik i Edëard Lear-it.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora