E diele, 21.07.2019, 09:57 AM (GMT+1)

Personalitete

Lekë Mrijaj: Publicisti dhe atdhetari Tomë Mrijaj

E premte, 04.01.2013, 08:50 PM


Historiani, publicisti dhe atdhetari Tomë Mrijaj i takon plejadës së  krijuesve modern

Nga Lekë Mrijaj, Klinë

Çdo njeri ndjen kenaqësi, kur shkëmben mendime dhe ngjarje me njerëz, që rivijnë me mall të  vizitojnë  vendlindjen.

Këto mbresa të freskëta, më kanë  lënë takimi i paharruar me publicistin bashkëkohor Tomë  Mrijaj, që këtë verë ishte me pushime sëbashku me familjen e tij në  Kosovë.

Ishin ditët më të shpejta, që  kaluan si pa e kuptuar, por mësova shumë nga bisedat e ngrohta, që  zhvillova shumë  herë  deri në orët e vona të natës, me atdhetarin e palodhur të çështjes shqiptare gjatë  dekadave.

Portreti i tij, filloi të kristalizohej edhe më shumë nga ngjarjet e reja, që mësova nga bashkëbisedimet e gjata.

Për një çast harrova diktofonin incizues e u zhyta në kujtime, që më  zgjoheshin nga rrëfimet e tij tepër tërheqëse, me shembuj nga historia e vendlindjes dhe deri në ditët tona.

Për nga kujtesa dhe saktësia e tregimeve të jetuara nga të parët edhe ato të përjetuar gjatë jetës së tij, Tomë  Nikollë  Mrijaj, për mua është  një enciklopedi popullore, që ecën me dy këmbë dhe një njeri me kulturë    gjërë të  ditëve tona.

Toma, është një burrë i qetë për nga natyra, i thjeshtë  dhe shumë i shoqërueshëm, buzagaz dhe fjalë  pak, i urtë nga mendimi dhe fjalëmatur në biseda, zemërbujar nga shpirti dhe kulturdashës shembullor, duke mbështetë shpesh me burime financiare shumë botime të autorëve shqiptarë  nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.

Vijimi i traditës shqiptare në familjen Mrijaj

Tomë Mrijaj, u lind në fshatin Zllakuqan të Lugut të Drinit (Dukagjinit Veri-Lindor), Klinë. Shkollën 8-vjeçare  e kreu në vëndlindje, ndërsa Normalën (Mësuesisë) në qytetin kulturëdashës të  Gjakovës.

Duke pasur etje për dije dhe kulturë  bashkëkohore të  metejshme, vijoi studimet e larta me korrespondencë për Jurisprudencë në Universitetin e Prishtinës.

Ai largohet nga Kosova në  mesin e vitëve ’70, për arsye të  forta ose çështjeve të  mirëfillta politike dhe vendoset në  Paris të  Francës, ku, qëndron 3 vjet.

Duke e ndjerë  edhe sot dhimbjen e tij të largimit nga vendlidja, i  detyruar nga kushtet politike të  kohës së  ish-kolonizatorëve serbë, mbasi pi pak ujë më hedh vështrimin e tij shqiponjë e i qetë nis të tregoi vitet e rinisë së tij, të mbushur me hidhërimet e shkaktuara prej pushtuesve sllavë.

Toma, kujton: “I dashtun Lek! Askush s’ka dëshirë të largohej nga vendlindja e tij, e sidomos unë, që isha shkolluar dhe e kisha në  një farë  mënyre jetën më    lehtë në aspektin ekonomik. Nga pedagogët e Normales jemi edukuar, që të gjendemi sa më pranë nxënësve tanë, në ditë të vështira dhe të mira dhe shembulli ynë vetjak, është një pasqyrë për brezat e rinj. Edhe vetë nxënësit e kanë ndjerë në zemër dhimbjen e largimeve tona të padëshiruar nga Atdheu, mbasi heret ose vonë prindërit e tyre ose vetë këto të rinj, për shkaqe si unë janë detyruar të lënë me dhimbje tokat e të parëve…”

Një ditë tjetër e pyes Tomën, për një histori konflikti të ndodhur shumë vite më parë, në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës, mes serbëve dhe shqiptarëve, të cilën e kisha dëgjuar nga të tjerët, që kishin qenë dëshmitar në atë ngjarje, ku, për pasojë edhe shkolla ishte mbyllur për disa ditë.

Ky ka qenë edhe shkaku kryesor i largimit të të riut Tomë Mrijaj nga vendlindja.

Toma, me modestinë e një njeriu të thjeshtë, por të sprovuar me jetën dhe situatat e vështira në ambientet publike plot dëshmitarë (që ka kaluar gjithnjë), nis të rrëfej këtë episod: “Po, është e vërtetë, sikurse thoni ju tani, se e keni dëgjuar nga shumë njerëz, që kanë qenë në atë moment në ngjarje brenda në shkollë. E gjithë komuna e di ngjarjen, që ka ndodhur në mes të ditës. Mendoj, se ketë gjë nuk është mirë ta tregojnë të afërmit e mi, por le t’a pohojnë heret ose vonë vendasit dhe pjesëmarresit e shumë dëshmitarë, duke zbardhur ngjarjen me theks politik dhe atdhetar…”

Por ngjarjet ndjekin njera-tjetrën. Dhe historia është nënë dhe dëshimtare e pagabueshme.

Kështu djali i axhës Tush Mrijaj, tregon, se kur Toma, erdhi mbas shumë vitëve në vendlindje, me rastin e kalimit në amëshim të vëllait të tij bacës Prend Mrijaj (1935-1986), në vitin 1986, sërisht ai ishte i survejuar nga forcat e policisë sekrete dhe UDB-së jugosllave.

Ata kishin mësuar ardhjen e aktivistit atdhetar nga Ambasada Jugosllave në New York. Nga Beogradi, ishte njoftuar menjëherë shërbimi sekret jugosllav, për ardhjen e tij në Kosovë.

Toma, kishte pashaportë amerikane dhe për të evituar ndonjë aktivitet të tij me profil patriotik në Kosovë, i kishin dhënë udhëzim, që vizita e tij në vendlindje të ishte e kushtëzuar: “Vetëm për të marrë pjesë në vorrimin e vëllait të tij, nga vorreza në shtëpi dhe asgjë më shumë…”

Aktiviteti i palodhur i nacionalistit, Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Prizrenit me Seli në New York (1962) Tomë Mrijaj, kujton asokohe, se: “Konsulli jugosllav David Dashiq, në atë takim për marrjen e vizës për të hyrë në Jugosllavi, më tha: “Më vjen keq, që takohemi për një rast të tillë vdekjeje. Por më  habit, se ju qenkeni shumë i ri, për hapat, që ke ndërmarrë kundra shtetit tonë. Hapat e mi, janë hapat e vëllezërve dhe motrave të mia në Kosovë, që kërkojnë liri dhe demokraci si të drejta elementare e çdo njeriu dhe shteti. Unë  jetoi në  një  botë  të lirë dhe kam qenë e do të jem përkrahës i flakët i idealeve demokratike…”

Toma e dinte këtë gjë dhe tregohej shumë i matur në levizje dhe takimet me njerëzit, për të mos u shkaktuar dhimbje në familjet e tyre.

I prekur thellë në shpirt, Toma, ishte kthyer për të përcjellë në banesën e fundit vëllain e tij të dashur.

Për ta ngushëlluar familjen Mrijaj, kishin ardhur shumë miq e dashamirë nga zonat e ndryshme të Kosovës.

Midis tyre, binte në sy miku i vjetër i babait të Tomës, aktivisti i shquar i çëshjtjes atdhetare ish deputet në Parlamentin e Jugosllavisë (si përfaqsues i Kosovës) dhe atë të Shqipërisë Adem Dushi, i cili, edhe pse i shtyrë në moshë, u qëndroi tërë kohën pranë në ato ditë të ithta familjes Mrijaj.

Ai ishte kthyer në vendlindje nga Damasku i Sirisë, mbas shumë dekada dëbimi nga UDB-ja e Jugosllavisë, për arsye të bindjeve të tij politike dhe patriotike.

Miqësia midis Nikollë Mrijaj dhe Adem Dushit, zë fill qysh nga mosha e rinisë, ku, ishin edhe bashkëpunëtorë të ngushtë në administratën shtetërore të kohës, shoqëri e cila vijoi për dekada me radhë, deri sa miku i madh i familjes Adem Dushi ndërroi jetë.

Kjo mësohet nga disa artikuj, që studiuesi dhe publicisti bashkëkohorë Tomë Mrijaj, ka publikuar në shumë gazeta, revista, libra monografikë dhe website.

Po cila është  historia e publicistit Mrijaj?

Ndoshta, do të ishte mirë, që për lexuesit dhe bashkëatdhetarët e mi në Kosovë dhe kudo, të tregojmë  pjesë nga historia e familjes Mrijaj dhe përsonazhit kryesor publicistin e historianin Tomë  Mrijaj.

Duke lexuar shkrime të botuara, dokumente dhe dorëshkrime ende të  pabotuara të  z. Tomë Mrijaj, mësova se ai u edukua me ndjenjën patriotike dhe qytetare qysh në moshën e rinisë  nga historia e odëve të  burrave, që ishte një shkollë e veçantë e kohës, kanuni i maleve tona, zakonet, tradita e moçme shqiptare, etj.

Ai gjithashtu  u mëkua me ndjenja atdhedashurie nga babai Nikollë  Pren Mrijaj, që ishte një intelektual i ngritur e largpamës, për vizionin e së ardhmes së krahinës së tij dhe gjyshja Liza, që ishte gjithashtu një bijë kreshnike  e Bajraktarit të  Kashnjetit. Ajo ishte e lindur dhe rritur në mesin e një familje me tradita të kohës.

Toma, ishte i lidhur shumë me Atdheun, historinë dhe kulturën ndër shekuj të trojeve shqiptare, duke pasur kësisoj një edukatë të shëndoshë tradicionale familjare, kombëtare dhe shumë  përparimtare.

Ndër shekuj si çdo familje tjetër në Kosovë, familja e Tomës, stërgjyshi Nikollë Mrijaj I-rë  (1838-1907), gjyshi Pren Nikollë Mrijaj (1889-1923) dhe babai i tij Nikollë Pren Mrijaj (1911-1999), njihen pothuajse në  pjesën më  të madhe të Rrafshit të Dukagjinit, si familje shumë fisnike, zemër bujare, trima të spikatur, të cilët e deshmuan veten ndër fortuna dhe stuhi.

Sikurse na kujton nëna histori, kulla e hershme e Mrijaj-ve, ishte e mirënjohur si kuvend kushtrimi, bashkimi dhe pajtimi ndër shqiptarë.

Një aktivist i palodhur në diasporë

  vitin 1978, Toma, emigron në  ShBA për arsye politike, sepse përndiqej nga UDB-ja asokohe, për veprimtari antiserbe.

Qysh nga ajo kohë, ai njihet si aktivist i palodhur në shumë demostrata me frymë të thellë patriotike në Amerikë dhe në takimet e përvitshme në ditët tona të së Djathtës së Bashkuar Shqiptare (sot me emërin e ri “Trojet e Arberit”….).

Ai ngarkohet me detyra të rëndësishme shoqërore në dobi të komunitetit dhe çështjes shqiptare.

Kështu në vitin 1978, zgjidhet anëtar i Kryesisë së Federatës Panshqiptare “VATRA” në  Boston, për 12 vite me radhë. Dy vjet më vonë më 1980, zgjidhet kryetar i degës së Queens New  York.

  vitin 1982, në Kongresin III, të "Lidhjes së Prizrenit" (1962), u zgjodh Sekretar i Përgjigjshëm në mërgim, detyrë që vijon ta mbajë edhe sot.

Po ashtu Toma, në vitin 1997-1998, zgjidhet Kryetar i Shoqatës Kulturore "Rozafat", pranë Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës" në NY dhe anëtar i Këshillit të Kishës.

Ndërsa në vitin 2002, ai zgjidhet n/Kryetar i Shoqatës të Pajtimit Mbarëkombëtar "Nënë Tereza", dega New   York.

Që nga krijimi i Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikanë, është anëtar i saj.

Ende sot është aktiv dhe merr pjesë në shumë simpoziume shkencore brenda dhe jashtë kufijve të Atdheut.

Ai është bashkëideatori dhe realizuesi i Simpoziumeve: “E Djathta Shqiptare në Mbrotje të  Shqipë risë  Etnike”, që deri më sot kanë mbajtur 11 simpoziume shkencore historike, duke hedhur dritë mbi shumë figura të  lënë në  harresë nga diktatura komuniste në  Kosovë  dhe Shqipëri.

Gjithashtu publicist Mrijaj, është  autor i shumë temave historiko-shkencore, ku, ka trajtuar figurat e shquara të nacionalizmit shqiptarë, si: heroina Marie Shllaku, Ndue Përlleshi, Kapidanët Mirditës, Kapidan Marka Gjoni, Gjon Destanisha, Prof. Alush Leshanaku, Mons. Dr. Zef Oroshi, Prof. Luan Gashi, Palush Markelu, Dom Anton Kçira dhe sëfundi ligjerata: “Kontributi i Lugut të Drinit dhe klerit katolik vendas në  shpalljen e Pavarësë më 28 Nëntor 1912”.

Gjithashtu, publicisti Mrijaj, ka shkruar parathënien e shumë librave jetëshkrimorë, vlerësime kritike, për vepra të reja nga autorë të  ndryshëm, sikurse ka në proces edhe shumë  libra të tjerë.

Librat e botuar:

1.  “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut”, monografi me bashkautor Klajd Kapinova, botuar nëShkodër, 2002.

2.  “Lidhja e Prizrenit (1962-2002) themeluesi dhe udhëheqësi Ismet Berisha”, monografi me bashkautor Klajd Kapinova , New  York , 2002.

3.  “Marie Shllaku bijë e Shkodrës martire e Kosovës”, monografi, botuar në New  York , 2004.

4.  “Ngjarje dhe portrete historike”, jetëshkrime të figurave të shquara shqiptare, me bashkautor Jetish Kadishanin, botuar në Prishtinë, 2004.

5.  “Mons. Dr. Zef Oroshi - një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, jetëshkrim, New  York , 2009.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT