E merkure, 13.11.2019, 10:24 AM (GMT)

Plus » Shoqëria

Tuna Prekpalaj: Nӫ shpirtin e shprazӫt lind Zoti

E enjte, 03.01.2013, 07:48 PM


Nӫ shpirtin e shprazӫt lind Zoti

Nga Tuna Prekpalaj

Eckhart von Hochheim i njohun me emӫn Meister Eckhart. Lindi nӫ vitin 1260, afër Gotha Hochheim, Tambach ose Wangenheim. Ai ishte nji bir i kalorsit tӫ famshӫm Eckhardus.

Meister Eckhart  âsht nji filozof, teolog dhe mistik i randësishëm nӫ Mesjetӫ. Ai i përkiste rendit Domenikan.

Në Köln (Këln) tӫ Gjermanisӫ në vitin 1325 dhe shtator tӫ vitit 1326, u ngritӫn akuzat  dhe u vnun në lëvizje procesiet e nji inkuizicioni kishtar kundër Meister Eckhartit. Në vjeshtën e vitit 1326 u gjetӫn disa seanca studimore, në të cilat i akuzuemi Eckhart âsht paraqit me dy lista inkriminuese me deklaratat e bâme prej tij. E papa Gjoni XXII e shpalli – mbas vdekjes sӫ Ekchartit, me 27 mars 1329 –  zyrtarisht se  prej 28 deklaratave tӫ Eckhartit 17 nuk u pranuen nga Kisha katolike, kurse ato tjerat (11 deklarata) do tӫ kritikohen nga teologӫt.  Papa  nӫ sentencӫn e akuzimit – pos tӫ tjerash – ka thanӫ se (po e citoj nӫ mӫnyrӫ tӫ lirӫ) Ekcharti ka dasht me dit ma shum se sa âsht kanӫ e nevojshme me dit, dhese  ka qenӫ nga djalli i ngashӫnjuem pӫr me i  udhӫzue njerӫzit e thjeshtӫ nӫ mӫnyrӫ tӫ gabueshme.

Nӫ pikpamjen e parӫ unӫ nuk kam deshirӫ kӫtu me shkrue ma gjansisht mbi biografinӫ e Meister Eckhartit, por vetӫm substancialisht due me vnue nӫ pah disa mendime tӫ tij filosofike, teologjike dhe mistike. Kurse nӫ pikpamjen e dytӫ shpresoj se dikush tjetӫr do tӫ shkruen ma gjansisht mbi kӫte filozof dhe teolog.

Mendimet e Eckhartit mӫ kan afascinue qysh se kur kam qenӫ student i filozofisӫ. Sepse: ai ka qenӫ nji person me diapazan tӫ gjanӫ tӫ ditunisӫ dhe tӫ  shikimit nӫ botӫ. Por, edhe pӫr faktin se ai ka shum implikime misterioze nӫ shpalljen e mendimeve tӫ veta. Ai nuk pati frigӫ prej askujt. As prej papӫs dhe as prej rrethanӫs ku ai djetonte. Eckharti  e ka pas terrenin e ngurtӫ nӫn kambӫt e veta. Si pӫr shembull, kur ai thot: “Unӫ e lus Zotin qӫ tӫ mӫ shpraz, tӫ mӫ ban bosh prej Zotit”. Edhe nji shprehje: “Zotin duhet me e dasht si nji jo-Zot, jo-shpirt, jo-person”. Por ai thot edhe diçka shum befasuese dhe intriguese: “Unӫ jam ma i mirӫ se Zoti”. Kӫto shprehi paradoksale duken se janӫ pothuaj se ateiste, tӫ thjeshta dhe pa lidhje. Po, nӫ momentin e parӫ njimend janӫ ateiste, tӫ thjeshta dhe pa lidhje. Por, nӫse mendojm pak ma thell, do tӫ vijm deri te konkluzionet tjera. E kӫto mendime rrjedhin prej nji domenikani tӫ zgjuem,  i cili ishte nji prej filozofӫve, teologjve dhe mistikӫve ma tӫ mdhaj tӫ Mesjetӫs: Meister Eckhartit. Kӫto mendime tӫ Eckhartit nuk janӫ si nji ushqim i macave, por kanӫ thellӫsi tӫ  madhe. Eckharti erdhi edhe nӫ kundershtim me Tomӫn e Akuinit. Disa komentatorë theksojnë se tӫ menduemit âsht procesi bazë i strukturave si faktor thelbësor në doktrinën filozofike dhe teologjike tӫ Meister Eckhartit. Kjo e pruni Eckhartin në kontrast të mprehtë nӫ lidhje me diskusionet mbi substancӫn – ontologjinë e Tomӫs tӫ Akuinit. Ndërsa “qenja e Zotit” te Toma i Akuinit âsht baza e të menduemit tӫ tij, përmbyset ky raport nӫ shkresen e Eckhartit  nӫ “Quaestiones”: Deus est intelligere (Zoti âsht mendje). Qӫ do tӫ thot se Zoti âsht bazue me mendje. Për këte mund tӫ thojm se Eckharti e pӫrdor nji filozofi tӫ shpirtit dhe tӫ mendjes, tӫ cilӫn Toma i Akuinit e hudh posht. Në  “Leksionet” e veta Eckharti sjell nji dallim mâ të saktë në mes të këtyne dy deklaratave. 'Qenja' nuk dallohet mâ nga tӫ  'menduemit' tӫ Zotit, por âsht nji pjesë integruese e:  Esse est Deus (Qenjai âsht Zot).

Meister Eckhart nӫ ketӫ kohӫ kontemporane konsiderohet si  nji ndӫr filozofӫt ma tӫ guximshӫm – sikurse Giordano Bruno, Baruch de Spinoza - nӫ histori. Kjo mund tӫ konstatohet nӫ bazӫ tӫ mendimeve tӫ tija qӫ pӫrbashken si gurtӫ e nji mozaiku nӫ laminӫ e filozofisӫ, teologjisӫ edhe tӫ mistikӫs. Simbas meje Meister Ekchart ka dasht me filozofinӫ e vet me e thye jo vetӫm egon (unӫ-in) e njeriut por inkluziv edhe egon (unӫ-in) religjioze. Zoti âsht – simbas filozofit – nji mister i pathanshӫm. S’ka kurrfar domethanje, âsht si me e rrah sanӫn pa grunӫ, nӫse na njerӫzit flasim mbi Zotin dhe i projektojm nӫ te llojlloj imagjinacionesh. Nӫ vend tӫ ksaj njeriu duhet me e shpraz shpirtin e vet dhe ashtu qӫ tӫ hyhet nӫ nji “shkretinӫ” shpirtnore tӫ mbrendshme. Vetӫm ashtu mund – simbas Eckhartit – tӫ bâhet nji transformacion i mrekullueshӫm i egos (unӫ-it) : sepse shpirti largohet nga tӫ gjitha ato imagjinacione tӫ rrejshme dhe ashtu mund krijohet, tӫ bahet vendi i volitshӫm dhe i pӫrshtatshӫm me e  pranue misterin e Zotit dhe vet Zotin. Pohimi i Eckhartit me e shpallӫ me anӫn e metaforӫs mendimin e tij asht i fort kur thot se vetӫm  “nӫ shpirtin e shprazӫt tӫ njeriut lind Zoti”. Tӫ thojm sikurse nӫ art, poashtu edhe nӫ bazӫ filozofike, para se tӫ krijojm diçka, duhet tӫ asgjâsohet objekti qӫ gjindet para nesh – pӫr me muejt me krijue diçka tӫ re qӫ âsht dhe qӫ âsht shum kryesore pӫr jetӫn tonӫ.  Nӫ shikimin e parӫ, kjo doktrinӫ duket se ka parime abstrakte. Por dukja mashtron. Krejt çka shkӫlqen nuk âsht âri. Sikurse: krejt çka gjinet nӫ garazhӫ, nuk âsht viturӫ.  Njeriu qӫ lejon qӫ nӫ vetveti tӫ lind Zoti, nuk âsht thjesht si nji lafitje ose ekstazӫ qiellore, por nji parim serioz jetsor.  Qӫ filozofija e Eckhartit qohet nalt prej tradicionit krishenӫ mund tӫ konstatoj se Eckharti e paraqet nji mӫnyrӫ depӫrtimi  nӫ paralele ndӫrmjet filozofisӫ tӫ Perendimit dhe tӫ Lindjes - posaçӫnisht tӫ asaj tӫ budizmit.  Bjen nӫ sy se zenmӫsuesit e budizmit gjithnji e ma tepӫr mshojn me çekiq mbi ate çka âsht e pathanshme dhe mbi ate çka âsjht e padijshme – ky âsht thelbi i doktrinӫs. Unӫ e çmoj Eckhartin kur thotӫ me bindje se njeriu nuk duhet me i bâ imagjinimet filozofike mbi Zotin. Se, kush don me e takue Zotin, duhet me e hudh posht  konceptin “Zotit”. Pӫr ate Eckharti shkruen: “Unӫ e lus Zotin me mӫ shpraz, me mӫ ba bosh nga Zoti”. Eckharti dhe zenmӫsuesit dojn qӫ nӫ jetӫ njeriu duhet tӫ jet pa ego. Kjo nuk asht nji mesazh i kandshӫm, sepse tӫ gjitha siguritӫ hiqen dhe njeriu mbrrin nӫ nji “hiç’, “asgjâ”.  Sepse, nӫ kӫt  “hiç’, “ashgjâ”, nӫ kӫt doktrinӫ ndӫrtuese,  unӫ zbuloj se unӫ jam gjithçka ose mud tӫ bâhem dikush, diçka dhe gjithçka. Kӫtu  shfaqet  ai shpirt i menqurisӫ, urtӫsisӫ i cili âsht edhe  dhimbshmӫni, gjunah me pasӫ pӫr tӫ tjerӫt. Altruizmi. Ashtu e shof  Meister Eckhartin jo si nji domenikan skolastik i errӫt, por, pӫrkundrazi, ky shpirt i pasionuem e paraqet nji gja tӫ vlefshme si pikӫ qendre: tӫ ndihmojsh – pa interesin egoist  – tӫ tjetӫt. E kӫto janӫ parimet ma tӫ qmueshme nӫ kampin e filozofisӫ, tӫ teologjisӫ dhe tӫ mistikӫs. Pӫr ate, na duhet tӫ lusim Zotin pӫr me na shpraz, tӫ na ban bosh - nga Zoti, tӫ cilin na e kan krijue tӫ tjerӫt me imagjinatӫn e tyne.  Zotin,  tӫ cilin tӫ tjerӫt e kanӫ çpikӫ dhe na kanӫ servue nӫ pjatӫ dhe e kan programue trunin tonӫ se si duhet me e paramendue Zotin.  Na jemi pӫrgjegjӫs vet pӫr veprimet tona. Ego i jonӫ duhet me u bâ ate çka - nӫ thelb – akoma s’âsht. E nӫse jemi aq tӫ aftӫ me u bâ – sӫ parit - bosh, atӫhere nӫ shpirtin tonӫ tӫ shprazӫt e ashtu – nӫ vazhdim - do tӫ lind Zoti (i vӫrtetӫ). Nuk erdh Krishti pӫr asgja nӫ kӫt botӫ. Ka ardh koha qӫ ai, si Zot, tӫ lind edhe nӫ qenjen tonӫ, por qenjen tonӫ tӫ dlirӫ (me fshisӫ!), nӫ qenjen tonӫ tӫ shprazӫt.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT