E enjte, 25.04.2024, 09:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabile Basha: Homazh për fëmijët e vrarë

E premte, 04.01.2013, 09:10 PM


NJË LIBËR- HOMAZH PËR FËMIJËT E VRARË NË LUFTËN E KOSOVËS (1981-1999)

Hanëmshahe Ilazi “A vriten engjëjt?!, Prishtinë 2012, f. 372

Nga Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

Të nderuar të pranishëm,

Për fëmijët është shkruar, shkruhet dhe do të shkruhet vazhdimisht. Për ta u shkruan libra, e u xhiruan filma të cilët temë trajtimi patën jetën dhe ngjarjet, të cilat përcjellin fëmijërinë e lumtur o të munguar të tyre. Por, ama, librin që po e promovojmë sot, nuk ka të bëjë me as njërën prej këtyre. Se ky libër në vete ngërthen krejt diçka tjetër nga ajo, që jemi mësuar të lexonim e të shihnim në botën e qytetëruar.

Libri “A vriten engjëjt  të cilën e ka shkruar me një përkushtim e kujdes të veçantë, me një përmbajtje të veçantë dhe, gjithashtu, autorja e librit është një zonja e veçantë- Hanëmshahe Ilazi, e cila, me vokacion nuk është historiane-shkencëtare, por bënë punën e tyre. Nuk është psikologe, por, ka depërtuar thellë në ndjeshmërinë e engjëjve. Mos të harrojmë se mbi të gjitha, zonja Hanëmshahe është nënë, e sikur çdo nënë tjetër e ka ndjerë dhe e ka përjetuar rëndë dhembjen e çdo nëne e prindi që kanë humbur më të dashurit e tyre.

“A vriten engjëjt”, është një libër i tmerrit dhe i krimit. Një libër që të shtang posa ta lexosh titullin e që të nxit, e cytë, që të futesh në brendinë e rreshtave që ngërthen në vete, me të dhëna të bollshme e fotografi fëmijësh që u vranë e u masakruan anë e kënd Kosovës.

Për dike, ndoshta është e pabesueshme, por faktet flasin për vërtetësinë e ngjarjeve makabre që u zhvilluan në truallin e përgjakur të Kosovës martire që nga viti 1981 e deri më 1999, kohë të cilën e përkufizon vet autorja.

Besoj se askush nuk e ka harrua se në Kosovë patëm një luftë jo të zakontë dhe, me një okupues edhe më të pazakontë, do të thosha barbar. E si do të quheshin  ndryshe ata që vrasin fëmijë- veçse kriminel.

A vriten fëmijët bre?! do të pyeste poeti. Po, në këtë libër është përgjigja që të shtang. Është dëshmia rrëqethëse e e faktografuar që zonja Hanumshahe i ka grumbulluar dhe i ka sistemuar, duke na ofruar vetëm një pjesë të majës së ajsbergut të tragjedisë që ka ndodhur në Kosovë.

Kush i vret fëmijët, vallë?! , do të pyeste çdo njeri që, vërtet është njeri. E përgjigjja nuk është larg! Nuk është e panjohur! Nuk është enigmatike. Urdhëroni e lexoni librin e zonjës Hanumshahe dhe do të gjeni shumë të dhëna, shumë dëshmi dhe shumë, e shumë mallkim  nga historia.

Libri është tmerri vet, por që në të njëjtën kohë të bën të ndihesh i revoltuar, i rebeluar, i mobilizuar, i rezistuar para së keqes, dhe të mësohemi që kurrë më, mos të harrojmë të kaluarën, për të mos u përsëritur, jo vetëm tek ne por askund në botë.

Kush i vrau ata engjëj, kush?! Do të pyeste çdo ndërgjegje njeriu dhe nuk është habi, O zot, ata-vrasësit, na detyruan e na mësuan që ta urrenim edhe njeriun. I thënë njeri-vrasësit apo jo.

Të ndalemi për një çast dhe të mendojmë, se te gjithë ne jemi nënat, baballarët, motrat e vëllezërit e tyre. Jemi prindër që nuk i kemi ma ata engjëj të brishtë. Nuk i kemi ma puthjet dhe buzëqeshjet e tyre. Nuk na kthehen nga shkolla! Nuk na thërrasin për asgjë! Nuk na kërkojnë ama bash asgjë, por kujtimi për ta... nëpër vite e dekada ka me na përcjell si dhimbje migrenoze nga ecejaket  e lodhura në trotuaret e historisë, që kërkojmë vetëm pak për ta, një vëmendje sublime nga gjenerata e gjenerata që do të vijnë.

Tematika e kësaj monografie është trajtuar me një seriozitet  të madha (shkencor). Secili kapitull ndërlidhet reciprokisht mes veti dhe plotësojnë kuptimin e njëra tjetrës. Statistikat që prezantohen këtu janë të sakta, ku paraqiten me emra e mbiemra, me vendlindje e komuna, me vend ndodhje të masakrave, andaj libri është  monument  shkrimi argumentues dhe  bindës. Në fillim është dhënë përmbajtja e librit, fjala e redaktorit e  recensentëve. Pastaj pason hyrja, e shumë kapituj të tjerë. Ndërsa në fund jepet përfundimi i librit që njëherë është i përkthyer edhe në gjuhën angleze e gjermane. Por, po ashtu kisha propozua që edhe libri si tërësi kishte qenë mirë që të përkthehej në ndonjë gjuhë të huaj.

Libri ka edhe shtojcën: Foto e Faksimile, që është pjesa më rrëqethëse e tij, ku janë materializuar me fakte ngjarjet që trajtohen në këtë monografi.

Lexuesi i rëndomtë do ta përgëzojë autoren për punën e madhe që ka bërë, por në të njëjtën kohë do të ndaj trishtimin e dhembjen me të, duke hapëruar bashkë me të nga emri në emër, e nga dhimbja në dhimbje  nëpër shumë kapituj (gjithsej tetë).

Autores së librit “A vriten engjëjt?!” Hanëmshahe Ilazit, i lumtë, që me punën e saj të pa ndalur, na dhuron këtë libër- lapidar për fëmijët e vrarë të luftës së fundit në Kosovë. Ju lumtë edhe për kurajën që keni pasur, ngase në momente kur lexoja librin, ndjehesha me ju, kam qenë në pozitën tuaj dhe e dijë se çfarë keni ndjerë, se, mu kujtua përgatitja e librit tim “Të burgosurit politik shqiptarë” kur me net të tëra nuk fusja gjumë në sy dhe përjetoja kalvarin e dhembjes bashkë me ta. Ankth me net të tëra.

Ju, zonjë, keni bërë një punë sa të madhe-kombëtare, po aq edhe humane, ngase pjesën ma të pastër e më të mirë të qenies sonë e keni nxjerr nga harresa. Iu keni vu emra e mbiemra. Iu keni dhënë vendin e merituar në piedestalin e monumentit  kombëtar të të rënëve për liri dhe pavarësi.

Dhe krejt në fund do të thosha se, ky libër le të jetë sot, edhe një homazh kombëtar e njerëzor për jetën e atyre fëmijëve që u shuan në mënyrë të pafajshme nga dora barbare. Le të jetë një dëshmi e paharruar e një kujtese e dhimbshme, jo, për hakmarrje, por që krimet, mos të përsëriten kurrë më, në trojet shqiptare e askund në botë.

(Fjalë e mbajtur me rastin e promovimit të librit “A vriten engjëjt” të Hanumshahe Ilazit,  veterane e UÇK-së)



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora